Zhvillimi urban dhe modeli ekonomik, të majtët kërkojnë ekspertizën e huaj

0
126

Gëzim Saliu

Më 26 dhe 27 gusht do të zhvillojë punimet konferenca “Shqipëria e Gjeneratës së Re”, marrin pjesë 32 arkitektë ndërkombëtarë

 

arkitektetEkspertizë ndërkombëtare për zhvillimin e qëndrueshëm urban dhe formësimin e një modeli të ri ekonomik. Partia Socialiste do të zhvillojë më 26 dhe 27 gusht një konferencë ndërkombëtare me titull “Shqipëria e Gjeneratës së Re”, e cila do të fokusohet në ndërtimin e një vizioni të ri për zhvillimin urban dhe formësimin e një modeli të ri ekonomik për një zhvillim të qëndrueshëm. Synimi i kësaj konferencë, sipas socialistëve është të grumbullohen eksperienca të suksesshme ndërkombëtare në mënyrë që të gjenden zgjidhjet më të mira për sfidat me të cilat përballet vendi. “Për herë të parë zhvillohet një konferencë e tillë, në këtë formë, ku fillimisht specialistët më të njohur të fushës në zhvillimin urban njihen drejtpërdrejtë me realitetin, duke e parë dhe prekur vetë atë e më pas ata do të japin rekomandimet e tyre në një konferencë të zgjeruar”, bënte të ditur dje detajet e këtij aktiviteti, Partia Socialiste.

Ministrja

Në konferencën dy ditore pritet të marrin pjesë 32 arkitektë, planifikues urbanë dhe ekonomistë të huaj. Në turin e zhvilluar një ditë më parë me të ftuarit e PS-së, Ministrja e ardhshme e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni ka pohuar se ekspertët janë të njohur në botë për përvojën dhe karrierën profesionale. “Jemi vërtet shumë të kënaqur që ata janë sot me ne dhe për të na dhënë këndvështrimin e tyre, përvojën e tyre, angazhimin e tyre dhe karrierën profesionale sesi konkretisht Shqipëria mundet që sfidat e zhvillimit urban, sfidën e madhe të planifikimit të territorit mund ta realizojë me sukses për një zhvillim më të mirë ekonomik dhe social, për një zhvillim që t’i vlejë qytetarëve. Në fakt kjo është pjesë e programit që ne kemi prezantuar, programit të Rilindjes për të cilën ne jemi angazhuar që do ta realizojmë”, tha Gjermeni. Sipas saj, kryeministri i ardhshëm i vendit ka një angazhim personal për këtë. “Pikërisht për ta ngjizur idenë që kemi dhe për ta realizuar atë sa më mirë në praktikë, në ndihmë të qytetarëve shqiptarë kemi ftuar këta profesionistë nga e gjithë bota, planifikues dhe arkitektë për të realizuar dëshirën dhe sfidën e përbashkët,” theksoi Gjermeni. Më parë, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka premtuar se brenda 2 viteve të mandatit qeverisës së të majtëve do të finalizohet plani kombëtar i zhvillimit. “Dua të theksoj domosdoshmërinë e një plani të përgjithshëm kombëtar sepse duhet ti japim fund veprimeve kuturu të tokës që po heq çdo muaj pasuritë e përbashkëta dhe po e kthen në truall të ndërtuar jashtë çdo kushti dhe për ti dhënë një drejtim të qartë vendit në rrugën e zhvillimit.  Duhet të përcaktojnë një plan kombëtar zhvillimi në të gjitha drejtimet, si në zhvillimin ekonomik, urban, mjedisor, etj”, ka deklaruar Rama.

Nisma për shkresat zyrtare

Rama konkurs për redaktorë të gjuhës shqipe, do punojnë pranë çdo institucioni

Pranë çdo institucioni të shtetit shqiptar do të punësohet një redaktor i gjuhës shqipe, i cili do të ketë rol kyç lidhur me shkresat zyrtare që shpërndajnë këto institucione. Kjo është nisma që pritet të ndërmarrë, kryeministri i ardhshëm i vendit Edi Rama, duke vlerësuar se deri tani gjuha e përdorur në shkresat shtetërore ka qenë një deformim i shqipes letrare. Kryesocialisti ka kërkuar përgatitjen e një konkursi për 24 redaktorë të gjuhës shqipe, të cilët do të atashohen pranë kryeministrisë dhe në çdo ministrie. Ndërsa një ekip prej tre redaktorësh do të shërbejnë si njësi kontrolli e gjuhës së shkruar shqipe në çdo dikaster dhe agjensi.

 

Jalë

Meta: 23 qershori, stacioni i parë i Shqipërisë Evropiane

Akademia Verore për Politikën e organizuar nga Lëvizja Rinore për Integrim në bregdetin e Jalës ka ulur dje siparin pas pesë ditësh mes aktiviteteve të shumta politike dhe kulturore. Në takimin përmbyllës të kampingut, kryetari i LSI-së, Ilir Meta ka theksuar se ky është investimi më i mirë që të rinjtë bëjnë për të ardhmen e tyre dhe të ardhmen e gjithë vendit. Meta u shpreh se Shqipëria ka nevojë të ecë më shpejt dhe këtë mund ta bëjë vetëm me një rini aktive, e ditur, me vizion dhe mbi të gjitha e cila sjell energji pozitive përmes solidaritet dhe jo përmes individualizmit. “Ky angazhim është investimi më i mirë që ju bëni për të ardhmen tuaj, për të ardhmen e gjeneratës suaj, por edhe për të ardhmen e familjeve, të shoqërisë suaj dhe për të ardhmen e gjithë vendit tonë. Shqipëria ka nevojë të ecë më shpejt dhe mund të ecë më shpejt me një rini aktive të ditur me vizion dhe mbi të gjitha e cila sjell energji pozitive përmes solidaritet dhe jo përmes individualizmit”, deklaroi lideri i LSI-së. Për Kryetarin e LSI-së ajo që është më e rëndësishme për LRI-në, është që në çdo fshat të Shqipërisë duhet të ketë Lëvizje Rinore për Integrim. “Dhe ajo që është më e rëndësishme për LRI-në duke qenë se tani ka fituar statusin e një organizate tepër premtuese dhe shpresëdhënëse për të gjithë të rinjtë e Shqipërisë, është që në çdo fshat të Shqipërisë duhet të ketë Lëvizje Rinore për Integrim. Prandaj është një detyrë mendoj edhe e juaja dhe e gjithë strukturave të LRI-së në të gjithë vendin për të krijuar kudo organizatat e LRI-së”, deklaroi Meta. Në fund të fjalës së tij Lideri i LSI-së, duke u uruar mbarësi të gjithë të rinjve, u bëri thirrje të ecin drejt sfidave të tjera që i presin, pasi sipas tij 23 qershori ishte vetëm një stacion në udhëtimin i cili ndihmon Shqipërinë që të ecë më shpejt drejt projektit madhor të Shqipërisë evropiane.“Ju uroj mbarësi të gjithëve, të fillojmë përsëri drejt sfidave që na presin sepse 23 qershori ishte vetëm një stacion në udhëtimin tonë i cili ndihmon Shqipërinë që të ecë më shpejt drejt realizimit të projektit tonë madhor të Shqipërisë evropiane”, theksoi ndër të tjerash kryetari i LSI-së, Ilir Meta.

 

Vizita në Kosovë

Rama me Thaçin: Kalendar të përbashkët për ngjarjet kulturore

Kosova dhe Shqipëria do të kenë një kalendar të përbashkët vjetor ngjarjesh kulturore. Kështu kanë bërë të ditur dje kryeministri i ardhshëm i vendit Edi Rama së bashku me kreun e ekzekutivit të Kosovës Hashim Thaçi, duke theksuar se kjo nismë do të jetë një risitë kryesore në marrëdhëniet mes dy vendeve. Pjesëmarrës në festivalin e filmit, “Dokufest” që realizohet në Prizren, Rama ka vlerësuar lart këtë aktivitet, duke theksuar,: “Në Prizren me kryeministrin Thaçi me kolegë e miq, brenda kornizës së mrekullueshme të Dokufest, një aktivitet kulturor me përmasë europiane që vitin tjetër do mbështetet edhe nga qeveria e Shqipërisë. Një kalendar i përbashkët vjetor ngjarjesh kulturore do të jetë një nga risitë e mëdha të bashkëpunimit mes dy shteteve shqiptare”. Vizita e kryesocialistit në Kosovë ka vazhduar me vizitën në ekspozitën e Simon Shirokës në Galerinë Kombëtare të Kosovës. “Me Lindën në Galerinë e Arteve të Kosovës për superekspozitën e Simon Shirokës”, shkruante Rama në rrjetin social. Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, që nga data 28 qershor është hapur ekspozita me vepra të punuara nga artisti i njohur Simon Shiroka. Kurator i punimeve të Shirokës është drejtori i GKK-së, Erzen Shkololli. Ndërkaq, mësohet se Galeria Kombëtare e Kosovës, në bashkëpunim me familjen Shiroka, janë duke përgatitur monografinë e artistit, e cila pret të publikohet në gusht të këtij viti dhe ka për editor kritikun e artit Shkëlzen Maliqi, që njëherësh është dhe anëtar i Bordit të GKK-së. Kjo ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy muaj, deri më 28 gusht.

 

Takimi

Arvizu-Naço: Bashkëpunim pa ndërprerje SHBA-Shqipëri për drejtësinë

Ambasadori amerikan Arvizu ka takuar dje në selinë e LSI-së ministrin e ardhshëm të Drejtësisë të qeverisë së re, Nasip Naçon. Qëllimi i takimit ka qenë vazhdimësia pa ndërprerje e marrëdhënieve të Shqipërisë me SHBA-në në fushën e drejtësisë, pavarësisht se këtë vjeshtë përfundon mandati i ambasadorit Arvizu dhe pritet emërimi zyrtar i Naços. Ky i fundit është shprehur se do të punojë për përshpejtimin e reformave të nisura nga ekspertët e Opdat & Icitap. “Do të synoj rritjen e  koordinimit për reformat në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe në sistemin e burgjeve e veçanërisht dhe luftë pa kompromis ndaj korrupsionit”, tha ai. Nga ana tjetër, Arvizu theksoi se SHBA do të jetë gjithmonë pranë institucioneve shqiptare për luftë reale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency