Standard.al

Të jetosh me antkh, me pak rendiment mendimi

Majkëll R. Edelshtajn

Dejvid Ramsej Stile

Psikologji/ Tri minuta terapi, libri i dy autorëve amerikanë që ndryshon të menduarit në shqip nga “Plejad”, përkthyer nga Aleksandër Loli

 

ankthiSofizmat popullore rreth shqetësimeve lindin kryesisht ngaqë njerëzit nuk bëjnë dallim midis meditimit thjesht pa ankth dhe meditimit të përzjerë me ankth. Njerëzit mund të thonë: “Mos e vrit mendjen për këtë”, kur në të vërtetë e kishin fjalën për: “Mos e vër veten në merak për këtë; mos e vrit mendjen dy herë për këtë”. Natyrisht, në vetëvete kjo mënyrë e foluri është e padëmshme, por gabimet nisin e lindin kur njerëzit besojnë se po të vrasësh mendjen shumë rreth një problemi, kjo do të ishte një përvojë e ankthshme.

Një mjeshtër shahu do të kalonte me orë të tëra duke vrarë mendjen rreth ndonjë pozicioni, duke u përpjekur të gjejë lëvizjen më të mirë, por nuk ka asnjë arsye përse ai duhet të ndiejë ankth për këtë dhe ka më shumë ngjasa që ta analizojë më mirë pozicionin, po të jetë i çliruar nga ankthi. E njëjta gjë vlen edhe për Prustin, kur shkruante ndonjë roman të famshëm, apo për Bethovenin, kur kompozonte ndonjë prej sinfonive të tij.

Njerëzit thonë shpesh se shqetësimi është i padobishëm dhe se do të qe më mirë sikur të pushoje së shqetësuari. Me këtë, zakonisht ata duan të nënkuptojnë: “Mjaft e vrave mendjen për problemin”. Megjithatë, të shtrydhësh trutë për ndonjë problem s’do të thotë se kjo mund të jetë diçka e padobishme – ndokujt mund t’i vijë në mend një ide, e cila do t’ia zgjidhte problemin, ose do t’ia bënte atë më të lehtë.

Nëse të pret nesër një intervistë e rëndësishme, ti mbase do të shqetësoheshe për këtë, pra, do të nisje e të mendoje me ankth rreth saj. Dhe kjo gjë mund të të sillte diçka pozitive gjatë intervistës. Kërkimet tregojnë se njerëzit dalin më me sukses në këto raste, pra, nëse i kanë përpunuar paraprakisht me mendje çështjet. E megjithatë, e mira që rezulton nga shqetësime të tilla, vjen pavarësisht nga ankthi – nuk vjen për shkak të tij. Thjesht, shtrydhja e trurit rreth intervistës së pritshme, pa ndjerë ankth prej saj, do të të jepte po aq rezultate e mbase më shumë. Njerëzit që mendojnë në mënyrë të ankthshme rreth gjërave të tilla, kanë shumë më pak rendiment mendimi, sesa ata që e kryejnë këtë proçes pa ankth.

Në kundërshtim me pikëpamjen e zakonshme, është krejtësisht e mundur që të ndihesh tejet i shqetësuar rreth diçkaje, pa ndjerë aspak ankth prej saj. Tedi dhe Timothi janë shokë të ngushtë dhe kanë një rivalitet të fortë miqësor kur luajnë ping-pong, sport që u pëlqen shumë. Secili është tepër i vendosur që ta mundë kundërshtarin dhe ndihet i eksituar apo i ngazëllyer nëse fiton, ndonëse duken shumë të zhgënjyer nëse e humbasin lojën. Në përpjekjet e tyre për të fituar nuk ekziston ankthi. Ata s’i tremben humbjes, ndonëse më shumë do të parapëlqenin që të mos humbasin.

Ky shembull hedh poshtë pikpamjen mjaft të përhapur, por të gabuar, se një sasi ankthi është ndihmuese ngaqë na nevojitet adrenalinë për të na dhënë një lloj shtyse apo koncentrimi shtesë në çaste krize. Adrenalina shtesë mund të jetë ndihmuese në disa rrethana, por këtë adrenalinë shtesë mund ta kemi edhe pa shoqërinë e frikës apo të ankthit si në rastin e Tedit dhe Timothit gjatë lojës së ping-pongut, ose si e kanë shpesh njerëzit gjatë kryerjes së seksit.

Është e vërtetë se shpesh, tipat që shqetësohen harxhojnë mjaft kohë duke medituar në mënyrë të pafrytshme rreth problemeve të tyre. Mendimet e tyre sillen rrotull e rrotull sikur vërtiten brenda një gjeratoreje pa rrugëdalje. Por, nëse ata do të mësonin si të mendonin pa ankth rreth problemeve të tyre, atëhere do të ndalonin vetiu së medituari jashtë mase për ato probleme, ku bluarja e tepëruar e mendimeve në kokë duket qartë se është diçka e pakuptimtë.

Si mund të mësojmë të mendojmë rreth problemeve tona pa ndjerë ankth? Ankthi – Frika – vijnë përherë nga kërkesat tona, nga “Duhet” tona. Mënyra sesi mund të ndaloni së shqetësuari e të jeni sërish i aftë për të menduar intensivisht rreth një problemi, është të sfidoni e të çrrënjosni “Duhet” tuaja. Kur e shihni se po shqetësoheni rreth ndonjë situate, kujtohuni se nuk është situata në vetvete ajo që po prodhon ankthin. Janë “Duhet” e juaja ato që po e injektojnë atë dhe të arrish e t’i komandosh “Duhet”, është mënyra më e mirë për të zvogëluar ankthin që ndjen.

 

 

Box gri

 

Ankthi, frika dhe shqetësimi

 

Në thelb, frika dhe ankthi janë i njëjti emocion. Ne i përdorim të dyja këto fjalë me mënyra të ndryshme dinake. Ka mundësi që emocionin ta përkufizonim më shumë si “ankth” nëse ajo çka i trembesh paraqitet si diçka e vagullt ose e paqartë, por megjithatë është po e njëjta gjë.

Shqetësimi është praktika e bluarjes me mend të diçkaje të ankthshme, zakonisht në mënyrë të përsëritur e të zgjatur. Kështu, nëse të kap një lloj sëmbim paniku, kur të thërrasin për të mbajtur një fjalim, ky është ankth, por jo shqetësim. Nga ana tjetër, nëse vazhdon ta bluash ankthshëm në mend fjalimin që të kanë programuar për ta mbajtur javën tjetër, kjo është edhe ankth, edhe shqetësim, pra të dyja bashkë.

Shqetësimi është meditim në mënyrë të ankthshme; shqetësimi është një pako e përbërë nga të dyja: meditim dhe ankth. Ose, e shprehur në formë ekuacioni:

 

Psikologji/Biznes

 

Comments are closed.