Standard.al

Refuzimi / Ana Sulçe shmang dëshminë për policinë: Nuk flas dot, kam vështirësi

Sonja Caka

Prokuroria “mbyll” çështjen, dosje pa subjekt pasi autori u vetëvra. Policia në fund të veprimeve procedurale për ngjarjen, dosja mbyllet në polici, pas marrjes së dëshmisë së vajzës. Sot parashikohet marrja në pyetje e 21-vjeçares

 

tr_227160529Vdekja e Agim Eminit duket se do ta marrë me vete misterin e ngjarjes së pak ditëve më parë në një hotel pranë “Vilave Gjermane”, pasi vajza ka nisur nga “lojërat” me policinë duke shmangur dhënien e dëshmisë për ngjarjen. Vajza ka deklaruar për grupin hetimor të shkuar në ambjentet spitalore ku ajo qëndron e shtruar se nuk mundet dot të flasë për shkak të problemeve shëndetësore, duke u shprehur se ndjen përzierje kur flet dhe nuk arrin dot të artikulojë. Por, krejt e kundërta ka ndodhur me gazetarët e interesuar për të marrë një dëshmi mbi çfarë ka ndodhur mesditën e katër ditëve më parë në hotel. Vajza u ka ulëritur gazetarëve të dalin jashtë dhe të mos merren me jetën e saj pasi ajo nuk u jep llogari atyre se çfarë bën me jetën e saj. Burime policore bëjnë me dije se sot pritet të shkojnë sërish në ambjentet e spitalit për të provuar marrjen e dëshmisë së 21-vjeçares Ana Sulçe, për të mësuar mbi njohjen e vajzës me viktimën Agim Emini dhe shkakun e përplasjes që çoi në përdorimin e armës së zjarrit, me pasojë një të vrarë dhe një të plagosur.

Çështja

Dosja për ngjarjen e ndodhur në hotelin “Deja” pranë “Vilave Gjermane” në “Rrugën e Elbasanit” pritet të mbyllet me marrjen e dëshmisë së vajzës, Ana Sulçe. Për  shkak të mospasjes së një subjekti të pandehur, pas vetëvrasjes së Agim Eminit, kjo dosje konsiderohet gati e mbyllur për organin e akuzës. Do jetë policia e Tiranës ajo që do kryejë edhe veprimet e fundit procedural, siç është dëshmia e 21-vjeçares dhe më pas mbylljen e kësaj çështjeje. Hetimi i mëtejshëm i saj do të vijonte vetëm nëse Emini do t’i shpëtonte plumbit të marrë në gojë. Ndërkohë që, nga hetimet e deritanishme mësohet se Sulçe ishte ndarë me të dashurin nga Tirana me të cilin ajo ishte lidhur, por që policia nuk e specifikon kohën kur ata janë ndarë. I pyetur nga policia, djali ka deklaruar se ai ishte ndarë nga Ana dhe kishin kohë që nuk frekuentoheshin bashkë. Ndërkohë që, familja e vajzës ka deklaruar në polici se nuk kishte asnjë dijeni mbi lidhjen e Anës me tetovarin 52-vjeçar apo lëvizjet e saj jashtë Shqipërisë, si dhe ndonjë fejesë të mundshme me një djalë nga Tirana.

Hetimi

Hetimet e deritanishme të policisë një gjë e kanë mëse të qartë, Ana Sulçe kishte shkuar në hotel t’i komunikonte ndarjen 52-vjeçarit Emini. Por, pas lidhjes disa mujore, tetovari nuk e pranonte dot ndarjen nga vajza e re, me të cilën ishte dashuruar dhe kishin ndenjur edhe tri muaj bashkë në Tetovë, ndaj dhe nuk e ka përtypur dot refuzimin e saj. Kjo shpjegon edhe debatin me tone të larta të vajzës dhe viktimës ditën e ngjarjes, si dhe daljen e saj me vrap nga dhoma e hotelit. Por, 52-vjeçari, i cili nuk e ka pranuar dot ndarjen mes tyre, e ka ndjekur nga pas duke e qëlluar me armën tip pistoletë që kishte me vete. Duke menduar se e ka vrarë, ai e ka ngritur në krahë dhe ka dalë jashtë në oborr, ndërsa më parë ka kërcënuar edhe pastruesen e cila i thoshte çfarë ishte duke bërë, vrau vajzën. Më pas, 52-vjeçari ka qëlluar edhe veten, duke u vetëqëlluar me pistoletë në gojë. Vajza ndodhet jashtë rrezikut për jetën, madje dy ditë më parë ka dalë edhe nga reanimacioni, ndërsa Emini humbi jetën gjysëm ore pas ngjarjes.

 

Durrës

Shpërthen bombula e gazit, digjen dy apartamente, shpëtojnë të moshuarit dhe dy fëmijët

Bombulat e gazit vazhdojnë të jenë një rrezik evident për shumë familje. Fati ka shpëtuar dy të moshuar dhe dy fëmijë të mitur nga asfiksia apo dhe flakët, pas shpërthimit të një bombule në apartamentin e tyre. Një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer në katin e katërt të një pallati pranë Drejtorisë së Policisë në Durrës. Sipas policisë, dyshohet se shkak i rënies së zjarrit ka qenë shpërthimi i një bombole gazi në banesën e një çifti pensionistësh. Tymi është përhapur në të gjithë pallatin, duke rrezikuar asfiksimin e banorëve. Falë ndërhyrjes së shpejtë të efektivit të policisë Aleks Kalemi është bërë e mundur që të shpëtohen dy fëmijë të mitur, 4 dhe 7 vjeç. Policia i ka dërguar fëmijët në spital, në gjendje asfiksie, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Policia ka arritur të nxjerrë në kohë nga godina edhe çiftin e pensionistëve, të cilët janë lënduar lehtë. Banorët e pallatit u evakuuan. Banesa ku ndodhi shpërthimi është e shtetasit Jorgji Noka, ndërkohë që nga flakët pati vetëm dëme materiale dhe jo në njerëz.

 

 

 

 

Comments are closed.