Porositë e Ramës për ministrat. Drejtuesit e dikastereve: Objektivat, pasi të marrim detyrën

0
119

Gëzim Saliu

 “Ishte mbledhje informale”, Kreu i PS: Detyrat janë tonat, pushteti i popullit

Vendimi i mbledhjes, programi për 300 ditët e para, gati në fund të gushtit

 

Qeveria RamaMbledhja dy ditore e qeverisë së re në Vlorë ka mbyllur dje punimet e saj. Ashtu si dy ditë më parë, edhe  punimet e djeshme janë zhvilluar me dyer të mbyllura. Në këtë takim, mësohet se kryeministri i ardhshëm i vendit Edi Rama ka kërkuar bashkëpunim të ngushtë mes 19 ministrave. Nga ana e tyre, ministrat e kabinetit të ardhshëm qeveritar, pasi kanë bërë të ditur strategjinë për dikasteret përkatëse që do të drejtojnë, kanë pohuar se objektivat për 300 ditët e para të qeverisjes do ti vendosin vetëm pasi të marrin detyrën. Pas mbledhjes, Rama shprehu përshtypjet e tij në rrjetin social twitter mbi mbledhjen dy ditore të qeverisë së majtë. Ai e cilësoi mbledhjen e qeverisë së re si informale, një formë kjo e përzgjedhur nga kreu socialist për t’iu përgjigjur kritikave të kundërshtarëve politikë, të cilët e kanë cilësuar zhvillimin e saj antikushtetuese. “Mbyllet në Vlorë takimi i parë informal i qeverisë së re. Detyrat janë tonat, pushteti i popullit”, shkruante kryesocialisti.

Takimi i dytë

Ndryshe nga dy ditë më parë, mbledhja e ditës së djeshme është zhvilluar në orët e para të paradites, përkatësisht më 09: 40 minuta dhe është mbyllur në mesditë. Në këtë takim të dytë, Rama ka diskutuar me ministrat lidhur me strategjinë që ato kanë përgatitur për drejtimin  e dikastereve përkatëse. Mësohet se kreu i ri i qeverisë së ardhshme ka kërkuar nga 19 ministrat e tij që të bashkëpunojnë ngushtë mes tyre, me synim sipas Ramës, rritjen e efiçencës dhe cilësisë. “Duhet të ketë bashkëpunim të plotë mes ministrive, sidomos në rastet kur projektet e një dikasteri lidhen me ato të një dikasteri tjetër”, mësohet të jetë shprehur kryesocialisti. Ndërkohë nga ana e tyre, ministrat e qeverisë së re kanë bërë të ditur piketat e strategjisë që ato do të ndjekin në detyrën e tyre, duke nënvizuar faktin se sa i takon objektivave, ato do të bëhen të ditura vetëm pasi të mandatohet qeveria e re. Sipas tyre është e domosdoshme të njihet më parë situata e ministrive dhe vetëm pas këtij hapi, do të mund të përcaktohen edhe objektivat për dikasterin përkatës.  Ndërkohë një vendim i rëndësishëm i mbledhjes së djeshme ishte ai që lidhej me programin qeverisës për 300 ditët e para. Pasi u paraqit nga Edmond Haxhinasto dhe Ilir Beqja në ditën e parë të punimeve, ku iu shtrua edhe diskutimeve, mësohet se dje u vendos që ky program të jetë gati në fund të muajit gusht. Rama ka porositur të gjithë ministrat që ti japin dorën e fundit strategjisë së tyre për drejtimin e secilit dikaster, duke theksuar se programi i ri duhet të jetë gati para formalizimit të qeverisë së re në Parlament. Ndërkohë në ditën e parë të punimeve të mbledhjes jo zyrtare të qeverisë së re në qendër të diskutimit ishte programi qeverisës për 300 ditët e para si edhe reformat emergjente që do të merren nga e majta me ardhjen në pushtet. Por mbledhja informale e Vlorës nuk pritet të jetë e fundit në llojin e saj, pasi Rama pritet të zhvillojë një tjetër takim me ministrat e majtë në Tiranë, para mandatimit të qeverisë së re. Në këtë takim pritet që ministrat e qeverisë së re të paraqesin konkluzionet e tyre përfundimtare lidhur me strategjinë që do të përdorin në drejtimin e dikastereve përkatëse, si edhe të bëhet publik programi qeverisës për 300 ditët e para.

 

 

Rama bashkon sloganet e PS dhe LSI: Të ecim më shpejt drejt Rilindjes shqiptare

Në orët e vona të natës së parë të mbledhjes së qeverisë së re, kryeministri i ardhshëm i vendit Edi Rama ka postuar në rrjetin social facebook një album me foto gjatë punimeve. Duke marrë shkas nga fakti se qeveria e re përbëhet vetëm nga emrat e propozuar nga PS dhe LSI, kryesocialisti ka menduar që titullin e këtij albumi fotografik, nën formën e motos së qeverisë së re, ta vendosë duke bashkuar sloganet elektorale të këtyre dy forcave politike të së majtës. “ Të ecim më shpejt për një Rilindje Shqiptare”, ishte motoja e përzgjedhur nga Rama për ekzekutivin e ardhshëm që do të drejtojë vendin për katër vitet në vijim.

 

Takimi me vendorët e qarkut të Vlorës

 Rama: Mos fusni miq në punë, “luftë” ndërtimeve pa leje në bregdet

Pas përfundimit të mbledhjes me ministrat e ardhshëm të kabinetit qeveritar, kreu i PS-së ka zhvilluar një takim me dyer të mbyllura me krerët vendorë të së majtës në qarkun e Vlorës. Temë kryesore e këtij takimi kanë qenë ndërtimet pa leje në vijën bregdetare të jugut të Shqipërisë si edhe projektet për zhvillimin e zonave përkatës. Lidhur me këto të fundit, mësohet se Rama ka kërkuar nga krerët vendorë që të nisin sa më parë punën në këtë aspekt, pasi siç theksoi ai, turizmi do të jetë një ndër pikat kryesore të qeverisë së re. Nga ana tjetër, kryesocialisti ka deklaruar në këtë takim se punësimet e reja duhet të kenë në bazë të tyre meritokracinë. Sipas Ramës, asnjë nuk do të punësohet në bazë të miqve, por vetëm duke kaluar përmes konkurseve, duke marrë si shembull edhe nismën online të PS-së për punësimin. Ndërkohë sa i përket ndërtimeve pa leje në bregdet, kryeministri i ardhshëm i vendit, edhe si deputet i këtij qarku, ka kërkuar bashkëpunim të plotë vendorëve të së majtës dhe koordinimin e tyre me ligjvënësit socialistë në parlament si edhe me agjencinë që qeveria e re do të ngrejë posaçërisht për këtë çështje.

 

Takimi

Tahiri me ministrin e Brendshëm italian: Lufta kundër krimit dhe trafiqeve, sfidë e përbashkët

Ministri i Brendshëm në qeverinë e ardhshme Saimir Tahiri ka zhvilluar dje një takim me homologun e tij italian Angelino Alfano, ku ka marrë mbështetjen e shtetit fqinjë për Integrimin Evropian të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. “Takim i shkëlqyer dhe mjaft inspirues me Ministrin e Brendshëm të Italisë, Angelino Alfano. Ministri Alfano shprehu mbështetjen e plotë për qeverinë e re për marrjen e statusit të vendit kandidat në vjeshtë dhe rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian. Alfano u angazhua personalisht për të mbështetur Shqipërinë në të gjitha strukturat e BE, takimet dypalëshe me homologët e tij të BE si dhe mbështetje të plotë për Shqipërinë në takimin e ardhshëm të Partive Popullore Europiane. I shpreha Ministrit Alfano shqetësimin tonë për situatën e sigurisë publike në vend, luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të qenieve njerëzore dhe lëndëve narkotike duke i shprehur bindjen se një Shqipëri më të sigurt, ka efekt të menjëhershëm në sigurinë rajonale dhe sigurinë e vetë Italisë”, shkruante Tahiri në rrjetin social “Facebook”. Më tej, ai bëri të ditur se Shqipëria dhe Italia kanë sfidë të përbashkët intensifikimin e luftës kundër trafiqeve, gjë që sipas tij u konfirmua edhe në takimin me ministrin e Brendshëm italian. “E sigurova gjithashtu për vullnetin e Kryeministrit Rama, Qeverise dhe veçanërisht te Ministrisë se Brendshme për të rikonceptuar luftën kundër krimit te organizuar dhe trafiqeve si sfida të përbashkëta e për ti adresuar ato me prioritet maksimal. Ministri Alfano shprehu gatishmërinë për të mbështetur Policinë e Shtetit me ekspertize profesionale, logistike dhe infrastrukture duke fuqizuar urat e bashkëpunimit dhe misionet italiane që asistojnë Policinë Shqiptare sot. E konsideruam sfidë të përbashkët intensifikimin e luftës kundër trafiqeve me synim daljen sa me shpejt të Shqipërisë nga klasifikimi “vend në vëzhgim” në renditjen e Departamentit Amerikan të Shtetit. Konsideruam të nevojshëm një takim të dytë në Shtator për të rishikuar konkretisht marrëveshjet dypalëshe në fushën e sigurisë dhe bashkëpunimit policor si dhe një plan pune konkret që do te diskutohet ndërmjet Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë se Shtetit Shqiptar dhe homologut Italian”, përfundoi ministri i propozuar në postin e ministrit të Brendshëm në qeverinë e re të së majtës Saimir Tahiri.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency