Tritol në banesë biznesmenit të pikave të basteve, Alban Beka

0
228

Sonja Caka

Policia: Dyshohet konkurrenca për shkak të bizneseve, pritet dëshmia e të dëmtuarit pasi të kthehet nga pushimet

 

shperthimiNjë shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në afërsi të rrugës “Myslym Keta”në kryeqytet, duke shkaktuar tmerr dhe panik te banorët e kësaj zone. Një sasi eksplozivi e hedhur me forcë nga dritarja e një automjeti mësohet se ka pasur si synim oborrin e banesës së një biznesmeni të pikave të basteve dhe palestrave sportive. Fatmirësisht, sipas burimeve policore, në banesë nuk kishte asnjë person dhe për pasojë, edhe dëmet kanë qenë vetëm materiale dhe vetëm në derën e jashtme të oborrit. Mësohet se biznesmeni Alban Beka dhe familja e tij ndodheshin me pushime në Sarandë. Policia, e cila ka marrë njoftim për ngjarjen, ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur nga puna për zbardhjen e ngjarjes.

Ngjarja

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 pas mesnate duke u gdhirë dita e djeshme në zonën që njihet si rruga e 3700-tës, në rrugën “Myslym Keta”. Kanë qenë banorët e lagjes ata që kanë lajmëruar uniformat blu, të cilat nisur nga hetimet paraprake pasi mbërritën në vendngjarje, bënë të ditur se synimi i autorëve ka qenë që kjo sasi eksplozivi të hidhej brenda oborrit të kësaj shtëpie. Kjo banesë është në pronësi të Alban Bekës, pronar i një sërë pikave të basteve në Tiranë. Biznesmeni Alban Beka, me familjen kanë qenë me pushime dhe në banesë mësohet se nuk ka patur njeri kur ndodhi shpërthimi. Edhe sasia e lëndës eksplozive ishte e vogël, duke dëmtuar vetëm portën e oborrit të banesës. Një grup hetuesish të Komisariatit numër 4 dhe drejtorisë së policisë së qarkut nisën hetimet për ngjarjen, e cila dyshohet të ketë për motiv konkurrencën.

Hetimi

Lidhur me shpërthimin e mesnatës në rrugën “Myslym Keta”, burime policore bëjnë me dije se autorët kanë kaluar me automjetin e tyre para banesës dhe kanë tentuar që sasinë ta hidhnin brenda oborrit të saj, por pa mundur. Ajo pak sasi tritoli ka arritur deri te porta e jashtme, e cila është dëmtuar. Policia ka marrë në pyetje vetëm disa banorë të lagjes, ndërsa pret të kthehet nga Saranda pronari i banesës, Alban Beka, për të mësuar më tepër rreth ndonjë konflikti apo kërcënimi të mundshëm të kohëve të fundit. Pista ku janë përqëndruar hetimet lidhet me konkurencën që ka biznesmeni në Tiranë, duke qenë pronar i disa pikave të basteve dhe një palestre sportive. Polica ende nuk ka persona të identifikuar për këtë ngjarje, por hetimet kanë nisur menjëherë për zbardhjen e shkaqeve të kësaj ngjarje.

 

Durrës

Aksidentoi për vdekje 7-vjeçarin nga Kosova, arrestohet autori

Një ditë pas aksidentit të rëndë, ku humbi jetën një fëmijë 7 vjeç nga Vushtria e Kosovës, policia e Durrësit vë në pranga aksidentuesin, një të ri nga Elbasani. Pa kaluar 24 orë nga aksidenti i rëndë, uniformat blu të qytetit bregdetar identifikuan dhe vunë në pranga drejtuesin e motorit që aksidentoi për vdekje vogëlushin 7-vjeçar, i cili kishte ardhur të kalonte pushimet me familjen në plazhin e Durrësit. Burime nga policia e qytetit bregdetar bëjnë me dije se autori është shtetasi Erlind Licenji nga Elbasani, i cili kishte ardhur në plazhin e Durrësit për pushime me familjen. Dyshohet se motor kanë qenë dy persona dhe shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia tejet e madhe me të cilin po lëviznin të rinjtë. Policia ka ndaluar edhe një të ri tjetër bashkë me Licenjin dhe pritet të zbardhet edhe pozicioni i tij në drejtimin e motorit. Viktima E. Zaberxhan, 7-vjeç nga Vushtria e Kosovës ndërroi jetë dy ditë më parë në spitalin rajonal të Durrësit, pasi u aksidentua me motor në afërsi të Urës së Dajlanit. Policia e cila u vë në lëvizje pas aksidentit mundi të gjejë që pas disa orë kërkimesh motorin me të cilin u aksidentua 7-vjecari nga Kosova, ndërkohë që identifikoi autorin nga gjurmët e gishtërinjve. Pas kërkimeve intensive, policia arriti të identifikojë autorin, i cili pasi e përplasi fëmijën, u largua me shpejtësi përmes një rruge dytësore. Ka qenë nja kalimtar i rastit ai që i dha ndihmën e parë fëmijës, duke e transportuar me urgjencë për në spital, ku edhe pas ndërhyrjes së mjekëve, shpëtimi i jetës së tij ishte i pamundur.

 

Itali

Pranga rumunit, aksidentoi për vdekjen shqiptarin Rosa

Një shtetas rumun është vënë në pranga si shkaktar i vdekjes së shqiptarin Redis Rosa. Pas një hetimi intensiv, është evidentuar dhe arrestuar nga karabinierët e Komandës provinciale të Foggia-s “pirati” i mundshëm i rrugës, që në mbrëmjen e festës së “Ferragosto”-s ka përshkruar dhe vrarë një punëtor të ri shqiptar, Redis Rosa, 26 vjeç nga lokaliteti i Borgo Tavernola në periferi të Foggia-s në Puglia. Sipas mediave online të shtetit fqinj, bëhet fjalë për Danut Marcel Neagoe, 32 vjeç rumun, i cili tani duhet të përgjigjet për “mosdhënie ndihme” dhe “vrasje me dashje”. Policët e kanë kapur atë në ndërmarrjen bujqësore ku ai punonte. Redis Rosa ka qenë shtypur dhe vrarë, ndërsa Danut përshkruante një rrugë dytësore. Pas ngjarjes, makina ka përfunduar në një vresht në të cilin policia ka gjetur targën. Sipas mediave, shtetasi rumun ka deklaruar për policinë se ai nuk e kishte kuptuar se po kalonte mbi një këmbësor.

Korçë

Konflikti për pronësinë, plagos me levë bashkëfshatarin

Një grindje për motive pronësie është shënuar mëngjesin e djeshëm në rrethin e Korçës. Pas një sherri për vijën e ujit vaditës, shtetasi me iniciale N.S. 62 vjeç, ka goditur me levë në kokë bashkëfshatarin e tij me iniciale I.S, 59 vjeç. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, rreth orës 09:30, në fshatin Goskovë në rrethin e Korçës. Si pasojë e goditjes me mjete të forta në kokë ka mbetur i plagosur 59-vjeçari.  Ndërkaq, ka filluar procedimi në gjendje të lirë për 62-vjeçarin me iniciale N.S., mbi të cilin rrëndon vepra penale e “plagosjes së lehtë me dashje”.

 

 

Gjirokastër

Operacioni antitrafik, kapen 21 klandestinë sirianë e marokenë

Një tjetër grup klandestinësh është kapur dje në pikën kufitare të Kakavijës në Gjirokastër. Policia kufitare konfirmon se deri tani ka ndaluar 21 klandestinë, ndërsa operacioni vijon nën drejtimin e drejtorit të kufirit Admir Abrija. Mësohet se klandestinët janë kapur në vendin e quajtur Mulliri. Ata janë me kombësi siriane dhe marokene dhe kishin si qëllim të kalonin përmes Shqipërisë për në vendet e Bashkimit Europian. Policia po merr në pyetje 21 të ndaluarit për të zbuluar më shumë rreth rrjetit të trafikut të klandestinëve, që duket se është kthyer në një shqetësim kohët e fundit për blutë e Gjirokastrës, të cilët pothuajse përditë ndalojnë shtetas të huaj që kalojnë tranzit në Shqipëri me destinacion vendet e tjera të Europës. Aksioni vijon edhe në këto momente, pasi dyshohet për të tjerë klandestinë në qarkullim.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency