Shqipëria me investime të ulta për arsimin parauniversitar

0
129

IMG_2

Në një raport vlerësues që u publikua ditët e fundit nga një grupim organizatash joqeveritare arrihet në përfundimin se Shqipëria zë vendin e fundit në rajon për investimet e arsimimit të fëmijëve. “Koalicioni për Arsimimin e Fëmijëve” një rrjet organizatash joqeveritare nëpërmjet studimit vlerësues kishte si synim kryesor që të “fotografonte” në mënyrë sa më të detajuar gjendjen e arsimit parauniversitar në Shqipëri, që do të thotë sistemin e edukimit të fëmijëve nga cikli parashkollor dhe deri në përfundim të shkollës së mesme.

Studimi, sipas ekspertëve, përfshiu një sërë aspektesh thelbësore që lidhen në rradhë të parë me arsimimin e fëmijëve, pjesëmarrja në arsim, reforma e kurrikulës dhe ndikimin qe ka pasur ajo në përmirësimin ose jo të kushteve të mësimdhënies dhe mësimnxënies, trupa pedagogjike e angazhuar, kualifikimi i mësuesve etj., deri tek tregues të aplikimit të teknologjisë dhe burimet e tjera brenda dhe jashtë orëve të mësimit, informatizimin e shkollave, por dhe investimet konkrete që merr procesi edukativ në këto nivele.

Jo vetëm fokusi i studimit vlerësues ishte i rëndësishëm, por dhe koha e zhvillimit të tij, pasi për organizatorët hulumtimi ndodhi në periudhën e realizimit të reformave në arsimin parauniversitar. Në këtë kontekst studimi kishte për qëllim që të testonte impaktin konkret të procesit të reformave nga autoritetet shqiptare të arsimit.

 

Frekuentimi i shkollës mbetet problematik

Njëri prej anëtarëve të grupit të punës, Altin Hazizaj, nga Qendra Shqiptare për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, CRCA, thotë për DË-në se studimi përfshinte dhe çështjen e braktisjes së shkollës nga fëmijët, gjendja e edukimit të fëmijëve romë, shtresat vunerabël, mënyra e edukimit të fëmijëve me nevoja të veçanta, respektimi i të drejtave të fëmijëve, etj.

“Po ti referohemi të dhënave të përftuara shikojmë se në një kohë që në vendet e rajonit dhe të Bashkimit Europian ndihet një rritje e numrit të nxënësve të moshës shkollore, në vendin tonë shifrat japin tjetër tablo. Psh., niveli i regjistrimit në shkollat fillore është në nivelin 95 – 96 përqind; niveli  i frekuentimit tek parashkollorët luhatet nga 50 deri 54 përqind; fëmijët që kanë arritur deri në klasën e 5-të janë në kuotën 90 përqind, regjistrimi në shkollat e mesme arrin deri në 73 – 75 përqind.. Shikoni, ajo që mund të thuhet nga analiza e gjetjeve është se në vendin tonë numri i fëmijëve që frekuesntojnë shkollën nga një nivel në nivelin tjetër arsimor vjen në ulje, thuajse me 10 përqind në çdo 5 vite”.

Dhe duke ju referuar shifrave të studimit të Koalicionit për Arsimimin e Fëmijëve” rezulton se në klasën e pestë regjistrohen 10 përqind më pak e fëmijëve që kanë nisur shkollën, ndërkohë që në shkollën e mesme regjistrohen rreth 20 përqind më pak e tyre. Kjo përqindje po sipas studimit është më e lartë tek vajzat.

“Ky është një faktor shumë shqetësues pasi do të thotë që afër 20 përqind e popullatës së asaj moshe largohet nga shkolla pa marrë një formim profesional ose të përgjithshëm, gjë që do e bënte integrimin e tyre në tregun e punës shumë të vështirë” – thotë për DË Altin Hazizaj.

 

Investimi në arsim shdërrohet në zhvillim

Problematike rezulton sipas studimit dhe prirja se investimet publike në arsim nga viti në vit kanë ardhur duke u ulur duke mos iu përgjigjur nevojave për zhvillim të arsimit parauniversitar. Duke bërë një krahasim të investimeve në arsim në nivel rajonal dallohet qartë se Shqipëria është në një sërë drejtimesh në fund të listës së vendeve që investojnë seriozisht arsimimin e fëmijëve.

“Ne shpresojmë që qeveria e re që fillon punë në shtator ta trajtojë me seriozitetin që i takon këtë çështje, pasi investimi në arsim përkthehet në zhvillim, më pak varfëri, më pak krime dhe më tepër mirëqënie. Koalicioni sigurisht që do të lobojë me Kuvendin dhe Ministrinë e Arsimit që rritja progresive në investime të fillojë që në muajin janar 2014 e të vijojë kështu përgjatë të gjithë viteve në vijim” – thuhet ndër të tjera në pjesën rekomanduese të studimit vlerësues realizuar nga Koalicioni për Arsimimin e Fëmijëve. vazhdim.

Pjesë e rekomandimeve për përmirësimin e situatës janë dhe rritja e buxhetit të arsimit dhe investimeve në arsim në kuotën e 6 përqind; kapja e objektivit “çdo fëmijë në kopsht”; ulja e nivelit të braktisjes së shkollës; përmirësimi i nivelit të jetesës për familjet e varfra; programe dhe mbështetje për fëmijët në situata vulnerabël etj.

 

Analfabetizmi s’zhduket në vitin 2015

Kanë mbetur edhe dy vjet që Kosova duhet të eliminojë analfabetizmin në vend sipas Deklaratës se Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara.  Për këtë çështje ligjvënësit kosovarë, përmes një rezolute në vitin 2008, kanë miratuar Deklaratën e Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara.

Përmes kësaj rezolute ata janë zotuar se deri në vitin 2015, do t’i përmbushin tetë objektivat e kësaj deklarate, përfshirë edhe analfabetizmin. Sipas ekspertëve të arsimit, kjo objektivë është e paarritshme deri në periudhën e caktuar. Jonuz Salihaj, thotë se autoritetet kompetente duhet të jenë më aktiv në këtë çështje. Pasi tashme ka mbetur kohë e shkurtër për përmbushjen e objektivave, Salihaj konsideron se në këtë fushë duhet të inkuadrohet edhe shoqëria civile.

“Për bindjet e mia, ata duhet të merren shumë më seriozisht sepse një nga objektivat kyçe është edhe zhdukja e plotë e analfabetizmit klasik deri në vitin 2015. Unë besoi se do të jetë një objektivë e paarritshme, pasi sipas regjistrimit të fundit, mbi 50 mijë janë analfabetë klasik”.

“Do të jetë shumë vështirë të arrihet kjo objektivë e mileniumit. Duhet të punohet shumë më shumë, duhet me arsim formal dhe jo formal, duhet të përfshihet edhe shoqëria civile, grupet e  ndryshme që kanë shkallën e analfabetizmit më të lartë, siç është grupi rom, ashkali dhe egjiptas”, thekson Salihaj. Rezultatet përfundimtare të regjistrimit të popullsisë tregojnë se 55 mijë qytetarë të Kosovës janë analfabetë të plotë, që nuk dinë shkrim dhe lexim, derisa analfabetë funksionalë që dinë shkrim dhe lexim, por nuk janë në gjendje ta kuptojnë atë që e shkruajnë, janë 82 mijë 188 persona. Zyrtarë qeveritarë thonë se nuk kanë ndonjë shifër të saktë se sa është shkalla e analfabetizmit, pasi kjo ndryshon, por që pohojnë se kjo dukuri më e shprehur është në zonat rurale dhe te gjinia femërore. Megjithatë, këshilltari politik i ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbër Morina, shprehet se në bazë të përpjekjeve që janë  duke u ndër-marrë në këtë fushë, deri në vitin 2015, mund të zvogëlohet në masë të madhe kjo dukuri.

“Ministria e Arsimit e ka identifikuar qysh moti si problem këtë dukuri negative dhe ka marrë të gjitha masat e nevojshme me të gjitha kapacitetet ekzistuese. Një ndër masat që ka marrë është edhe hartimi i korrikulave dhe botimi i librave për programin shkrim-lexim bazik”.

“Deri tani janë botuar katër libra të quajtura ‘Drita e Jetës’. Gjithashtu, MASHT, ka hartuar edhe plan programet për arsimin jo formal prej klasës se parë deri në klasën e nëntë”, thotë Morina për Radion Evropa e Lirë. Në anën tjetër, Jonuz Salihaj, nuk është i kënaqur me punët në terren sa i përket eliminimit të analfabetizmit. Ai thotë se prioritetet i qeverisë mbeten bisedimet që po zhvillohen në mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar.

“Krejt energjia e Qeverisë së Kosovës tashmë është përqendruar në bisedimet me Serbinë dhe eventualisht në zbatimin e atyre marrëveshjeve që kanë prioritet të plotë. Kurse, këto çështjet tjera, edhe pse kemi edhe ligjin në fuqi, janë lënë pas dore, janë lënë nën hijen e këtyre bisedimeve dhe asaj rezolutës së famshme”.

“Kështu që do të jetë shumë vështirë ne të merremi me detyrat e shtëpisë. Kjo është një nga detyrat e shtëpisë që është më prioritet, por sipas të gjitha gjasave qeveria ka punë më të ‘mençura’, sipas saj natyrisht”, thotë Salihaj. Por, një gjë e tillë mohohet nga Arbër Morina.

“Jo, Ministria e Arsimit e ka agjendën, e ka dinamikën e vetë të punës, nuk ka ndikuar në këtë. Ministria e Arsimit nuk është ndalur së punuari jo vetëm në këtë drejtim por edhe në drejtimet tjera”. Në vitin 1981 Kosova kishte 17,6 për qind të popullatës analfabete në tërësi. Në vitet e pasluftës në Kosovë, rreth 6 për qind vlerësoheshin të ishin analfabetë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency