Përmeti dhe një histori politike e diplomacisë

0
158

Dr.Enver Bytyçi

 

Përmeti ka rrit këto ditë temperaturën midis dy vendeve fqinjë, Shqipërisë dhe Greqisë.  Zbatimi i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për rikthimin e shtëpisë së kulturës së Përmetit në pronësi të Bashkisë dhe zhvendosja e Kishës së improvizuar prej aty, ka krijuar tension në Përmet, më pas tension në Athinë, akoma më tepër tension në pikat e kalimit kufitar me Greqinë dhe pak tension në Tiranë. Ministria e Jashtme e Greqisë denoncimit të saj për “dhunën ndaj kishës në Përmet” ka folur dhe për një rast “tensioni” në Gjirokastër, ku sipas saj dikush paska gjuajtur me gurë konsullatën greke, (çuditërisht me një gur të vetëm) dhe për këtë guralec të rënë në oborrin e konsullatës shpreh “kënaqësinë” e saj se “nuk ka patur të lënduar”.  Një montim i keq i alibisë, të cilën nuk e beson as vetë autori i shpifjes. Mesa duket rrenës greke nuk i ka mbetur më asnjë alibi fantaziste që bind dikë për “vërtetësinë” e saj.

Për të mos u marrë me histori grekësh të injektuar me urrejtje, shovinizëm dhe fobi antishqiptare, po përpiqem të kuptoj vërtet çka ndodhur që e gjithë Greqia është ngritur në këmbë dhe merr vendime antishqiptare të gjendjes së luftës, deri te mbyllja e kufijve! Asnjë lloj arsyetimi, gjykimi e përceptimi nuk mund të të çojë deri te ajo çfarë ka ndodhur e po ndodh këto ditë midis të dy vendeve fqinjë, Shqipërisë dhe Greqisë.

Në Përmet përmbarimi zbatoi një vendim gjykate, madje 11 vite me vonesë, sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i formës së prerë, i takon vitit 2002. Bazuar në vendimin gjyqësor të të gjitha shkallëve, Shtëpia e Kulturës, e cila më 1997, me dhunë, me forcën e kallashëve grekë të rrënimit të Shqipërisë u shndërrua në kishë, iu kthye më së fundmi pronarit të saj të ligjshëm, Bashkisë së qytetit të Përmetit. Vendimin e Gjykatës nuk e zbatoi përmbarimi zyrtar shtetëror. Por me të u mor përmbarimi privat. Më tej nuk u kujdes për këtë veprim asnjë polic me uniformën e policisë së shtetit, por veproi policia private.  Dy priftërinjtë e qytetit si dhe disa besimtarë ortodoksë reaguan me forcë për të ndaluar zbatimin e vendimit. Policia private i largoi po me forcë, por jo me dhunë, këta njerëz nga lokacioni ku kryheshin veprimet. Dikush mund të shtrojë pyetjen se çfarë ndryshimi ka forca me dhunën. Forca e balancuar e veprimit me atë të kundërshtarit nuk është dhunë. Më pas përmbarimi privat dhe policia private i morën ikonat kishtare të vendosura në shtëpinë e kulturës dhe ia dorëzuan më proçes-verbal përfaqësuesve të Bashkisë, me qëllim që ato të ruhen e të shkonin në gjëndjen ekzistuese te pronari – kishë.

Por Kisha Ortodokse Shqiptare dhe shteti kishtar i Athinës reaguan ashpër. Ato akuzuan ligjet shqiptare, gjyqet shqiptare, pushtetin lokal e qendror të Shqipërisë për shkelje të të drejtave fetare, pra të të drejtave të njeriut. Të gjitha mediet e Greqisë shkruan dhe u ankuan me zë të lartë për “rikthimin e regjimit komunist të vitit 1967 në Shqipëri”. Korit të tillë iu bashkua edhe “fort i ndrituri” Anastas Janullatos. Kështu tha përfaqësuesi i qeverisë greke, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Greqisë, deputeti fashist i Agimit të Artë, deputeti neofashist i parlamentit europian në Bruksel. Kështu thanë të gjitha gazetat dhe televizionet greke. Dhe nga e thëna, menjëherë në të bërë: Të mërkurën e kaluar (21.08.2013) u mbyllën kufijtë me Greqinë. Shqiptarët, të cilët dëshironin të udhëtonin në Greqi ose nëpër territorin grek nuk u lejuan të kalojnë traun e kalimit kufitar. Fillimisht iu thanë se duhet të keni 1500 euro me vete, veç pasaportës biometrike. Më pas atyre që patën paratë, u thanë se nuk mund të kaloni sa kohë nuk i ktheni shtëpinë e kulturës kishës së Përmetit. Drejtori i Policisë Kufitare në MPB urdhëroi ndërkohë që policia kufitare shqiptare të bllokojë kalimin e kufirit për qytetarët grekë, të cilët donin të hynin në Shqipëri. Ai vendosi sjelljen reciproke midis dy vendeve, për herë të parë në historinë 23 vjeçare mbas hapjes së Shqipërisë. Kjo solli, siç u tha, ndërhyrjen e konsullit grek në Gjirokastër dhe normalizimin e situatës kufitare. Dikush tha se për këtë Rama kishte folur në telefon me Venizellosin, por askush nuk beson në zgjidhjet me telefonata. Eshtë e natyrshme t’i besosh reagimit me të njëjtën monedhë, që të fitosh të drejtën që të takon.

Në këto ngjarje të shumëpërfolura disi me vonesë reagoi edhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë me një formulë “as mish, as peshk”, pa thënë asgjë të rëndësishme, madje si e zënë në faj. Nuk do të prisja ndonjë reagim tjetër nga një ministër, që nuk mban as ekuilbrin njerëzor të vetin, jo më të mbajë ekuilibrin diplomatik në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera. Ministria e Jashtme e Greqisë bën ultimatume, kjo e jona e thërret ambasadorin grek në Tiranë për t’u shfajësuar për vete, pa bërë asnjë faj. Kryeministri Berisha e qortoi ashpër qëndrimin e Greqisë dhe qeverisë së saj, duke e konsideruar atë si ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Shqipërisë, por ndërkohë kritikoi mënyrën sesi veproi përmbarimi dhe policia private.

Dhe nga e gjithë kjo çfarë ka ndodhur e si duket do të vijojë të ndodhë në këto ditë të nxehta vere, dëshiroj të ndalem në disa shkelje e ndërhyrje të rënda që politika, qeveria dhe diplomacia greke bën në Shqipëri.

Më së pari, opinioni publik shqiptar e më gjerë rikonfirmoi faktin se jo vetëm kisha greke, por edhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë është e varur dhe e njësuar me Greqinë e politikën qeveritare dhe joqeveritare antishqiptare greke. Eshtë fakt i pamohueshëm se qeveria e Athinës, ministria e Jashtme e Greqisë, autoritetet policore, doganore e me radhë në Greqi nuk kanë reaguar për shkak “të shkeljes së të drejtave të njeriut” në Shqipëri, por për shkak të faktit se ata e quajnë Kishën Ortodokse të Shqipërisë si Kishë Greke. Shkurt, pas 23 vitesh në demokraci Athina dhe Janullatos në Tiranë na rikonfirmojnë qëndrimin e tyre të njësuar për varësinë e Kishës Ortodokse Shqiptare te Kisha Ortodokse Greke. Ky është thelbi i konfliktit.

Sa kohë që do të ruhet kjo situatë statukuoje në Kishën Ortodokse të Shqipërisë, (për mua ajo nuk është as e pavarur, as autoqefale) aq kohë do të ketë konflikt midis Greqisë dhe Shqipërisë. Shqipërisë do t’i duhet luftojë për ruajtjen e sovranitetit të saj shtetëror, Greqisë për ta tjetërsuar atë me presione të natyrës kishtare.

Të gjithë ne besojmë se askush në Greqi nuk do të reagonte, nëse do të veprohej ngjajshëm me një xhami ose një kishë katolike apo evangjeliste. Reagimi i Greqisë shpreh dhe njëherë mentalitetin agresiv të politikës dhe kishës greke ndaj Shqipërisë dhe Kishës Ortodokse të Shqipërisë. Vetë Kisha shqiptare është bërë në fakt njësh me politikën greke. Prej këtej rrjedh arsyetimi se roli i Kishës Ortodokse Shqiptare të drejtuar nga Janullatosi nuk ka mision të saj besimin te Zoti, por përçimin e politikës greke në Shqipëri dhe ndikimin politik në vendin tonë për të realizuar ambicjet nacionaliste dhe shoviniste të diçituara si “Çeshtje e Vorioepirit”, një çeshtje, e cila ka lindur pas revolucionit grek të gjysmës së parë të shekullit XIX. Vorioepiri është politikë e hapur e dhjetra organizatave joqeveritare, e disa partive politike ekstremiste të pranishme në parlament, që prej komunistëve e deri te fashistët, është gjithashtu politikë e hapur dhe e fshehtë e qeverisë dhe diplomacisë greke. Axhenda vorioepirote, e cila rivendikon territoret shqiptare të jugut, u shfaq sërishmi para disa ditësh në Himarë, kur deputetë grekë dhe autoritete të tjera grekomane e grekofile në Shqipëri  përkujtuan vrasjen e Gumes.

Së dyti, Greqia në kundërshtim me ligjet demokratike të shtetit të së drejtës, ka atakuar me dhunë një vendim gjykate. Nëse në demokraci pranohet se gjykatat janë të pavarura dhe vendimet e tyre duhen zbatuar, atëherë nga ky rregull nuk mund të përjashtohet askush, qoftë dhe kisha ose xhamia. E vetmja rrugë e reagimit të palës kundërshtare, në rastin konkret të Kishës, do të ishte ankimimi në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Por në Greqi duket se nuk funksionon drejtësia. Njësoj si në vendet diktatoriale, ose vendet e brishta në demokraci, edhe në Greqi përdoret politika në funksion të së drejtës. Ndërkaq përdorimi e shpërdorimi politik i së drejtës është tipar i vendeve të pazhvilluara, ose në zhvillim e sipër. Demokracia greke e proklamuar si demokracia më e përparuar ka pësuar rishtaz fiasco. Ajo nuk mund të shërbejë si model për Europën e mrekulluar nga filozofia e Aristotelit dhe apologjia e Sokratit. Eshtë një demokraci nën nivelin e demokracisë ballkanike në përgjithësi. Opinioni publik në Europën Perendimore është vetëdijësuar se Greqia nuk përfaqëson vlerat e demokracisë së proklamuar. Por, për shkaqe interesash gjeopolitike ende nuk e pranojnë hapur këtë fakt udhëheqësit politikë të BE-së. Nëse do të pranohej kjo, atëherë BE do të bënin vlerësime më reale ndaj asaj çfarë ndodh në Europën Juglindore dhe do t’i jepnin Greqisë faturën përkatëse, edhe pse është vend anëtar i BE-së. Të qenit anëtar i BE-së nuk mund të jetë liçensë e së drejtës për ta transferuar përgjegjësinë te vendet aspirante për t’u pranuar në BE.

Së treti, për më tepër politika dhe demokracia greke e përpunuar në Athinë, është demokraci dhe politikë e hakmarrjes kolektive te njerëzit e pafajshëm. Greqia u hakmor me shqiptarët në nevojë, të cilët konform ligjeve europiane donin të udhëtonin në këtë vend. Ajo ua mbylli atyre kufijtë pa asnjë arsye ligjore të së drejtës europiane. Me qindra shqiptarë u kthyen mbrapsht, duke ndjerë dhimbjen e hakmarrjes primitive të shtetit grek. Ky veprim nuk shpreh demokraci, përkundrazi shpreh një primitivizëm të egër në marrëdhëniet midis shteteve dhe qytetarëve. Të hakmerresh te qytetarët shqiptarë pse një organ kompetent ligjor zbaton një vendim gjykate, madje me 11 vite vonesë, do të thotë të ndërtosh marrëdhënie konfliktualiteti me një nga vendet fqinjë. Kështu ndodhi këto ditë me Greqinë, fqinjin tonë jugor, kur refuzoi me forcë kalimin kufitar të shqiptarëve. Ndërkohë në BE ka mundësi që të përkëdhelin sedrën greke të Athinës e të sulmojnë institutcionet e shtetit shqiptar për atë që do ta quaja “Turpi grek i Përmetit”.

Dhe nëse Greqia dëshmoi agresivitet të pamasë në politikat e saj antishqiptare, qeveria shqiptare reagoi me shumë maturi. Kam parasysh në këtë rast reagimin e kryeministrit, sepse reagimi i ministrit të Jashëtm nuk është për t’u përmendur. Agresiviteti grek nuk erdhi për shkak të temperaturave të larta të gushtit e nuk mund të motivohet me kthimin në gjendjen e mëparshme të një shtëpie kulture, pronë e bashkisë së një qyteti. Qëndrimi hakmarrës i Greqisë ka lidhje me politikat imponuese në rajon e sidomos kundër vendeve të tilla si Shqipëria e Maqedonia. Ajo është e motivuar me kërkesat e Athinës për të përfituar territore nga Shqipëria.

Athina kërcënoi para disa vitesh se do të përdorte veton e nuk do ta miratonte nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit të Shqipërisë me BE-në. Më pas kërcënoi se do të bllokonte anëtarësimine vendit tonë në NATO.  Me këto kërcënime e detyroi qeverinë shqiptare të Berishës të nënshkruante marrëveshjen detare, aq të përfolur nga opozita e derisotme e majtë. Madje opozita  e Ramës e çoi atë marrëveshje në Gjykatën Kushtetuese, e cila në unanimitet vendosi anullimin e saj. Të gjithë anëtarët e Gjykatës kushtetuese, edhe ata që ishin simpatizantë të Berishës, edhe ata që vijnë nga partia e Ramës, votuan kundër marrëveshjes dhe e zhbënë atë. Por kjo ndodhi pasi Shqipëria bëri kërkesë për statusin e kandidatit për pranim në BE dhe pasi ajo u pranua në NATO. Greqia e përjetoi këtë si “dredhi” të Berishës, ndërkohë që i ftohu marrëdhëniet me opozitën e majtë, për shkak të iniciativës së saj në Gjykatën Kushtetuese.

Tani kjo marrëveshje ka ngelë në derën e mazhorancës së re. Rama është para dilemës për të bërë ose për të mos bërë lëshime. Një lëvizje tij taktike për lidhje më të ngushta me Ankaranë e Romën sesa me Athinën, ka bërë që në Greqi të mendohet se Rama nuk do të bëjë lëshimet që grekët i duan. Për këtë arsye është rritur presioni. U gjet dhe kazusi për këtë. Shtëpia e Kulturës në Përmet, e cila mban emrin e të madhit Naim Frashëri. Ndoshta ka ndikuar dhe emri i njërit prej Frashërlinjëve më në zë që grekët të vepronin në kushtet e terrorit të vitit 1997, kur pushtuan shtëpinë e kulturës dhe e improvizuan atë si kishë të qytetit. Tani e përdorin kundër Shqipërisë, për të tensionuar gradualisht situatën e marrëdhënieve midis të dy vendeve, me qëllim që të shkohet hap pas hapi deri të vetoja greke për marrjen e statusit kandidat për në BE. Këtë kishte parasysh eurodeputeti i Demokracisë së Re, kur pyeti në parlamentin europian, nëse Komisioni Europian ka dijeni dhe do t’i pasqyrojë ose jo ngjarjet në Përmet në raportin e radhës për Shqipërinë.

Harmonizimi i politikave antishqiptare vjen kështu në një linjë të përhershme, të sinkronizuar prej Përmeti në Gjirokastër, prej aty në Athinë, nga Athina në Bruksel e rikthimi përsëri në kufirin shqiptaro – greko – shqiptar. Nga ana tjetër, duket se në Athinë kërkohet një kompensim i humbjes së presitigjit grek me qëndrime të ashtuquajtura të forta, por antidemokratike dhe nacionaliste. Nacionalizmi bëhet gjithnjë strehë për maskarenjtë në politikë, kur politika kalon kriza të tilla si ajo e Greqisë. Dhe më e dëmshmja është kriza e besimit. Ajo çfarë ka ndodhur dhe ndodh në Greqi që prej gati pesë vitesh, është vërtet tragjike, e dhimshme, sepse në atë vend ka humbur besimi. Dhe përdorimi i instrumenti t kishë është më efektivi për rikthimin e besimit. Kjo dhe për faktin se kisha në Greqi është sipas pyetësorëve institucioni më i besueshëm në vend, krahas ushtrisë.

Presioni ndaj palës shqiptare dhe formula nacionaliste e forcimit të pushtetit janë dy arsyet kryesore të ngjarjeve të fundit në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë. Të dy këto faktorë janë njëkohësisht shkak i tensionimit të marrëdhënieve disavjeare midis Maqedonisë dhe Greqisë dhe të përhershme midis Ankarasë dhe Athinës. Por jo pak problem Greqia ka edhe me Bullgarinë. Duhet përmendur se këto marrëdhenie sjellin në vëmendje Luftrat Ballkanike, sidomos Luftën e Dytë Ballkanike, e cila u shkaktua më së shumti për arsye të konfliktit bullgaro-grek. E njëjta situatë është dhe sot. Vetëm se ka ndryshuar harta politike e Ballkanit dhe kushtet gjeopolitike të rajonit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency