Standard.al

Takimi në PS / Arvizu këshillon Tahirin për situatën e kriminalitetit në vend: Nuk ka formulë magjike

Florenc Drizari

“Ne duam ta ndihmojmë qeverinë dhe qytetarët shqiptarë në axhendën e integrimit evropian”

 

tahoAmbasadori i SHBA-së në vendin tonë, Alexander Arvizu, zhvilloi një takim me ministrin e Brendshëm që pritet të zgjidhet në muajin shtator, Sajmir Tahirin. Tema kryesore e diskutimeve ishte situata e rendit në vend, ndërkohë që ambasadori amerikan garantoi mbështetjen e tij për shkëmbimin e përvojave me qeverinë e re.

Edhe pse z. Arvizu është në përfundim të mandatit të tij si ambasador në Shqipëri, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës siguria publike në vendin tonë dhe lufta kundër krimit e trafiqeve ilegale mbeten prioritete që tërheqin vëmendjen maksimale.

Në këtë takimin e zhvilluar në ambientet e Partisë Socialiste, ambasadori Arvizu ishte i shoqëruar nga një ekip drejtuesish të lartë të Ambasadës Amerikane, ku siç tha dhe vetë ai, kjo prezencë tregon rolin kyç të cilin luan Ministria e Brendshme në situatën e rendit publik.

Pas bisedës me z. Tahiri, e cila zgjati për më tepër se 80 minuta, ambasadori amerikan tha se ajo që po bën ambasada në këtë periudhë është këshillimi dhe shkëmbimi i përvojave me drejtuesit e ardhshëm të qeverisë së re, prej të cilës sipas tij, populli e mbështeti pasivisht dhe pritshmëritë janë të mëdha për popullin shqiptar.

“Ne po vazhdojmë të kemi konsultime me njerëzit që do të jenë pjesë e qeverisë. Natyrisht që Ministria e Brendshme është një aktor kyç. Siç e shihni kemi një staf shumë të madh të Ambasadës këtu. Ne folëm për përparësitë programatike, në përpjekje për të përforcuar sukseset që janë arritur, por gjithashtu qeveria e re ka një mandat të fortë, të mbështetur masivisht nga populli. Ka disa pritshmëri në fushën e reformave. Ne duam të jemi plotësisht mbështetës për axhendën e integrimit evropian të Shqipërisë. Ka disa aspekte strategjike por edhe çështje operacionale të ditës. Natyrisht varet nga qeveria e re, ata janë të ngarkuar, ne jemi këtu për të qenë një partnere shumë bashkëpunues. Kjo është ajo që po bëjmë, po këshillojmë”, – tha Arvizu.

I pyetur mbi diskutime konkrete më ministrin e ardhshëm Sajmir Tahirin, ambasadori amerikan tha se nuk ka formula magjike për parandalimin e kriminalitetit, por la të kuptohej një mesazh i qartë bashkëpunimi me qeverinë e re lidhur me çështjet e sigurisë dhe axhendën integruese të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

“Kemi biseduar për disa çështje specifike, sepse natyrisht në çdo demokraci ka disa çështje që prekin qytetarët, siç janë nivelet e krimit, korrupsioni. Kemi biseduar për mënyra se si mund të shkëmbejmë eksperiencat dhe ajo që është më e efektshme është parandalimi i krimit. Krimi është një çështje shumë e vështirë. Ne ndeshemi me të, gjatë gjithë kohës në Shtetet e Bashkuara. Nuk ka një formulë magjike, por gjëja më e rëndësishme është që zoti Tahiri dhe qeveria e re ta kuptojnë që kjo është një çështje që shqetëson qytetarët shqiptarë, është një çështje për ne, sepse ne duam ta ndihmojmë Qeverinë dhe qytetarët shqiptarë në axhendën e integrimin evropian. Pra, për këtë jemi këtu, për të ndihmuar”, – deklaroi ambasadori Alexander Arvizu.

 

“Lëvizjet në administratë”, Vasili: Nuk do të ketë hakmarrje politike ndaj PD-së, vetëm eficiencë

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, reagoi një ditë më parë duke thënë se LSI nuk do të bëjë lëvizje të administratës publike në bazë të kritereve politike dhe as do të “hakmerret” ndaj PD-së që lë pushtetin në fillim të muajit shtator.

Vasili tha se administrata do t’i nënshtrohet ligjeve të shtetit dhe në të do të bëhen përshtatje për të bërë këtë strukturë sa më evropiane.

“Unë refuzoj të përdorim termin “spastrim”. Ky term nuk ka lidhje fare me mentalitetin dhe filozofinë e mazhorancës së re. Është një term thellësisht i gabuar dhe që nuk tregon thelbin e ndërtimit të një administrate evropiane, gjithçka që do të përvijohet në javët dhe në muajt në vazhdim do të jenë shembujt e zbatimit të legjislacionit shqiptar që rregullon këtë çështje. Revanshi nuk është dimensioni ynë, hakmarrja nuk është dimensioni ynë. Nxjerra e mërive dhe inateve nuk është dimensioni ynë. Por vënia në eficiencë të plotë e administratës është dimensioni ynë. Pra, ne nuk do të bashkëjetojmë me një administratë që fle, me një administratë që abuzivisht vegjeton. Por, ta vëmë në eficiencë të plotë dhe kudo ku do të ketë nevojë për përmirësime, për ristrukturime të domosdoshme”, – tha Petrit Vasili gjatë një konference për shtyp të mbajtur në ambientet e LSI-së, lidhur me çështjen e familjeve rome të dëbuara nga vendbanimet e tyre pak ditë më parë në periferi të Tiranë.

Lidhur me transparencën e vendimeve të qeverisjes aktuale, Vasili tha këto akte duhet të jenë transparente dhe të hapura jo thjeshtë dhe vetëm për median, por edhe për publikun e gjerë. “Edhe qeveria siç e dimë është përbetuar që të bëjë publike edhe shpenzimin e çdo paraje qoftë edhe të vogël të shtetit shqiptar, jo më vendime të mëdha. Sigurisht që qeveria e re e pas 9 shtatorit do të verifikojë me seriozitet të gjithë vendimmarrjen e aplikuar pas 23 qershorit dhe do të vlerësojë rast pas rasti këto vendime, se cilat kanë qenë vendime të drejta dhe cilat kanë qenë vendime në dëm të shqiptarëve. Vendimet e drejta sigurisht do të zbatohen dhe do të ecin përpara, ato vendime të cilat kanë qenë abuzive, sigurisht do t’i nënshtrohen rishikimit normal të tyre”, – deklaroi Vasili.

 

 

Vlorë, vazhdon prishja e ndërtimeve pa leje

Inspektorati Ndërtimor dhe Policia Bashkiake në Vlorë prishën dhjetëra ndërtime të paligjshme në zonën e plazhit të vjetër. Në krye të këtij aksioni ishte kryebashkiaku Shpëtim Gjika, i cili garantoi se do të prishen të gjithë objektet ngritur pa leje ndërsa paralajmëroi prishje edhe për ndërtesa që kanë lejen e ndërtimit.

“Siç jeni në dijeni, Bashkia e Vlorës para 3 javësh ka prishur ndërtime pa leje në zonën e Radhimës, Orikumit, Llogorasë. Janë prishur gjithsej 130 objekte pa leje. E njëjta gjë po ndodh edhe sot por do të vazhdojë në vazhdimësi edhe më gjatë derisa të prishen të gjitha ndërtimet pa leje në te gjithë bregdetin jugor. Por ne do të vazhdojmë edhe për prishjen e ndërtimeve me leje të cilat bien ndesh me planin rregullator të urbanistikës”, – tha Shpëtim Gjika, kryetar i Bashkisë Vlorë.

Gjithashtu, i bëri thirrje agjencisë së legalizimeve në Vlorë që të mos pranojë vetëdeklarime të bëra së fundi nga qytetarët.

 

 

 

 

Comments are closed.