Rama zgjedh Vali Bizhgën në postin e Drejtores së Kabinetit të Kryeministrit

0
167

Gëzim Saliu

Kreu i PS: Vali e kaloi betejën me kancerin, do mbulojë me profesionalizëm detyrën e re

 

Vali-BizhgaVali Bizhga do të jetë shefja e re e Kabinetit të Kryeministrit pas marrjes së detyrës nga ana e mazhorancës së majtë në 9 shtator në parlament. Kreu i ekzekutivit të ardhshëm, Edi Rama bëri të ditur dje se Bizhga është zgjedhur nga ai në postin e Drejtores së kabinetit të Kryeministrit, duke rikujtuar edhe kohën e bashkëpunimit me të në Bashkinë e Tiranës. “Është kënaqësi dhe nder t’ju prezantoj Drejtoren e Kabinetit tim në kryeministri, Vali Bizhgën. Me Valin kemi punuar krah për krah për shumë vite në Bashkinë e Tiranës, ku kam pasur privilegjin ta kem zëvendësen time dhe më pas Drejtore të Kabinetit të Kryetarit të Bashkisë. Por kemi ndarë së bashku edhe përpjekjet dhe emocionet e disa fushatave, ku Vali ka luajtur prapa kuintave rolin kyç të Drejtorit Ekzekutiv të fushatës”, shkruante Rama në rrjetin social “facebook”.

Shefja e kabinetit

Duke theksuar bashkëpunimin e hershëm me Bizhgën, kreu socialist bëri të ditur nga ana tjetër se sëmundja e kancerit që kishte kaluar ish-nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës kishte qenë arsyeja e shkëputjes mes tyre. Por me fitoren e kësaj beteje, theksoi Rama, Bizhga do të jetë e gatshme që të kryejë detyrën e saj si drejtore e Kabinetit të Kryeministrit.  “Një betejë më e rëndësishme për të, ajo me një kancer të shfaqur befas në formë agresive, e shkëputi lidhjen tonë të punës për aq sa kohë iu desh Valit ta fitonte betejën më të vështirë të jetës së vet. Tashmë, ajo është rikthyer në fushën e kahershme të përpjekjes sonë të përbashkët për të bërë punë të mira për vendin e njerëzit, e do të mbulojë me profesionalizmin, pastërtinë dhe përkushtimin e saj të posaçëm në komunikimin me njerëzit, një detyrë ku pa asnjë dyshim do vendosë një standard të ri”, theksoi kreu i PS. Vali Bizhga njihet si një ndër bashkëpunëtoret e ngushtat të kreut socialist që në kohën kur drejtonte Bashkinë e Tiranës. Që prej vitit 2003 ajo bashkëpunoi me Ramën në bashkinë më të madhe në vend, duke mbajtur poste të rëndësishme si nënkryetare , Drejtore e Kabinetit të Kryetarit të Bashkisë apo edhe si Drejtuese në Institutin Publik në këtë institucion. Emri i Bizhgës u përfol edhe si pjesëtare e kabinetit të ri qeverisës në postin e ministres së Shëndetësisë, por duket se kreu socialist  kishte të tjera qëllime tjetër për bashkëpunëtoren e tij të ngushtë, duke rikthyer në këtë formë bashkëpunimin mes tyre në Bashkinë e Tiranës. Me emërimin e Bizhgës në postin e Drejtores së Kabinetit të Kryeministrit, Rama shton numrin e grave që marrin poste të rëndësishme në qeverinë e drejtuar prej tij. Vetëm në kabinetin e ri qeveritar, numri i grave arrin në 6. Përkatësisht Mimi Kodheli do të mbajë postin e ministres së Mbrojtjes, Klajda Gjosha do të kryesojë ministrinë e Integrimit Europian, Eglantina Gjermeni si ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Lindita Nikolla në postin e ministres së Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro si ministre e Kulturës dhe Milena Harito në postin e ministres për Inovacionin dhe Administratën Publike.

 

Kabineti i ri

Zbardhet axhenda e mbledhjes së qeverisë së majtë në Vlorë

Ditën e nesërme kryeministri i ardhshëm i vendit Edi Rama mbledh në qytetin e Vlorës kabinetin e ri qeveritar. Temë kryesore e diskutimit të mbledhjen dy ditore do të jetë programi qeverisës për secilin dikaster si edhe programi specifik për 300 ditët e para të qeverisjes, ky i fundit lidhet me reformat urgjente që duhen marrë sipas së majtës me ardhjen në pushtet. Përkatësisht dita e parë e mbledhjes së qeverisë së re do të ketë në qendër të diskutimit programin bashkëqeverisjes PS-LSI , i drejtuar nga Ilir Beqja dhe Edmond Haxhinasto. Grupi i punës do të japë udhëzimet për hartimin e strategjisë për secilën ministri dhe më pas do të jenë ministrat dhe stafet e tyre ata që do të detajojnë strategjinë duke e kthyer atë në një program të veçantë të bazuar në specifiken e dikasterit përkatës. Secila ministri është e detyruar t’i përmbahet programit 300 ditësh të hartuar nga grupi i punës, që do të thotë t’i përmbahet programit politik të dy partive të koalicionit. Ministrat e rinj kanë pasur rreth dy javë kohë në dispozicion për të punuar në vija të përgjithshme më këtë program minimal dhe në mbledhjen e Vlorës pritet që secili prej tyre të paraqitet me një draft program.  Ndërkohë në ditën e dytë të mbledhjes së kabinetit të ri qeveritar pritet të diskutohet për strukturën e organizimit të secilit  dikaster, duke përfshirë këtu jo vetëm ministritë por edhe agjencitë që do të ngrihen nga qeveria e majtë, siç janë ato për bregdetin dhe legalizimin. Po ashtu pritet që në këtë mbledhje të marrin pjesë edhe ekspertët britanikë, pjesë e stafit të ish-kryeministrit britanik Tony Blair, të cilët do të bashkëpunojnë ngushtë me qeverisjen e majtë lidhur me programin si edhe reformat që do të ndërmerren.

 

 

Nisma e PS

Denoncimet e qytetarëve për ndërtimet pa leje, qytetet më problematike

Pas linçimit të nismës së partisë Socialiste për denoncimin e ndërtimeve pa leje nga ana e qytetarëve përmes faqes së internetit stoprrenimit.com, dy ditët e fundit është vënë re shtimi i  rasteve të denoncuara.  Kryesisht numri më i lartë i denoncimeve të qytetarëve është për ndërtimet pa leje në kryeqytet dhe në vijën bregdetare. Fotot e dërguara, qytetarët i kanë shoqëruar edhe me përshkrimin e tyre ku kërkojnë zgjidhje për këtë çështje. Ndër zonat bregdetare me problematikë më të madhe sipas qytetarëve janë Vlora, Golemi dhe Ksamili. Ata theksojnë në denoncimin e tyre se ndërtimet në këto zona janë bërë pa asnjë kriter, gjë që sipas tyre ka shkatërruar plotësisht vijën bregdetare. Por përpos ndërtimeve pa leje, qytetarët kanë denoncuar  në adresën e vënë në dispozicion nga PS edhe ndërtime me leje, që në disa raste sipas tyre kanë zënë hapësira publike. Kryeministri i ardhshëm i vendit Edi Rama ka bërë të ditur se qeverisja e majtë do të jetë e angazhuar tërësisht në prishjen e të gjitha ndërtimeve pa leje, kryesisht ato në vijën bregdetare. Në nismën e bërë publike, kreu socialist theksonte se,: “Kjo betejë nuk është thjesht e qeverisë së re, po e gjithë shoqërisë dhe e çdo qytetari që jeton e punon për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri. Ky kancer agresiv rrezikon të shkatërrojë potencialin e madh të zhvillimit turistik të vendit dhe bashkë me të vetë të ardhmen e Shqipërisë. Prandaj unë ju ftoj që këtë betejë fisnike ta bëjmë së bashku dhe ta fitojmë së bashku. Për dinjitetin tonë qytetar e shoqëror. Për interesin tonë kombëtar e publik”.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency