Akuzat për prona, reagon Presidenca: Kryeprokurori të hetojë shpifjet dhe Rama të ndalë sulmet

0
119

Florenc Drizari

“Akt i turpshëm shpifjeje dhe sulm i rëndë antikushtetues me ngjyrim të qartë politiko-propagandistik”

 

For the story BC-EU—Albania-PresidentKreu i shtetit i kërkoi publikisht Kryeprokurorit Adriatik Llalla të nisë hetimet për akuzat e bëra në drejtim të tij dhe familjes, duke i quajtur ato shpifje dhe shantazhe.

Po ashtu në mesazhin drejtuar kryesocialistit Edi Rama (Kryeministër i ardhshëm e vendit), Presidenti i bën thirrje që të ndalet fushata e akuzave.

Në dy ditët e fundit përfaqësues të PS-së dhe Institucioni i Presidentit të Republikës janë “përplasur” në distancë me akuza dhe reagime, lidhur me dekretin e disa ditëve më parë për tjetërsimin e Shtëpisë së Ushtarakëve dhe pronat e bashkëshortes kreut të shtetit.

Akuzat e disa deputetëve socialist të publikuara në media kundrejt Presidentit Nishani për tjetërsimin e SHQUP-it, si dhe për posedimin e mundshëm të pronave nga Zonja e Parë Odeta Nishani, në vendin ku ndodhet sot selia e PD-së, sollën sërish reagimin e tij, i cili i quajti shpifje dhe shantazhe ndaj familjes.

Më herët deputetë të PS-së, si Piro Lutaj dhe Erjon Braçe, kanë kërkuar publikisht shpjegime për firmosjen e dekretit për SHQUP-in dhe kanë deklaruar se Zonja e Parë, Odeta Nishani, është pronare e një pjese trualli në zonën ku është ngritur selia e Partisë Demokratike në Tiranë.

Përfaqësues të lartë të shumicës së re qeverisëse, në vazhdën e shpifjeve të neveritshme dhe të përsëritura të këtyre ditëve, – thuhet në reagimin e Presidencës, kanë adresuar publikisht akuza të paqena ndaj familjes së Presidentit të Republikës për të ashtuquajturën lidhje në pronësi mbi truallin ku sot ndodhet godina e selisë së Partisë Demokratike.

Në Presidentit thuhet se: “Institucioni i Presidentit të Republikës duke hedhur poshtë me përbuzje dhe neveri të tilla shpifje, deklaron me vendosmëri se familja e bashkëshortes së Presidentit nuk ka lidhje pronësie mbi truallin e godinës në fjalë.

Ky akt i turpshëm shpifjeje dhe ky sulm i rëndë antikushtetues me ngjyrim të qartë politiko-propagandistik, synon të terrorizojë psikologjikisht familjen e Presidentit të Republikës dhe të ndalë ushtrimin e funksioneve kushtetuese nga ana e Kreut të Shtetit.

Me këtë rast dhe në këto rrethana, Presidenti i Republikës i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të nisë procedurën e hetimit penal ndaj këtij shantazhi që po i bëhet Kreut të Shtetit shqiptar.

Presidenti i Republikës, lidhur me të njëjtin problem, i kërkon gjithashtu Zotit Edi Rama, Kryetar i Partisë Socialiste propozuar nga shumica e re për postin e Kryeministrit, ta ndalë urgjentisht këtë fushatë të ulët, të padrejtë dhe të padenjë, kundër Kreut të Shtetit”,- vijon deklarata e Presidencës.

Gjithashtu në të thuhet se ftohet me këtë rast cilido shtetas shqiptar që çdo pretendim për shkelje të Ligjit nga ana e Presidentit të Republikës ta denoncojë normalisht në institucionet përkatëse të Drejtësisë.

“Institucioni i Presidentit të Republikës, në asnjë rast dhe për asnjë arsye, nuk duhet, nuk mund, dhe nuk është përfshirë kurrë në luftën politike mes shumicës dhe pakicës parlamentare.

Presidenti i Republikës i siguron qytetarët shqiptarë dhe partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë se do të vazhdojë pa u ndalur asnjë çast përmbushjen e detyrave kushtetuese, sado të rrejshme qofshin shpifjet, dhe sado të ulëta dhe të padenja shantazhet”, – mbyllet deklarata e kreut të shtetit.

Reagimi i Presidentit është i dyti brenda dy ditëve të fundit, ndërkohë që nuk kanë munguar edhe komentet dhe qëndrimet e disa përfaqësuesve të PS-së.

 

BOX

Odeta Nishani: Nuk kam lidhje pronësie në selinë e PD-së, akuzat janë shpifje

Zona e Parë e vendit, Odeta Nishani me anë të një reagimi në rrjetin social “Facebook”, përgënjeshtroi akuzat e disa deputeteve socialist për lidhje pronësie me selinë e PD-së, duke i quajtur shpifje.

“Fatmirësisht në një shoqëri demokratike askush nuk është i përjashtuar nga debati publik, qoftë familja e Presidentit të Republikës, qoftë Presidenti vetë dhe ky është një standard tashmë edhe i demokracisë shqiptare, por kur debati instrumentalizohet për qëllime politike dhe degjeneron në shpifje, fyerje dhe kërcënime ky standard është cenuar në thelbin e tij, dhe duhet të preokupohemi. Prej disa ditësh, eksponentë të Partisë socialiste, dezinformojnë opinionin publik mbi një marrëdhënie të pavërtetë pronësie timen dhe familjes sime me ambientet ku është selia aktuale e Partisë Demokratike. Me përgjegjësi të plotë pohoj para opinionit publik që asnjë marrëdhënie pronësie e imja dhe familjes sime nuk ekziston me selinë e PD-së; gjithashtu pohoj se asnjë interes privat nuk e lidh familjen time me atë objekt dhe të ardhmen e tij. Për dy javë Partia Socialiste bëhet forcë kryesore qeverisëse dhe ka të gjitha mjetet e duhura ligjore dhe administrative për të hetuar me imtësi mbi këtë çështje. Ky nxitim për të më vendosur në qendër të një alibie dhe lufte politike që nuk më përket , nuk më demoralizon, nuk më frikëson në asnjë çast të jetës dhe punës time të përditshme. Unë besoj tek drejtësia dhe moraliteti i së drejtës, ndaj jam e bindur që shpifësit do të marrin qëndrimin që meritojnë nga opinioni publik shqiptar dhe shumë shpejt kauza e tyre do të vetërrëzohet”, –  shkruan Odeta Nishani.

 

 

 

Piro Lutaj: Presidenca nuk publikon vendimet, do isha fatlum nëse prokuroria do ishte e pavarur

Deputeti i Partisë Socialiste Piro Lutaj e ka quajtur qëndrimin e kreut të shtetit si viktimizim ndaj vendimit të marrë për tjetërsimin e SHQUP-it, ndërkohë që në një reagim të mbajtur një ditë më parë, Lutaj thotë se Presidenca nuk publikon vendimet në faqen zyrtare, duke shkelur ligjin. Për këtë ai i referohet vendimeve të zbardhura në 12 ditët e fundit, ndërsa thotë se do të ishte fatlum nëse prokuroria do të vazhdonte detyrën si e pavarur.

“Ndoqa me vëmendje dhe pa asnjë shqetësim deklaratën e dalë sot nga zyra juaj,ku dukej qartë se Ju merreshit me veten tuaj, dhe jo me shqetësimin e opinionit publik, përfshi edhe mua, ku u kemi kërkuar të shprehni qëndrimin tuaj zyrtar për një çështje që ka të bëjë me cenimin e Planit të Përhapjes së FA të RSH.

Më lartë kam paraqitur faqen zyrtare të Presidentit të RSH, ku janë ekspozuar Dekretet e firmosura prej Jush, gjatë këtyre 12 ditëve.

Ju keni detyrimin ligjor të publikoni në këtë faqe Dekretin për heqjen e QKU, nga plani i përhapjes së FA.

Po kështu, me qellim që të bindni opinionin publik, në deklaratat tuaja nëpërmjet zëdhënësve, jeni të lutur të vini në dispozicion të mediave dhe personave të interesuar, praktikën e plotë që u ka ardhur nga Ministria e Mbrojtjes, për këtë çështje, e cila është kryekëput në kundërshtim me ligjin “Për Pushtetet dhe Autoritetet e Drejtimit dhe të Komandimit Strategjik të FA”.

Sa për prokurorinë, unë do të isha fatlum, që ajo të vazhdoje të kryej detyrën si institucion i pa varur dhe në zbatim të ligjit”, – shkruan Piro Lutaj në profilin e tij në internet, në “Facebook”.

 

 

Erjon Brace: Nëse do të kish funksionuar ILDK, përgjigja do të ishte zyrtare

Më anë të një reagimi në rrjetin social “Facebook”, deputeti socialist Erjon Braçe e quajti standard transparence përgjigjen e kreut të shtetit ndaj akuzave për pasjen e pronave nga familja e tij në selinë aktuale ku sot ndodhet PD-ja, ndërkohë që kritikon mospublikimin e deklaratave të pasurisë nga ILDKP-ja; pasojë e së cilës thotë ai, erdhën edhe reagimet e njëpasnjëshme.

“Presidenti i Republikës tha sot se: Ai dhe Familja e tij nuk ka asnjë interes pronësor në godinën aktuale të Partisë Demokratike!! Më në fund, një përgjigje që është kërkuar nga media, opinioni publik e politik qysh shtatë ditë me parë. Ky standard përgjegjshmërie e transparence natyrisht nuk reflekton praktikat më të mira për pushtetare, veçmas të atyre të niveleve të larta. Ky standard transparence dëshmon edhe për brishtësinë apo varësinë politike deri në asfiksi të institucioneve ligjërisht apolitike e të pavarura në këtë vend. Funksionimi i tyre i lire e ligjor do ti kursente Presidentit një përgjigje kaq të vonuar por edhe te sikletshme:

Nëse do të kish funksionuar ILDKP e të kishte publikuar në kohë deklarimet e pasurisë e interesave, të kishte lirinë për t’ju përgjigjur qytetareve dhe medias edhe kur bëhet fjalë për nivelin më të lartë të shtetit, atëherë përgjigja do të ishte zyrtare, e ftohte, e dokumentuar, konkrete dhe aspak emocionale”, – shkruan Braçe në profilin e tij në internet.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency