Zbardhet vendimi , Qeveria: Godina e SHQUP kthehet në seli të Partisë Demokratike

0
162

Gëzim Saliu

Kryeministri: SHQUP-i të paktën për 12 vjet ka humbur çdo lloj funksioni

 

mbledhje-qeverie-20-qershor-2012-300x171Zbardhet vendimi i qeverisë për kalimin e godinës së Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë në zotërim të Partisë Demokratike. Sipas këtij vendimi, SHQUP do të kalojë në përgjegjësi administrimi nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Brendshme, procedurë kjo që duhet të përfundojë brenda datës 20.8.2013. Më pas do të jetë Ministri i Brendshëm i cili do të  lidhë kontratën e huapërdorjes, sipas Kodit Civil, me subjektin politik Partia Demokratike e Shqipërisë.

Vendimi

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 22, shkronja “b” e 22/1, të ligjit nr.8580, datë 17.2.2000, “Për partitë politike”, të ndryshuar, dhe të neneve 8, pika 3, 13 e 16, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave vendosi: 1. Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Brendshme, të pasurisë së paluajtshme, të konfirmuar nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, me emërtimin “Shtëpia Qendrore e Ushtrisë”, me numër rendor 32, përkatësisht sipas formularit që i bashkëlidhet këtij vendimi, miratuar me vendimin nr. 515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar”, thuhej në vendimin e djeshëm të qeverisë. Më tej theksohej se prona e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, duhet të hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes, që i bashkëlidhet vendimit nr. 515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar.  “4. Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Brendshme, brenda datës 20.8.2013, të përfundojë procedurat e marrjes në dorëzim të pronës. 5. Ministri i Brendshëm të lidhë kontratën e huapërdorjes, sipas Kodit Civil, me subjektin politik Partia Demokratike e Shqipërisë”. Lidhur me këtë vendim dhe kritikat e ardhura nga opozita aktuale dhe qeveria e ardhshme e vendit, kryeministri Berisha tha dje se SHQUP i kishte humbur funksionet prej 12 vitesh. “SHQUP-i të paktën për 12 vjet ka humbur çdo lloj funksioni. Vendimi nuk u zbardh se u konstatua se kishte një gabim, vendimi nuk ishte dekretuar nga Presidenti i Republikës. Të jemi të sinqertë, aty kemi parë vetëm ceremoni mortore. Domethënë vetëm dasma ose ceremoni mortore. Po ka një aktivitet aty, por kjo shtëpi ka humbur të gjithë funksionet dhe nuk ka asnjë lidhje me emërtimin që mban. Qeveria, duke parë që kjo shtëpi kishte humbur funksionet, ka kontraktuar një nga arkitektët më të mëdhenj të kohës dhe ju ftoj të shkoni dhe të shihni se çfarë ndërtimesh po bëhen”, u shpreh Berisha. Ndërkohë duke iu drejtuar ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, kryeministri theksoi se nëse bëhen protesta nga ushtarakët lidhur me këtë vendim qeverie, atëherë çdo ushtarak do humbasë statusin që gëzon dhe deri pensionin e ushtarakut “Nëse dalin në protestë në shkelje të statusit një nga një do humbin statusin. U hiqet statusi dhe le ta marrin pastaj pensionin me statusin e qytetarit. Kaq dhe e mbyll këtë duke i thënë z Rama se me atë “ciu ciun” e djeshëm ke treguar gjithë moralin e shpëlarë që ke si njëri”, pohoi kreu i qeverisë Sali Berisha.

 

Vendimi

Kati i pestë i godinës së SHQUP në Fier kthehet në zyrë të PD-së

Qeveria vendosi dje qe Shtëpia e Ushtarakëve në qytetin e Fierit ti kalojë për mjedise Partisë Demokratike të këtij qyteti. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të neneve 22 e 22/1, të ligjit nr. 8580, datë 17.2.2000, “Për partitë politike”, të ndryshuar, si dhe të pikës 3, të nenit 8, dhe të nenit 13, të ligjit nr. 8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi:  1. Kati i pestë i ndërtesës me emërtimin “Shtëpia e Ushtarakëve”, me vendndodhje në Fier, t’i jepet për mjedise Partisë Demokratike të Shqipërisë, për zyra vendore në Fier, të Qarkut të Fierit, sipas formularit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi”, thuhej në vendim. Më tej theksohej se do të jetë ministri i Brendshëm, ai që do të lidhë kontratën e huapërdorjes, sipas Kodit Civil, me Partinë Demokratike të Shqipërisë, në përputhje me nenet 22, shkronja “b”, dhe 22/1, të ligjit nr.8580, datë 17.2.2000, të ndryshuar.

 

Rama: Vendimi për SHQUP, turp i qeverisë aktuale

Kryeministri i ardhshëm i vendit Edi Rama, e cilësoi dy ditë më parë kalimin e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë në seli të PD-së të kundërligjshme.  “Ç’turp: Partia humbëse, që ende qeveris një vend të NATO-s, grabit Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë për ta bërë seli të vetën! Dhe kundër ligjit!”, shkruante Rama në rrjetin social. Më tej, në vijim të reagimit të tij, kreu socialist u shpreh se,: “Çdo ditë e qeverisë pas zgjedhjeve tregon sa të merituara kanë qenë një milion shuplakat që i dha populli më 23 qershor pushtetit plaçkitës! Tetë vjet duke gënjyer, vjedhur, vrarë, u ndëshkuan si askush më keq prej ‘92-shit e po ikin duke e ngrënë përditë turpin me babëzinë e të marrit!”.

 

SHQUP

PD: Godinës do ti kthehet serioziteti dhe rëndësia, do jetë institucioni i alternativës qeverisëse

Partia Demokratike ka përshëndetur dje vendimin për shndërrimin e godinës së Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë në seli të PD-së. Zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi theksoi se Shtëpisë së Ushtrisë do t’i kthehet serioziteti. “Ish-Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë, e cila prej kohesh ka humbur funksionet institucionale publike, do t’i kthehet rëndësia dhe serioziteti i munguar. Ky ambient do modernizohet dhe do të funksionojë si një nga institucionet me të rëndësishme publike, si vendi i opozitarizmit, i alternativës qeverisëse, institucioni ku do të lindë një projekt i ri politik për Shqipërinë! Në çdo vend demokratik përmirësimi i kushteve të punës së opozitës do të kishte marrë përgëzime. Institucioni i opozitës është themeli i demokracisë dhe kolonë e zhvillimit të një kombi”, deklaroi ajo. Ndërkohë, Partia Demokratike ka akuzuar kreun e PS-së, Edi Rama se po kërkon të minojë veprimtarinë e opozitës. “Përpos këtij akti sa moral, demokratik dhe ligjor, po del në pah një fenomen i rrezikshëm: lufta e paskrupullt për të minuar aktivitetin institucional të opozitës! Prej më se dy javësh marioneta të pushtetarëve të nesërm kanë nisur një sulm të paprecedent ndaj Partisë Demokratike. Vajtojnë për fatet e një ish-restoranti të ushtrisë ata që vite më parë, për interesa pushteti sakrifikuan të gjithë infrastrukturën ushtarake të vendit, ata që bënë çmos të pengonin hyrjen në Aleancën Veri-Atlantike. Reflekset e njeriut-shtet që ëndërron të bëjë njëherësh kryeministrin, kryeprokurorin, gjykatësin dhe ekzekutuesin, flasin për rrezikun e rilindjes se autokracisë, të rënies së shtetit në duart e një sundimtari!”, përfundoi deklaratën e saj zëdhënësja e PD-së Laura Vorpsi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency