Standard.al

Berisha, Ramës: Luftën politike bëje si të duash, por mos ceno biznesin dhe ndërtimet me leje

Florenc Drizari

Berisha: Në këto karrige do ulen njerëz që nuk dinë të lexojnë as dosjet

“Ka premtuar malin e Dajtit dhe mali po pjell një mi dhe po mbetet mashtrim”

 

Berisha-ne-grup1Në ditët e fundit të mandatit të dytë qeverisës, Kryeministri Berisha kritikoi disa nga qëndrime publike të kryesocialistit Rama lidhur me biznesin, punësimet në administratë dhe prishjen e ndërtimeve pa laje. Kreu i ekzekutivit i rikujtoi Kryeministrit të ardhshëm Edi Ramës se “luftën” politike nuk duhet të kthejë në argument për të sulmuar ndërmarrjet vendase dhe ndërtimet e qytetarëve. Gjithashtu Berisha foli edhe për ekipin e ri qeverisës të Ramës, duke vënë theksin tek mungesa e eksperiencës dhe e vizionit sidomos në fushën ekonomike.

PËR BIZNESIN

“U bëj thirrje të jenë të kujdesshëm. Luftën politike ndaj kundërshtarit ta bëjë si të dojë, por të mos e shtrijë atë tek bizneset. Bizneset janë vende pune, janë të ardhura, pa të cilat makineria e shtetit paralizohet. Kjo është e dhimbshme, pasi trembet biznesi, i cili më pas nuk merr kredi. Bankat vetë nuk kanë interes të japin shumë kredi, por kur trembet biznesi, ky është e fundit. U dërgon mesazhe punonjësve të bankës dhe u thotë ku e keni makinën që prisni paratë për qeverinë. Kjo tregon për ekipin e tij dhe në ekip, ai ka edhe një ish guvernator, por që koha e tij ishte koha kur ka qenë zëvendëskryeministri i Partisë së Punës të Shqipërisë, kohë në të cilën paratë priteshin sipas urdhrit të partisë. Zotëri, makina që pret paratë për qeverinë është disiplina e administratës, mbledhja e të ardhurave në dogana  e tatime dhe në shitje”, – deklaroi Berisha.

PËR LEGALIZIMET

Duke folur për një seri vendimesh për legalizimet, Berisha mori si shembull të qeverisjes së majtë lëvizjet e fundit që janë bërë në jug të vendit, kryesisht në Bashkinë e Vlorës. Kryeministri kritikoi aksionin e kreut të kësaj Bashkisë Shpëtim Gjikës dhe sqaroi qëndrimin e demokratëve për këtë çështje.

“Në zonën e bregut, veçanërisht në Vlorë,  kryetari i bashkisë Shpëtim Gjika, i cili ka katër muaj që nuk u jep rrogat punonjësve të bashkisë së Vlorës, sepse i ka shpenzuar fondet për fushatë, i kërcënuar në të gjitha format nga piktori dhe Koço Kokëdhima, kap rruspat dhe thotë se nuk pyes për ligje dhe vendime gjykatash.

Të sqarojmë qëndrimin tonë. Kjo qeveri do të mbështesë deri ditën e fundit, çdo veprim ndaj çdo ndërtimi pa lejë kudo që të jetë dhe kjo nuk ka asnjë diskutim. Zoti ministër i Brendshëm, do të përdoret e gjithë forca e ligjit dhe nuk do të ketë njëri  që t’i prekë kujt shtëpinë me leje.  Ligji do të mbrojë qytetarin me çdo çmim, njëlloj  sikur të jetë institucion publik. Në qoftë se do që të prishësh një shtëpi me leje, mund ta bësh pa asnjë vështirësi, por ka procedura dhe procedurat janë shumë të njohura, shtetëzim, shpronësim, por jo banditizëm. Edhe i ke dhënë lejë, edhe thua ta prishësh. Edhe njëherë, nuk mbrojmë asnjë ndërtim pa leje, as edhe një të vetëm, por këtë që  bëjnë për qëllime hesapesh njëri me tjetrin, këtë nuk do të mund ta bëjnë kurrë në kurriz të qytetarëve. Ndaj kërkoj që të gjitha agjencitë, në çdo rast të mos lejojnë që askush të prishë qoftë edhe një ndërtesë të vetme me leje”, -qaroi Berisha.

PËR PREMTIMET E RAMËS

Lidhur me premtimet e Ramës para fushatës elektorale, Berisha tha se “ai ka premtuar malin e Dajtit dhe mali po pjell një mi dhe po mbetet mashtrim. Premtoi parajsën, erdhi me premtime antiglobaliste dhe tani përpiqet të mërmërisë. U premtoi legalizim falas dhe po ofron rruspat edhe për ata që janë legalizuar. Premtoi shërbim shëndetësor falas, vuri Ilir Beqjen për të pasur shërbim shëndetësor vetë ai falas, se tjetër kush në Shqipëri, përveç  Beqjes, nuk ka për të pasur shërbim falas. Premtoi se do të hiqte taksat për 95 për qind të shqiptarëve, i harroi. Pra, bëri një zhurmë të tillë, të stilit të vjetër, që njerëzit të mos mund të ngrenë kokën kundër atyre, për premtimet, por kjo nuk do të ndodhë. Ushtrimi periodik i terrorit është tipar absolut i regjimeve ideologjike”.

 

Qeveria miraton koncesionet për ndërtimin e 12 HEC-ve e 2 parqeve

Këshilli i Ministrave në mbledhjen e së mërkurës i ka hapur rrugë dhënies me koncesion të 12 hidrocentraleve nga Gramshi në Valbone, duke e çuar në 372 numrin e hidrocentraleve të dhëna me koncesion, si dhe dy parqe ere, njeri ne qarkun e Elbasanit tjetri ne qarkun e Gjirokastrës.

“Te dashur miq, dita e mbledhja e sotme e qeverise ishte mbledhje për energjinë. Ne këtë mbledhje u vendos dhënia me koncesion e 12 hidrocentraleve nga Gramshi në Valbonë dhe dy parqe ere, njeri në Qarkun e Elbasanit tjetri në Qarkun e Gjirokastrës. Për ndërtimin e këtyre 12 HEC-eve dhe dy parqeve të erës do investohen rreth 500 milionë euro dhe do të punësohen rreth 4 mijë vetë. Me këto 12 HEC-e arrin në 372 numri i hidrocentraleve të dhëna me koncesion për ndërtim, nga viti 2007 deri tani”- shkruan Berisha.

Për ne energjia është promotor kryesor i zhvillimit te vendit, thekson më tej Kryeministri, ndërsa nënvizon së Shqipëria vend lider ne rajon për prodhimin e energjisë ujore është dhe do te mbetet motoja e Partisë Demokratike.

 

Ministrat e rinj drejt Kolegjit Zgjedhor, lënia e mandatit nuk zgjidhet në KQZ

Kolegji Zgjedhor pritet të jetë zgjidhja e vetme për ministrat e rinj të kabinetit qeveritar “Rama” që do të duan të heqin dorë nga mandati i deputetit. Kjo për faktin se KQZ-ja aktuale nuk i ka numrat e nevojshëm për të mandatar deputetët e rinj.

Në mënyrë individuale, të 16 Ministrat e PS dhe LSI do t’i drejtohen me një kërkesë zyrtare Kuvendit të Shqipërisë për tu dorëhequr si deputete dhe më tej Parlamenti do të njoftojë KQZ-në për vakancën e krijuar.

Por organi më i lartë zgjedhor e ka të pamundur të mandatojë 16 deputetët e rinj, për shkak të mungesës së kuorumit prej 5 votash të anëtarëve të KQZ-së, duke detyruar sërish mazhorancën të çojë çështjen e mandateve në Kolegjin Zgjedhor.

Ministrat pritet që të heqin dorë nga mandatet në periudha të ndryshme për të shmangur rrezikun e humbjes së shumicës parlamentare.

Bëhet fjalë për 16 Ministra, që nëse lënë në të njëjtën ditë mandatin, do ta çonte mazhorancën në 67 mandate dhe në rast se e djathta do të braktiste seancën, atëherë do të mungonte kuorumi i nevojshëm prej 71 deputetësh të nevojshëm në sallën e parlamentit.

Ndërsa dihet se cilët janë Ministrat që do të dorëzojnë mandatet, nuk ka ende një listë të saktë të atyre që do të vijnë në Parlament. Pasi Kodi Zgjedhor në nenin 164, pika 2 e tij, këtë herë parashikon që nëse mandatin e dorëzon një grua, atëherë vendin e saj duhet ta zërë po një grua.

 

Comments are closed.