Lufta në Siri, rritet numri i klandestinëve që prekin Shqipërinë

0
165

Sonja Caka

Dyndja e të huajve përmes Greqisë, vendi ynë, vetëm transit për sirianët, irakianët dhe të huajt e tjerë. Destinacioni përfundimtar, Evropa Perëndimore

 

f1_13klandes1360748732Lufta në Siri ka sjellë dyndje klandestinësh në vendin tonë. Kufiri i Shqipërisë mes Greqisë është vendi që përdoret nga klandestinët e vendeve të treta për të hyrë në territorin shqiptar dhe më pas për ta përdorur atë si trampolinë për në vendet e Evropës Perëndimore. Vetëm në ditët e fundit numri i klandestinëve të kapur shkon në 300 persona, ndërsa janë ndaluar ose shpallur në kërkim disa persona, shtetas shqiptarë, si të dyshuar për dhënie ndihmë në transport dhe më pas në kalimin drejt Italisë apo Malit të Zi. Policia e Gjirokastrës ka marrë të gjitha masat për të mos lejuar një gjë të tillë dhe ndërkohë prej tri ditësh ka ndërmarrë një operacion antitrafik, duke bërë të mundur kontrollin e territorit në zonën e Gjirokastrës dhe ndalimin e të paktën 150 klandestinëve vetëm në këto ditët e fundit. Pasi janë ndaluar, u janë marrë dëshmitë, ata janë kthyer sërish andej nga kanë hyrë, pra në shtetin fqinj të Greqisë. Nga ana e policisë ka dyshime të arsyeshme se si klandestinët, ashtu edhe ndihmësit e tyre në kalimin e territorit, kanë shfrytëzuar mirë situatën e fluksit të emigrantëve shqiptarë për pushimet e verës në Kakavije për të kaluar nëpërmjet kufirit jeshil. Për këtë, arsye Drejtori i Kufirit bën me dije se përveç përpunimit të shpejtë të procedurave për të mirëmenaxhuar kalimin e emigrantëve në Kakavijë, policia kufitare është në gatishmëri për të penguar trafiqet dhe personat kriminalë. Lidhur me kalimin e emigrantëve dhe me problemin e toponimeve, drejtori Admir Abrija garantoi për mungesë shqetësimesh.

Operacioni

Vetëm në pak ditë, forcat e kufirit në Gjirokastër kanë arritur të bllokojnë depërtimin e disa grupeve klandestinësh. Në një javë numërohen mbi 300 persona të kapur, që pasi janë marrë në pyetje, janë kthyer në vendin prej ku ishin importuar. Ndërkohë, policia e Gjirokastrës bën me dije se sërish dje janë kapur klandestinë të huaj në kufirin jeshil me Greqinë. Sipas policisë ka pasur një dyndje të shtetasve sirianë, marokenë e afrikanë nga Greqia drejt Shqipërisë nëpërmjet kufirit jeshil. Policia ka bllokuar një tjetër grup klandestinësh në pikën kufitare të Kakavijës. Janë ndaluar 31 klandestinë nga Maroku dhe Siria, mes tyre 8 femra. Policia ka marrë në pyetje të ndaluarit për të zbuluar më shumë rreth rrjetit të trafikut të klandestinëve, që duket se është kthyer në një shqetësim kohët e fundit për blutë e Gjirokastrës. Aksioni i policisë kufitare po vazhdon.

 

Durrës

Kapet me 4.5 kg kanabis dhe gjysmë kg heroinë, do ta trafikonte drejt Italisë

Policia e Durrësit ka vënë në pranga një të ri nga Tirana, i cili po tentonte të trafikonte drejt Italisë një sasi prej 4.5 kg kanabis dhe gjysmë kg heroinë. Policia kufitare e portit ka ndaluar 23-vjeçarin Ardit Çela, banues në Kodër-Kamëz, Tiranë. Sipas policisë, vetëm pak para mesnate së dy ditëve më parë, në Piken e Kalimit të Kufirit Port Durrës, pas përzgjedhjes dhe kontrollit fizik të mjetit autoveturë “Alfa Romeo” me targa AA 943 EE në pronësi të Çleës, u gjetën dhe sekuestruan 12 pako të mbështjella me natriban, 11 nga të cilat dyshohet se kishin në brendësi bimë narkotike të llojit kanabis sativa me peshë 4 kg e 471 gr dhe 1 pako përmbajtje lënde narkotike të llojit Heroine me peshe 575 gr. Pakot me lëndë narkotike u gjetën të fshehura në pjesët anësore, tek shasia dhe tek mbështetësja e dyerve. Mjeti në fjalë do të imbarkohej për të udhëtuar me tragetin “Franceska” të linjës Durrës – Bari drejt Italisë. Lidhur me rastin u kryen veprimet e para hetimore dhe po vijon puna për hetimin e mëtejshëm të rastit. Materialet iu përcollën Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”.

 

Krujë

Asgjësohen 230 rrënjë kanabis, nën hetim 47-vjeçari Bazja

Policia e Krujës ka nisur hetimet në mungesë për 47-vjeçarin Dashnor Bazja, për kultivim të kanabisit. Sipas burimeve policore, dy ditë më parë, në vendin e quajtur Halil, Fushë-Krujë, pranë liqenit të Bacungut, shërbimet e policisë në terren kanë evidentuar një parcelë me 250 rrënje bime kanabis sativa, e cila dyshohet se është kultivuar nga ky shtetas. Në vijim të veprimeve procedurale u bë shpallja në kërkim policor për shtetasin Bazja dhe po punohet për kapjen e tij. Materialet iu përcollën Prokurorisë Krujë për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”.

 

Durrës

Dhunoheshin nga fëmijët, prindërit kërkojnë urdhër mbrojtjeje

Policia e Durrësit ka përgatitur urdhrat e mbrojtjes dhe ia kanë dërguar për në gjykatë për disa prindër që kanë denoncuar dhunën e fëmijëve të tyre. Sipas policisë, dy ditë më parë u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhërit të mbrojtjes së menjëhershme për një shtetas 60-vjeçar, banues në Durrës, i cili deklaron se djali i tij shtetasi Q. L., 29 vjeç, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj tij. Gjithashtu, kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme u plotësua edhe për dy prindër të moshës 60 dhe 61-vjeçare, banues në rrethin Durrës, të cilët deklarojnë se janë dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht nga djali i tyre A. V., 38 vjeç. Materialet iu përcollën Gjykatës së Rrethit për vlerësim.

Tiranë

Parakalimi i gabuar, plagosen dy persona nga përplasja e automjeteve

Një aksident rrugor me pasojë plagosjen e dy njerëzve është regjistruar në afërsi të sheshit “Shqiponja” tek rrotullimi i doganës në kryeqytet. Dy automjete, tip “Mercedes-Benz”, janë përplasur, ndërsa dyshohet se shkak i këtij aksidentit ka qenë një parakalim i gabuar i njërit prej drejtuesve. Si pasojë e përplasjes kanë mbetur të plagosur drejtuesit e autoveturave, të cilët janë dërguar pranë Spitalit Ushtarak, ndërsa mësohet se gjendja e njërit prej tyre paraqitet e rëndë, si dhe ka pasur dëmtime materiale. Policia Rrugore ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimin për zbardhjen e rrethanave të plota të aksidentit.

 

Mat

Makina bie në humnerë, plagosen tre persona

Tre persona janë plagosur mesditën e djeshme si pasojë e një aksidenti automobilistik në aksin Burrel – Klos. Policia bëri të ditur se rreth orës 12:00 në afërsi të urës Shulbater, një automjet tip “Mercedes-Benz” ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga lartësia prej 40 metrash. Si pasojë janë plagosur rëndë drejtuesi i mjetit Gani Derguti, 50 vjeç, si dhe 2 persona që udhëtonin me të. Policia konfirmon se më rëndë për jetën është shtetasi Derguti.

 

 

Gjirokastër

Kultivimi i kanabisit në Lazarat, ndalohen 49 punonjës të hyjnë në fshat

Operacioni për ndalimin e punëtorëve apo mjeteve që ndihmojnë në kultivimin e kanabisit në fshatin Lazarat vazhdon. Mëngjesin e djeshëm mësohet se u shoqëruan 49 persona, të cilët dyshohet se punojnë si punëtorë sezonalë në kultivimin e kanabisit. Punëtorët e shoqëruar ishin nisur në këmbë për të shkuar në fshat, pasi dy ditë më parë, gati në të njëjtën orë, policia ndaloi 54 punëtorë që udhëtonin me furgonë për të hyrë në fshatin e Lazaratit. Sipas të dhënave policore, bëhet me dije se edhe dje policia nuk ka lejuar futjen në fshat të autoboteve me ujë dhe kamionëve me pleh. Kjo është dita e dytë e operacioneve antikanabis e ndërmarrë nga policia e Gjirokastrës, e cila ka bërë të ditur se do të vijoje këtë operacion pa saktësuar nëse do të vazhdojë të ndaloje vetëm punëtorët apo do të ndërhyje edhe në brendësi të Lazaratit ku mendohet se do te korren rreth 900 tonë hashash në fund të kësaj vere.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency