Kryetari i komunës së Bradasheshit / Nuk vendosin filtra, ka filmime me llumin e kuq që del nga oxhaqet

0
261

zona 12“Kemi rast pas rasti filmime që tregon oxhaqet me tym, llum të kuq”! Ta marrim denoncim apo dëshmi këtë pohim të kryetarit të komunës së Bradasheshit, zonës që prej disa ditësh “standard” ka vëzhguar si një nga më të ndoturat që kërcënon për ditë jetën e njerëzve aty. Me këtë deklaratë zyrtare, kryekomunari Sabri Sollaku thotë se kompania “Kurum” edhe pse ka investuar për ndotjen problemet vazhdojnë të ekzistojnë.

Edhe pse është bërë ndryshimi teknologjik, Sollaku thotë se nuk është përdorur linja e re e solarit me gaz, duke vazhduar me solarin konceroz që vjen nga Fieri.

Nuk është aq thjesht puna kur dëgjon nga kryekomunari se e ka të pamundur të trajtojë nga ana ligjore këtë çështje, ndërkohë që mbi 10 mijë banorë të zonës ju kërcënohet jeta brez pas brezi. Përballë këtij problemi të madh sociale Sollaku shpjegon se asnjë “masë ekstreme” nuk mund të vendoset mbi “Kurumin” pasi aty janë të punësuar rreth 2 mijë punonjës që gjë do shkaktonte një problem të madh në anë tjetër, ekonomik.

Por çfarë force ligjore do të duhet ta bindë kompaninë e “Kurumit” se teknologjia nuk del “jashtë mode” siç duan ata?! Duket se prej tyre është gjetur “hallka” kërcënuese, që lidhet me jetën ekonomike edhe të zonës. Në këtë gjendje sigurisht që më e mira nuk është mbyllja e biznesit të madh në ish metalurgjik. Banorët e zonës së Bradasheshit -që njohin sëmundjen e kancerit qysh në shenja, dhe se ndjejnë çdo ditë se jetët e tyre po mbarojnë kur në mbrëmje e mëngjes mezi mbushin mushkëritë me frymë,- mbeten të fundit, edhe pse duan që jetët e tyre të sigurohen të paktën me kompensim në para. Por, një ditë ata thonë nuk do rrinë në heshtje, do ngrenë zërin. Ndoshta, kur vdekja secilit t’i ketë prekur pragun e derës!

 

Problematika e banorëve që kanë me ndotjen është e njohur në këtë zonë të ish kombinatit metalurgjik. Çfarë është bërë deri tani për këtë zonë?

Ata që e shfrytëzojnë ish-metalurgjikun, pra kompania koncensionare “Kurumi” edhe pse kanë investuar për ndotjen problemet vazhdojnë të ekzistojnë.

Ata bënë ndryshimin e punimit të fabrikës së degëzimit nga solar në gaz. Bënë ndryshimin e tekonologjisë, komplet, me leje të komunës. Por ata nuk e vënë në përdorim këtë linjë teknologjike pasi ju del kostoja e lartë në gaz. Kështu ata përdorin solar kanceroz, një solar që vjen nga Fieri, jashtë çdo standardi.

 

Kur është bërë ky ndryshim?

Ky ndryshim duhej bërë para tre vitesh. Ata na thonë se kanë investuar, por vazhdojnë akoma me linjën e vjetër, dhe nuk përdorin atë linjë për të cilën është investuar.

Aty del tym nga oxhaqet, dhe ketu merr fund çdo gjë.

Së dyti, do merreshin me pastrimin e skrapit, copëtimin, dhe larjen. Kanë ngritur në mes të një sheshi, me 10 dynim vend, kanë bërë një prerje skrapi në të cilën gjithë grimcrat, llumi që pritet krijojnë zhurmë…. Ata nuk kanë arritur ndonjë standard.

Së treti,  çështja e çelikut. Ata thonë se kemi bërë furrë të re. Problemi është se çatia nxjerr tym. Nuk punojnë filtrat? Apo kanë të tjera probleme? Aty del tym i kuq sa herë punon fabrika. Këto janë tre pika, që krijojnë ndotjen më të madhe në komunën tonë.

Nga vëzhgimet tona, banorët vazhdojnë të heshtin, pse?

Jo, banorët janë shprehur dhe kanë shqetësime nga më të ndryshmet. Banorët kanë probleme në shëndet, në të mbjella. Ata të “Kurumit” kanë investuar për ndotjen. Kanë lëvizur. Por janë këto gjëra që duhet të zgjidhen.

A ka kompensim për këto dëme?

Asgjë.

Për këtë çështje dhe ju si komunë e dijmë se e keni ngritur disa herë zërin në këshillin bashkiak të Elbasanit. A vazhdoni të keni të njëjtin qëndrim?

Sigurisht që këtë çështje ne, si komunë e kemi ngritur disa herë. Kemi kontaktuar me kompaninë e “Kurumit”, kemi biseduar, kemi bërë akt-marrëveshje, por derisa del tym nga oxhaku, ka ndotje pra, për mua është jashtë standardit.

Sa banorë jetojnë nën këtë gjendje në këtë komunë? A keni ndonjë statistikë sa prej tyre kanë pasur probleme serioze, pra kanë rezultuar me kancer për shkak të ndotjes?

Në komunën tonë jetojnë 10 mijë banorë. Ne, nuk mund të japim informacione të tilla këto janë probleme të tjera. Sado të jetë ndotja, ajo sigurisht ndikon në shëndetin e banorëve, dhe nuk mund të anashkalohet kjo, dhe as të zvogëlohet.

Nuk ka gjykatës në botë që t’i japë të drejtë “Kurumit” kur unë i dërgoj pamje filmike të llumit të tymit që del nga oxhaqet, kur ne kemi bërë matjet për këtë. Ne e kemi denoncuar këtë gjë.

Këtë e keni nga matjet si të dhënë?

Patjetër, ne kemi bërë matjet dhe kemi thënë ja gjurmët. Ndërsa ata gjejnë privatë dhe na thonë ja, rezultatet kanë dalë shkëlqyeshëm.

Keni bërë filmime?

Po, patjetër. Ne rast pas rasti i kemi filmuar. Kemi një zyrë që merret me këtë. Kur na duhet, ne e ballafaqojmë me fakte.

Ju thoni se disa herë është tentuar të bini në marrëveshje, pra kuptojmë vënien e filtrave. Nëse vazhdon kjo situatë, çfarë është menduar të bëhet, si hap ndoshta më radikal?

Ka dy probleme që kompencojnë njëra tjetrën. Sidomos në këtë kohë, periudhë krizë që jemi. E para, është që ne në gjithë këtë zonë prej 10-15 mijë banorë kjo është e dëmshme për gjithçka. Prej ndotjes këtu mund “të vdesë” gjithçka.

E dyta, që kundërshton të parën është se në këtë kohë krize aty janë punësuar mbi 2 mijë punonjës. Ti nxjerrësh këta punonjës nga puna sot krijon një problem të madh social dhe ekonomik. Një sipërfaqe prej 600 hektarësh i ka zënë ish kombinati metalurgjik, do të thotë që të “vdesë” zona. Sikur dy muaj mos të punojë kombinati ka pasoja ekonomike të rënda. Për ne si komunë, në kuptimin institucional shtetëror të ardhurat që marrim nga Kombinati nuk na interesojnë para shëndetit

Sa të ardhura merrni si komunë nga kombinati? Çfarë ofroni ju si komunë në zgjidhje të kësaj çështje?

Ne marrim afërsisht 30 milion lekë të reja si taksë vjetore. Kjo është më shumë simbolike. Por, nëse marrim këto të ardhura, ne nuk i duam këto para  nga Kombinati vetëm që të rregullojë çështjen e ndotjes. Por duhet të na japë një afat, përshembull të na thotë se për dy vjet nuk i jep paratë, por ama do të rregullojë sistemin e filtrimit. Problemi është se ai nuk e bën këtë. Unë kështu do e mbyllja si komunë këtë çështje, nuk është se kam interes për të ardhurat që marr si institucion. Por në këtë histori, çështje është të punësuarit aty. Ne, si komunë kemi qenë disa herë përpara faktit për të dalë me vendimin ekstrem. Por vendimet ekstreme në një shtet demokratik nuk shkojnë, por merren me anë të ligjit. Por edhe me anë të ligjit, mund të bëhen protesta përmes bllokimit të punës, apo gjobave…pra të gjitha janë pjesë e ligjit, dhe ka shumë mënyra të ndryshme për të realizuar atë që ne kërkojmë. Por ka qenë çështje se është thikë me dy presa, pasi mbeten pa punë 2 mijë punonjës. Duhet të pranojmë se ka një përmirësim të ndotjes me shumë vite më parë. Unë kam shumë vite kryetar komune dhe e njoh mjaft mirë ecurinë.

 

Intervistoi: V.Murati/ G.Saliu/ F.Drizari

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency