Standard.al

Klara Kodra / Ju rrëfej nënë time, Jolandën poeten “e huaj” të viteve ’30-të

Në homazh të 50 vjetorit të ndarjes nga jeta, të kritikes dhe poetes së viteve ’30, e bija Klara Kodra, njofton se është gati botimi i krijimtarisë që ka lënë si shkrime, studime, poezi, letërkëmbime

Prof.Dr. Klara Kodra

 

19 gusht jolandaNjë aspekt pothuajse i panjohur i individualitetit krijues të studiueses dhe përkthyeses Jolanda Kodra e përbëjnë poezitë e saj. Vetëm pak prej tyre arritën të botoheshin në shtypin e viteve ’30-’40.

Tani vonë një cikël prej tyre u botua në antologjinë e poezive shqiptare të kësaj periudhe të hartuar nga studiuesi Nasho Jorgaqi. Një cikël poezish i Jolandës u botua edhe nga revista letrare “Obelisk” vitet e fundit.

Jolanda, me origjinë italiane, po e përkushtuar së tepërmi atdheut të të shoqit ku kaloi pjesën më të madhe të jetës  dhe mbylli sytë, gjysëm shekull më parë, u njoh më shumë si kritike dhe përkthyese, megjithatë i rriti disa lule të veta lirike në kopshtin e poezisë.

Ajo e bashkoi zërin me korin e motrave të pakta  shqiptare që e ngritën  për herë të parë  me guxim zërin e vet poetik në vitet ’30, Selfixhe Broja, Luçie Sereqi, Musine Kokalari dhe në ato pak shkrime kritike që e përmendën në atë kohë ajo njihet si shqiptare.

Bodleri ka thënë se “do të ishte një gjë me të vërtetë e pazakonshme sikur një kritik të bëhej poet, kurse të gjithë poetët e mëdhenj bëhen fatalisht kritikë”. Sigurisht kjo thënie e tij mund të diskutohet, po Jolanda ka qenë prej atyre autorëve që arrijnë te kritika duke kaluar nëpër shtegun e poezisë.

Ndonëse si kritike ajo do të jepte më të mirën e vet, kjo s’do të thotë se i mungonte  talenti në fushën e poezisë. Ajo edhe në këtë fushë pati zërin e vet, nuk iu soll rrotull si satelit ndonjërit nga yjet e shumtë poetikë që dallonin në atë kohë vendin e saj të origjinës, Italisë, po edhe Shqipërisë, madje me një larmi të çuditshme (Fishta, Mjeda, Migjeni, Noli, Koliqi, Lasgushi). Zëri i saj mbase s’qe aq i fuqishëm, po qe i veti.

Poezia e saj qe në thelb lirike, e një lirizmi të ëmbël dhe fin, ndonëse e ushqyer me një kulturë të gjerë, me një ndikim krijues nga poezia antike greko-romake dhe nga romantikët italianë, po pa letrarizëm. Këtë poezi mund ta quash neoromantike, me ca nota  impresionizmi, kishte ngjyrën e vet në spektrin letrar të asaj kohe ku u ndërthurën  drejtimet letrare më të  ndryshme, neoromantizmi si vazhdim i traditës së Rilindjes, realizmi kritik, një lloj neoklasicizmi, elementet e para të gjithfarë llojeve të modernizmit, hermetizmi, simbolizmi, ekspresionizmi, surealizmi.

Në poezinë shqiptare të viteve ’30  ekzistonin gjithashtu dy prirje  kryesore, njëra drejt artit të “angazhuar” që u ndoq nga Fishta, Noli, Migjeni dhe shkrimtarë të tjerë dhe një prirje drejt “artit të kulluar” që pati si përfaqësues kryesor Lasgushin, po mund të përfshijë  edhe Kolë Mirditën dhe Gaspër Palin.

Jolanda iu afrua nga një anë kësaj prirjeje të dytë; ajo mendonte se arti s’duhet të jetë  shërbëtor i një ideologjie, po nga ana tjetër nuk iu shmang lirikave politiko-patriotike që shkroi për atdheun e saj të dytë. Krahas tyre lëvroi lirikën e natyrës dhe filozofike, çuditërisht, ndonëse grua, nuk e lëvroi lirikën e dashurisë, përveçse në një lirikë të shkurtër ku i këndon dashurisë bashkëshortore që trajtohet rrallë nga poetët e të dyja gjinive.

Me gjithë parapëlqimin e saj për romantikën, ajo lëvroi  lirikën e mendimit, karakteristike  për shekullin e njëzetë ku ndjenja rridhte si rrymë e nëndheshme.

Dy nga poezitë e saj që gjetën vend në antologjinë për poezinë e viteve ’30, “Perëndim në një kopsht të Romës” dhe “Liqeni”, janë akuarele delikate që u kushtohen dy vendeve të dashura për të, atdheut të origjinës dhe atdheut të shpirtit. Në lirikën e parë skicohet në mënyrë impresioniste një tablo nga Roma me shprehje metaforike të goditura si “mjegulla e artë” ku zhduket dielli, “dridhma e parfumuar” e trëndafilit  (kjo e fundit shkrin metaforë dhe epitet).

Tablonë e plotësojnë epitetet që pikëzojnë ngjyra, ngjyra e blertë e barit, ngjyra e purpurt  e rrobës së klerikëve të huaj të ardhur nga larg për të parë Romën. Po ngjyrat e tablosë mandej treten në ndjenjën e mallit për vendlindjen e humbur dhe shqetësimin për rininë që është aq e shkurtër.

Vjersha “Liqeni”, edhe ajo e përfshirë në antologji, është ndofta më e realizuar se e para. Ajo i kushtohet liqenit të Poradecit  që vizatohet  si “pasqyrë e kthjellët e qiellit dritëplotë” me metaforën e njohur  romantiko-simbolike të pasqyrës që e  shkrin  në një  farë mënyre  kthjelltësinë e ujit me pafundësinë e qiellit dhe dritën e diellit (Lasgushi  parapëlqente  ngjyrat e muzgut).

Në vjershën e Jolandës pason  metafora  e goditur  e “dantellave të largëta të blerta”, do të thoshnim një  metaforë  me ndieshmëri femërore për ta  vizatuar  bimësinë. Mandej  evokohet  figura  folkloriko-mitike e floçkës që përshkruhet si bionde për t’u harmonizuar me ngjyrën e gjelbër. (Poetesha  ka një ndjeshmëri të veçantë për të zgjedhur  ngjyrat).

Përsëri  tabloja në fund, si në  lirikën e mëparshme, tretet në ndjenjë, në ndjenjën  e shqetësimit të  përhershëm që synon te harmonia  e qetë e natyrës si liman  i dëshiruar. Mendojmë se kjo vjershë, pas lirikave  të Lasgushit, është nga  më të bukurat që i kushtohen këtij  liqeni.

Vjersha “Do të  doja të  ngjitesha” shquhet për  konçizitet. Me tre  vargje vizaton  një tablo  me kontrastin  bardhë  e zi  dhe në qendër yjet që identifikohen  me lulet dhe shpreh  aspiratën e përhershme për t’u  ngjitur  lart.

Vjersha “Ankth” pasqyron përkundrazi një dramë  shpirtërore, ankthin që lidhet  me parandjenja të errëta të ndarjes së përjetshme me vendlindjen (që në atë kohë  s’mund  të parashikohej!) dhe që kapërcehet prej heroinës lirike duke u strehuar te kujtimet, një lirikë tipike e “mungesës”.

Lirikat e saj politiko-patriotike, të kushtuara  atdheut të saj të dytë, u botuan  në shtypin e kohës. Njëra, “28 Nëndor” himnizon  luftën e Shqipërisë për  pavarësi dhe shpreh  ëndrrat e autores për Shqipërinë etnike; një tjetër u kushtohet  bukurive natyrore të këtij vendi, “Shqipërisë”. Kjo  vjershë të  kujton  poetin që ajo  deshi  shumë, studioi dhe  përktheu, Naimin, me  ato enumeracione të bukurive të  qyteteve të ndryshëm, Elbasanit që ajo e krahason  në mënyrë  shprehëse me një  bukuroshe orientale dhe krahas saj,  Shkodrës, Krujës, Gjirokastrës, Vlorës.

Jolanda parapëlqen  temat  ekzistenciale të kërkimit të kuptimit të jetës, të vdekjes dhe pavdekësisë, të artit, të  thelbit njerëzor.

Poetesha te “Liqeni” e përkufizonte shpirtin e vet si “përherë të shqetësuar”. Liqenin  e shihte si simbol të harmonisë dhe qetësisë  që s’mund të arrihej.

Është interesante  vjersha e saj e pabotuar “Në një  ekspozitë pikture” ku  kthehet  tema e perëndimit të diellit, kësaj  here  e shprehur jo në një tablo  natyrore, po në një  tablo arti (pasqyrim  brenda pasqyrimit) dhe që ka  në qendër  një kope dhensh,  tabloja e fundit, sipas poetes, e një piktori të dëgjuar që shpreh  dëshirën  e tij për qetësi  pas aq  betejash. (Po në vargun  e  fundit  imazhi i “qiellit  flakërues”  shpreh  zjarrin e një shpirti që s’mund  të qetësohet.

Tema e zhdukjes së iluzioneve  trajtohet në dy lirika  (“Luleshqera” dhe “Tash trishtimi  mbështjell”)  ku tema e shmangur  e dashurisë trajtohet  e objektivizuar, duke  vënë  në qendër, herë  një vajzë që ka  humbur  ëndrrat e rinisë, herë një djalë të ri që ka humbur  të dashurën.

Në  disa vjersha  trajtohet  tema ekzistenciale e vdekjes (“Përgjim”, “Kopshti i të vdekurve”, “Fantazi  mesnate”, ‘Non omnis  morietur”) ku poetesha, ndonëse  fetare, ndalet më tepër  te pavdekësia  njerëzore  e kujtimit të mirë që lihet  se sa te pavdekësia  qiellore dhe,  ndonëse poete, vlerëson  më tepër se sa pavdekësinë e artit, gjurmën e një jete  të jetuar me parime të larta.

Disa nga vjershat e saj janë në dy  variante (“Liqeni”, “Fatamorgana”). Edhe  kjo lirikë  e fundit kushtuar mirazhit  të fatamorganës, të cilin  autorja pohon  në fund të vjershës që s’arrin ta gjejë më, është nga  lirikat e saj më të bukura.

Në variantin e fundit  të kësaj  vjershe  rinia  përkufizohet  si “kohë e ëmbël e largët”. Mund  të jetë  shkruar  nga viti pesëdhjetë e tutje kur  poetesha  ishte dyzetvjeçare. Në të vërtetë  frymëzimi poetik  i Jolandës  nuk shteron  në vitet  e diktaturës, vetëm rrjedh  i heshtur  nën dhe. Këtyre  viteve u përket  lirika e vetme e dashurisë së saj që ia kushton  të shoqit dhe  ku përmendet  “buzëqeshja e së  ardhmes” e mishëruar  tek të bijat.

Kulmin e poezisë së Jolandës e shprehin  dy lirikat e shkruara  në vitin 1963, para vdekjes, “kënga  e fundit  e mjellmës”, të  vetmet  e shkruara  në vargje të lira. Në njërën  “Melankoli” sublimohen  motivet e mallit, trishtimit, mungesës. Në tjetrën, testamenti  i saj  shpirtëror, “Excelsior” shprehet  besimi optimist  në një të ardhme të lumtur për njerëzimin kur njeriu  do të  triumfojë mbi kohën dhe hapësirën dhe mbase  do të realizojë  “të lashtën  ëndërr të rinisë  së  përjetshme”.

Poetesha, e vdekur  para kohe, do  të mbetej  përjetësisht e re. Ndofta  edhe poezia e saj,  pak e njohur, që tani  më në fund  do të shohë dritën e plotë  në një vëllim që do të  botohet, nën kujdesin e së bijës Klara, nga Shtëpia  Botuese  “Argeta LMG”, do të  zërë më në fund një vend  në kuadrin e poezisë  shqiptare, me  atë  lirizëm dhe përmasë  filozofike që mund  të  shijohen  edhe nga  lexuesi i sotëm.

 

 

Diaspora shqiptare jep kontributë të çmuar në pasurimin e letrave shqipe

Bukuresht: U promovua vëllimi poetik i Gjekë Marinajt

Më 12 gusht në Bukuresht, në një mjedis elegant, në qendër të kryeqytetit rumun, u zhvillua promovimi i librit me poezi “I burgosuri i mungesës” i shkrimtarit shqiptaro-amerikan  Gjekë Marinaj. Në këtë eveniment ishte i pranueshëm autori i librit, të përkthyer nga përkthyesi dhe shkrimtari Marius Dobresku, i mirënjohur si përkthyesi i veprës pothuaj komplete të Ismail Kadaresë në rumanisht.

Gjekë Marinaj, poet, profesor në Dallas (Teksas) dhe banor i SHBA-ve qysh nga viti 1991, i pranishëm në këtë ngjarje, dha autografe për miqtë dhe lexuesit e librit të tij në Bukuresht. Vëllimi i Marinajt është shoqëruar me një parathënie nga kritiku i mirënjohur rumun i letërsisë Radu Voinesku, gjithashtu i pranishëm në këtë promovim. Në veprimtari morën pjesë studiuesi i letërsisë Luan Topçiu, shkrimtar dhe diplomat, autor, ndër të tjera, i një antologjie të poezisë shqiptare të djeshme dhe bashkëkohore, dramaturgu dhe eseisti i shquar rumun Vlad Zografi (me prejardhje shqiptare nga Korça), gazetarja Maria Dobrescu, lexues dhe admirues të shkrimtarit shqiptar, gazetarë nga mediat kryesore të vendit, anëtarë të komunitetit shqiptar të Rumanisë.

Në vlerësimin e tij për poezitë e Gjekë Marinajt, Marius Dobrescu tha, ndër të tjera, se poezia e tij sjell një frymë të re në poezinë bashkëkohore shqiptare dhe se është “kontaminuar” nga formimi filozofik i autorit, gjë që i jep poezisë së tij një atmosferë të veçantë, latuar me sqimë të madhe, gjë që e rendit në nivelet më të larta të mendimit europian poetik. I njohur si një njohës i mirë i poezisë rumune dhe shqiptare, Luan Topçiu vuri re një element të përbashkët që gjendet në të gjithë shkrimtarët dhe krijuesit e Diasporës Shqiptare: një lidhje të pashmangshme me vendlindjen, me trevat ku ka kaluar fëmininë, nënshtresa këto burimore të krijimit, të cilat e bëjnë autorin autentik si profil letrar dhe u japin lirikave të tij origjinalitet. Kritiku i mirënjohur rumun, Radu Voinesku, autor i parathënies së vëllimit, duke përsëritur disa nga vëzhgimet e bëra në “parathënien” u shpreh se: “Imazhet e Shqipërisë janë gjithmonë të pranishme në mendjen e poetit, i cili jeton në mes të dy botëve: njëra e kujtesës, identitetit dhe e origjinës, tjetra e atdheut të ri, ku ky identitet i parë i pafrenueshëm shfaqet në momentet më të befta. Midis ortekut të fotografive, natyrisht të mbeten në mendje ato të prindërve, të cilat mbizotërojnë dhe që mund të gjenden nga lëçitësi që do të lexojë faqet e këtij poeti.” Sepse Gjekë Marinaj, si çdo racë e pastër e Ballkanit, ka një ndjenjë të fortë të komunitetit nga i cili vjen, familja, ky univers parësor dhe i pashkatërrueshëm.

Promovimi i vëllimit me poezi “I burgosuri i mungesës” në Bukuresht, me praninë e autorit, ishte një mundësi e shkëlqyer për krijuesit shqiptarë, pavarësisht nga kontinenti në të cilin jeton, për të treguar potencialin e tyre krijues dhe, në veçanti, për të demonstruar se fjala shqipe mund të japë fryte kudo që ata ndodhen.

 

Mira Skënderaj,

Bukuresht, gusht 2013

 

Comments are closed.