PS-LSI drejt ndryshimit të Kushtetutës, rikthehen nenet e 2008-ës

0
131

Gëzim Saliu

Shumica e re do të kryejë një reformë kushtetuese, e cila do të prekë edhe sistemin e drejtësisë

 

Kuvendi-i-Shqiperise1Ndryshimet e shumë debatuara të Kushtetutës së Shqipërisë në 21 prill të vitit 2008  do të rikthehen në diskutim me qeverinë e re të së majtës. Me rinisjen e sesionit të ri parlamentar, i cili do të shënojë edhe startin e ekzekutivit të ri, pritet që një ndër reformat kryesore që do të bëhet pjesë e diskutimit të jetë edhe ajo për ndryshimet kushtetuese. Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë gjetur akordin parimor mes tyre për të nisur një reformë kushtetuese, e cila do të prekë edhe ndryshimet e bërë me marrëveshjen e 2008-ës mes kreut socialist Rama dhe kreut të PD-së Berisha në ligjin themeltar të shtetit, marrëveshje e kritikuar fort nga partia e Metës. Të ribashkuar tashmë në një front, duke formuar edhe të majtën e madhe, Meta dhe Rama janë në konsensus të plotë për të ndryshuar “gabimet” e së shkuarës. Burime pranë selive të dy partive kryesore kanë bërë të ditur se PS dhe LSI janë në konsensus për këtë pjesë dhe pritet që këtë nismë ta konkretizojnë në kuvendin e ri. Sipas këtyre burimeve, pritet që pas nisjes së sesionit të ri parlamentar dhe përmbushjes së reformave kryesore për të cilat qeveria e majtë është zotuar se do të kryejë, çështja e ndryshimeve kushtetuese të rikthehet në temë diskutimi kryesor në parlament, ku do të synohet edhe bashkëpunimi me opozitën e re.

Qëndrimi i PS

Ndryshimet kushtetuese të 21 prilli 2008 erdhën kryesisht nga propozimet e Partisë Socialiste, e cila më pas i konkretizoi ato në një marrëveshje mes dy liderëve të forcave kryesore në vend, Rama dhe Berisha. Reagimet e forta kundërshtuese të LSI-së dhe partive aleatet të koalicionit të majtë nuk u morën parasysh në atë kohë nga Rama. Shenjat e para të pendesës për këtë marrëveshje, kryesocialisti i shfaqi në korrik të vitit 2011, menjëherë pas humbjes së garës së zgjedhjeve vendore të 8 majit. Në një dalje publike ai pranoi se ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 ishin të gabuara dhe se PS ishte e gatshme për “korigjimin” e tyre.  “Nuk është përgjigje e lehtë dhe nuk është e thjeshtë, por unë mendoj se sa më shumë reflektojmë pasojat që ka sjellë gjithë procesi i pasvjedhjes se zgjedhjeve të 2009, aq më shumë mund të pranojmë përfundimin se me ndryshimet kushtetuese, jo gjithçka është bërë siç do të duhet të bëhej”, ka theksuar Rama në atë kohë. Ky qëndrim i kreut socialist u përvijua më tej në qershor të vitit 2012, ku në debatin për heqjen e imunitetit, PS vendosi si kusht miratimin e një pakete që kërkonte një sërë ndërhyrjesh në ligjin themeltar të vendit.  “Patjetër ta heqim imunitetin por askush të mos presë se PS do të ndërhyjë në Kushtetutë me nxitimin që ndërhyri katër vjet më parë. Ne jemi të bindur se gjithmonë do bëjmë gabime, por ajo që dallon një forcë të pjekur nga një forcë aventurash është se bën gabime të reja, jo të vjetra”, kishte theksuar Rama. Ndërkohë që ky qëndrim u konsolidua më tej në vitin 2013, ku PS shprehu bindjen për ndryshimin e kushtetutës, kryesisht në pjesët e ndryshuara në vitin 2008. Ish-kryeministri socialist, aktualisht deputet i kësaj force për qarkun e Tiranës, Pandeli Majko ka bërë të ditur vetëm pak ditë para zhvillimit të zgjedhjeve të 23 qershorit se PS pas marrjes së pushtetit do të angazhohej për një reformë kushtetuese. “Do të ketë një reformë tjetër kushtetuese për të zhbërë gabimet e vitit 2008”, ka thënë Majko.

Qëndrimi i LSI

Lëvizja Socialiste për Integrim, si një ndër forcat që i kundërshtoi haptazi ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, madje edhe zhvilloi një grevë demonstrative në Kuvendin e Shqipërisë për ti hedhur poshtë ato, gjë që rezultoi pa efekt, mbetet një ndër partitë kryesore që mbështet ndërhyrjen në ligjin themeltar të vendit. Vetëm pak kohë më parë në një intervistë televizive, kreu i LSI-së Ilir Meta bëri të ditur se forca që ai drejton nuk do të bie asnjëherë dakord me ndryshimet e 21 prillit. Duke theksuar se Kushtetuta duhet të preket në të gjitha pikat që u ndryshuan në vitin 2008, Meta ka pohuar se kjo ndërhyrje duhet të vijë edhe me konsensusin e opozitës së re. “Ndryshimet në Kushtetutë nuk i kam pranuar dhe nuk do t’i pranoj asnjëherë, por natyrisht që rikthimi i Kushtetutës në themelet e saj varet shumë edhe nga konsensusi me opozitën e re. E kemi kërkuar dhe do ta kërkojmë gjithmonë. Unë këtë e kam kërkuar edhe në vitin 2009, por në atë kohë z. Berisha më ka thënë në mënyrë të qartë që “unë për këtë gjë nuk jam dakord, se unë kam qenë dakord me këto ndryshime që janë bërë”. Nuk mjafton vetëm bashkëpunimi me z. Rama për këtë gjë. Duhet edhe konsensusi me opozitën për ndryshimet kushtetuese. Kushtetuta duhet të preket në të gjitha pikat të cilat u ndryshuan dhe të kthehet aty ku ishte”, ka thënë Meta. Në të njëjtën linjë është shprehur edhe deputeti i LSI-së për qarkun e Gjirokastrës Vangjel Tavo, i cili ka shkuar më tej duke nënvizuar se një nga temat kryesore të marrëveshjes PS-LSI do të jetë rishikimi i ndryshimeve kushtetuese që u bënë në vitin 2008. “Besoj se do të jete një nga çështjet që do diskutohet në këtë mazhorancë e koalicion të forcave të majta. LSI-ja nuk mund ta harrojë atë që ka ndodhur në 2008-n dhe, normalisht jo vetëm nuk duhet ta harrojë por, në çdo moment do jemi të gatshëm që të rishikohen ato ndryshime që normal janë bërë me qëllim jo të mirë për LSI-në por, energjia e kësaj force ka treguar që jo vetëm nuk u dëmtua por, përkundrazi doli e më e fuqishme. Megjithatë çështje për cilat LSI-ja ka denoncuar e protestuar padyshim do të jenë në qendër të vëmendjes së LSI-së”, ka theksuar Tavo.

 

Kushtetuta e Shqipërisë

Kushtetuta e Shqipërisë u adoptua më 28 nëntor 1998 përmes referendumit mbarëpopullor. Kjo kushtetutë e përkufizon Shqipërinë si Republikë Parlamentare, shtet unitar e të pandashëm, si dhe me qeverisje të bazuar “në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike”. Propozimi për kushtetutë u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë më 21 tetor 1998 dhe u vendos më referendum mbarëpopullor. Qytetarët e Shqipërisë votuan propozimin dhe bënë të mundshëm hyrjen në fuqi të Kushtetutës po atë vit.

 

 

Ndryshimet e 21 prillit 2008

Në 21 prill 2008, në bazë të konsensusit mes Partisë Demokratik dhe Partisë Socialiste u ndërhy në 11 nene të Kushtetutës së Shqipërisë (64, 65, 67, 68, 87, 88, 104, 105, 149, 153 dhe 154). Këto ndërhyrje në ligjin themeltar të vendit sollën ndryshimin e sistemit zgjedhor në vend, duke kaluar nga sistemi mazhoritar i korrektuar në sistemin proporcional rajonal. Një tjetër ndryshim që pësoi Kushtetuta ishte ai që kishte lidhje me zgjedhjen e Presidentit të vendit. Me ndryshimin e 21 prillit, Kreu i Shtetit  mund të zgjidhet edhe me shumicë të thjeshtë nga parlamenti, pas tre raundeve të votimit kur nuk arrihet shumica me tre të pestat, duke mënjanuar zgjedhjet e parakohshme. Pjesë e ndryshimeve ishin edhe nenet që lidhen me mocionin e besimit të Kryeministrit, ku më parë ai vetëm nëse refuzohej nga shumica e deputetëve, do të duhej që Kuvendi, brenda 15 ditëve të zgjidhte një Kryeministër tjetër. Ndërsa me ndryshimin e bërë, Kryeministri ka të drejtë t’i paraqesë Kuvendit mocion besimi ndaj Këshillit të Ministrave. Sipas nenit 104 të Kushtetutës, në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kryeministri, brenda 48 orëve nga votimi i mocionit, i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit. Po ashtu sipas kësaj pakete ndryshimesh, edhe mandati i prokurorit të përgjithshëm pësoi ndryshim, ku nga i pakufizuar që ishte u limitua në 5 vjet. Ndryshimet Kushtetuese të 21 prillit 2008 u votuan nga 115 deputetë e ndërsa 17 prej tyre votuan kundër.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency