Vranë gabimisht Erigert Zejnon 5 muaj më parë, 3 në pranga

0
308

Sonja Caka

Hetimi, tre të arrestuarit ngatërruan objektivin, donin të vrisnin për hasmëri shokun e viktimës

 

pranga3Ngatërrojnë objektiv dhe vrasin personin e gabuar. Pas hetimeve intensive, policia zbardh krimin dhe zbulon se synimi i personave në kërkim ishte shoku i viktimës, jo vetë ky i fundit. Tre persona janë vënë në pranga nga specialët e RENEA-s si të akuzuar për vrasjen e një të riu disa muaj më parë në Vlorë. Policia e qytetit bregdetar bën me dije se ata kanë ekzekutuar gabimisht të riun Erigert Zejno më 22 mars të këtij viti, ndërsa ishte nën shoqërinë e një miku të tij. I riu Zejno ka qenë në të njëjtën makinë me objektivin e të dyshuarve si vrasës dhe ndërsa ata kanë qëlluar për ta vrarë, plumbat kanë kapur aksidentalisht viktimën, i cili ka humbur jetën në spital pas dy javësh, për shkak të plagëve të marra. Sipas policisë, ka qenë pikërisht miku i viktimës objektivi i tre të arrestuarve, ndërsa mes tyre ekzistonte një hasmëri e vjetër. Pas identifikimit të autorëve, zbardhjes së ngjarjes, policia e Vlorës në bashkëpunim me specialët e RENEA-s kanë organizuar operacionin për kapjen e tyre dhe dy netë më parë kanë mundur të ekzekutojnë vendimin e gjykatës, e cila në mungesë kishte “lënë në burg” shtetasit Ervis Matodashaj, Nadir Ferko dhe Altin Sejdiraj për veprën penale të “vrasjes në rrethana cilësuese” në bashkëpunim. Ndërkohë që, po në vijim të këtij operacioni, policia ka arrestuar në flagrancë për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit” shtetasin Besart Zharra, 27 vjeç, banues në qytetin e Vlorës. Arrestimi i këtij shtetasi është kryer pasi ndihmonte personin ne kërkim Ervis Matodashaj për t’iu fshehur policisë.

Operacioni

Përmes një njoftimi për shtyp, policia e Vlorës bën me dije se “dy ditë më parë, Strukturat e Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë, me mbështetjen e Njësisë së Operacioneve Speciale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, repartit RENEA, dhe forcave speciale FNSH Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, falë hetimeve disamujore dhe një pune të mirëroganizuar është bërë i mundur finalizimi me sukses i operacionit policor për ekzekutimin e urdhrave të ndalimit të Prokurorisë Vlorë për shtetasit Ervis Matodashaj, 30 vjec; Nadir Ferko, 35 vjeç dhe Altin Sejdiraj, 33 vjeç të tre banues në qytetin e  Vlorës”. Sipas policisë, ndalimi i këtyre shtetasve u bë pasi dyshohen si autorë të vrasjes së shtetasit Erigert Zejno, ndodhur në datë 22.03.2013 në Lagjen “11 Janari”, Vlorë. Nga hetimet e kryera rezulton se objekt i sulmit ka qenë një person tjetër i cili ndodhej me viktimën dhe motivi i ngjarjes janë hasmëritë e vjetra. Ndalimi i këtyre shtetasve u krye për veprën penale “Vrasje në rrethana te cilësuara” e kryer ne bashkëpunim, dhe  “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municioneve luftarake”, parashikuar  nga neni 79/dh,  25 dhe 278/2 të Kodit Penal. Gjithashtu, po sipas policisë, shtetasi Ervis Matodashaj ka qenë i shpallur në kërkim edhe për “Mbajtje pa leje të armëve luftarake” pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlore me vendim nr. 172 datë 09.05.2013 ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në Burg” në mungesë për këtë shtetas. Departamenti Kundër Krimit te Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë se Shtetit, Drejtoria e Policisë Qarkut Vlore, Prokuroria për Krimet e Rënda Tiranë dhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë janë duke kryer hetime intensive në lidhje me të ndaluarit Matodashaj, Ferko dhe Sejdiraj.

 

Vlorë

Tentoi të vrasë çiftin e bashkëshortëve, pranga 62-vjeçarit Dako

Policia e Vlorës ka vënë në pranga një 62-vjeçar, si të akuzuar për tentativë vrasje të një çifti bashkëshortësh. Sipas burimeve policore, është arrestuar shtetasi Llambro Dako, 62 vjeç,  banues në fshatin Zvërnec, Vlorë, i me kombësi shqiptare e nënshtetësi greke. Mësohet se ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim pasi në datën 16.08.2005 ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasit Sotiraq dhe Merita Subashi. Në lidhje me këtë ngjarje Gjykata e Apelit Vlore me vendim Nr. 158 date 09.05.2007, e ka dënuar me 15 vjet burg për veprën penale “Vrasje ne rrethana te cilësuara” e mbetur në tentative, e parashikuar nga neni 79/dh, e 22 i Kodit Penal.

 

Tiranë

Shtëpia merr flakë, banorët e saj me pushime

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë katin e 7-të një pallati në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, ndërsa në banesë nuk ndodhej asnjë prej banorëve të saj. Zjarri ka rënë në orët e mesditës, ndërsa familja ndodhej me pushime. Një zjarrfikëse e cila mbërriti në vendngjarje bëri të mundur evakuimin e banorëve të pallatit, ndërkohë që neutralizoi dhe bëri të mundur shuarjen e zjarrit. Komshinjtë e banesës që mori flakë, thanë se banorët e banesës kanë shkuar me pushime, ndërkohë që nuk dihen ende shkaqet e zjarrit. Policia nisi hetimet për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa familja është lajmëruar për ngjarjen. Kjo është banesa e dytë që digjet në këtë zonë pa mbushur 24 orë. Banesa e parë u dogj dy netë më parë, pas shpërthimit të një bombule gazi.

 

Korçë

Rikthehen radhë e gjata në kufi, pala greke vetëm me dy sportele

Rikthehen radhët e gjata të emigrantëve në pikën kufitare të Kapshticës. Qindra emigrantë presin me orë të tëra në kufi, ndërkohë pala greke punon vetëm me sportele të reduktuara, përkatësisht një në hyrje dhe në dalje. Shkak për këtë situatë sipas autoriteteve kufitare shqiptare bëhet edhe fluksi i lartë i emigrantëve në dalje. E njëjta situata paraqitet dhe ne kufirin grek. Autoritet shqiptare kanë kërkuar zgjidhje të problematikës të ripërsëritur sidomos në periudhën e pushimeve veriore apo të festave, por ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga homologët e tyre grek.

 

Durrës

Kapet me 10 kg hashash në port, arrestohet 25-vjeçari

Po përpiqen të trafikonte drejt Italisë 10 kg lëndë narkotike, ndërsa do imbarkohej në linjën e tragetit Durrës-Ankona. Por, policia kufitare ka mundur të zblulojë sasinë e drogës të fshehur në automjet, duke bënë në pranga poseduesin e saj. Lënda narkotike u gjet në automjetin tip Lancia me targa AA 468 HD, e fshehur pikërisht në shasinë e automjetit. Pas kontrollit, policia ka arrestuar drejtuesin e mjetit, Gentian Bardhoshi, 25 vjeç nga Kukësi dhe ka sekuestruar lëndën narkotike. Materialet hetimore për të riun i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë për Krime të Rënda.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency