Standard.al

Të hapësh dhe të mbyllësh një biznes

Ja cilat janë llojet e shoqërive në Shqipëri
LNL-Building-photoBiznesi në Shqipëri mund të rregjistrohet nga personi i interesuar personalishit, bëhet fjalë për personin, i cili ka filluar në emër të tij një veprimtari tregtare ose nga përfaqësuesi i tij i paisur me prokurë. Ligji shqiptar lejon një sërë formash ligjore të bizneseve. Duke qenë se këto forma ndryshojnë në përgjegjësitë e tyre ligjore njëra nga tjetra, edhe dokumentet e kërkuara për regjistrimin e tyre fillestar, janë të ndryshme. Çdo aplikant, duhet të sigurohet për formën e biznesit që kërkon të regjistrojë përpara se të aplikojë për regjistrim fillestar..

Pagesat dhe kohëzgjatja e rregjstrimit
Ligji përcakton se për të rregjistruar një subjekt që ushtron veprmtari tregtare, duhet të paguash vetëm 100 lekë pranë QKR. Pasi është bërë kjo pagesë, procedura e rregjistrimit zgjat vetëm 24 orë. Kjo do të thotë që pasi ka kaluar ky afat, ju mund të drejtoheni pranë QKR-së për të tërhequr çertifikatën e posaçme që vëreton rregjistrimin tuaj.
Hapat që ndiqen pasi keni rregjistruar biznesin tuaj
Pasi jeni paisur me  çertifikatën e rregjistrimit të lëshuar nga QKR, duhet të paraqiteni pranë zyrës së punës. Pasi keni bërë rregjistrimin  e punonjësve tuaj pranë zyrës së punës, duhet të shkoni te zyra e sigurimeve shoqërore për të çelur librezat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për punonjësit tuaj. Pasi keni përfunduar dhe në këtë institucion, duhet të drejtoheni pranë drejtorisë së tatimeve të rrethit ku ka qendrën veprimtaria juaj tregtare. Me rëndësi është të theksohet se tatimet paguhen në institucione të ndryshme në varësi të kategorisë së biznesit që ju keni (i vogël, apo i madh). Nëse ju keni një  biznes të madh atëherë ju duhet të drejtoheni te Drejtoria e Tatimeve.

Kur mund të mbyllet një biznes?

Në qoftë se biznesi juaj nuk ka ecur ashtu siç ju keni dëshiruar, apo për arsye subjektive ju dëshironi ta mbyllni atë, duhet që të çrregjistroheni pranë zyrave të QKR-së duke plotësuar formularin përkatës. Veprimtaria tregtare mbyllet dhe nëse personi i cili e ka krijuar vdes, apo ka shpallur procedurën e falimentimit. Në të gjitha rastet ndiqen hapat të cilat janë spjeguar për rregjisrimin e biznesit tuaj.

 

4 llojet e shoqërive në Shqipëri

Shoqëritë kolektive.

Në shoqëritë kolektive, të gjithë ortakët kanë cilësinë e tregtarit dhe përgjigjen pa kufizim e solidarisht për borxhet e shoqërisë. Kreditorët mund të padisin një ortak për shlyerjen e borxheve që u ka shoqëria, vetëm pasi të kenë dështuar në paralajmërimin drejtuar shoqërisë. Shoqëria kolektive ka një emërtim, në të cilin mund të përfshihet emri i një ose më shumë ortakëve, duke vënë përpara ose menjëherë pas tij fjalët “shoqëri kolektive.”

Shoqëritë komandite.

Në shoqëritë komandite, përveç ortakëve “të pakufizuar” (ortakët që përgjigjen pa kufizim e solidarisht për borxhet e kompanisë) marrin pjesë edhe ortakët “e kufizuar” ose ata ortakë, që përgjigjen për detyrimet e kompanisë deri në kufirin e vlerës së kontributeve të tyre në kapitalin themeltar. Ky kontribut nuk mund të jetë një kontribut në shërbime. Shoqëria komandite ka një emërtim, në të cilin mund të përfshihet emri i një ose më shumë ortakëve, duke vënë përpara ose menjëherë pas tij, fjalët “shoqëri komandite”.

Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuara (sh.p.k).

Shoqëri me përgjegjësi të kufizuara janë ato shoqëri që janë themeluar nga një ose disa ortakë, të cilët përballojnë humbjet vetëm deri në kufirin e vlerës së kontributit të tyre në kapitalin themeltar. Në qoftë se shoqëria përbëhet vetëm nga një person, ky quhet “ortak i vetëm”. Shoqëria me përgjegjësi të kufizuara ka një emërtim, në të cilin mund të përfshihet emri i një ose më shumë ortakëve duke vënë përpara ose menjëherë pas tij, fjalët “shoqëri me përgjegjësi të kufizuara” ose inicialet “sh.p.k”, si dhe të përmendet kapitali themeltar. Në bazë të legjislacionit në fuqi, vlera minimale e kapitalit themeltar të kësaj forme shoqërie është 100.000 lekë. Ky kapital ndahet në pjesë të barabarta, vlera nominale e të cilave nuk duhet të jetë më e vogël se 1.000 lekë. Në rast të kundërt, shoqëria duhet të shndërrohet në një formë tjetër. QKR mund të regjistrojë një shoqëri me përgjegjësi të kufizuara, pa pasur nevojë të shohë evidencë, që kapitali themeltar është paguar.

Shoqëritë anonime (sh.a).

Shoqëri anonime janë ato shoqëri, kapitali i të cilave ndahet në aksione dhe që themelohen ndërmjet ortakëve që përballojnë humbjet, vetëm deri në kufirin e vlerës së kontributit të tyre. Shoqëria mund të themelohet e të ketë një ose disa ortakë. Ajo ka një emërtim, para ose prapa të cilit vihet shënimi “shoqëri anonime” ose “sh.a”, si dhe vlera e kapitalit themeltar. Emri i një ose disa ortakëve mund të përfshihet në emërtimin e shoqërisë. Shoqëritë anonime janë dy lloje: me ose pa ofertë publike. Shoqëri me ofertë publike konsiderohen ato shoqëri, aksionet e të cilave janë të regjistruara zyrtarisht në bursën e letrave me vlerë, duke filluar nga data e regjistrimit ose ato, që për shitjen e aksioneve të çdo lloji, u drejtohen bankave, institucioneve financiare apo agjentëve të këmbimit të letrave me vlerë ose publikimit në forma të ndryshme dhe shpërndarjes jashtë mjediseve të caktuara për këtë qëllim. Të gjitha shoqëritë e tjera anonime janë shoqëri pa ofertë publike. Vlera minimale e kapitalit themeltar për shoqëritë pa ofertë publike duhet të jetë 2 milionë lekë, kurse për shoqëritë me ofertë publike duhet të jetë 10 milionë lekë në ditën e firmosjes së statuteve. Regjistrimi në QKR për një shoqëri anonime kërkon evidencë që kapitali themeltar është paguar.

 

 

 

 

Comments are closed.