Ambasadori Hoffmann: Gjermania mbështet Shqipërinë, statusi nga reformat

0
118

Investitorët gjermanë, të interesuar për Shqipërinë, përmirësim i klimës së biznesit në vend

 

Hellmut-Hoffman-300x225Ambasadori i ri i Gjermanisë i akredituar në vendin tonë ka konfirmuar mbështetjen e shtetit që ai përfaqëson për integrimit të Shqipërisë. Duke garantuar mbështetjen ai ka nënvizuar se gjithçka varet nga reformat që duhet të plotësojë vendi ynë, duke shtuar këtu plotësimin e 12 prioriteteve të vendosura nga Bashkimi Evropian. Në një intervistë për “TCH”, ambasadori pohoi: “Ka vetëm dy javë që kam mbërritur në Tiranë. E gjitha mbetet në duar të shqiptarëve, qeverisë shqiptare, parlamentit dhe të gjitha institucioneve. Janë një sërë çështjesh ku progresi është i rëndësishëm, si për shembull shteti ligjor, një listë e gjatë dhe nuk dua të futem në detaje. Është e parakohshme për të folur tani. Të presim vendimin e Këshillit të Ministrave të BE-së në dhjetor. Unë do të dëshiroja të inkurajoj të gjithë shqiptarët, qeverinë, opozitën dhe gjithë të tjerët të punojnë në këtë drejtim me shumë seriozitet. Ne e kemi mbështetur dhe do të vijomë ta bëjmë këtë në këtë proces ku keni hyrë, por ne do të shikojmë performancën”. Ndërsa pyetjes së gazetarit se nëse Gjermania do të votojë pro apo kundër marrjes së statusit të vendit kandidat, ambasadori nuk ju përgjigj në mënyrë të drejtpërdrejtë duke shtuar se ai nuk do të spekulojë se si mund të jetë vendimi. “Është një tentativë e mirë me këtë pyetje, por duhet të kuptoni se unë nuk dua të komentoj për këtë tani duke thënë po ose jo. E ritheksoj, janë disa kritere, ne kemi parë progres e shpresojmë që ky progres të vazhdojë me kriteret e tjera. Ne do ta shohim këtë si një foto e plotë në kohën e duhur, duke u konsultuar me miqtë tanë në BE dhe shpresoj të mbërrijmë në një përfundim të arsyeshëm. Do të ishte e parakohshme të spekuloja sot se cili do të jetë vendimi”, – u shpreh zoti Hoffmann.

Ekonomia

Helmut Hoffmann deklaroi gjithashtu se Gjermania është e shqetësuar nga kriza e borxhit dhe kërkoi nga qeveria e re të bëjë kujdes me borxhin dhe të ruajë parametrat fiskalë. Kjo sipas tij është edhe një prej sfidave të qeverisë së re që do të nisë punën në shtator. “Mendoj se duhet përmirësuar situata ekonomiko-sociale. Mjafton të ecësh në rrugët e Tiranës dhe të shikosh diferencat. Nga njëra anë, unë si një diplomat gjerman jam i lumtur të shikoj shumëllojshmëri markash të makinave gjermane, por në një njëjtën kohë kam vënë re se ka varfëri. Përfshirja e qeverisë së re në ndryshimin e kësaj situate është e rëndësishme. Një tjetër aspekt lidhet me stabilitetin fiskal dhe kjo nuk është e lehtë pasi të gjitha reformat duhet të zhvillohen nën kushte të rrepta të situatës buxhetore. Ne jemi të vetëdijshëm se situata me buxhetin nuk është një çështje e lehtë. Mendoj se është e rëndësishme të treguarit e një kujdesi të veçantë për disiplinën financiare dhe buxhetore. Në këndvështrimin tim, nuk duhet lënë pas edhe bashkëpunimi rajonal ndërtuar mbi politika konstruktive dhe këtu Shqipëria mund të luaj një rol të rëndësishëm. Një tjetër sfidë e madhe për qeverinë e re do të jetë Bashkimi Evropian, thënë më thjeshtë plotësimi kritereve të vendosura siç njihen 12 prioritetet. Disa prej tyre kanë pasur zhvillim tejet pozitiv, një prej tyre zgjedhjet, por mbetet të tjera të paplotësuara. Merr një rëndësi parësore që vendi juaj t’i tregojë shteteve anëtare të BE-së, Brukselit se qeveria juaj është e vendosur të realizojë progres në këtë drejtim”, – nënvizoi ai. Ambasadori u shpreh se bizneset gjermane janë të interesuar të investojnë në vend, por për këtë kërkoi krijimin e kushteve të përshtatshme dhe një shtet ligjor. “Krijimi dhe ndërtimi i një klime të favorshme për të zhvilluar biznes në Shqipëri është një tjetër aspekt me interes për ne. Komuniteti gjerman i biznesit ka interes të operojë në Ballkan, e në Shqipëri, por duhen kushtet e përshtatshme prandaj shteti ligjor është i rëndësishëm”, – tha Hoffmann. Ndërsa ai përcaktoi se marrëdhëniet e Shqipërisë me Gjermaninë janë në një stad të shkëlqyer ai pohoi se disa nga prioritete gjatë mandatit të tij do të jenë lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, transparenca apo stabiliteti demokratik. Gjermania kërkon konsensus në qeverisjen e re, dhe vlerëson maksimalisht zgjedhjet e mbajtura në 23 qershor në Shqipëri dhe kalimin në mënyrë tejet të qetë të pushtetit.



             Aksioni

Policia Bashkiake, thirrje për lirimin e hapësirave publike

 

Policia Bashkiake e kryeqytetit ka vijuar ditën e djeshme aksionin për lirimin e hapësirave publike, në një tjetër zonë. Aksioni u zhvillua në zonën pranë stadiumit “Dinamo”, në njësinë bashkiake nr. 5, ku hapësirat publike ishin zaptuar nga automjete me tabelë shitje, dukuri e cila bie ndesh me ligjin dhe me thirrjet e herëpashershme që Policia Bashkiake u ka drejtuar qytetarëve dhe subjekteve. Inspektori përgjegjës për qarkullimin, në Policinë Bashkiake, zoti Admir Musaj duke apeluar për të gjithë qytetarët u shpreh se aksioni do të jetë në vijim e sipër dhe për këtë arsye të gjithë duhet të bashkëpunojnë për të mos pasur konflikte mes punonjësve dhe qytetarëve të bashkisë. “Në kuadrin e një plani masash të ndërmarrë nga Policia Bashkiake, jemi sot (dje) këtu pranë stadiumit “Dinamo”, për të liruar këto hapësira publike të zëna nga këto makina që kanë krijuar një treg të paligjshëm. Ky aksion do vijojë gjatë gjithë kohës, deri në eliminimin e plotë të këtyre mjeteve. Jo vetëm këtu, por në çdo rrugë të Tiranës po evidentohen makina me “tabelë shitje” që zaptojnë hapësirat publike, parkingje që janë të nevojshëm për qytetarë të tjerë. Siç e patë edhe ju, ky vend para 10 minutash ishte i mbushur plot me makina, aktualisht nuk ka asnjë makinë, do jetë nën mbikëqyrjen tonë gjatë gjithë kohës, sot (dje) e në vazhdim, jo vetëm kjo por çdo pjesë e këtyre (le të themi) tregjeve të paligjshme apo parkimeve të zëna në çdo rrugë të Tiranës”, – deklaroi Musaj. Policia Bashkiake do të vijojë çdo ditë punën, për lirimin e të gjithë hapësirave publike të kryeqytetit, hapësira të cilat u përkasin qytetarëve të Tiranës dhe jo individëve apo subjekteve të veçanta. Po ashtu, subjektet të cilët shkelin ligjin dhe zaptojnë hapësirat publike do të përballen me sanksione, nga gjoba deri në konfiskim të automjeteve”, – përfundoi inspektori Admir Musaj.

 

Deklarata

Azizaj: PS, pak gjasa për të anuluar vendimet e qeverisë

Të majtët çdo ditë me deklaratat e tyre kanë deklaruar se do të anulojnë vendimet e qeverisë Berisha për shkak se ato bien ndesh me programin e tyre dhe sipas tyre nuk janë të ligjshme, pavarësisht se Kryeministri i ka kthyer Ministrisë së Shëndetësisë ligjin për sigurimet shëndetësore, duke qenë se ai nuk shkon paralelisht me nismën e PS-së për të ofruar shërbim falas për qytetarët shqiptarë. Megjithatë ka një afat kohor që PS-ja do të duhet ta zbatojë për të arritur synimin e saj. Kështu juristi Sokol Hazizaj shpjegon procedurën që mund të ndjekë mazhoranca e re. Sipas procedurës PS-ja ka shumë pak gjasa që të ketë mundësi që të arrijë një anulim të këtyre vendimeve. Kështu qeveria e re ka 1 muaj kohë për të zhbërë vendimet që konsideron abuzive të kabinetit në ikje. Sipas juristit Sokol Hazizaj, ky afat fillon që pas publikimit të vendimit, por në kushtet kur parlamenti i ri nis punën në 9 shtator, koha mund të jetë e pamjaftueshme për qeverinë Rama që të veprojë. Një tjetër formë për t’i kundërshtuar këto vendimmarrje është dhe gjyqësore nga palët e prekura, por që zgjat më shumë.”Brenda një muaji nga marrja në dijeni e kujtdo lloj subjekti mbi një proces të shtrembëruar ligjor të ankandit apo të ankandit mbi pronën publike i cili e kundërshton brenda të njëjtit institucion që prodhon aktin administrativ, pra Këshilli i Ministrave, dhe rruga e dytë është rruga gjyqësore”, – tha Sokol Hazizaj. Vendimet për shitjen e pronave publike, të mara masivisht nga qeveria në ikje, para se të miratohen në kabinet, duhet më parë të marrin miratimin e disa institucioneve të tjera në varësi të ministrive. Në qoftë se vërtetohet se vetëm njëri prej titullarëve të këtyre institucioneve ka refuzuar të firmosë, vendimi quhet automatikisht i pavlefshëm.”Çdo njëri prej institucioneve apo ata që prodhojnë aktin administrativ në raport me pronën publike që po shitet mund të marrë nesër nëse është brenda afateve kohore, procedurale dhe administrative, iniciativën për revokimin e aktit administrativ të prodhuar tashmë. Mjafton të konstatojë që në aktin administrativ të prodhuar nga secila ministri apo dhe qeveria gjithashtu ka cene ligjorë”, – u shpreh Sokol Hazizaj. Një ndër vendimet më të sulmuara të kabinetit Berisha, është ai i mbledhjes së fundit, për shndërrimin e shtëpisë qendrore të ushtrisë në seli të Partisë Demokratike.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency