Standard.al

Rama mbledh ministrat më 21 gusht në Vlorë

Gëzim Saliu

Mbledhja e parë e kabinetit do zgjas dy ditë, marrin pjesë edhe ministrat e LSI

Programi qeverisës, reformat emergjente si edhe administrata pritet të jenë në qendër të mbledhjes

 

Rama-qeveriaMbledhja e parë e qeverisë së ardhshme do të zhvillohet në qytetin e Vlorës më 21 gusht. Pavarësisht mungesës së mandatimit në parlament, kreu socialist nën petkun e kryeministrit të ardhshëm të vendit Edi Rama ka vendosur të thërrasë kabinetin qeveritar që merr detyrën pas 9 shtatorit në një mbledhje paraprake. Në qendër të diskutimit pritet të vendoset programi i ri bashkëqeverisës PS-LSI si edhe reformat të cilat janë cilësuar nga emergjente për të ndërmarrë nga ekzekutivi i ardhshëm.

Mbledhja

Mbledhja e parë e qeverisë së majtë do të zhvillohet plazhin e vjetër të Vlorës, në një prej hoteleve të qytetit bregdetar. Ajo pritet të zgjasë dy ditë, ku në ditën e parë do të diskutohet dhe bëhet publik programi qeverisës e ndërsa në të dytën do të vihen në qendër reformat emergjente që pritet të ndërmerren nga qeveria e re dhe administrata e ardhshme, ku sipas Ramës, nuk do të ndodhin spastrime, por vetëm largime të atyre që ai i ka cilësuar si parazitë të strukturës aktuale shtetërore. 5 ditë më parë, kreu socialist i bëri të ditur ministrave të qeverisë së majtë se më datë 20 gusht ata duhet të kishin gati  projektin e dikastereve që do drejtojnë. Në bazë të këtij udhëzimi, pritet që në mbledhjen e 21 gushtit në qytetin e Vlorës të diskutohen piketat kryesore të ekzekutivit të ri, ku pjesë do të bëjë edhe kodi etik i ministrave. Më 31 korrik, kryeministri i ardhshëm i vendit bëri të ditur emrat e kabinetit të ri qeveritar dhe vetëm një ditë më pas ai zhvilloi mbledhjen e parë me ta, ku munguan ministrat e LSI. Rama u kërkoi ministrave nisjen menjëherë nga puna për ndërtimin e kabineteve respektive, duke vënë theksin tek kujdesi që duhet të tregojnë ata në krijimin e strukturave për çdo ministri. Qeveria e ardhshme do të ketë një zv/kryeministër, 16 ministri dhe 3 ministra shteti pa portofol. Përkatësisht përmbajtja e qeverisë se re do të jetë: Kryeministër Edi Rama, Zëvendëskryeministër, Niko Peleshi, Ministër i Financave Shkëlqim Cani, Ministër i Brendshëm Saimir Tahiri, Ministre e Mbrojtjes Mimi Kodheli, Ministër i Jashtëm Ditmir Bushati, Ministre e Integrimit Europian Klajda Gjosha, Ministër i Drejtësisë Nasip Naço, Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj, Ministër i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, Ministër i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, Ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni, Ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Edmond Panariti, Ministër i Shëndetësisë Ilir Beqja, Ministre e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla, Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erjon Veliaj, Ministre e Kulturës Mirela Kumbaro, Ministër i Mjedisit Lefter Koka, Ministre për Inovacionin dhe Administratën Publike Milena Harito, Ministër për Çështjet Vendore Bledi Çuçi dhe Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin Ilirjan Celibashi.

 

Nisma

Denoncimi online, Rama kërkesë qytetarëve: Më nisni foto dhe video të ndërtimeve pa leje

PS krijon një faqe në rrjetin social ku qytetarët mund të denoncojnë ndërtimet pa leje, kryesisht ato në bregdet

Kreu socialist, nën petkun e kryeministrit të ardhshëm të vendit Edi Rama ka kërkuar dje bashkëpunimin e qytetarëve lidhur me prishjen e ndërtimeve pa leje në vijën bregdetare. Përmes një nisme të publikuar në rrjetin social facebook, “StopRrënimit.com”, Rama kërkon nga qytetarët që të denoncojnë të gjitha rastet e ndërtimeve pa leje që janë ngritur në zonën ku ata banojnë.  “StopRrenimit.com është hapësira ku secili prej jush mund të kontribuojë në betejën jetike kundër kancerit të abuzimit me territorin në bregdet – po edhe në qytetin tuaj. Celulari juaj mund të bëhet një armë e pazëvendësueshme në këtë betejë mes inercisë së rrënimit dhe ëndrrës së Rilindjes Shqiptare. Fotot apo videot e marra në vendin e një krimi ndaj pasurisë sonë të përbashkët, të postuara në këtë hapësirë jo vetëm do na ndihmojnë me informacion në kohë reale nga territori por edhe do dekurajojnë ndjeshëm abuzuesit”, shkruante kreu i PS-së. Më tej ne mesazhin e tij për këtë nismë, Rama theksoi se beteja kundër ndërtimeve pa leje nuk është vetëm e qeveris së re por sipas tij e gjithë shoqërisë dhe e çdo qytetari. “Ky kancer agresiv rrezikon të shkatërrojë potencialin e madh të zhvillimit turistik të vendit dhe bashkë me të vetë të ardhmen e Shqipërisë. Prandaj unë ju ftoj që këtë betejë fisnike ta bëjmë së bashku dhe ta fitojmë së bashku. Për dinjitetin tonë qytetar e shoqëror. Për interesin tonë kombëtar e publik. Për Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër!”. Aplikimi në këtë faqe kërkon më së pari disa të dhëna kryesore si: emri dhe mbiemri i qytetarit, adresa e e-mail, nr. i telefonit, vendodhjen e ndërtimit pa leje, rrethin dhe qytetin si edhe foton apo videon e cila përbën bazën e denoncimit të qytetarit.

 

Kërkesat për qeverinë e re

Ish-të burgosurit politikë: Ligjëroni ligjin e lustracionit, dekoroni Lirak Bejkon

Ish-të burgosurit politik kanë parashtruar dje një sërë kërkesash për qeverinë e re të majtë e cila do të marrë detyrën më 9 shtator. Disa nga kërkesat e parashtruara për qeverinë, të cilën deklaruan se e mbështetën me 23 qershor, janë ligjërimi i ligjit të lustracionit, statusi i të burgosurit politik, trajtime falas dhe punësime në administratë. “Të gjitha qeverisjet deri tani kanë luajtur me të burgosurit politik. Kemi shumë besim dhe shpresojmë që qeveria aktuale që do të vijë dhe ka marrë votëbesimin, ku ka pasur dhe kontribut nga shtresa e të përndjekurve politik, do të marrë në konsideratë problemet e të burgosurve politik të cilët i ka vënë në programin e saj. pika e parë e kërkesës është dekorimi i Lirak Bejkos. Më motivacionin’ u vetëflijua, në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut. Ata që u ngujuan në grevën e urisë, shtator- tetor 2012, të përfitojnë të parët shumën totale të vuajtjes së dominimit. Të zhdëmtohen së pari të burgosurit politik që janë gjallë. Strehimi, punësimi, arsimi dhe trajtimi mjekësor-ligjor i specializuar dhe falas. Të ndërtohen qendra rehabilitimi për ata të burgosur politik që kanë mbetur pa përkrahje dhe të vetmuar për shkak të persekutimit, të ligjërohet ligji i lustracionit, tu jepet një pension i unifikuar me atë të pleqërisë, mbështetur në kohën e vuajtjes së dënimit, të shpërblehemi me 25 euro për ditë burgu. Do të kërkojmë statusit e të burgosurve politik. Tu jepen paratë atyre të burgosurve politik që i kanë dorëzuar dokumentet me vonesë, në administratë të punësohen 2 % nga shtresa e të burgosurve politik”,u shpreh ish- i përndjekuri politik Skënder Tufa. Ish-të burgosurit politik do të përkujtojnë në muajin shtator grevën e urisë e cila zgjati 1 muaj dhe vetëflijimin e ish- të burgosurit politik, Lirak Bejko.

 

 

 

 

Comments are closed.