Pas debatit në lokal / Krim pasionant në hotel, plagos rëndë të dashurën, më pas vetëvritet

0
145

Sonja Caka

Policia: Dyshoi se e vrau, prandaj qëlloi edhe veten

Dëshmitarët: Kërcënoi me pistoletë edhe pastruesen e hotelit

Mjekët: Sulçe, jashtë rrezikut për jetën, plumbi i kapi diafragmën

 

VRASJA NE MOTELNjë krim i rëndë ka tronditur mesditën e djeshme kryeqytetin. Një shtetas shqiptar nga Tetova e Maqedonisë ka plagosur rëndë të dashurën e tij 30 vjet më të vogël se vetja dhe më pas është vetëvrarë me të njëjtën armë në ambientet e brendshme të një hoteli në periferi në kryeqytetit. Pas një debati mes tyre, 52-vjeçari Agim Emini ka qëlluar të dashurën 21-vjeçare Ana Sulçe në sheshpushimin e hotelit duke ngjitur shkallët për në dhomë. Më pas, e ka ngritur atë në krah, ka dalë në oborrin e hotelit, ka lëshuar përtokë të renë e mbuluar nga gjaku dhe ka qëlluar veten, duke menduar se e dashura e tij ka vdekur. Por, para se të vriste veten, ai ka rrezikuar edhe jetën e pastrueses së hotelit, të cilës i ka drejtuar pistoletën dhe më pas është penduar dhe ka qëlluar vetëm veten e tij. Personeli i hotelit dhe banorë të lagjes kanë lajmëruar menjëherë policinë, e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje. Por, ndërsa vajza e re është transportuar për në spital me urgjencë me mjete të rastit, ambulancës i është dashur më tepër kohë për të ardhur në vendngjarje dhe për të marrë trupin e 52-vjeçarit tetovar. Pas mbërritjes në Spital Ushtarak, pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, për 52-vjeçarin nuk mund të bëhej më asgjë, pasi ishte në fund të jetës. Trupi i tij nuk mundi t’i mbijetojë plagës së marrë prej plumbit të vetëm të shkrehur në gojë, i cili i ka kapur edhe pjesë të kokës.

Ngjarja

Ngjarja e rëndë është shënuar rreth orës 13:00 në hotelin “Deja” te Vilat Gjermane në Rrugën e Elbasanit. Policia është njoftuar se një vajzë është plagosur rëndë dhe po çohej për në Spital Ushtarak dhe një tjetër ndodhej i plagosur në oborrin e një hoteli. Menjëherë policia vuri në eskortim të automjetit shërbimet e policisë, të cilat kane marre informacion se vajza është plagosur me armë zjarri nga një i njohuri i vet në një hotel në rrugën “3 vëllezërit Kondi”, pranë Vilave Gjermane në Tiranë. Më pas, policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka njoftuar urgjencën për të marrë personin e dytë të plagosur, i cili rezultoi 52-vjeçari nga Tetova Agim Emini. Ndërkaq, grupi hetimor nisi nga puna për hetimin e ngjarjes, marrjen e dëshmive dhe këqyrjen e vendit ku ndodhën dy plagoset. Nga hetimet rezultoi se e shtëna e parë ka ndodhur në sheshpushimin midis katit të parë dhe të dytë dhe vajza është qëlluar pas shpine. Aty është gjetur edhe gëzhoja, ndërsa e shtëna e dytë në oborrin e hotelit, ku është gjetur edhe gëzhoja e dytë. Autori ka përdorur një pistoletë të prodhimit çek, të cilën nuk ka ngurruar t’ia drejtojë edhe pastrueses para se të vrasë veten. Policia është duke hetuar për të zbardhur shkaqet që çuan 52-vjeçarin në këtë ngjarje, ndërsa do jetë vetëm dëshmia e vajzës 21-vjeçare Ana Sulçe, që do të hedhë dritë mbi debatin që çoi në një të vrarë dhe një të plagosur rëndë.

Hetimi

Pas marrjes dijeni për ngjarjen, grupi hetimor mbërriti menjëherë në vendngjarje për të bërë të mundur zbardhjen e këtij krimi të rëndë, i cili rrezikoi të çonte në dy numrin e viktimave. Nga hetimet e para rezultoi se 52-vjeçari nga Tetova Agim Emini kishte 5 ditë që ishte akomoduar në ambientet e këtij hoteli dhe vajza kishte mbërritur në orët e paradites për t’u takuar. Çifti ka pasur një debat në barin e lokalit para se të ndodhte ngjarja, ndërsa vajza mësohet të jetë nisur në drejtim të njërës prej dhomave të hotelit drejt katit të dytë kur është qëlluar pas shpine nga i dashuri. Mes 52-vjeçarit dhe vajzës 21-vjeçare, e cila jetonte me familjen pranë spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë, ka pasur një lidhje intime prej disa kohësh. Vajza ishte studente në kryeqytet, tashmë pritet dalja e saj nga gjendja e rëndë për të mësuar më tepër rreth shkaqeve që çuan në të shtëna. Ndërkaq burime nga policia bëjnë të ditur se 21-vjeçarja dhe autori Agim Emini nga Maqedonia kishin një lidhje dhe se të dy bashkë kanë kaluar disa herë kufirin drejt Maqedonisë.

 

 

Dëshmia e vëllait të pronarit të hotelit

Pastruesja na tha se i kishte drejtuar pistoletën për ta vrarë

Pas ngjarjes, menjëherë në hotel kanë mbërritur të afërmit e pronarit të hotelit, të cilët janë përpjekur të japin ndihmën e tyre në dhënien e informacioneve lidhur me klientin e hotelit nga Tetova e Maqedonisë. “Ne nuk kemi qenë këtu. Ka qenë vetëm pastruesja. Ata kanë qenë në bar duke konsumuar diçka dhe kanë debatuar. Më pas vajza është nisur për nga dhomat dhe në sheshpushimin mes kateve ky burri e ka qëlluar pas shpine. Më pas, pastruesja na tha se e kishte ngritur në krahë dhe kishte dalë jashtë duke thënë: Vdiq, vdiq. Më pas, ka lëshuar vajzën përtokë dhe ka parë pastruesen duke i drejtuar pistoletën dhe duke i thënë se e dashura e tij kishte vdekur, ai e kishte vrarë. “Do të vras edhe ty”, – i kishte thënë asaj, duke i drejtuar pistoletën. Ajo kishte ikur e trembur dhe ishte fshehur ne depo kur ka dëgjuar të shtënën e dytë. Nuk dimë çfarë të themi më tepër, pastruesja jonë është e tronditur, tani po jep deponimet në polici”, – mbyll rrëfimin Edi, vëllai i pronarit të hotel “Deja” në afërsi të Vilave Gjermane.

 

Mjekët

Vajza jashtë rrezikut, plumbi i ka prekur diafragmën

Ana Sulçe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Falë transportimit me urgjencë të saj në drejtim të Spitalit Ushtarak, mjekët mundën ta nxjerrin jashtë rrezikut për jetën. Sipas burimeve nga Spitali Ushtarak, 21-vjeçaren Ana Sulçe, plumbi e kishte prekur në diafragmë dhe pas ndërhyrjes kirurgjikale, ndodhet në parametra jetësore. Ndërkohë që, për 52-vjeçarin nga Tetova nuk mund të bëhej më asgjë, pasi ai ka qëlluar veten në gojë duke i prekur pjesën më të rëndësishme të kokës. Ai vdiq vetëm disa minuta pas mbërritjes në spital. Ndërsa vajza doli nga rreziku për jetën vetëm 2 orë pas ngjarjes.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency