Pas një jave, shiten 15 mln eurobono, ja si dhe sa mund të përfitojnë individët

0
158

Ervin Kaduku

 – Sa janë normat aktuale të interesit për ata qytetarë që investojnë kursimet e tyre në valuta, duke blerë letra me vlerë të qeverisë. Interesat paguhen që në fillim

 

52744_2Ministria e Financave do të nxjerrë për shitje në ankand përmes Bankës së Shqipërisë 15 milionë euro bono thesari në euro, me afat maturimi 1-vjeçar. Nga kjo shumë, pjesa që i takon Bankës së Shqipërisë është zero, duke e lënë ankandin në “dorën” e bankave tregtare, që janë blerësit kryesorë të bonove, apo dhe të individëve, që së fundmi kanë shfaqur interes për të investuar në letrat me vlerë të qeverisë. Ankandi është planifikuar të zhvillohet në 22 gusht.

Ky është ankandi i dytë për shitje të eurobonove brenda një harku të shkurtër kohor. Ankandi i mëparshëm u zhvillua në fund të korrikut, ku u shitën vetëm 9.3 milionë euro eurobono, nga 11 milionë euro që kishin planifikuar financat, teksa bankat kërkuan interesa të larta, duke e detyruar Bankën e Shqipërisë të pranojë vetëm ofertat që kanë interes të ulët.

Në ankandin e korrikut, interesi mesatar i ponderuar i kërkuar ka qenë 4.27%, ndërkohë që ai i pranuar ishte 3.9%, nga 5% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm të zhvilluar në 24 dhjetor 2012.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ky është ankandi i nëntë që realizohet në euro, që kur filluan të shiten eurobono ne maj 2010.

Përgjithësisht interesi i eurobonove është më i lartë se ai i depozitave në euro, duke përbërë një shans të mirë investimi dhe për individët.

Me një llogaritje të thjeshtë, po të marrim mesatarisht 4.5 përqindëshin si normë interesi vjetore të mundshme për t’u arritur në këtë ankand, një person që investon p.sh. 50 mijë euro për një vit, do të marrë si fitim 2.250 euro, minus 225 euro të 10-përqindëshit të tatimfitimit. Ndryshe nga pagesa e interesit të depozitave bankare, bonot e thesarit ta japin fitimin menjëherë, pra pak ditë pasi ke depozituar shumën në Bankën e Shqipërisë. Në përfundim të periudhës njëvjeçare, shuma prej 50 mijë eurosh i kthehet blerësit. Por pjesëmarrësi duhet ta njoftojë që më parë synimin e tij për të marrë pjesë në ankand, dhe jo ta lejë për ditën e fundit. Për këtë, ofrohet informacion i nevojshëm pranë sporteleve të bankës qendrore.

Përveç këtij ankandi, Banka e Shqipërisë njofton se do të shesë po në 22 gusht 3.5 miliardë lekë obligacione fikse 2-vjeçare me kupon indikativ 5.9%.

 

Individët

Individët mund të marrin pjesë në ankandet e bonove te thesarit nëpërmjet subjekteve të liçensuara nga a Ministria e Financave, që janë: Banka Raiffeisen, Banka Intesa SanPaolo, Banka Kombëtare Tregtare (BKT), Banka e Tiranës, Banka Credins, Alpha Bank dhe Banka e Parë e Investimeve (F i B).

Një individ për të marrë pjesë në ankand nëpërmjet subjekteve të licencuara nga ministria e Financave, duhet që, përpara organizimit të ankandit:

1. Të çelë një llogari pranë subjektit të licencuar nëpërmjet të cilit kërkon të marrë pjesë në ankand.

2. Të bllokojë fondet që do të investojë në llogarinë e çelur.

3. Të plotësojë kërkesën për pjesëmarrje në ankand.

Sipas Ministrisë së Financave shuma minimale e nevojshme për të marrë pjesë në ankandin e bonove të thesarit në euro është kundërvlefta në euro e 300.000 lekëve.

Investimi në bono thesari konsiderohet si forma më e sigurt e investimit pasi garantohet nga qeveria e Republikës së Shqipërisë. Ky investim është i lehtë, me kosto të ulët dhe shumë fitimprurës.

 

Eurozona del nga recesioni

Zona Euro ka dalë zyrtarisht nga recesioni përgjatë tremujorit të dytë të vitit me regjistrimin e një rritjeje të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) prej 0,3 për qind.

Kështu njoftoi sot Zyra Evropiane e Statistikave ‘EUROSTAT, me publikimin e raportit të parë vlerësues të këtij indikatori.

“jo është një performancë më e mirë se ajo që pritej, kur analistët fillimisht parashikonin një rritje të PBB-së me 0,2 për qind për periudhën prill-qershor, pas gjashtë tremujorësh radhazi rënieje që korrespondonte me fazën më të gjatë të recesionit në historinë e eurozonës”, – theksuan burime nga EUROSTAT.

Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i Gjermanisë regjistroi një rritje deri në 0,7 për qind përgjatë tremujorit të dytë të 2013-ës, sipas shifrave paraprake të publikuara sot.

“Ekonomia qëndroi në stanjacion gjatë tremujorit të parë”, – theksoi Zyra Federale e Statistikave, Destatis dhe nuk u rrit me 0,1 për qind siç ishte njoftuar më parë. “Tregtia ka kontribuar gjithashtu në rritjen ekonomike”, sipas Destatis, që shtoi se eksportet kanë avancuar më tepër se importet.

Shifrat e detajuara pritet të publikohen më 23 gusht.

Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i Francës regjistroi një rritje deri në 0,5 për qind përgjatë tremujorit të dytë të 2013-ës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency