Pallati i kulturës në Përmet / Komunitet e Krishtera: U dhunua Kleri, shteti ti rikthejë kishës pronat

0
116

“I bëjmë thirrje edhe një herë shtetit shqiptar që të angazhohet në zgjidhjen përfundimtare të kthimit të pronave Komuniteteve Fetare në Shqipëri, të cilët edhe pas 23 vitesh demokraci nuk kanë gjetur të drejtën e tyre te ligjshme dhe demokrati”

 

PROTESTA E KISHAVE_1Duket se do të rikthehet në një debat të gjerë çështja e Pallatit të Kulturës në Përmet. Pas reagimit të shtetit grek dhe drejtuesve të ortodoksisë në Shqipëri, kanë qënë Komunitetet e Krishtera të cilat kanë dënuar ngjarjen e ndodhur në Përmet. “Kemi ndjekur me shqetësim dhe indinjatë ngjarjen e fundit në kishën ortodokse Shën Maria e pazarit, të qytetit të Përmetit, ku forcat policore të një shoqërie private përmbarimore nxorën nga objekti i kultit me forcë objekte të shenjta fetare dhe trajtuan në mënyrë të turpshme klerikët dhe besimtarët ortodoksë, të cilët dolën në mbrojtje të kishës së tyre. Pamjet e transmetuara nga mediat na sollën edhe një herë në mendje vitet e persekutimit dhe të luftës ndaj institucioneve fetare dhe objekteve të kultit, ndërkohë që presim ende kthimin e objekteve dhe pronave të komuniteteve tona fetare”- thuhet në deklaratë e Komuniteteve të Krishtera.

Rikthimi i pronës

Komunitetet i kërkuan shtetit që cështja të zgjidhet shpejt duke kaluar godinën tek besimtarët. “Me këtë deklaratë duam të shprehim solidaritetin tonë me vëllezërit dhe motrat tanë ortodoksë të qytetit të Përmetit dhe të gjithë besimtarëve ortodoksë dhe urojmë që çështja e kësaj kishe të zgjidhet sa më shpejt dhe objekti i kultit dhe vendi i shenjtë t’i kthehet besimtarëve dhe klerikëve për të kryer shërbesat e shenjta. Me këtë rast do të dëshironim t’i bëjmë thirrje edhe një herë shtetit shqiptar që të angazhohet në zgjidhjen përfundimtare të kthimit të pronave Komuniteteve Fetare në Shqipëri, të cilët edhe pas 23 vitesh demokraci nuk kanë gjetur të drejtën e tyre te ligjshme dhe demokratike”- përfundon deklarata e Komuniteteve të Krishtera. Deklarata u firmos nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike e Shqipërisë dhe Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë.

Përplasjet në Përmet

Çështja e Pallatit të Kulturës ka shkaktuar dhe përplasje fizike pak ditë më parë ku dy besimtare ortodokosë u lënduan lehtë gjatë hyrjes me forcë në godinë, e cila ruhej nga policia private. Nëpërmjet forcës, besimtarët dhe priftërinjtë u futën në ambjnetet e kishës duke zhvilluar meshën. Një ditë më pas Bashkia izoloi muret me tulla kurse priftërinjtë në shenjë proteste zhvilluan meshën jashtë. Çështje e kishës tensionoi marrëdhëniet mes dy vendeve ku policia greke pa asnjë shkak ktheu qindra shqiptarë në kufi. U desh zbatimi i reciprocitetit nga ana e policisë kufitare në Gjirokastër për të rikthyer normalitetin në lëvizjen e shqipëtarve drejt Greqisë. Objekti dy katësh në Përmet është ndërtuar në vitin 1962. Pas Luftës së Dytë Botërore, në truallin ku ishte ngritur Pallati i Kulturës dhe lulishtja e qytetit, jetonin në baraka 30 familje. Në vitin 1958 ato u shpërngulën, pasi sistemi komunist hartoi një plan rregullues. Në nëntor të vitit 1962 u inaugurua lulishtja e qytetit sëbashku me Pallatin e Kulturës. Në vitin 1997, falë një vendimi të Komisionit të Pronave në Përmet, Pallati i Kulturës nuk ka funksionuar më. Gjykata Kushtetuese në vitin 2002 ka vendosur në favor të pushtetit vendor, por prej 11 vitesh ky objekt u mbajt forcërisht nga Kisha Ortodokse. Pallati i Kulturës, me sipërfaqe 6000 metra katrorë, figuron me nr. pasurie 16/9, ndërsa Zyra e Përmbarimit ka tentuar 15 herë të ekzekutojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por asnjëherë nuk është realizuar.

 

Prishet ndërtimi përballë parlamentit

Hoxha: Gjoba edhe ndaj subjekteve që shpërndajnë inerte

Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik ka vijuar prishjen e ndërtimeve pa leje në Tiranë. Ditën e djeshme janë bërë ndërhyrje për prishjen e një objekti pa leje në rrugën “George Ë Bush”, duke ndërmarrë hapat e nevojshëm ligjorë, për kthimin e tij në gjendjen e mëparshme.  Drejtori i Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Florenc Hoxha u shprehse, “Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik i Bashkisë së Tiranës po vepron duke kryer detyrën e tij, për të zbatuar ligjin në këtë objekt të paligjshëm. Ky objekt i ndërtuar në kundërshtim me ligjin ka cënuar rëndë strukturën mbajtëse të pallatit, kështu që nga ana jonë janë marrë të gjithë masat ligjore, deri në finalizimin e tyre sot, me ndërhyrjen për ta kthyer në gjendjen e mëparshme”. Hoxha theksoi gjithashtu se do të ndërmerren masa administrative ndaj subjekteve që shpërndajnë inerte në objektet pa leje si dhe nuk do të tolerohet asnjë ndërtim i paligjshëm në territorin e bashkisë së Tiranës.  “Po ashtu, janë ndërmarrë edhe masa administrative, ndaj pikave të inerteve të cilat shpërndajnë inerte në objektet pa leje. Nga ana jonë do të merret masa administrative e sekuestrimit, për të gjithë mjetet që do të identifikohen apo bllokohen pranë objekteve pa leje. U bëjmë thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo ndërtim pa leje, pasi nga ana jonë janë intensifikuar masat për “goditjen” e tyre. Territori i Bashkisë së Tiranës monitorohet 24 orë në 24 nga ana e shërbimit të Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik dhe Policisë Bashkiake dhe nuk do të tolerojmë apo lejojmë asnjë ndërtim të paligjshëm, të “lulëzojë” në territorin e bashkisë së Tiranës”-theksoi Hoxha.

 

 

Helmimet në Korçë

3 fëmijë i shpëtojnë vdekjes nga pickimet

Tre fëmijë kanë mundur që t’i shpëtojnë vdekjes gjatë kësaj vere pasi janë kafshuar nga kafshë dhe insekte helmuese. Fëmijët janë paraqitur në pediatrinë e spitalit rajonal të Korçës me komplikacione të ndryshme, por falë medikamenteve që tashmë nuk mungojnë më për këtë kategori pacientësh, është bërë e mundur edhe shpëtimi i tyre. Vetëm tre vite më parë, një fëmijë 5 vjeçar ka humbur jetën në pediatrinë e spitalit të Korçës. Ai erdhi me urgjencë për të kërkuar ndihmën e mjekëve pasi ishte pickuar nga gjarpri, por mungesa e medikamenteve që neutralizojnë helmimin nga gjarpri e bëri të pamundur shpëtimin e jetës së vogëlushit.   Stina e verës e shton ndjeshëm rrezikun e pickimit nga insektet dhe kafshët helmuese ndaj dhe mjekët theksojnë se nevoja e këtyre lloj medikamentesh ëhstë e domosdoshme për të shpëtuar jetë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency