Standard.al

Shkon për të vjedhur, vritet nga roja i objektit privat Astrit Marku

Sonja Caka

Policia arreston autorin e dytë, Andi Allamani, shoqërohet roja 18-vjeçar

Hetimi, kishin shikuar të vdihnin lavatriçen e inerteve për skrap

 

vjedhje1Një 35-vjeçar ka humbur jetën në orët e mesnatës duke u gdhirë dita e djeshme, ndërsa kishte shkuar për të vjedhur një një objekt privat bashkë me një shokun e tij në fshatin Arbanë, 10 km larg Tiranës. Pas thirrjes së rojës për t’u larguar dhe refuzimit të këtyre të fundit për ta bërë një gjë të tillë, 18-vjeçari ka qëlluar në drejtim të tyre duke lënë të vdekur vetëm njërin nga hajdutët. Personi i dytë është larguar me shpejtësi, për t’u vënë në pranga më vonë nga uniformat blu të komisariatit nr.6. të njoftuar për ngjarjen, ekspertët e policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe pas këqyrjes së kufomës, vendit ku ndodhi krimi dhe marrjes në pyetje të rojës 18-vjeçar, e kanë shoqëruar këtë të fundit në komisariat. Ndërkohë që, familja e viktimës Astrit Marku që banonte shumë pranë firmës private të inerteve, ka hapur dyert e mortit dhe po dje ka përcjellë për banesën e fundit 35-vjeçarin.

Ngjarja

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:30 pas mesnatës duke u gdhirë dita e djeshme. Sipas policisë, roja i objektit Kleando Zefi ka konstatuar dy grabitësit, të cilëve iu ka kërkuar që të largoheshin. Por, dy autorët i janë afruar lavatriçes së firmës dhe në atë kohë, roja ka qëlluar në drejtim të tyre nëpër errësirë. Nga të shtënat ka mbetur i vrarë 35-vjeçari Astrit Marku, ndërsa Andi Allamani ka mundur të largohet, për t’u arrestuar nga policia disa orë më pas. Gjatë marrjes në pyetje nga ana e ofricerëve të policisë gjyqësore mësohet se Allamani ka pranuar se kishin shkuar për të vjedhur dhe se shoku i tij 35-vjeçar ishte qëlluar nga roja e pikës së inerteve. “Ne vajtëm për të vjedhur sende të ndryshme në firmën private të inerteve. Kur kemi qenë duke larguar, Astriti u qëllua nga roja i objektit. Nuk pati përleshje mes nesh. Pashë Astritin që ra dhe u largova menjëherë”, mësohet të ketë dëshmuar Andi Allamani. Ndërkohë që gjatë marrjes në pyetje, krimi është pranuar edhe nga vetë 18-vjeçari, i cili ka pohuar se ka hapur zjarr duke qëlluar mbi Astritin. Ndërsa ka rrëfyer se arma që mbante nuk i ishte dhënë nga puna, por e kishte të veten, pa leje.

Dëshmia

“Unë punoj si roje në një firmë private që është për materiale inerte. Dy persona janë afruar për të grabitur një lavatriçe zhavori. Kur unë i pashë, u bërtita që të ndalonin në vend. Por ata filluan të vraponin me shpejtësi në drejtim të makinës për t’u larguar. U tremba dhe hapa zjarr ndaj tyre dhe mbeti i shtrirë në tokë njëri nga ta. Ndërsa grabitësi tjetër iku, u largua me vrap. Njoftova vetë policinë për atë që kishte ndodhur dhe unë isha në mbrojtje të fabrikës që të mos grabitej. Nuk kemi pasur përleshje fizike” ka dëshmuar për policinë 18-vjeçari. Nga ana e bluve janë duke vijuar hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.  Fillimisht nga uniformat blu u bë me dije se roja 18-vjeçar Kleando Zefi ishte në kushtet e vetëmbrojtjes, por nga hetimet dhe dëshmitë u konkludua se mes dy palëve nuk ka pasur përleshje dhe 18-vjeçari kishte një armë pa leje. Mësohet se roja ka hapur zjarr ndaj dy grabitësve, të cilët kanë tentuar të largohen me automjet.

 

Tiranë

Shpërthen bombula e gazit, banesa përfshihet nga flakët

Një zjarr i fuqishëm ka rënë në një banesë pranë pallateve “1 Maji” në kryeqytet. Mësohet se flakët kanë përfshirë një apartament në katin e katërt të një pallati përballë ish-ekspozitës ‘Shqipëria Sot’. Në vendngjarje kanë shkuar 3 makina zjarrfikëse për të shuar zjarrin, ndërkohë që mësohet se shkak për zjarrin është bërë shpërthimi i bombolës së gazit. Po ashtu bëhet me dije se në banesë nuk është lënduar asnjë person, pasi në momentin e rënies së zjarrit në banesë nuk ka pasur njerëz. Nga burimet policore raportohen vetëm për dëme materiale.

 

Gjirokastër

Sekuestrohen rreth 15 kg Marijuanë në formë çokollate

Një i ri është kapur me 15 kg marijuanë në pikën kufitare të Kakavijës. Droga ishte e mbështjellë në formë çokollate. Efektivat e Policisë Kufitare të Kakavijës, gjatë kontrollit në vijën e dytë për në dalje për Greqi, të automjetit tip Pezho me targa AA 544 EL që drejtohej nga shtetasi Taulant Blushi, 25 vjeç, nga Fieri, rezultoi se në brendësi të mbrapa kolpit u gjetën të fshehura 28 pako në formë katrore të mbështjella me letër natriban ngjyrë jeshile, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike Marijuanë të presuar në formë Çokollate, me peshë të ndryshme rreth 15 kg gjithësej. Menjëherë policia Kufitare e Kakavijës ka bërë shoqërimin e drejtuesit të mjetit në ambjentet e Stacionit të Policisë Kufitare Kakavije dhe ka njoftuar Grupin Hetimor dhe Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, të cilët kanë mbërritur menjëherë në Kakavije dhe po vijojnë veprimet hetimore. Materialet në përfundim të veprimeve të para hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprën penale të “Trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”.

 

Takimi

Kreu i OSBE-së i premton Burgajt bashkëpunim të mëtejshëm dhe trajnime

Kreu i prezencës së OSBE në vendin tonë, Robert Ëilton ka garantuar drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe mbështetje punës së policisë. Gjatë një takimi të zhvilluar mes tyre, Burgaj pranoi se krimi sa vjen e sofistikohet, por theksoi se zbulueshmeria vazhdon te jete mbi 80%. “Kjo dëshmon më së miri profesionalizmin e Policisë së Shtetit, si dhe teknologjinë e përparuar të cilën tashmë ajo disponon, falë ndihmës dhe mbështetjes së vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtar. Logjistika e përparuar që policia ka në dispozicion po jep rezultate të larta, siç është dhe rasti i kamerave termike në kufi, falë të cilave në kufirin Shqiptaro-Grek, po mundësohet bllokimi i tentativave për kalimin e emigrantëve të paligjshëm nga vendet e tjera drejt BE-së”- tha Burgaj. Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, garantoi mbështetjen e vazhdueshme të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për Policinë e Shtetit, si në nivelin operacional, në mbështetjen me logjistikë, si dhe për realizimin e trajnimeve të punonjësve të policisë apo seminareve. Po ashtu Z. Ëilton bëri prezent faktin se tashmë do të caktohet një këshilltar i ri për asistencën policore, i cili do të jetë një mbështetje dhe burim për Policinë e Shtetit, ndërkohë që në fund të muajit shtator do të realizohet një trajnim për diversitetin, i cili është një tjetër shembull i bashkëpunimit shumë të mirë ekzistues, ku krahas ekspertëve nga Mbretëria e Bashkuar, të cilët janë përzgjedhur tashmë do të ketë dhe ekspertë nga vendet e rajonit, në mënyrë që trajnime të tilla të jenë një shkëmbim eksperience.

Comments are closed.