PDIU zëvendëson republikanët, KQZ debate për dietat

0
123

Florenc Drizari

KQZ, votat në Shkodër do të numërohen në pallatin e sportit “Qazim Dërvishi” dhe në Korçë në shkollën 9-vjeçare Dardhas

 

Dje-gjatë-mbledhjes-së-KQZ-300x201Refuzimi që Partia Republikane i bëri procesit për zgjedhjet e pjesshme në dy komunat, Dardhas të Korçës dhe Rrethina të Shkodrës, bën që të drejtat e parashikuara në Kodin Zgjedhor për paraqitjen e komisionerëve t’i kalojnë PDIU-së. Më herët republikanët nuk dorëzuan pranë KQZ-së emrat e komisionerëve në grupet e numërimit dhe në KZAZ, duke bërë që të tejkalonin edhe afatet kohore. Kalimin e kësaj të drejte e mbështeti edhe Partia Demokratike si forca kryesore brenda koalicionit të djathtë. Gjatë mbledhjes së djeshme përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike në KQZ, Niazi Kosovrasti, tha se emrat e komisionerëve nga ana e PDIU-së ishin gati.

Ndërkohë, zgjedhjet në Komunën Dardhas dhe Rrethina do të mbahen më 1 shtator, referuar dekretit të Presidentit Nishani disa ditë më parë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e radhës ka vendosur plotësimin e KZAZ nr. 2 në komunën Rrethinë, të qarkut Shkodër dhe KZAZ nr. 73 në Komunën Dardhas të Korçës, me nga një anëtar.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen djeshme miratoi me 4 vota pro projektvendimin “Për paraqitjen e propozimeve për plotësimin e përbërjes së KZAZ-së nr. 2 dhe KZAZ-së nr. 73, për zgjedhjet e pjesshme  për zgjedhjet e pjesshme për kryetar të Komunës Dardhas, Qarku Korçë dhe Komunës Rrethinat, Qarku Shkodër, që do të zhvillohen më datë 1.9.2013”.

Gjithashtu KQZ vendosi miratimi i procedurave për mbledhjen administrimin dhe transmetimin e informacionit në ditën e zgjedhjeve për procesin e votimit dhe numërimit të votave, për zgjedhjet e pjesshme në këto dy komuna.

Një tjetër vendim i KQZ-së ishte edhe caktimi i vendit të numërimit të votave të KZAZ nr. 2 dhe KZAZ nr. 73. KQZ vendosi të caktojë pallatin e sportit “Qazim Dërvishi” si Vend të Numërimit të Votave për ZAZ nr. 2 qarku Shkodër dhe shkollën 9-vjeçare Dardhas si Vend të Numërimit të Votave për ZAZ nr. 73, qarku Korçë.

Gjithashtu në mbledhjen e së mërkurës KQZ hodhi shortin për shqyrtimin e Kërkesës Ankimore nr. 42 të subjektit, Aleksandër Çela, i cili kundërshton vendimin e KZAZ nr. 73, Qarku Korçë, për mosregjistrimin e kandidatit për kryetar komune.

Më herët Çela ka qenë kryetar i kësaj komune, por me anë të një vendimi ai është shkarkuar nga Këshilli i Ministrave. Çështja më pas u ankimua nga z. Çela në Gjykatën Kushtetuese.

Duke shqyrtuar të gjitha pikat e ankesës së kërkuesit, Çela, Gjykata arriti në përfundimin se kërkesa për shfuqizimin e vendimit nr. 159, datë 27.2.2013, të Këshillit të Ministrave, për shkarkimin nga detyra të. Aleksandër Çela, kryetar i Komunës Dardhas, Pogradec, është e pabazuar dhe, si e tillë, duhet rrëzuar. Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të nenit 115, pika 2, të Kushtetutës, si dhe të nenit 72 të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi rrëzimin e kërkesës. Ndërkaq, zgjedhjet dita e zgjedhjeve është dekretuar edhe nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani dhe ato pritet të mbahen më 1 shtator të këtij viti. Për këtë KQZ është në fazën e përgatitjes së bazës materiale.

 

 

LSI mbështet riformatimin e KQZ-së

Struktura e ardhshme e KQZ-së vazhdon të shkaktojë reagime të ndryshme si nga përfaqësuesit e partive politike në vend, ashtu edhe nga anëtarët e komisionit më të lartë të administrimit zgjedhor.

Një ditë më parë, numri dy i LSI-së, Petrit Vasili, tha se çështja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është një shqetësim madhor që i takon gjithë politikës shqiptare. “Sot nuk kemi jo thjesht mungesën e prezencës së anëtarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, por gati më shumë se gjysma e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk përfaqësohet në të. Thënë ndryshe përfaqësohet vetëm pjesa e qeverisë në ikje. Ndërkohë që nuk përfaqësohet spektri politik ashtu sikurse ishte parashikuar. Si i tillë Komisioni ka një legjitimitet të cunguar thellësisht. Riformatimi, ulja në tryezë për krijimin e një Komisioni Qendror të Zgjedhjeve serioz dhe legjitim është një sfidë e politikës shqiptare dhe e gjithë mazhorancës aktuale dhe LSI-ja si pjesë e kësaj mazhorance do të jetë pjesë aktive e këtij aksioni për të kthyer institucionin më të rëndësishëm  që administron zgjedhjet në vend në legjitimitetin, eficiencën dhe seriozitetin e duhur”, – tha Vasili. Më herët dy anëtarët e KQZ-së, Hysen Osmanaj dhe Klement Zgruri, janë shprehur pro plotësimit të vendeve bosh të lëna nga homologët e tyre të majtë.

 

Shpërblimi i komisionerëve, KQZ shkurton mes debatesh dietat

Shqyrtimi i projektvendimit të KQZ-së për shpërblimin e sekretarëve të dy KZAZ-së që do të administrojnë zgjedhjet e pjesshme në Dardhas të Korçës dhe Rrethina të Shkodrës, shkaktoi debate mes anëtarëve të KQZ-së dhe pjesës tjetër të administratës. Anëtari Hysen Osmanaj tha se shpërblimi prej 5 mijë lekësh për sekretarët është i tepërt dhe për këtë atyre u duhet dhënë vetëm një kartë telefonike, ndërkohë që administrata këmbënguli në kërkesat e saj prej 5 mijë lekësh. Por qëndrimi i Osmanajt për të mos votuar projektvendimin pa ulur shumën e shpërblimit, tërhoqi administratën nga vendimi i saj, për faktin se vota e tij kundër do të bënte që vendimi të mos merrej për mungesë votash. Debati në KQZ edhe për një çështje shpërblimi prej 5 mijë lekësh është një risi mes anëtarëve të KQZ-së, që prej largimit të tri anëtarëve të opozitës. Debatet e shumta në KQZ kanë qenë mes anëtarëve të KQZ dhe pjesës së përfaqësuesve politik në komision, kryesisht mes atyre të opozitës, të cilët shpesh herë kanë kundërshtuar vendimmarrjen me katër votat e anëtarëve të propozuar nga aleanca e djathtë.

 

PS – LSI, marrëveshje për kandidatët

Zgjedhjet e pjesshme në dy komuna të vendit që priten të mbahen në shtator të këtij viti, rikonfirmojnë marrëveshjen mes PS-së dhe LSI-së, ndonëse në nivel më të reduktuar vendor. Socialistët kanë preferuar që në Dardhë të Korçës, të mos paraqesin kandidat duke ia lënë këtë komunë Lëvizjes Socialiste për Integrim, që garon me Genci Hamollarin. Ndërsa në rrethinat e Shkodrës, tërheqjen e bën LSI-a e cila do të mbështesë kandidaturën e Luan Arushës që mban siglën e PS-së.

Më herët Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhje e ditës së djeshme shqyrtoi dhe miratoi me 4 vota pro projektvendimin “Për caktimin e masës së shpërblimit për anëtarët e KZAZ-ve, KQV-ve dhe GNV-ve për zgjedhjet e pjesshme për kryetar të Komunës Dardhas, Qarku Korçë dhe komunës Rrethinat, Qarku Shkodër, që do të zhvillohen më datë 1.9.2013”. KQZ caktoi masën e shpërblimit në vlerën 25 000 leke për kryetarin dhe zv.kryetarin e KZAZ-së, 20000 lekë për anëtarët dhe sekretarin e KZAZ-së, 4000 lekë për kryetarin e KQV-së, 3500 lekë për anëtarët dhe sekretarin e KQV-së dhe 5000 lekë për anëtarët e Grupit të Numërimit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency