Java politikë/ Mbyllen zyrtarisht zgjedhjet dhe dekretohet 9 shtatori si dita parë e Kuvendit të ri, KQZ u kërkon lekët partive

0
134

Florenc Drizari

 

Kuvendi-i-ShqiperiseDitët e nxehta të gushtit edhe pse kanë bërë që një pjesë e politikanëve shqiptar të pushojnë si brenda ashtu edhe jashtë vendit, kjo periudhë nuk shmangu protagonizmin e tyre në media apo deklarata shtypi pranë selitë të tyre partiake. Në fillim të javës ishte Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i cili mori aktin final për zgjedhjet e 23 qeshorit, duke mbyllur përfundimisht këtë proces. Anëtarët e KQZ-së edhe pse me një vendim formal, i dhanë fund një kalvuari që vazhdonte prej disa javësh me procese ankimuese si ne KQZ ashtu edhe në Kolegjin Zgjedhor.

Një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbylli zyrtarisht procesin zgjedhor, Presidenti Bujar Nishani dekretoi datën e hapjes së Kuvendit të hënën e parë të muajit shtator.
“Në mbështetje të nenit 67, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dekretoi mbledhjen e legjislaturës VIII të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ditën e hënë, datë 9 shtator 2013, ora 18:00”, – thuhet në dekretin e kreut të shtetit. Kuvendi i ri do të mblidhet në bazë të rezultateve të dala nga zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit, ku koalicioni i majtë ASHE rezultoi fitues i zgjedhjeve me 83 mandate, ndërsa koalicioni i djathtë mori 57 mandate. Në bazë të rezultateve zgjedhore, Partia Socialiste doli subjekti i parë me 65 mandate dhe kryesocialisti Edi Rama pritet që me konstituimin e Kuvendit, të dorëzojë edhe emrat e kabinetit të tij qeverisës, emra të cilët i ka publikuar në fillim të gushtit.

Pas këtij vendimi ishte KQZ që të premten e kaluar, kërkoi nga partitë politike dorëzimin e një pjese të fondeve të përfituara në fushatë, por që sipas rezultateve të 23 qershorit ato duhet t’i kthenin ato në buxhetin e shtetit.

Nga 65 milionë lekë të marra në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, partitë politike duhet t’i kthejnë shtetit 17.898.689 lekë. KQZ miratoi projektvendimin që detyron ato parti politike që nuk kapën pragun prej 0.5 për qind të votave në rang kombëtar, të kthejnë fondet e përfituara para fushatës zgjedhore. Sipas të dhënave të KQZ-së, PD-ja është partia që ka për të kthyer edhe numrin më të madh të fondeve me rreth 8.461.327 lekë, ndërsa PS-ja duhet të kthejë 8.461.327 lekë. Ndërkaq, LSI-ja duket se është partia më e favorizuar për faktin se ky subjekt zgjedhor nuk përmendet në listën e KQZ-së. Rezultatet pozitive që ky subjekt zgjedhor arriti të merrte në zgjedhjet e 23 qershorit, bën që të mos dorëzojë fonde të marra më parë. Sipas KQZ-së, fondet e përfituara pjesëtohen me numrin e votave të marra nga çdo parti në zgjedhje.

Fondi prej 65 milionë lekësh, i vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit, pjesëtohet me votat e vlefshme të grumbulluara nga këto parti në zgjedhjet e datësh 23 qershor 2013, herësi i dalë shumëzohet me votat e vlefshme për secilën parti. Shifra e dalë përcakton shumën që përfiton kjo parti për zgjedhjet 2013. Nga kjo shumë zbritet fondi i dhënë paradhënie sipas përcaktimeve në nenit 87/3 të Kodit Zgjedhor, gjithashtu në zbatim të pikës katër të këtij neni, për tri parti politike do të zbriten sanksionet administrative që janë bërë titull ekzekutiv, të vëna për partinë përkatëse në zbatim të Kodit Zgjedhor.

Gjithashtu Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi me katër vota pro projektvendimin “Për regjistrimin si subjekt zgjedhor të Partisë “Partia Kristian-Demokrate”, “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Komunës Dardhas, Qarku Korçë dhe Komunës Rrethinat, Qarku Shkodër, të datës 1.9.2013”.

 

 

 “Zgjedhjet në Shqipëri”, Philip Reeker: Të suksesshme dhe me standarde, vendi më afër statusit

Mesazhi i SHBA-së për qeverinë e re: Luftë krimit e korrupsionit, reforma për integrimin

Zgjedhjet e 23 qershorit u cilësuan si të suksesshme nga klasa politike shqiptare dhe faktorët e tjerë që morën pjesë në proces. Zëvendësndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, i cilësoi ato brenda standardeve, ndërsa qëndrimi i zyrtarit të lartë amerikan vjen pak ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përfundoi procesin zgjedhor të 23 qershorit, duke shpallur rezultatet në bazë të ndarjes së mandateve të miratuara nga Kolegji Zgjedhor.

Deklarata e Philip Reeker-it u bë gjatë një video-konference nga Nju Jorku, kushtuar angazhimit amerikan në Ballkan, siç shkruan “Zëri i Amerikës”, ku ndër të tjera ai ka përshëndetur sjelljen e aktorëve politikë, duke thënë se ky ishte shembulli i një procesi demokratik në rajon.

“Dua të theksoj se zgjedhjet e qershorit përbëjnë një nga arritjet më të rëndësishme në evolucionin demokratik të Shqipërisë si dhe një provë të rëndësishme, ndërsa Shqipëria i afrohet statusit të kandidatit në BE. Kolegët e mi evropianë e kishin bërë të qartë se të gjithë do t’i ndiqnin nga afër këto zgjedhje. Mendoj se Shqipëria u bashkua me disa vende të tjera të rajonit, që gjatë vitit të fundit kanë zhvilluar zgjedhje të suksesshme në përputhje me standardet. Dua të theksoj gjithashtu se puna e vështirë për ndërtimin e demokracisë nuk përfundon me numërimin e votave dhe shpalljen e fituesve. Ne jemi të kënaqur që përpjekjet për formimin e qeverisë së re duket se po vazhdojnë normalisht. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin dhe të inkurajojnë qeverinë e re të veprojë në bazë të mandatit të fuqishëm, që ajo siguroi nga votuesit dhe të përqendrohet në procesin e kandidatit në BE”, – ka thënë Reeker.

 

 

 

 

 

Rama shpall konkurs për zyrën e deputetit në Vlorë: Kush fut mik, humbet pikë

Ashtu siç kishte premtuar para zgjedhjeve, Edi Rama deklaron ngritjen e zyrës së deputetit në qytetin e Vlorës, zonë në të cilën ai u zgjodh për herë të parë si deputet i Kuvendit të Shqipërisë në bazë të rezultateve të dala nga zgjedhjet e 23 qershorit. Kryetari i Partisë Socialiste, përmes faqes së tij zyrtare në rrjetin social Facebook, njoftoi hapjen e një konkursi për të përzgjedhur stafin.

Sipas Ramës kjo zyrë nuk do t’u mbivendoset zyrave të shtetit dhe nuk do të trajtojë çështje të kompetencës së shtetit por ajo do të funksionojë si urë lidhëse mes qytetarëve dhe përfaqësuesit të tyre.

“Me dëshirën që t’u gjendem pranë qytetarëve të Vlorës dhe synimin që të jem në kontakt të pandërprerë me ta, do të hap në shtator siç e kam premtuar Zyrën e Deputetit në Vlorë. Kjo zyrë do të jetë e hapur çdo ditë dhe do të mirëpresë çdo qytetar e qytetare që dëshiron të ndajë me mua opinionet, shqetësimet, dëshirat për mbarëvajtjen e jetës ekonomike e sociale në Vlorën tonë të dashur. E unë dua të dëgjoj e të mësoj gjithçka është e mundur prej tyre, për të ndikuar sa më mirë në ecurinë procesit legjislativ dhe qeverisës në nivelin qendror po edhe vendor”, – shkruan Rama.

Me publikimin e tij, Rama duket se po mban një premtim të dhënë kohë më parë, atë të hapjes së zyrave për çdo deputet në qarqet ku janë zgjedhor. Për ta realizuar sa më mirë qëllimin e përfaqësimit me dinjitetin më të lartë të interesave të Vlorës e të komunitetit të qytetarëve të saj, Rama shprehet se ka nevojë për një skuadër të vogël njerëzish të përkushtuar të cilët dëshirojnë të punojnë në zyrën e tij në Vlorë. Gjithashtu kryesocialisti nënvizon se kandidatët do të përzgjidhen në bazë të cilësive dhe meritave, ndërsa thotë se ata që tentojnë të fusin miq për një vend pune në këtë zyrë, do të penalizohen.

 

 Diplomacia, Rama mbyll turin në Turqi e Greqi, Basha i quan lëvizje çoroditëse

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, mbylli një tur takimesh në vendet fqinj, Turqi dhe Greqi, duke e ngritur shtetin Turk në partner strategjik për Shqipërinë. Ndërkohë kryetari i ri i Partisë Demokratike kritikoi për herë të parë politikën e jashtme të Ramës.

Lulzim Basha, në cilësinë e kryetarit të Partisë Demokratike, ka reaguar në lidhje me politikën që do të ndjekë mazhoranca socialiste, kur ajo të vijë në pushtet, me diplomacinë. Për z. Basha, takimet e Ramës mund të quhen si çoroditëse për perceptimin ndërkombëtar të vendit. “Vendosja publike e një rendi të rëndësisë strategjike midis fqinjëve është çoroditëse për perceptimin ndërkombëtar të vendit”, – shkruan Basha. Ai shprehet se politika e jashtme dhe diplomacia në vendet demokratike nuk mund të përdoren as për kapital politik dhe as si instrumente të propagandës politike. Sipas kryetarit të demokratëve, integrimi evropian dhe politika e jashtme duhet që të udhëhiqen nga parime të tilla si maturia dhe vazhdimësia. “Kujdes! Politika e jashtme dhe institucionet e sigurisë kombëtare nuk janë në vendet demokratike instrumente të propagandës dhe kapitalit politik.

Politika e jashtme dhe integrimi evropian i Shqipërisë duhet të udhëhiqen nga racionaliteti, maturia dhe vazhdimësia. Trajtimet emocionale, amatorizmi dhe etja për t’u dukur janë të dëmshme për interesat e vendit”, – ka përfunduar reagimin e tij Lulzim Basha.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency