Standard.al

Përplasja e automjeteve, 4 të vdekur dhe katër të plagosur

Sonja Caka

Ngjarjet në Tiranë, Bulqizë e Durrës. Policia, shkak shpejtësia tej normave të lejuara e automjeteve dhe parakalimi i gabuar

 

Aksident_rrugorAksidentet vazhdojnë të marrin jetë njerëzish në vend. Vetëm dje janë shënuar tri aksidente me katër viktima dhe katër të plagosur. Shkak ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara e automjeteve, duke shënuar përplasje mes tyre apo duke përplasur për vdekje kalimtarë. Aksidenti i parë me dy viktima është shënuar në orët e para të mëngjesit në vendin e quajtur Tapizë në Fushë Krujë. Burime nga policia bëjnë të ditur se 3 automjete janë përfshirë në një aksident dhe për pasojë kanë mbetur të vdekur dy persona. Mësohet se viktimat janë identifikuar si Kastriot Jaku nga Miloti dhe Gjergji Nano nga Tirana. Në aksident janë përfshirë një makinë ‘Ford Focus’ me targa italiane, dhe dy ‘Opel’ me targa TR6152N dhe TR9118L. Sipas policisë, dyshohet se shkaku i aksidentit ka qenë një parakalim i gabuar i njërit prej mjeteve. Megjithatë ekspertët e policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

Bulqizë

Një tjetër aksident i rëndë me pasojë një të vdekur dhe 3 të plagosur rëndë u shënua në orët e pasdites së vonë të ditës së djeshme në Bulqizë. Sipas burimeve zyrtare policore, aksidenti ka ndodhur në vendin e njohur si qafa e Buallit në Bulqizë. Nga hetimet paraprake mësohet se dy automjete janë përplasur, ndërkohë që nuk dihet shkaku. Sipas policisë, disa minuta pas aksidentit është identifikuar edhe viktima, i cili është Gani Keta, shef i kuadrit në Zyrën Arsimore të Bulqizës. Policia është duke punuar për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti me pasojë një të vdekur dhe 3 të plagosur, këta të fundit të transportuar me urgjencë në Spital Ushtarak për shkak të gjendjes së rëndë. Sipas hetimeve të para, në aksidentet janë përfshirë dy automjete, një tip Benz dhe një Fuoristradë. Njëra nga makinat mësohet se ka qenë duke u kthyer nga një dasëm.

Durrës

Një 7-vjeçar  nga Vushtria e Kosovës humbi dje jetën, pasi u aksidentua për vdekje nga një motor në qytetin bregdetar të Durrësit. Ngjarja e rëndë u shënua mesditën e djeshme te Ura e Dajlanit në Durrës, ndërkohë mësohet se vogëlushi u gjet i plagosur në rrugë nga një kalimtar. Sipas burimeve policore, 7-vjeçari Emedin Zaberxhan, u dërgua me urgjencë në spitalin rajonal të Durrësit, ku dhe ndërroi jetë pasi sipas bluzave të bardha gjendja e tij ishte kritike për jetën. Nga hetimet paraprake mësohet se drejtuesi i motorit është larguar menjëherë nga vendngjarja, ndërkohë policia ka nisur punën për zbardhjen e aksidentit dhe identifikimin e kapjen e autorit. Ndërkohë që, në orët e vona të pasdites u gjet motori që shkaktoi përplasjen, ndërsa nga policia bëhet me dije se drejtuesi i saj ka përdorur rrugën dytësore për t’u larguar.

 

Itali

Goditet për vdekje nga një automjet, humb jetën emigranti shqiptar Rosa

Një 26-vjeçar shqiptar ka gjetur vdekjen në Foxhia të Italisë, pasi u godit nga një automjet tip “Peugeot”, e cila me pas u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes. Sipas mediave italiane, viktima është shqiptari Redis Rosa, i cili punonte në një fermë. Fillimisht alarmin për zhdukjen e të riut e kishte dhënë vëllai i tij e më pas forcat e ushtrisë kanë gjetur trupin e pajetë të shqiptarit në buzë të rrugës në rrethinat e Foxhias. Sipas policisë, duket se makina që ka shkaktuar aksidentin ka dalë nga rruga, por drejtuesi i mjetit ka arritur që më pas ta rikthejë makinën e tij në rrugë, duke u larguar menjëherë. Autoritetet italiane janë vënë në ndjekje të autorit të këtij aksidenti të rëndë.

 

Vlorë

Operacioni antikanabis, asgjësohen rreth 8 mijë rrënjë

Policia e Vlorës vijon operacionin nga ajri dhe toka, për evidentimin dhe asgjësimin e parcelave me kanabis. Sipas policisë, deri tani janë asgjësuar 7.727 bimë kanabis sativa në të gjithë qarkun. Sipas burimeve zyrtare të policisë, dy ditë më parë nga uniformat blu janë asgjësuar 1300 bimë kanabis sativa dhe janë shpallur në kërkim 4 shtetas, të dyshuar për kultivimin e lëndës narkotike. Në kërkim janë shpallur shtetasit Anesti Kaçanaj, Qatip Shanaj, Pandeli Shanaj dhe Vilson Karçanaj. “Filloi procedimi penal dhe po punohet për kapjen e shtetasit, Anesti Feti Kaçanaj, lindur në vitin 1973, banues në fshatin Velçë, komuna Brataj, Vlore për veprën penale ‘‘Prodhimi dhe shitja e bimëve narkotike“, parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal. Këtij shtetasi, gjatë kontrollit të ushtuar nga forcat e policisë, në afërsi të banesës, janë gjetur dhe asgjësuar 753(shtatëqind e pesëdhjetë e tre) rrënjë bimë me ngjyrë dhe erë si ajo e bimës narkotike Canabis Sativa. Shtetasi Anesti Kacanaj u shpall në kërkim. Në datën 15.08.2013, filloi procedimi penal, për veprën penale të ‘‘Prodhimit dhe shitjes të lëndëve narkotike“ dhe ‘‘Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armeve luftarake dhe municioneve“, parashikuar nga nenet 283, dhe 278, të K. Penal, dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit, Qatip Riza Shanaj, banues në fshatin Velçë, komuna Brataj, Vlorë, pasi sot rreth orës 07.30, gjatë kontrollit të ushtruar në këtë fshat, në afërsi të banesës, në një baçe, pronë e këtij shtetasi, në një shkurre, u gjet një armë zjarri automatik mod.56, kalibër 7.62mm, me nr.3983-86 dhe një krëhër me 6 fishekë, të këtij modeli, një material bimor, prej 410gr, e dyshuar si ajo e Kanabis sattiva, brenda në një thes, dhe 1(një) granatë difensive, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Shtetasi Qatip Shanaj u shpall person në kërkim. Në datën 15.08.2013 ,filloi procedimi penal, për veprën penale të ‘‘Kultivimit të bimëve narkotike“, parashikuar nga neni 284 i K. Penal, dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit, Pandeli Shanaj, banues në fshatin Velçë, komuna Brataj, Vlorë, pasi sot, rreth orës 09.00, gjatë kontrollit të ushtruar në këtë fshat, në vendin e quajtur ‘‘Maja e Shanajve“, në një sipërfaqe toke të mbjellë me misër, pronë e këtij shtetasi, janë konstatuar dy parcela të mbjella me 288 rrënjë, bime me ngjyrë jeshile me konstrukt, kërcell e gjethe dhe me erë karakteristike, si ajo e bimës narkotike Canabis Sativa, të cilat u asgjësuan. Filloi procedimi penal, për veprën penale të “Kultivimit të bimëve narkotike“, parashikuar nga neni 284 i K. Penal, dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit, Vilson Karçanaj, banues në fshatin Velçë, komuna Brataj, Vlorë, pasi sot rreth orës 10.00, gjatë kontrollit të ushtruar në këtë fshat, në vendin e quajtur ‘‘Lagjia e Karçanajve“, në një sipërfaqe toke, në një distancë rreth 50m nga banesa e këtij shtetasi, janë konstatuar katër parcela të mbjella me 254 rrënjë, bime me ngjyrë jeshile me konstrukt, kërcell e gjethe dhe me erë karakteristike, si ajo e bimës narkotike Canabis Sativa, të cilat u asgjësuan” – sqaron Policia e Vlorës në një deklaratë për shtyp.

 

 

 

Comments are closed.