Komunikimi i parë më kreun e opozitës, Rama e nis me “fyerje”

0
165

Rama “ofendon” Bashën në twitter dhe facebook. Kreu i PS-së shkruan në twitter: H.V.

Shkrimi në rrjetin social hiqet pas pak minutash. Justifikimi: U shtyp gabimisht telefoni

 

Mesazhi i gabuar i RamesReagimi i kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha ndaj konferencës ndërkombëtare të organizuar nga PS për zhvillimin urban, ka sjellë edhe komunikimin e parë mes dy protagonistëve të jetës politike për katër vitet e ardhshme. Vetëm pak minuta pasi Basha postoi mesazhin e tij në rrjetin social, një tjetër postim ka ardhur nga kryesocialisti Rama, i cili në profilin e tij në Twitter, por edhe në facebook, ka postuar vetëm dy iniciale, H dhe V. Ajo që nuk bëhet e ditur është fakti se nëse ky reagim i kreut të PS-së ishte në formë të nënkuptuar, duke drejtuar kështu edhe akuzën apo fyerjen e parë ndaj kryetarit të opozitës së ardhshme apo se ky mesazh ishte shkruar gabimisht, ashtu siç edhe pretendon zyra e shtypit të kryeministrit të ardhshëm. Fakt mbetet që brenda 3 minutash ky mesazh i kryesocialisti është fshirë nga rrjetet sociale zyrtare që ai zotëron.

Konferenca

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar dje konferencës së  Partisë Socialiste “Shqipëria e Gjeneratës Tjetër”,  për planifikimin e territorit dhe modelin e ri ekonomik. Basha e ka cilësuar këtë konferencë thjeshtë një fasadë ndaj planeve reale që ka kryeministri i ardhshëm i vendit për zonat më të çmuara të vendit, kryesisht bregdetin.  “Kryesocialisti ka thirrur disa arkitekte të huaj me të cilët ka punuar e qarkulluar konkurse në Bashki dhe ka përjashtuar në bllok të gjithë ekspertët e mirëfilltë shqiptarë. Dhe ka dy ditë që punohet me dyer të mbyllura për çfarë mendon të bëjë në pjesët më të çmuara të vendit. Sidomos bregdetit. Po ndahet torta në mënyre okulte. Pushteti lokal është jashtë loje. Në rend të ditës grabitja e pronave të bregut dhe stimulimi i bizneseve të fshehta që financuan në fushatë. Po e bën këtë pa asnjë plan e poçes transparent. Konferenca nesër është vetëm fasade. Pasi pazaret u bënë dje dhe sot. Por gjenerata e re e shqiptarëve nuk mund ta pranojë pazarin me te ardhmen në emër të interesave të së shkuarës”, shkruante Basha në rrjetin social “Facebook”. Ndërkohë, që kreu i PS-së Edi Rama ka theksuar se arkitektët dhe planifikues të cilët po vizitojnë godina publike në Tiranë dhe jashtë saj janë mbledhur me synimin e hapjes së një kapitulli të ri për territorin dhe ekonominë. “Arkitektë e planifikues urbanë të shquar botërisht po zhvillojnë një vizitë studimore dy ditore në hapësira e godina publike në Tiranë e jashtë saj, përpara konferencës “Shqipëria e Gjeneratës Tjetër” që mbahet në hotel Sheraton nesër e pasnesër. Dita e parë do t’i kushtohet territorit dhe e dyta ekonomisë, ku do marrin pjesë ekonomistë, financierë, menaxherë të shquar me eksperiencë e njohje ndërkombëtare”, bëri të ditur Rama nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”. Në ditën e dytë të turit njohës nëpër Shqipëri, arkitektët dhe urbanistët e ftuar nga Partia Socialiste për të marr pjesë në Konferencën “Shqipëria e Gjeneratës tjetër” janë ndalur në disa nga zonat informale si në Paskuqan, Kamëz dhe zonën e ish-kënetës në Durrës. Specialistë të fushës së urbanistikës i kanë njohur ata me historikun e krijimit të këtyre zonave, si dhe problematikat e mprehta që kanë ato në një proces që tashmë ndodhet midis legalizimit dhe urbanizimit të tyre. Më tej turi ka vijuar në amfiteatrin antik të Durrësit, por dhe në bregdetin e qytetit. Ditën e sotme do të nisë konferenca “Shqipëria e Gjeneratës së Re”, e cila do të fokusohet në ndërtimin e një vizioni të ri për një zhvillim të qëndrueshëm urban. Synimi i kësaj konferencë, sipas P-së  është të grumbullohen eksperienca të suksesshme ndërkombëtare në mënyrë që të gjenden zgjidhjet më të mira për sfidat me të cilat përballet Shqipëria.

 

 

Rama: Do të godasim dëmtuesit e territorit

Në përfundim të vizitave në qytetin e Durrësit, kryeministri i ardhshëm i vendit, Edi Rama deklaroi se prioritet i vitit të parë të qeverisjes së të majtës do të jetë goditja ndaj dëmtuesve të territorit. “ Padyshim, një nga prioritetet e vitit të parë do të jetë goditja pa asnjë kompromis ndaj gjithë atyre zhvillimeve që kanë dëmtuar territorin duke filluar nga bregdeti. Por, njëkohësisht, edhe nisja e punës intensive për një zhvillim harmonik, të qëndrueshëm, ekonomik, social dhe urban në funksion të një turizmi, i cili nuk mund të bazohet më në shifra të sajuara, apo duke u ngushëlluar me prurjet që vijnë natyrshëm drejt bregut, por që duhet të kthehet në një industri për të prodhuar punësim dhe të mira materiale”, tha Rama. Ndërkohë lidhur me konferencën e sotme ai bëri të ditur se,: “Një Konferencë për territorin dhe ekonominë; Një hapësirë diskutimi me arkitektë, urbanistë, artistë dhe ekonomistë, financierë, menaxherë, ku do të ballafaqojmë ide, do të marrim opinione, sugjerime. Do të vendosim një kontakt që synon të jetë i vazhdueshëm në funksion të një transformimi rrënjësor të atyre potencialeve të mëdha që Shqipëria i ka si dhuratë, nga Zoti apo nga natyra, por që në gjithë këto vite janë dëmtuar në mënyrë shumë të ndjeshme dhe kërcënuese për të ardhmen”.

 

Nisma

PS grup pune për prishjen e ndërtimeve pa leje

Prishja e ndërtimeve pa leje në bregdet dhe në qytetet e tjera të vendit do të nisë sapo qeveria e re të marrë detyrën. Tre muajt e parë të punës së kësaj qeveria, do të kenë në plan të parë edhe këtë çështje. Kryesocialisti Rama, nën petkun e kryeministrit të ardhshëm të vendit ka ngritur tashmë grupin e punës i cili do të merret tërësisht me çështjen e ndërtimeve pa leje. Në krye të grupimit të punës do jenë hartuesit e programit për trashëgiminë, kulturore dhe infrastrukturore Artan Lame dhe Auron Tare. Aksioni ndaj këtyre ndërtimeve prite të nisë në bazë të denoncime që kanë bërë qytetarët tashmë në faqen online të vënë në dispozicion nga PS, stoprrënimit.com. Në këtë faqe numri i denoncimeve të qytetarëve ka shkuar deri në 350, ku shumica e tyre janë për qytetet bregdetare, kryesisht Vlorën. Nisur nga ky fakt, pritet që të jetë pikërisht qyteti bregdetar jugor nga ku do të nisë aksioni i prishjeve në masë të ndërtimeve pa leje. Në një takim të disa ditëve më parë me krerët vendorë të qarkut të Vlorës, Rama kërkoi angazhimin maksimal të tyre për zgjidhjen e çështjes së ndërtimeve pa leje. Po ashtu, ai ka kërkuar bashkëpunim të plotë vendorëve të së majtës dhe koordinimin e tyre me ligjvënësit socialistë në parlament si edhe me agjencinë që qeveria e re do të ngrejë posaçërisht për këtë çështje. Në programin “ Rilindja Shqiptare”, PS ka parashikuar krijimin e një Agjencie Kombëtare të Bregdetit, përgjegjëse për planifikimin hapësinor dhe mbrojtjen e territorit të bregdetit. Gjithashtu, pritet edhe miratimi i Masterplanit Kombëtar për Zhvillimin e Turizmit, i cili duhet të orientojë çdo investitor potencial shqiptar apo të huaj. Masterplani Kombëtar për Zhvillimin e Turizmit do të ndërveprojë aktivisht me Planin e Përgjithshëm Kombëtar që në fazën e hartimit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency