Standard.al

Intervista / De Biazi, ‘’Napoleoni’’ italian që nuk ndihet në ekzil

Intervistoi Altin Vorpsi

Jashtë mikrofonëve tregon se jo të gjithë teknikët italianë janë të zotë. Sigurisht nuk është rasti i tij. Xhovani De Biazi është njëri prej atyre që gjithmonë është marrë me skuadra të vogla, por që një ditë synon të marrë pjesë në një Botëror apo të fitojë Serinë A. Komisari teknik i Shqipërisë rrëfen në një intervistë eskluzive për gazetën “Standard” se si ka ngjitur shkallët e suksesit pa pasur asgjë e asnjë pas… përveç punës, impenjimit dhe pasionit.

 

foto

Pas Trapatonit dhe Kapelos vjen Xhani De Biazi. Ndryshe nga dy të parët, komisari teknik i Shqipërisë ka bërë gjithçka vetë. Edhe pse mori një skuadër që ishte në fund të ciklit, arriti që si dy të parët të krijojnte një formacion, i cili pas gjashtë takimesh të vlefshme për eliminatoret Brazil 2014 ende “përkund” ëndrën për t’u kualifikuar.

Mister, a ju kujtohet kontakti i parë me botën e futbollit?

Kontakti i parë me futbollin më kujtohet shumë mirë. Unë kam një fotografi, bardhezi, shumë të vjetër në shtëpi. Aty jam unë teksa luaj futboll. Mund të jem 3-4 vjeç. Për mua ky ishte edhe kontakti i parë me këtë botë. Ndërsa lidhja e vërtetë me futbollin ka lindur kur unë isha 13-vjeç dhe u bëra pjesë e një skuadre diletantësh. Që aty nis karriera ime deri sa mbërrita në Serinë A.

Cili ka qenë personi që ju ka shtyrë në këtë botë? Gjithmonë nëse keni pasur një të tillë.

Jo jo, nuk ka qenë askush që më ka shtyrë. Dua t’iu them se ka qenë vetëm pasioni për futbollin. Që i vogël e kam kuptuar këtë gjë sepse kur ishim të vegjël të gjithë donin të luanin me mua, në skuadrën time. Ky fakt me dha një shtysë më të madhe duke më bërë të kuptoja se kisha diçka më shumë se të tjerët. Më pas me stërvitje dhe disiplinë ia dola që të ecja më shumë në jetë.

Mister De Biazi, keni pasur ndonjë të afërm që ka luajtur futboll?

Jo, nuk kam pasur asnjë kushëri që ka qenë pjesë e kësaj bote.

Mister, kur ishit i vogël, keni pasur ndonjë pikë referimi?

Në fillimet e mia kam pasur një pikë referimi shumë të fortë. Mbaj mend se trajneri i ekipit amator ku unë nisa të luaja më mori në patronazh pasi e kuptoi se unë mund të bëja gjëra të mira.

Si quhej ky trajner?

Ai ishte Valeriano Trukolo. Ky person më ndihmoi shumë në fillim duke më treguar rrugën e drejtë që duhet të ndiqja.

Po skuadra diletante cila ishte?

Ekipi quhej San Xhakomo. Ky formacion ishte i një zone të vogël në Vitorio Vento, qytet ku unë kam jetuar kur isha i vogël.

Mister nëse ju nuk do të ishit bërë futbollist çfarë do të ishit bërë?

Do isha bërë ose promotor financiar ose avokat. Dua t’iu them se kam nisur studimet në drejtësi, studime që kurrë nuk i përfundova me preteksin e zakonshëm se nuk kisha kohë për shkak të futbollit. Në të vërtet nuk ishte kështu pasi në atë kohë më mungonte dëshira, jo koha. Por tani mendoj se ia kam dalë mbanë të kem një formim të përgjithshëm të kënaqshëm.

Kur ishit fëmijë, për cilën skuadër bënit tifo?

Kur isha i vogël bëja tifozllëk për ekipin e Juventusit, sepse ishte skuadra për të cilën bënin tifo shokët e mi dhe tërë ata që kisha përreth. Unë për të mos qenë ndryshe nga ata zgjodha që të mbështes Juventusin. Dua t’iu them se nuk kam qenë asnjëherë tifoz “i çmendur” i tyre.

Nga fëmijëria çfarë ju ka ngelur në mend rreth futbollit?

Bota e futbollit më dukej një botë shumë e largët nga ajo në të cilën jetoja. Në veçanti, futbolli i nivelit të lartë më dukej diçka e pa arritshme. Shumë fëmijë ëndërrojnë që një ditë të jenë pjesë e kësaj kategorie, por shumë pak arrijnë të bëjnë realitet këtë ëndërr. E kam përvijuar me shumë këmbëngulje dëshirën për tu bërë futbollist sepse për mua ishte mënyra më e mirë për të dalë nga realiteti ku jetoja. Dhe këtu flasim për mesin e viteve ’60 kur unë jetoja në një vend të vogël të Italisë, e cila nuk lulëzonte në zhvillimin ekonomik të deri para tre viteve, sepse tani nuk jemi në një gjendje të mirë ekonomike as ne. Mua kjo më dukej e vetmja mënyrë për të udhëtuar, për të shëtitur botën dhe për t’u rritur personalisht.

Po familja ç’rol ka luajtur?

Familja ime gjithmonë më ka mbështetur dhe asnjëherë nuk më ka penguar. Babai im ishte shumë i lumtur që unë luaja futboll. Gjithmonë më ka ndihmuar. Kur isha i vogël, ai gjithmonë më shoqëronte me shumë gëzim në ndeshje sepse isha shumë i ri dhe nuk kisha patentë.

Sigurisht që ju është dashur që shpesh herë të ndërronit vend. A ka qenë ky një problem për familjen tuaj?

Absolutisht jo. Unë jam një person që adaptohem lehtë me situatat e ndryshme, jam shumë kurioz të vizitoj vende të reja dhe të njihem me njerëz të ndryshëm. Mund t’iu them se ky aspekt i pasuron shumë njerëzit. Fakti që nuk qëndron shumë në të njëtin vend dhe takon njerëz të ndryshëm, e pasuron shumë një njeri. Për mua të kuptosh mentalitetin e të tjerëve të ndihmon shumë që të rritesh.

Si mund të na e përshkruani karrierën tuaj si futbollist?

Mund t’iu them se duke e parë me sytë e një trajneri, pra vlerësuar me kriticizëm unë kam qenë një lojtar i mirë nga ana fizike dhe modestisht i zoti nga ana teknike. Unë isha një mesfushor që vrapoja shumë, një mesfushor klasik dhe i ngjaja shumë Orialit. Unë në moshë të re, vetëm 17 vjeç, kalova tek Interi. Atje shkova jo në momentin e duhur pasi luanin lojtarë si Macola, Faketi dhe Boninsenja. Ndërsa unë isha ende “i padjallëzuar”, nuk isha i pjekur dhe në atë lloj ambienti , nëse nuk ke një personalitet të fortë, çdo gjë bëhet më e vështirë. Unë isha djali i fshatit tipik, që shkonte në një qytet si Milano dhe nga kjo anë kam hasur shumë vështirësi. Tani them se duhet të bëja hapa më të matur para se të shkoja në majë.

Po kulmin kur e keni arritur në karrierën tuaj si futbollist?

Unë besoj se tek Breshia kam bërë shumë mirë sepse nga Seria B shkuam në Serinë A nën drejtimin e Xhixhi Simonit. Ai ishte një trajner i madh, një burrë me shumë personalitet. Nga ai unë kam mësuar shumë. Kam mësuar si të sillem, gjëra të rëndësishme për jetën dhe për shumë aspekte të tjera. Mendoj se ai për mua ka qenë mjeshtri. Në Serinë A unë kam qenë edhe kapiten i Breshias. Tek ky ekip kam qëndruar plot pesë vjet. Mund t’iu them se tek Breshia kam kaluar disa prej momenteve më të bukura të karrierës sime. Por më pas nuk bëra zgjedhjet e duhura. Pas Breshias mund të shkoja tek Lacio, por unë nuk shkova dhe kështu dogja disi karrierën.

Po momentet më të këqija ku i keni kaluar?

Momentet e mia më të këqija i kam kaluar në Viçenca në fund të karrierës sime. Unë kisha probleme në shtëpi me babain e sëmurë dhe ky fakt ndikoi në ecurinë time në fushën e lojës. Atë vit kam luajtur shumë keq, në fushë isha hija e vetvetes, prandaj ky ishte viti më i keq për mua.

Çfarë përshtypjesh keni nga ekperienca zikaltër?

Më dukej sikur preka qiellin me gisht kur kalova tek Interi. Unë vija nga një skuadër e provincës si Trevizo që luante në atë kohë në serinë e katërt. Kur grumbulloheshim në San Pelegrino, unë flija në një dhomë me Sandro Macolën. Zot i madh, për mua ishte diçka e pabesueshme. Më dukej sikur isha në botën e ëndrrave. Në atë moment nuk kuptova shumë dhe nuk isha i përgatitur për të qenë pjesë e asaj bote.

Mister, karrierën si trajner ju e kishit programuar që më parë, që në fillim kishit shumë dëshirë që të drejtonit një skuadër?

Po, që kur isha futbollist kam menduar se me të lënë futbollin e luajtur, doja të bëhesha trajner, edhe pse nuk ka qenë e lehtë. Nga njëra anë doja të prisja çdo marrëdhënie me futbollin se nuk doja më të qëndroja në këtë botë, ndërsa nga ana tjetër isha i vetëdijshëm që kisha disa cilësi që më ndihmonin të stërvisja lojtarë, të drejtoja një grup futbollistësh duke iu dhënë ide të reja. Dhe tani ju them se mbizotëroi kjo e dyta. Kështu nisi gjithçka. Unë fillova të punoj tek sektorët e të rinjve të një skuadre diletantësh. Më pas shkova tek një ekip profesiosnist, ku u mora përsëri me të rinjtë. Ndërkohë që një vit më pas nisa punën nga kategoria e katërt italiane dhe që nga aty mbërrita në Serinë A duke kaluar etapat një nga e një. Por ajo çka ka më shumë rëndësi është se kam udhëhequr skuadrat e mia tek fitorja dhe ky është për mua aspekti më i rëndësishëm. Unë kam shkuar në Serinë A me një skuadër që kur kam nisur punën ka qenë në Serinë C.

Ju keni qenë futbollist tani jeni edhe trajner. Si mendoni, një futbollist apo një trajner ka më shumë përgjegjësi?

Trajneri ka më shumë përgjithësi. Fajet gjithmonë i mbajnë teknikët, ndërsa futbollistët nuk kanë asgjë përgjegjësi. Unë besoj se lojtari nuk është i vetëdijshëm se sa me fat është që bën këtë punë, sepse është ende shumë i ri. Futbollistët kuptojnë rëndësinë e punës së tyre sapo tërhiqen nga futbolli. Pasi ndërmarrin këtë hap, ato kuptojnë se sa me fat kanë qenë, madje kuptojnë se gjerat që iu dukeshin si sakrifica, janë në të vërtetë gjëra normale.

Ju keni filluar që të stërvisni skuadra para rreth 23 vitesh në mos gaboj?

Po, e drejtë. Unë kam nisur punë në 1990.

Çfarë bilanci mund të bëni për tërë këtë kohë që keni kaluar në stolin e trajnerit?

Unë jam shumë i kënaqur. Kam pasur mundësi që të mësoj gjithçka pasi kam provuar gjithçka në lëkurën time duke e nisur nga zero. Unë nuk kisha një emër të rëndësishëm siç mund të ketë sot Mançini që nisi gjithçka nga Seria A, nuk kisha emrin ashtu siç e kishte edhe Montela që, si Mançini, e nisi nga Seria A. Unë ndryshe nga ata, i kam ngjitur shkallët një e nga një. Jam i lumtur për punën që kam bërë, kam hipur në majë të malit me shumë vështirësi. Të tjerët kanë marrë helikopterin, ndërsa unë jam ngjitur me duar. Kjo është një nga gjerat që më pëlqen ta nënvizoj. Unë jam në majë dhe jam i lumtur që jam në majë. Ndërsa ata që e mbërrijnë lehtë majën, nuk i kënaqen spektaklit aq shumë sa ata që kanë bërë një punë të madhe për të mbërritur aty .

 Cila prej skuadrave që keni drejtuar ju ka hapur më shumë probleme?

Dua të them se unë gjithmonë kam pasur skuadra të vogla në Serinë A, por gjithmonë prej tyre kam marrë kënaqësi të mëdha. Kam mundur që të fitoj dy- tre herë në Romë, kam mundur Romën dhe Lacion në shtëpinë e tyre. Kam mundur Romën e Kapelos me Modenën 2-1. Me këtë skuadër kam mundur Romën e Kafusë, Totit dhe Batistutës. Ishte një skuadër e madhe shumë ajo e Romës atëherë që u mund nga Modena ime, që sapo kishte mbërritur në Serinë A. Fitorja e dytë që kam marrë përballë Romës ka qenë kur isha trajner i Torinos. Në atë kohë Romën e drejtonte Spaleti. Gjithashtu kam fituar në Romë duke mporshtur edhe Lacion e Zemanit, kemi marrë rezultate të mira. Sa i përket pyetjes që me bëre, nuk kujtoj ndonjë skuadër që më ka hapur shumë probleme.

Po skuadra që ju ka bërë më shumë përshtypje?

Skuadra që më ka influencuar më shumë ka qenë Milani i Arrigo Sakit. Në vitet ’90, ai ekip ishte simboli i ndryshimeve taktike. Dua t’iu them që ka ndikuar shumë edhe në formimin tim si trajner. Milani i Arrigo Sakit ka qenë për mua edhe Zeniti im ose më mirë të themi pika ime e referimit.

Cili ka qenë lojtari më i mirë që keni stërvitur ndonjëherë?

Roberto Baxho, të cilin e kam stërvitur tek Breshia. Ai ishte një lojtar i madh, njeri i thjeshtë dhe shumë i përunjur. Ai nuk bënte asnjëherë fenomenin edhe pse ishte i tillë.

Në jetën e çdo trajneri nuk mund të mos dëgjohet fjala e mrekullisë apo sipërmarrjes? Ju në cilën skuadër keni bërë mrekullinë?

Ai që bënte mrekulli ka vdekur 2000 vite më parë. Unë mendoj se kam bërë gjëra të mira në Modena dhe Torino. Këto të fundit në vitin e parë që shkova i dërgova sërisht në Serinë A, ndërsa skuadrën e Modenës e mora në Serinë C dhe e dërgova në Serinë A, ku arrita që edhe të qëndroja për një vit. Sapo ika unë nga Modena, skuadra ra prsëri në Serinë B. Sipas mendimit tim, këto kanë qenë arritjet e mia. Unë kam fituar edhe në Serinë C 1, në Serinë C2 dhe në Serinë B. Tani më mungon vetëm fitorja në Serinë A, por herët a vonë do t’ia dal.

Mister, kur ju thanë se ekzistonte një mundësi që mund të uleshit në stolin e Shqipërisë, cili ishte mendimi juaj i parë?

Në fillim nuk kisha dëshirë të pranoja sepse kërkoja që të vazhdoja karrierën në ndonjë klub. Por më pas u mendova dy herë dhe thashë se do ishte një eksperiencë shumë interesante. Do ishte një mënyrë për t’u vënë në provë në këtë aventurë të re. Dhe tani mendoj se ishte një zgjedhje e duhur për mua pasi kam eksperimentuar dhe provuar punën e komisarit teknik që nuk zbret çdo ditë në fushë, por punon gjatë grumbullimeve të ndryshme. Një komisar teknik duhet të grumbullojë një skuadër, edhe pse nuk i shikon lojtarët çdo ditë. Kjo për mua është pjesa më e rëndësishme. Ndërkohë që dua të shtoj se unë dhe bashkpunëtorët e mi kemi bërë një punë jashtëzakonisht të madhe duke zbuluar futbollistë të rinj. Nuk ishte e lehtë të bëhej diçka e tillë pasi shqiptarët janë të përhapur në tërë botën. Ndryshe nga kolegu im, Çezare Prandeli që i ka gati të tërë lojtarët në Itali mua m’u desh që ti shikoja kudo. Kjo ishte një punë e bërë mirë dhe me shumë kujdes.

Ju keni gati dy vite që punoni në Shqipëri. Çfarë ndjeni?

Unë ndihem si të kem në dorë një fëmijë që po rritet. Kjo është skuadër e vogël (qesh pasi e thotë në shqip). I kuptoj të gjithë ata që, si në Itali edhe këtu duan të bëhen 20-vjeçarë të mëdhenj menjeherë. Por duhet të kalojmë në etapa të ndryshme. I rëndësishëm është fakti që nisim një rrugëtim seriozisht dhe që ne të jemi seriozë dhe ti japim vazhdimësi këtij projekti. Nëse e vazhdojmë këtë të fundit, ne kemi një grup lojtarësh që të japin shumë kënaqësi. Sepse vetë fakti që ne jemi në mes të luftës për t’u kualifikuar për më tej në Botërorin e 2014, të jep shumë shpresë. Përpara ju kurrë nuk keni mbërritur në këtë pikë, pra keni luftuar për vendin e parafundit, ndërkohë që sot gjërat kanë ndryshuar. Sot do të përkundim një ëndërr të madhe deri në fund. Për mua ky është një gjysëm rezultati i madh i lojtarëve.

Mund të na thoni se me cilën prej skuadarve që keni drejtuar më parë ju ngjan Shqipëria?

Modenën. Besoj me Modenën që ishte një skuadër me shumë potencial, por që kurrë nuk kishte bërë ndonjë gjë. Duke i ndryshuar tërë lojtarët dhe duke u rinovuar, kjo skuadër u bë një ekip që kur i kujton sot në Modena ekipin e De Biazit, të tërë të flasin mirë me lot në sy. Atje kemi bërë një futboll shumë të bukur dhe kemi marrë rezultate shumë të mirë për atë realitet që ndodheshim. Tani dua t’iu them se ne jemi Shqipëria, nuk jemi as Spanja, as Italia, nuk jemi as Gjermania dhe as Holanda. Ne duhet të krahasohemi me ekipet që na ngjajnë ne. Dua të shtoj se vetë fakti që ne jemi në vendin e 38-të të renditjes së FIFA nga vendi i 78-të që ishim në fillim të 2012, tregon shumë.

Mund të trgoni se cilët do jenë lojtarët ku ju do të mbështeteni?

Lojtarët që kemi grumbulluar së fundmi do të jenë lojtarët e Shqipërisë në të ardhmen. Kemi miksuar mirë këtë skuadër me lojtarë ekspert si Loriku, Dallku, Teli, Agolli dhe Bulku. Dhe të tjerë si djaloshi që ka lindur në 1993 si Kaçe. Po ashtu nuk duhet të harrojmë edhe Hysajn që ka lindur në 1994. Të gjithë këto lojtarë do të na ndihmojnë për Eliminatoret e 2016-ës, këta do të jenë lojtarët që mund të na japin një shtysë të madhe.

Nga cili prej të rinjve pretendoni më shumë?

Unë pretendoj nga më shumë se një. Una dua që të rritet shumë Roshi që ka shumë potencial. Abrashi që debutoi të mërkurën, bëri një ndeshje të madhe. Kaçe është një lojtarë që luan prej një viti në Serinë A greke tek PAOK-u i Selanikut. Ai është një lojtar interesant. Nga të gjithë pres shumë. Nga Valdeti. Ajo që unë dua nga këta lojtarë është që të mendojnë për grupin.

Cili është lideri i këtij ekipi?

Lideri i këtij ekipi në këtë moment është Loriku, në të ardhmen nuk i dihet. Të ardhmes nuk i dihet kurrë. Për momentin Loriku është një garanci për mua me ekpsperiencën shumëvjeçare. Ai është shumë i zoti edhe me të rinjtë pasi di të bëjë grup. Ai luan një rol të rëndësishëm edhe jashtë fushe. Ai për mua duhet të jetë shembulli për të gjithë të tjerët. Ai ka luajtur në skuadra të rëndësishme dhe ka qenë pjesë e realiteteve të mëdha.

Sa i përket skemës juve ndaj Norvegjisë, keni luajtur pa fantazistë dhe keni aktivizuar një lojtar shkatërrues si Basha. Ç’mund të na thoni pas kësaj prove? A është skema e duhur për Shqipërinë?

Po ishte skema e duhur për atë ndeshje. Më pas nuk kemi luajtur më po me ata lojtarë. Mbase skema mund të ishte e njëjtë, por me Norvegjinë në takimin e dytë luajti Rama dhe jo Roshi. Pra për mua ne kemi disa lojtarë interesnatë, pjesa tjetër gjithmonë varet nga objektivat që i caktojmë vetes. Unë dua që skuadra ime të kontrollojë topin dhe ta luajë atë me fantazistë. Por kur nuk i ke në dispozicion, atëherë mundohesh që të ndërtosh skuadrën me ato lojtarë që ke të gatshëm. Pra koncepti është që duhet të bësh menu me përbërësit që ke.

Besoni se Kategoria Superiore mund t’ju japë ndonjë lojtar që do të jetë në formacionin tuaj ideal?

Unë jam shumë i kujdesshëm dhe e ndjek kampionatin shqiptar…

Së fundmi mister, ju kanë akuzuar se nuk keni ardhur për të ndjekur disa ndeshje të rëndësishme.

Po e di, e kanë thënë drejtuesit e Kukësit. Por unë kam parë 1000 herë Skënderbeun, 1000 herë Tiranën, 1000 herë Flamurtarin, 1000 herë Teutën, 1000 herë Kastriotin po ashtu kam parë edhe Laçin. Por Kukësin nuk kam shkuar për ta ndjekur, pasi kam pasur shumë gjëra të tjera për të bërë. Mua më është dashur që të përgatis dy takimet e radhës në Eliminatore. Ditën e dielë më kërkojnë listën e futbollistëve që do grumbullojmë për sfidat me Slloveninë dhe Islandën. Prandaj unë për momentin po mundohem të luaj për këto takime. E kuptoj se ata ndihen të snobuar, por unë nuk i kam lënë mënjanë. Ata thjesht nuk kanë lojtarë që mund të më interesojnë mua në këtë moment. Ata janë treguar të zotët që me lojtarë diskret kanë bërë diçka të bukur dhe atje ka mbizotëruar koncepti i skuadrës duke bërë diferencën. Ata gjithashtu janë rreshtuar dhe janë motivuar mirë. Nëse do më duhet që të krahasoj lojtarët që kam këtu me ata të Kukësit, nuk shikoj asnjë nga këta të fundit që mund të zëvëndësojë lojtarët aktualë. Unë i kam parë edhe ata pasi i kam grumbulluar disa prej tyre në syreshin që kam bërë vetëm me lojtarët e Kategorisë Superiore në Janar të 2012-ës. Smajli, i cili kaloi tek Flamurtari, është një lojtarë interesant, por nuk mendoj se është më mirë se Lila dhe Dallku. Është interesant për këtë kampionat që ka një nivel të ulët. Sa i përket Kukësit, ata kanë bërë 2-3 ndeshje të mira dhe gjetën skuadra që nuk ishin mirë apo skuadra që i kishin nënvlerësuar. Në fund ndëshkohesh pasi në futboll nuk duhet të nënvlerësosh askënd, sepse e merr përgjigjen në fushë. Tani do të shohin se do të shkojnë në Turqi, do të luajë në Trabson ku vetëm ambienti të fut frikën.

 Po sa i përket legjionarëve, a mendoni se minutat e pakëta që kanë në këmbë nuk do ti ndihmojnë shumë për të veshur fanellën kuqezi?

Bogdani për fat të keq nuk ka skuadër. Ndërkohë që Çani mund të luajë tërë kampionatin dhe mund t’i bëjë mirë. Ai do të luajë në Serinë B që nuk është aq e lehtë sa thonë. Sa i përket pyetjes që më bëre nëse do të ndikojë apo jo impenjimi i pakët në skuadra, unë them se po. Unë nuk mund të thërras një lojtarë që nuk luan kurrë. Vjet kam ftuar Çanin edhe pse nuk luante pasi kishte problem me drejtuesit e skuadrës në Poloni. Por e kam ftuar se ai ishte një lojtar i ri që ka lindur më 1989 dhe është një futbollist ku unë mund të mbështetem. Kur të gjej një më të mirë, atëherë do të mendohem.

Mister, nuk e di nëse keni vënë re që Shqipëria e nis mirë por e mbyll keq…

(Qesh) Përpara… në jetën përpara

Shpresojmë.

Kjo është një jetë e re (anglisht). Duhet të mundohemi të zbojmë mendimet negative nga mendjet tona. Ne duhet të kuptojmë se fatin tonë e kemi vetë në dorë. Të ardhmen e vendosim ne me sjelljen tonë dhe me mentalitetin tonë. Nëse mendon se mund të humbësh, do të humbësh. Nëse mendon se mund t’ia dalësh, atëherë ia del. Ky është koncepti mbi të cilin duhet të punojmë ne. Unë mendoj se duhet të punojmë shumë edhe në një tjetër aspkt. Këtu në Shqipëri pas një fitoreje festojnë shumë, ndërkohë që ne duhet të mendojmë për fitoret që do të vijnë. Ky është mentaliteteti që duhet të kemi.

8 nga nëntë pikët emara në Euro 2012 Shqipëria i ka marrë në pesë ndeshjet e para ndërkohë që edhe në kualifikuesiet e Afrike e Jugut 2010 ka ndidhur e njëjta gjë. 6 nga 7 pikët e mara i grumbulluam në pesë takimet e para. Si e shpjegoni juve këtë fenomen, është një rastësi apo problem? Nëse është ky i dyti, atëherë si mendoni se do ta përmirësoni?

Për mua nuk është problem. Problem im i vetëm është se do të zhvillojmë dy ndeshje në transfertë. Për mua këto janë takime vendimtare për rezultatin final dhe lojtarët e dinë këtë gjë. Ne e kemi përgatitur ndeshjen me Slloveninë që natën që kaloi. Të mërkurën i kërkova djemve që të mos e konsideronin sfidën me Armeninë si një miqësore. I thashë se ky takim do të më jepte disa informacione që do të shërbenin për ndeshjen në Ljubianë. Besoj se të mërkurën më kanë dhënë disa përgjigje, edhe pse nuk ishin në gjendje të mirë fizike. Unë vendosa që të lija në shtëpi lojtarë si Bulku dhe Salihi, që t’i evitoja lodhjen e udhëtimit pasi preferoj që kur të vijnë në shtator, të jenë të freskët sepse për ne ato ndeshje kanë rëndësi.

Mister, çfarë i mungon Shqipërisë për të qenë ekipi juaj ideal?

I mungon koha. Për të ngritur një shtëpi duhet kohë. Për mua gjithçka që kemi bërë deri më tani e kemi bërë mirë. Kemi bërë shumë gjëra të mira, por mund të përmirësohemi gjithmonë. Mentaliteti im është se ne duhet që çdo ditë ta bëjmë më mirë punën tonë. Unë shpesh herë jam kritikuar nga kolegët e tu se bëj shumë eksperimente, shumë ndryshime. Mendoj që nëse qëndron pa lëvizur, je i vdekur. Besoj se nëse kërkon të ecësh para në jetë, duhet të lëvizësh, të eksperimentosh gjëra të reja. Unë kurrë nuk kam bërë eksperimente në takime të rëndiësishme, ato i kam bërë në takimet ku ne mund të humbnim dhe nuk do të prishte shumë punë. Normale është që nuk më pëlqen të humb, por kam vepruar kështu për të përmirësuar skuadrën.

Mister, që kur keni mbërritur këtu ju keni ftuar më shumë se 20 lojtarë të rinj.

Po, ju thashë edhe më parë se ky ekip duhej rinuar , duhej ndryshuar. Unë kam shkuar në shumë ekipe, kam ndjekur lojtarë që më kanë pëlqyer, i kam ftuar dhe pastaj i kam parë të stërviten këtu në përfaqësuese. Më pas i kam thënë që bëjnë dhe nuk bëjnë. Ndërkohë që ka edhe nga ato lojtarë që i kam ftuar dhe kam parë që nuk punojnë me konceptin e skuadrës, kështu i kam lënë jashtë projektit. Unë këto aspekte i shikoj shumë, pasi nuk duhet të jemi egoistë.

 Kush është surpriza e grupit tonë?

Në grupin tonë më ka surprizuar Islanda që askush më parë nuk e parashikonte se do të ishte kaq mirë. Të gjithë menduan se ishte një ekip i vendeve të fundit, por me lojtarë si Sigurdson dhe Bjarneson kanë bërë çudinë. Ata kanë lojtarë me cilësi dhe sipas meje ata që nuk kanë të tillë lojtarë, nuk shkojnë gjëkundi.

ila prej rivaleve ju ka bërë që të vuani më shumë dhe cila prej skuadrave i druheni më shumë?

Deri më tani kemi vuajtur shumë në takimin me Qipron. Edhe pse e fituam 3-1 ju tregoj se jemi munduar shumë. Ndërkohë që ndeshja më e bukur që kemi fituar si nga ana taktike, por edhe nga kushtet e vështira ku luajtëm ka qenë ajo me Slloveninë. Ne fituam 1:0, por mund të fitonim edhe më shumë. Në këtë takim skuadra ka luajtur shumë mirë nga ana taktike. Besoj se edhe në Norvegji kemi luajtur mirë. Ashtu edhe këtu në Shqipëri kemi luajtur shumë mirë ndaj tyre, por nuk mundëm të fitojmë.

Po për Zvicrën?

Më vjen keq sepse atë ndeshje doja ta luaja sërisht. Ne me Zvicrën luajtëm disi të frikësuar, kishim shumë përgjegjësi. Ne kishim fituar ndeshjen e parë, gjysma e stadiumit ishte me shqiptarë që për mua ishte diçka fantastike. Për mua ky fakt në vend që të jepte forcë, na shtoi më shumë presionin. Por ju them se atë ndeshje nëse do ta luanim edhe tani, që ne jemi skuadër ndërsa ata ishin skuadër kohë para nesh, do ti kishim vënë më shumë në vështirësi.

Po për Shaqirin dhe Berhamin që mund të ishin lojtarët tanë?

Ajo është një zgjedhje e tyre. Në fillim Shqipëria nuk kishte këtë famë. Ata janë lojtarë që luajnë në ekipe të mëdha pastaj disa prej tyre kanë lindur atje ose janë rritur atje. Pra ata kanë jetuar atje dhe nuk është e lehtë as për ata. Edhe pse nga ana tjetër kuptoj shqiptarët që thonë se ata duhet të luajnë me ne, jo kundër nesh. Të gjithë mund t’i kuptoj. Por ja që djemtë, kur duhet të zgjedhin, mendojnë për të ardhmen e tyre.

Mister, ju pak ditë më parë keni thënë se do të mundoheni të binini Januzajn. Mund të na tregoni diçka më shumë?

Ai është një lojtar me cilësi të jashtëzakonshëm. Nuk e di se sa do të jetë e mundur që ta sjellim këtu. Unë të them atë që përmenda pak më parë; nëse ti ke fat ose je i fortë sa të arrish në Botëror, atëherë shkon tek Januzaj dhe i thua a do të vish me ne që luajmë në Brazil. Unë them se ai do të mendohej. Nëse ti nuk ke asgjë pët t’i ofruar, atëherë çdo gjë bëhet më e vështirë. Nëse i thua që luajmë për vend të fundit ose të parafundit, është tjetër gjë pasi ai është një lojtarë i Mançester Junaitidit, nuk është lojtar i Skënderbeut. Bëj këtë krahasim pasi Skënderbeu është skuadra më e mirë shqipëtare në këto vitet e fundit. Sa i përket lojtarit, ai ka disa cilësi të mrekullueshme. Po e shikoja në aksion në një ndeshje që po transmetonte “Sky”. Brenda 20 minutave goditi shtyllën dhe dha edhe një asist. Ka shumë cilësi. Problemi ynë është nëse vjen tek ne apo jo.

Mister, ju keni muaj që punoni në Shqipëri, a mund të na e përshruani me tri fjalë Shqipërinë?

Është e vështirë të bëj diçka të tillë me tri fjalë. Shqiptarët ndryshe nga ç’mendojnë evropianët, janë njerëz për së mbari. Vitet e fundit në Itali janë konsideruar si hajdutë që shkojnë dhe vjedhin shtëpitë. Po e njëta gjë ka ndodhur edhe me italianët kur kanë emigruar në Gjermani, ku njiheshin për picën dhe mafien. Sa i përket shqiptarëve, mendoj se janë njerëz me dinjitet që kanë dëshirë për t’u rritur, kanë dëshirë për t’ia dalë mbanë. Mendoj se shqipëtarët e kanë vuajtur shumë faktin se kanë qenë të detyruar që të jetojnë brenda kufijve. Tani me bën përshtypje shumë kjo dëshirë për të jetuar, për mirë mendoj.

 Mistër, sa i përket lojtarëve shqiptarë që keni drejtuar. Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje?

Dedikimi. Atyre unë u them diçka dhe e bëjnë. Ky është një mentalitet i ndryshëm nga çfarë kam parë unë në Itali, ku lojtarët që dinë gjithçka janë mendjemëdhenj. Ndërkohë që djemtë këtu janë të disiplinuar dhe shumë të kujdeshëm kundrejt kërkesave që u bëj.

 Mister, gjatë kohës që keni qëndruar këtu keni njohur politikanë shqiptarë?

Po, kam njohur. Para takimit me Norvegjinë na ka vizituar kryemisnitri Sali Berisha. Më parë kam takuar Ramën, kohë më parë. Në fakt ne u shkëmbyem në një restoarnt dhe flitet për fillimet e mia këtu kur unë isha ende zoti Askushi, kështu nuk është se shkëmbyem shumë fjalë. Përveç tyre kam njohur abasadorin e BE dhe ambasadorin Italian.

Po nëse Berishën dhe Ramën do ti kishit në skuadër, çfarë roli do t’i ngarkonit?

(Qesh) edhe pse vjen nga basketbolli Rama, mund të bënte rifirnitorin, ose e thënë më mirë mund të zëvendësonte Ramën që luan vërtetë në fushë. Ndërkohë që Berisha për atë që ka bërë tërë këto vite në qeveri, mund të mbulojë rolin e mesfushorit tipik, playmaker dhe mund të interpretojë rolin e mesfushroti që shpërndan topa për të tërë.

Kemi parë se ju jeni i apasionuar pas çiklizmit. Mund të na thoni se ku ngjan futbolli me çiklizmin?

Ngjajnë pak se biçikleta, edhe pse ka ekip, është një sport individual ku lodhesh shumë. Në çiklizëm nuk fshihesh dot kur je në një ditë të keqe, dërsa në futboll po. Nëse në futboll je në një ditë jo, atëherë futesh mes shokëve dhe nuk bie shumë në sy. Ndërkohë që në çiklizëm, nëse nuk pedalon, bie në sy menjëhrë.

Mister, ju jeni një nga opinionistët më të njohur në Itali. Mund të na thoni si e kanë pritur lajmin që ju pranut të vinit këtu, kolegët tuaj?

Kanë qenë shumë seriozë. Ata nuk kanë kuptuar përse unë jam “tërhequr” nga Seria A për të ardhur këtu. Por unë e kam bërë diçka të tillë, sepse doja të ikja nga ai ambjent që ma vështirsonte jetën. Nuk mund të shikoja teksa roli i trajnerit të zbehej kshtu. Unë mendoj se trajneri është pika kryesore e projektiti teknik. Nëse dikush nuk konsidron teknikun, atëherë nuk ka kuptuar nga shkohet. Është njëlloj që në një ndërmarrje të marrësh një drejtor shitjesh dhe të mos i japësh asnjë detyrë, është më mirë mos ta marrësh fare, apo jo? Kshtu unë them që trajneri duhet të jetë në qendër të projektit me të tërë kushtet që mund ti vendosësh. Nëse një shoqëri nuk ka para ose ka disa kushte të këqija, nuk është problem për teknikun, mjafton ta lejojnë që të punojë i qetë. Mendoj se ai merr vesh me shumë se drejtuesit e futbollit.

 Mister, ju jeni një figurë mjaft popullore në Itali. Çfarë ju kanë shkruar kur morën vesh që erdhët këtu kolegët tuaj?

Mua më kanë dërguar shumë mesazhe. Njëri më kishte shkruar përse kisha shkuar në ishullin e Shën Elenës si Napoleoni. Ndërsa unë jam këtu pasi jam i bindur se mund të bëj një punë ku unë mund të kontribuoj me një pjesë të kapacitetit tim. Dhe nga ana tjetër dua t’iu them që siç ka ndodhur shpesh në jetën time, mua më pëlqen shumë të rrezikoj. Edhe tani jam këtu që të rrezikoj i bindur se mund të bëj shumë mirë.

Pak kohë më parë Ivan Zanzaroni foli me superlativa për ju. Gjatë “Të dielës sportive” ai përfitoi nga rasti duke përmendur Shqipërinë si një nga mrekullitë e vogla të këtyre kualifikuesve. Si ndiheni?

Kur kam kohë të lirë, unë punoj pranë Mediaset si opinionist dhe kam biseduar disa herë me ata. Gjithmonë më kanë thënë: “çfarë dreqin bën atje, ec këtu tek ne”. Por unë jam shumë mirë kështu. Nuk dua më të kem të bëj me drejtues që më largojnë, sepse nuk kuptojnë asgjë. Unë gjërat që dua të bëj i them, nuk është se fshihem. Kshtu bëhem jo shumë komod me presidentët që më punësojnë. Ne në fillim bisedojmë dhe vendosim disa kushte. Por kur këto të fundit fillojnë dhe ndryshojnë letrat në tavolinë, atëherë nisin problemet. Unë për fat të keq gjithmonë kështu njerëzisht kam takuar.

Mister, ju drejtoni një përfaqësuese për herë të parë. A mund të na tregoni çfarë po bëni ndryshe tani?

Diferencat mes punës së një trajneri dhe një komisari teknik jane shume të mëdha. Ky i fundit është më shumë një manaxher. Duhet të mendojë në shumë aspekte. Në aspektin logjistik, organizativ dhe për atë që ndodh në fushë, ndërsa kur je trajner i një klubi mendon çdo ditë për problemet e skuadrës. Ndërsa këtu puna është manaxheriale, por pa haruar edhe anën teknike. Duhet të jesh i zoti që të zgjedhësh lojtarët që janë më në formë për momentin. Duhet të jesh i përditësuar në çdo moment. Puna është e madhe, pasi duhet të ndjekësh shumë takime ku luajnë futbollistë që të interesojnë, të shikosh futbollistë dhe të kuptosh nëse janë apo jo në formë.

Të flasim me më shumë detaje. Cila skemë ju pëlqen më shumë?

Unë gjërat më të bukura i kam bërë me skemën 3-4-2-1 që është 3-4-3. Këtë skemë e kam eksperimentuar tek Modena dhe të gjithë tani thonë se ka qenë futboll spektakolar. Unë kam qenë trajneri i parë në Itali që kam luajtur me skemën 4-2-4. Skemë kjo që u përpoq Konte ta aplikonte tek Juventusi vjet. Unë luaja me katër lojtarë sulmues dhe dy mesfushorë. Ndërkohë që në mbrojtje ishin katër futbollistë që kompletonin repartin. Dhe të mendosh që unë këtë skemë e kam aplikuar në 1993, po flas për 20 vite më parë. Është e qartë se kur stërvit skuadra të nivelit të ulët, vetëm një pjesë shikon arritjet.

Trajnerë të mëdhenj italianë si Trapatoni (që derdh ujin e shenjtë) apo Konte (që puth një monedhë) kanë ritet e tyre para çdo ndeshje. Ju a keni një? Apo nuk jeni supersticioz?

Unë sinqerisht kam qenë bestyt deri kur kam qenë në drejtim të Modenës dhe Torinos. Por në fund e kam kuptuar se nëse do të vahzdoja, do të fyerja inteligjencën time.

Çfarë ritesh bënit?

Jo ndonjë gjë të madhe. Thjesht vishja të njëtat këmisha apo çorape që mendoja se më sillnin fat. Ose po të fitoja një javë. atëherë edhe në javën që vinte unë do të shkoja të drekoja në të njëtin vend.

Juve keni shumë vite qe punoni në botën e futbollit. A mendoni se ka ndryshuar gjë?

Futbolli është përmirsuar shumë nga përgatitja fizike, ka ndryshuar shumë nga ana taktike. Mund të shikosh se është vështirë të shënohet një gol edhenga skuadrat e mëdha. Janë individët që bëjnë diferencën. Unë mbaj mend një ndeshje kur drejtoja Levanten në Spanjë: në një takim përballë Barcelonës ne ishim 1-1 por Mesi falë talentiti të madh ndryshoi fatet e një takimi të tërë. Mbaj mend në atë kohë u përballa me Barçën e Henrisë, Etosë dhe Mesit. Ky i fundit mes katër futbllistëve të mi arriti ti kalonte dhe të shënonte golin e fitores. Është thelbësore të kesh lojtarë me cilësi, diferencën e bëjnë këta lloj futbollistësh që duhet të luajnë për skuadrën, jo për vetën e tyre.

 

 

Comments are closed.