Dhunë ndaj gruas sa herë pi, kërcënimi: Shko dil prostitutë dhe puno

0
262

Dhunë ndaj gruas sa herë pi, kërcënimi: Shko dil prostitutë dhe puno

Gjykata e lë në burg për “Dhunë në familje” dhe “Armëmbajtje pa leje”, gruaja tërhiqet nga urdhri i mbrojtjes

Sonja Caka

 

dhuna-ndaj-grave-300x199“Shko dil prostitutë dhe puno” dhe më pas e ka dhunuar derisa gruaja ka gjetur forcë për t’i telefonuar policisë dhe për të kërkuar ndihmë. Me këto fjalë i është drejtuar burri gruas, ndërsa e rrihte pa pushim, ndërsa dje gruaja i është drejtuar gjykatës me një kërkesë për ta pushuar kërkesën e saj për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes ndaj të shoqit. Tërheqja e gruas u mor parasysh nga gjyqtarja e gatshme, e cila shqyrtonte dje masat e sigurisë dhe paditë për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, ndërsa më herët po e njëjta gjyqtare e kishte lënë në burg shtetasin Gëzim Sefa, i akuzuar për veprat penale “Armëmbajtje pa leje” dhe “Dhunë në familje”. Policia e kryeqytetit ka vënë në pranga tri ditë më parë 46-vjeçarin Sefa, pasi akuzohet se ka dhunuar gruan. Por, ndërsa bëhej ndalimi i tij dhe iu ushtrua kontroll në banesë, shtetasit Gëzim Sefa iu gjetën edhe municione dhe eksploziv pa leje. Fillimisht, sipas policisë, arrestimi i tij u bë, sepse ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj bashkëshortes së tij me inicialet R. Sefa, 45 vjeçe. Gjatë kontrollit të kryer në banesën e Sefës, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 102 fishekë luftarakë të kalibrit 7.62 mm model 54, 1 krehër pistolete “TT”, 4 fishekë arme gjahu të kalibrit 12 mm, 14 kallëpe lënde plasëse tritol, 2 çanta ushtarake me kundërgaz, vegla pastrimi dhe për vaisje të armëve.

Reagimi

Me lot në sy, 45-vjeçarja R. Sefa u paraqit dje para gjykatës për t’u shqyrtuar kërkesa e saj për urdhër mbrojtjeje, për shkak të dhunës sistematike që i shoqi ushtronte ndaj saj. Por, gruaja ka vendosur dje të tërhiqet nga kërkesa e saj, duke argumentuar se burrin e kishte të mirë, por kur pinte shndërrohej. “Kemi 18 vite martesë, kemi edhe tri fëmijë së bashku. Por, im shoq shndërrohet vetëm kur konsumon alkool pasi kur nuk pi nuk ka si ai, si për mua si grua, ashtu dhe për fëmijët”, – tregon 45-vjeçarja, ndërsa pyetjes sesa kohë kishte i shoqi që pine dhe e dhunonte u shpreh se “ka rreth 20 vjet që pi. Më dhunon sa herë pi, nuk di ta shpjegoj si ndryshon nga e përditshmja”. Më pas, gruaja hyn në sallën e gjyqit, ku pas masës së sigurisë të dhënë prej gjykatës, e cila e la në burg 46-vjeçarin për dy akuza, do përballej me kërkesën e dytë, atë të lëshimit të urdhrit të mbrojtjes. Por, pavarësisht tërheqjes së gruas, 46-vjeçari do qëndrojë në burg, për shkak se akuzohet për dy vepra penale si “Armëmbajtja pa leje” dhe “Dhuna në familje”, ku vetëm për të parën me ndryshimet ligjore rrezikon nga 7 deri në 15 vite burg.

Kërkesat

Gjyqtarja Teuta Hoxha shqyrtoi dje katër kërkesa për urdhër mbrojtjeje nga femra që kanë denoncuar dhunën. Dy prej tyre rriheshin nga bashkëshortët sa herë që ata konsumonin alkool. E treta sepse ishte kthyer vonë në shtëpi, ndërsa një tjetër sepse vajza e saj 16-vjeçare pinte duhan dhe ndiqte modën. Sipas njërës prej grave të dhunuara, ka qenë adoleshentja që në dhunë e sipër ka njoftuar policinë e pikërisht në këtë çast ndaj të dyja femrave është ushtruar dhunë jo vetëm nga kryefamiljari, por edhe një i afërm tjetër që kishte ardhur për të qetësuar situatën. Por, ndërsa gruaja është larguar nga shtëpia bashkë me të bijën 16-vjeçare, kryefamiljari i konsideron këto momente të dhunshme, thjesht një shuplakë. “Unë e kam qëlluar si të tërë, një shpullë turinjve. Unë vetëm një herë e kam qëlluar”, – tha burri në sallë, ndërsa i justifikonte këto reagime me sjelljet e gruas dhe vajzës. Çifti ka 18 vjet martuar dhe prej gjashtë vitesh kanë ardhur nga Përmeti për të jetuar në Tiranë. Por, ushtrimin e dhunës, bashkëshorti e justifikonte me disa veprime të dyshimta sipas tij të së shoqes. “A ndodh që gruaja të flejë gjithë natën jashtë dhe burri të mos dijë ku ajo ka qenë, apo të vijë netëve tapë prej alkoolit?”, – pyeste i shoqi, ndërsa gruaja pranonte faktet, por argumentonte se “e kishte zënë gjumi në shtëpinë ku punonte dhe nuk arriti dot të telefononte apo dhe se kishte pirë me mbesën e saj”. Megjithatë, në fund çifti doli në një përfundim, ata do takoheshin sërish në dyert e gjykatës, por kësaj radhe për procedurat e divorcit.

 

Vlorë

Thirrjet antishqiptare në Himarë, policia nis hetimet

Tri ditë pas thirrjeve antishqiptare në Himarë, reagon më në fund policia e Vlorës. Përmes një komunikate për shtyp, bëri të ditur se ka kryer të gjithë veprimet procedurale dhe materialet në ngarkim të disa shtetasve shqiptarë e grekë ia ka kaluar prokurorisë së Vlorës. Policia e Vlorës thekson se në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes së para tri ditëve në Himarë, me rastin e 3-vjetorit së vdekjes se Aristotel Gumës, i mbetur i vrarë në një aksident automobilistik. “Në lidhje me ngjarjen e datës 11.08.2013 në qytetin e Himarës, ku gjatë përkujtimores (3-vjetori i vdekjes) të shtetasit Aristotel Guma, nga disa persona te pranishëm ne këtë përkujtimore, shtetas shqiptar dhe grek, janë bërë thirrje për urrejtje nacionale ju bëjmë me dije se nga ana e strukturave te Drejtorisë Policisë Qarku Vlore janë kryer të gjitha veprimet e para procedurale dhe materialet janë dërguar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësore Vlorë në ngarkim të disa shtetasve shqiptare dhe grek për veprën penale “Thirrje për urrejtje nacionale” parashikuar nga neni 266 e 25 i Kodit Penal. Drejtoria e Policisë Qarkut Vlore ne bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësore Vlore po punojnë për dokumentimin e plote te kësaj ngjarje”, – thekson drejtoria e Policisë së Vlorës në njoftimin për shtyp. Po kështu Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë theksoi se është e vendosur të luftojë kriminalitetin anë e kënd territorit të vet në të gjitha format e tij dhe fton të gjithë qytetarët e Vlorës të vazhdojnë të mbështesin policinë, për goditjen e kriminalitetit dhe pasjen e një mjedisi sa më të sigurtë.

 

Malësi e Madhe

Humb jetën aksidentalisht elektricisti 27-vjeçar

Një 27-vjeçar, banues në fshatin Rrapsh, Komuna Kastrat e rrethit Malësi e Madhe, ka humbur jetën aksidentalisht në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Burime zyrtare panë Drejtorisë Policisë Qarku Shkodër bënë me dije se Pjetër Durgaj, me detyrë elektricist në CEZ, ka qenë duke punuar në një kabinë elektrike në fshatin Stare, Komuna Kastrat, e rrethit Malësi e Madhe dhe si pasojë e kontaktit me energjinë elektrike është aksidentuar rëndë. Me gjithë ndihmën e shpejtë të dhënë ndaj tij dhe transportimin e menjëhershëm në Spitalin Rajonal Shkodër, Durgaj, ka humbur jetën gjatë rrugës për në spital. Policia, e mbërritur menjëherë në vendngjarje, ka kryer veprimet hetimore e procedurale dhe materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme.

 

Lezhë

Peshkonte me dinamit në Shëngjin, plagoset 23-vjeçari

Një person ka mbetur i plagosur rëndë, teksa peshkonte në Shëngjin. Sipas burimeve të policisë, i plagosuri është 23-vjeçari Preng Ndoci, i cili mësohet se ka qenë duke peshkuar me dinamit. Pikërisht, shpërthimi i fuqishëm i dinamitit ka shkaktuar plagosjen dhe gjymtimin e tij. Policia sqaron se nga shpërthimi i riu ka humbur dorën dhe njërin sy. Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Rana e Hedhun.

 

Shkodër

I plas predha në dorë, plagoset 23-vjeçari Prenga

Një 23-vjeçar nga Shkodra ka mbetur i plagosur rëndë si pasojë e shpërthimit të një predhe. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Laku i Dardhave, në Komunën Vig Mnelë, ndërsa 23-vjeçari i identifikuar si Gëzim Prenga, po punonte për të përfituar bakër nga një predhë topi e kalibrit 75 mm. Për pasojë predha ka shpërthyer duke i shkaktuar dëmtime të mëdha në trup. Pas ndihmës së parë të dhënë në Spitalin Rajonal Shkodër, ky shtetas është dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Sipas burimeve policore, u kryen veprimet hetimore e procedurale dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency