Miqësorja, Shqipëria fiton duke argëtuar

0
194

Altin Vorpsi

Kuqezinjtë kanë mundur dje Armeninë me rezultatin e pastër 2-0

Tekniku De Biazi ka arritur që ti japë një tjetër imazh “shqiponjave”

 

Shqiperi-Armeni-21-300x195Shqipëria fiton duke bindur edhe me lojë. ajo e mbrëmshmja mund të konsiderohej si një fitore e dyfishtë e kuqezinjve që mundën Armeninë falë një loje të bukur të pasuruar nga dy gola po aq të bukur.

Pjesa e parë

Kuqezinjtë e mbyllën në avantazh pjesën e parë të miqësores me Armeninë. Golin që theu ekuilibrat e këtij takimi u realizua në minutën e 22’, nga ana e mesfushorit Valdet Rama, i cili i gjetur i zbuluar brenda zonës, goditi saktë dhe mposhti portierin armen, falë edhe një devijimi të mbrojtësit. Pjesa e parë ishte gjithashtu e pasur me raste, mbi të gjitha për përfaqësuesen tonë, e cila dominoi 45-minutëshin. Një minutë pas golit, Agolli harkoi shkëlqyeshëm në zonë, por Januzi nuk mundi të kthente për centimetra drejt rrjetës topin, i cili kaloi të gjithë pasqyrën e portës. Në të 30’, ishte Rroshi që me një shpërthim të shkëlqyer nga krahu i djathtë arriti deri në fundore, ku krosoi në qendër për Kapllanin. Sulmuesi ynë, në një planzhon me kokë, përsëri nuk arriti të devijonte saktë për çështje milimetrike.

Tre minuta më pas, Kapllani u shërbye në hyrje të zonës së rreptësisë nga Dallku, që me një filtrim të mrekullueshëm e nxori të vetëm përballë portierit 40-vjeçar të Armenisë, i cili arriti të grushtonte mjeshtërisht, duke devijuar topin në goditje këndore. Armenia, nga ana e saj, testoi dy herë seriozisht portierin Berisha, i cili në dy raste arriti të shpëtonte portën me daljet e tij të sakta, ndërsa në të 32’, gardiani i portës sonë bëri një pritje të shkëlqyer, në një diagonale brenda zonës, të ardhur pas një serie kombinimesh nga ana e armenëve.

Pjesa ë parë

Pjesa e dytë nisi me dy zëvendësime për kuqezinjtë e De Biazit, teksa autori i golit Valdet Rama i ka lënë vendin Andi Lilës, kurse Admir Teli largohet për Mërgim Mavraj. Kombëtarja shqiptare ka vijuar me inkursionet e saj ofensive, në minutën e 48-të Januzaj u gjend përballë portës, tentoi të godiste, por topi u ndal nga mbrojtësit armenë, ndërsa 10 minuta pas rifillimit të lojës, ka qenë Basha, ai që ka tentuar me një goditje nga distanca, mbi traun e portës kundërshtare, pas pasit të dhënë për të nga Kapllani.

Sërish ka ndërhyrë tekniku italian i Shqipërisë, i cili ka larguar Roshin nga fusha e lojës për të aktivizuar Jurgen Gjasulën, por deri në minutën e 60’ nuk shënohet asnjë rast i rrezikshëm për të dy ekipet. Në të 65’-tën, Abrashi tentoi me një gjuajtje tokazi nga distanca, nga krahu i majtë i sulmit tonë në shtyllën e majtë pingule të portierit mik, por topi del për pak jashtë. Në minutën e 67’, Ergys Kaçe, që u aktivizua në vend të Bashës, ky ishte ndërrimi i 4-t për De Biazin, brenda 2 minutash ka shënuar gol, duke dyfishuar shifrat për Shqipërinë. Vetëm në minutën e 75’ është kujtuar Armenia të rrezikojë portën kuqezi dhe portierin Etrit Berisha, pas një goditjeje këndi nga e majta e sulmit të tyre, por topi zotërohet nga portieri ynë në shtyllën e parë. De Biazi, i kënaqur me rezultatin e ndeshjes, vijon të provojë të tjerë lojtarë, duke futur Vullnet Bashën në të 76-tën, në vend të Abrashit. Minuta e 80’, një tjetër aksion sulmues nga Shqipëria, armenët mbyllen më mbrojtje, dhe Lila përfiton nga një pasim përgjatë vijës së 16-shes, e zotëron atë, godet fuqishëm, por portieri Kasparov i Armenisë, i futur në pjesën e dytë, grushton me vështirësi në cepin e shtyllës së djathtë të tij. Në të 82’-tën, një tjetër rast nga autori i golit të dytë, Ergys Kaçe, por këtë herë topi nuk ka gjetur rrjetën kundërshtare. Kur luhej minuta e parafundit e kohës së rregullt të takimit, Armend Dallku ka humbur topin në krahun e djathtë të mbrojtjes, Norair i Armenisë merr kontrollin e tij, tenton të godasë diagonal, por topi përfundon jashtë shtyllës së majtë të Berishës, pa rrezik.

 

 

Skeda

SHQIPËRI – ARMENI  2-0

Golat: Rama 21′, Kaçe 67′

 SHQIPERIA: Berisha, Cana, Teli (Mavraj 46′), Agolli, Dallku, M.Basha (Kaçe 66′), Roshi (Gjasula 56′), Abrashi (V.Basha 76′), Rama (Lila 46′), Januzi, Kaplllani (Gashi 56′). Trajner: De Biazi

 

ARMENIA: Berezovski (Kasparov 46′), Hovhanisjan, Harojan, Haceaturov (Voskanjan 74′), Airapetjan (Avgajan 69′), Ghazarjan (Aslanian 76′), Ozbiliz, Mkrtçjan, Jedigarjan (Papikjan 67′), Piceli (Sarkisov 58′), Movisisjan. Trajner: Vardan Minasjan

Kartonë të verdhë: Januzaj 26′, Cana 41′

Gjyqtar: Todorov (Bullgari)

 

Shpresat

Shqipëria e Gegës humbet sërish

Ndryshe nga capo bën përfaqësuesja jonë e madhe, të vegjlit në çdo takim zhgënjejnë. Pasi dështuan në ndeshjen e parë të luajtur në shtëpi (“Niko Dovana”) ndaj Hungarisë me rezultatin 2-1 dhe pësuan “pokerin” 4-1 në sfidën pasuese ndaj Bosnjë Hercehovinës, në fushën e kësaj të fundit, ekipi ynë Shpresa priti në Vlorë homologët austriakë, ndaj të cilëve u mund minimalisht 1-0. Goli i austriakëve u shënua në minutën e 54-t dhe mban autorësinë e Zhulj. Kjo ishte ndeshja e tretë kualifikuese e Grupit 4, e vlefshme për Kampionatin Europian të 2015-ës. Me disa ndryshime në përbërje, ku spikaste në të djathtë të mbrojtjes Elseid Hysaj, edhe kontigjent i kombëtares së madhe, trajneri Gega ka kërkuar të mos dalë i mundur kësaj here, por nuk ia ka arritur. E kanë nisur me vrull dhe me këmbëngulje këtë 90-minutësh kuqezinjtë tanë, por me kalimin e minutave kanë qenë të detyruar të pranojnë supremacinë e Austrisë, sidomos në mesfushë dhe detyrat ofensive. Miqtë dalin rrjedhshëm nga të dy krahët, ndërsa fitojnë 7 këndore në total kundrejt 2 të tillave të kuqezinjve. Në krahun tjetër, Shqipëria e ka të vështirë të dalë nga gjysmëfusha e vet, të ndërtojë aksione të qarta dhe të koordinojë si duhet repartet me njëri-tjetrin. Spikat në qendër të mbrojtjes Gjokaj, i cili me ndërhyrjet e tij vendimtare eviton topat e lartë e tepër të rrezikshëm të miqve në zonën e vogël të Strakoshës. Pjesa tjetër e skuadrës kuqezi është fragmentare dhe angazhohet më së shumti në veprime individuale. Kjo e ul ndjeshëm rrezikshmërinë në portën austriake, e cila mbetet thuajse e paarritshme për tanët. Bardhësia e fillimit të lojës nuk ndryshoi në përfundim të pjesës së parë, duke e lënë fatin e rezultatit të kësaj kualifikueseje të vendoset në 45 minutat e dyta. Të cilat nisin me nga një zëvendësim për të dyja skuadrat. Për tanët, Gega nxjerr nga fusha Taipin, e ndëshkuar me karton të verdhë në minutën e 31-të dhe aktivizon shkodranin Hasani. Me këtë lëvizje, trajneri i kuqezinjve tenton t’i japë më shumë kreativitet dhe fantazi mesfushës, për të ndërtuar aksione më të rrezikshme në drejtim të portës austriake. Mirëpo, në këtë rast pritshmëritë nuk rezultuan pozitive. Vetëm futja e Kavazajt i dha njëfarë ritmi tjetër lojës së tanëve, por para se kosovari, që nënshkroi së fundi me Gent në Belgjikë të bëhej pjesë e lojës, austriakët kishin kaluar në avantazh. Avantazh i cili mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën e fundit të kryesorit rus, sepse prapavija mike u tregua tepër vigjilente karshi sulmit tonë të paqartë dhe konfuz në ato raste që iu paraqitën. Mbyllet me dështim, kësisoj, edhe kualifikuesja e tretë për kuqezinjtë tanë 21-vjecarë, duke mbetur të fundit pa asnjë pikë. Austria e kishte ndeshjen e saj të parë, të cilën e kaloi me sukses. Shqipëria do të ketë përballë kampionët e Europës të kësaj grupmoshe, Spanjën, në sfidën e radhës. Kujtojmë se “kuqezinjtë e vegjël” ndodhen në Grupin 4 së bashku me Spanjën, Hungarinë, Austrinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Një grup shumë i vështirë ky për përfaqësuesen e 21-vjeçarëve.

 

Renditja, Grupi 4

Skuadra                                Nd          Fit           Brz          Hmb      G.Sh      G.P         +/-          Pikë

Bosnje Hercegovina       1              1              0              0              4              1              3              3

Hungaria                             1              1              0              0              2              1              1              3

Austria                                 1              1              0              0              1              0              1              3

Spanja                                 0              0              0              0              0              0              0              0

Shqipëria                            3              0              0              3              2              7              -5            0

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency