Kërkesa e gruas drejtuar gjykatës: Më mbroni nga im bir

0
370

Sonja Caka

I padituri Eduart Fortuzi, i dënuar më parë për dhunë ndaj familjarëve dhe aktualisht i liruar me kusht, dhunon sërish nënën e tij

 

gjykata-697Një prind, aq më tepër një nënë e ka mjaft të vështirë të fusë djalin në burg apo ta nxjerrë atë nga shtëpia. Por, detyrohet ta kërkojë këtë me ligj kur fëmija dhunon vazhdimisht nënën e tij, e kërcnëon për jetën, ndërsa ia ka kthyer jetesën në një stres e frikë të përditshme, dhe hyrja e djalit në shtëpi i krijon gjatë gjithë kohës gjendje ankthi. Nga momenti në moment mund të ndodhë që ai ta qëllojë, pasi fyerjet, sharjet dhe ofendimet gruaja i ka përtypur duke bërë sikur nuk e dëgjon. Pas daljes nga burgu për dhunë ndaj familjarëve të tij dhe mbi të gjitha I liruar me kusht që të mos kryejë vepër të ngjahsme penale, në mënyrë të veçantë ndaj nënës së tij, Endrit Fortuzi është përballur sërish më gjykatën, kësaj radhe për përsëritje të dhunës dhe kërkesën e nënës së tij për largimin e tij nga shtëpia dhe lëshimin e menjëhershëm të urdhërit të mbrojtjes. “Më mbroni nga im bir i është drejtuar gruaja policisë dhe gjykatës”, ndërsa kjo e fundit ka vendsor ta pranojë kërkesën dhe t’i kërkojë të pandehurit të mos i afrohet nënës, babait dhe familjarëve të tjerë, si dhe të largohet nga banesa dhe të mos afrohet për 1 vit.

Kërkesa

E dhunuara Haxhire Fortuzi pretendoi para gjykatës se se edhe pas lirimit nga burgu, i biri ka vazhduar përsëri të ushtrojë dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj. Në shpjegimet e dhëna në seancë gjyqesore pala paditëse deklaroi se i padituri konsumon shpeshherë pije alkoolike duke qenë në ato momente i pamundur për të kontrolluar veprimet e tij. Gjithashtu, sipas nënës-paditëse, ai luan lojëra fati dhe kur i humbet paratë vjen në shtëpi duke i kërkuar lekë asaj dhe nëse ajo nuk i jep para, ai fillon të ushtroje ndaj saj dhunë fizike dhe psikologjike. Kësht, sipas paleë paditëse, një incident i tillë ka ndodhur më datë 06.07.2013 kur paditësja ishte në kopsht duke ujitur bimët, ndërkohë që i padituri i ka gjuajtur me gurë nga hyrja e dhomës së tij. Ndërsa incidenti i fundit midis tyre  ka ndodhur më datë 07.07.2013, rreth orës 16.30. Paditësja ishte para shtëpisë së saj në vendin ku bashkëshorti i saj Skënder Fortuzi shet prodhime bujqësore. Më pas ajo është larguar dhe është nisur për t’u futur brenda në shtëpi. Në atë moment, i padituri i ka dalë përpara dhe ka filluar ta shajë dhe ta ofendoje me fjalë fyese dhe me një fjalor të papërshtatshëm. Paditesja nuk i ka kthyer përgjigje por është futur brenda në kuzhinë dhe ka nisur të gatuajë. Më pas ka ardhur i padituri, i është afruar paditëses, ndërkohë që bashkeshorti i paditeses duke parë që i padituri ka hyrë në kuzhinë ka vajtur edhe ai me vrap nga jashtë dhe është futur brenda. Ai është futur midis palëve dhe ka dashur ta largojë të paditurin nga kuzhina. Por, në atë moment, i biri Eduarti e ka kapur me forcë paditesën dhe e ka përplasur me kokë pas murit. Ndërkohë, ai vazhdonte të shante dhe të kërcënonte . Në këto kushte, paditësja e frikësuar ka denoncuar dhunën e palës së paditur në Komisariatin e Policisë Nr. 6 Tiranë si dhe ka kërkuar mbrojtje nga i padituri. Pala paditëse pretendoi se i padituri nuk e lë atë të qetë,  duke bërë që të përjetojë një gjendje ankthi  dhe stresi, duke u ndjerë kështu e pasigurtë.

 

Dënimi

Paditësja Haxhire Fortuzi shpjegoi para gjykatës se edhe më perpara ajo i ështe drejtuar organeve kompetente për të kërkuar mbrojtje nga i padituri Eduart. Kështu, me vendimin  penal Nr 1982 datë 21.12.2012 , të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë , i padituri është deklaruar fajtor për veprën penale “Dhunë në Familje “ të parashikuar nga neni 130/a/3  i Kodit Penal, si dhe është dënuar me një vit  e 6 muaj burgim. Në aplikim të nenit 406 /1 të Kodit të Procedurës Penale i është ulur 1/3 e dënimit dhe përfundimisht është dënuar me një vit burgim. Por, në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal është urdhëruar pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim për të, duke e vënë në provë për një afat kohor prej dy vjetësh, me kusht që gjatë kësaj kohe i padituri të mos kryejë vepër tjetër penale. Në vendimin e zbardhur të gjykatës, lidhur me akuzën për “dhunë në familje” për të pandehurin Eduart Fortuzi, rezulton se më 19.06.2012 pranë Komisariatit të Policisë nr.6 Tiranë, është paraqitur kallëzuesja Haxhire Fortuzi dhe ka bërë kallëzim penal ndaj djalit të saj, të pandehurit  Eduart Fortuzi. Kallëzuesja  ka deklaruar se djali i saj, i pandehuri Eduart Fortuzi shet perime në anë të rrugës nacionale në fshatin Ndroq Tiranë. Pranë këtij vendi shtetasi Dritan Brahja ka një dyqan dhe nuk lejon qe i pandehuri  Eduart Fortuzi  të shesë aty. Më datë 18.06.2012  i pandehuri Eduart Fortuzi pasi ka shitur perime në vendin e mësipërm ka shkuar në lokal ku ka konsumuar pije alkoolike. Rreth orës 02:00 ka shkuar tek banesa e Dritan Brahjas për ti kërkuar leje për të shitur perimet, por Dritan Brahja  nuk ka dalë nga banesa. Më pas i pandehuri  është kthyer në shtëpi ku është konfliktuar me babain e tij shtetasin Skender Fortuzi. Në këto momente ka ndërhyrë nëna e tij, kallëzuesja, e cila është qëlluar me grushta nga djali i saj, i pandehuri Eduart Fortuzi.

 

 

Vendimi

Vidhte në supermarketin ku punonte, dënohet me kusht

Një i ri është dënuar nga gjykata për vjedhje në supermarketin ku punonte. Dënimi prej 4 mujash burg i është pezulluar, duke u liruar me kusht që gjatë 2 vjetësh të mos kryejë asnjë vepër penale. I pandehuri Marius Demirxhiu ka qenë i punësuar në supermarketin “Euromax ekspress 14” të ndodhur në Tiranë, pranë Radio Televizionit Shqiptar, duke filluar nga data 27.11.2011. Fillimisht ai është punësuar si punonjës i thjeshtë i rafteve, por më pas edhe si kasier.  Sipas gjykatës, i pandehuri në datën 17.07.2012 rreth orës 18.15 ka qenë në kasë në turnin e dytë. Ai ka kaluar disa produkte ushqimore, dhe nuk ia ka dhënë faturën klientit. Në kohën që klienti sistemonte produktet ushqimore, ai ka vazhduar punën normalisht me produktet e klientit tjetër dhe pas pagesës së bërë i ka dhënë faturën. Klienti i mëparshëm pas sistemimit të produkteve i ka kërkuar faturën, por ai nuk ka mundur t’ia nxjerrë atë. Aty ka shkuar ndihmës menaxheri dhe nga punonjësit e shoqërisë është konstatuar se i pandehuri nuk ka prerë kupon për produktet e shitura, duke përvetësuar kështu shumën e parave. I pandehuri është mbajtur nën vëzhgim nga punonjësit e shoqërisë dhe në datën 21 korrik të vitit 2012 është konstatuar përsëri që i pandehuri ka kaluar produktet, ka bërë shënimet në sistem, por nuk ka lëshuar faturë, duke bërë që fatura të fshihet dhe fatura pasardhëse të mbajë të njëjtin numër fature. Por që nga pamjet filmike duket që fatura i korrespondon blerjes së dytë dhe jo asaj të fshirë nga produktet që kalohen dhe nga vlera  e faturës. Në datën 23 korrik, të vitit 2012 ai ka kryer të njëjtin veprim, ku në përfundim të turnit i është kërkuar që të bënte dorëzimet përkatëse dhe nga kontrolli ka rezultuar se të pandehurit i ka dalë tepricë shuma e parave prej 4116 lekësh. I pandehuri është larguar me motivacionin “abuzim me detyrën” dhe njëkohësisht është bërë edhe kallëzimi penal. Nga deklarimet e marra nga punonjës të shoqërisë, nga dokumentacioni i paraqitur nga shoqëria në lidhje me vlerën e produkteve, nga këqyrja e CD-ve me pamje filmike për ditët e punës së të pandehurit dhe nga akti i ekspertimit filmik dhe ai vlerësues  rezulton e provuar se i pandehuri duke qenë në rolin e kasierit në datat 17, 21 dhe 23 korrik të vitit 2012 ka kryer veprime duke kaluar produkte në kasë, por duke mos prerë fatura për klientët duke bërë që shitja të mos shënohej në librat e shitjes, produktet të rezultonin në gjendje në magazinë, duke përfituar kështu shumat e parave. Nga akti i ekspertimit vlerësues janë përcaktuar dhe janë përputhur faturat e lëshuara (njëkohësisht të regjistruara në librat e shitjes) me produktet e pasqyruara në sekuencat filmike nga kqyrja e pamjeve filmike. Nga ky akt ekspertimi rezulton se për tre ditët e sipërcituar, ka produkte të cilat janë kaluar në kasë nga i pandehuri, por për to nuk është lëshuar faturë, pasi një fakt i tillë jo vetëm që rezulton nga kqyrja, por një pasqyrim i tillë nuk është bërë as në librat e shitjes. Në varësi të produkteve dhe vlerës përkatëse që ka sipas çmimeve të caktuara nga shoqëria, ka rezultuar edhe shuma e parave që janë përfituar nga i pandehuri. Për ditët 17 dhe 21 korrik, kjo shumë është 7.236 lekë. Ndërsa për datën 23 korrik, viti 2012 duke qenë se nga pamjet filmike nuk mund të përcaktohen produktet, por që rezulton se i pandehuri nuk ka lëshuar faturë për disa produkte dhe pas përfundimit të turnit është bërë rakordimi, ku atij i ka rezultuar një shumë parash diferencë 4.116 lekësh, provohet që shuma është përfituar nga moslëshimi i faturave. Një shumë e tillë parash përputhet edhe me ato të përfituara nga i pandehuri në dy ditët e tjera.  Në këto rrethana nga organi I akuzës është sjellë për gjykim I pandehuri Marius Demirxhiu duke u akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën“ të parashikuar nga neni 135 i Kodit Penal.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency