Bankat harrojnë biznesin privat, investojnë vetëm në bono

0

Ervin Kaduku

Loading...

– Bizneset, kur bankat refuzojnë gjithnjë e më shumë kërkesat e tyre për kredi, kanë filluar të kërkojnë burime alternative financimi informale, që kanë interesa alarmante prej fajdesh, për çka banka qendrore duhet të mbajë qëndrim

 

bank

Teksa kanë frenuar pothuajse tërësisht kredinë, bankat po i investojnë të gjitha paratë e lira në bono thesari. Në ankandin e parë të bonove të thesarit pas uljes së normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë në 3.5%, interesi i bonove të thesarit ka shënuar një ulje të mëtejshme, duke zbritur në 4.87% për bonot 12-mujore, nga 5.11% që ishte interesi mesatar i ponderuar në ankandin e mëparshëm.

Shuma e kërkuar nga institucionet financiare (kryesisht banka) e individët për bonot me afat maturimi 12-mujor ishte 8.6 miliardë lekë, nga 4.2 miliardë lekë që ishte shuma e pranuar, duke çuar në uljen e mëtejshme të interesit.

Për bonot 6-mujore, norma mesatare e interesit zbriti në 4.52%, nga 5.3% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Shuma e kërkuar ishte 5.6 miliardë lekë dhe ajo e pranuar 4.3 miliardë lekë.

Interesi i bonove të thesarit ka shënuar vazhdimisht zbritje gjatë këtij viti me 1.73 pikë përqindjeje në raport me janarin, ku në ankandin e parë të këtij viti, bonot 12-mujore të siguronin një përfitim në masën 6.6%.

Teksa kanë frenuar pothuajse tërësisht kredinë, bankat po i investojnë gjithë paratë e lira në bono thesari. Sipas statistikave të 6-mujorit të parë të Bankës së Shqipërisë, zëri “Veprime me klientët”, që përfshin investimet në huadhënie, është rritur vetëm me 0.1% në fund të 6-mujorit, në raport me fundin e 2012-s, duke arritur në 574 miliardë lekë. Brenda këtij zëri, “Huaja për sektorin privat dhe individët” ka rënë me 0.5%, apo 20 milionë euro, për të njëjtat periudha, ku tkurrjen më të madhe e ka shënuar huaja afatmesme.

Nga ana tjetër, investimet në letrat me vlerë janë rritur ndjeshëm. Zëri i “Veprimeve me letrat me vlerë”, i cili është rritur me 12.3%, apo rreth 230 milionë euro, për të arritur në 288 miliardë lekë.

Sipas raportit më të fundit të Bankës së Shqipërisë lidhur me aktivitetin e kreditimit, individët tani e kanë më lehtë për të marrë kredi nga bankat, ndërkohë që këto të fundit kanë shtrënguar vazhdimisht standardet për bizneset, duke i detyruar të kërkojnë burime alternative financimi. Burime të tilla ndonjëherë janë ato informale, që kanë interesa alarmante prej fajdesh, për çka Banka qendrore duhet të mbajë një qëndrim, të cilin nuk po shihet ta mbajë.

Rezultatet e vrojtimit të aktivitetit kreditues pranë bankave tregojnë se standardet e kredisë për individë u lehtësuan, ndërsa standardet për bizneset vijuan të shtrëngohen gjatë tremujorit të dytë të vitit 2013, sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë dhënë individëve, standardet u lehtësuan si për blerje banese ashtu dhe për kredinë konsumatore. Standardet kredisë për bizneset u shtrënguan për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme por mbetën të pandryshuara për ndërmarrjet e mëdha. Bankat shprehen për shtrëngim të standardeve për kredi me qëllim financimin e kapitalit qarkullues, si dhe për qëllime investimi.

Faktorët me kontributin kryesor në shtrëngimin e standardeve të kredisë për bizneset ishin: problemet specifike të sektorit ku zhvillon aktivitetin ndërmarrja, gjendja e huave me probleme në sistemin bankar dhe situata makroekonomike në vend. Nga ana tjetër, vendimet e Bankës së Shqipërisë dhe gjendja e likuiditetit kanë ndikuar në lehtësimin e standardeve të kredidhënies për bizneset. Konkurrenca në sistemin bankar, niveli aktual ose i pritshëm i likuiditetit të bankës, mjaftueshmëria e kapitalit si dhe vendimet e Bankës së Shqipërisë, përfaqësojnë faktorë me ndikim në kahun lehtësues të standardeve të kredisë për individë. Huatë me probleme, gjendja financiare e individëve dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme kanë vijuar të kontribuojnë në kahun shtrëngues të standardeve të kredidhënies për individët.

Kërkesa për kredi është vlerësuar në rënie për bizneset dhe në rritje për individët. Për bizneset, rënia e kërkesës u vu re në ndërmarrjet e mëdha dhe për kredinë për qëllime investimi. Për individët, për herë të parë që nga tremujori i dytë i vitit 2011, kërkesa ka qenë në rritje, si për kreditë me qëllim blerje banese ashtu dhe për kredinë me qëllim financimin e konsumit.

Faktorët kryesorë që kanë ndikuar negativisht kërkesën për kredi të bizneseve, gjatë tremujorit të parë të vitit 2013, janë situata aktuale dhe e pritshme makroekonomike në vend dhe përdorimi i burimeve alternative të financimit. Nevoja për blerje banese dhe për financim të konsumit, zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme si dhe kushtet e kreditimit të aplikuara nga bankat, kanë ndikuar pozitivisht nivelin e kërkesës për kredi të individëve.

Loading...