Arabia Saudite përpjekje për të larguar Assadin

0
120

bashar-al-assad-hang-the-bastardNuk është më sekret se Arabia Saudite dëshiron që ta rrëzojë nga pushteti presidentin sirian, Bashar al-Assad. Por, se sa është i gatshëm Riadi që të përdorë paranë që ka, për ta arritur këtë qëllim, mund të befasoj shumëkënd. Një prej masave ishte takimi javës së shkuar më 31 korrik në Moskë, ndërmjet të shefit të Inteligjencës saudite, Princit Bandan bin Sultan dhe presidentit rus, Vlladimir Putin. Detajet e këtij takimi mbeten ende të paditura zyrtarisht, mirëpo një burim opozitar sirian, i afërt me sauditët, thotë se princi ka ofruar hiq më pak se një marrëveshje prej 15 miliardë dollarësh për të blerë armatim rus, nëse Moska pajtohet që të zbusë përkrahjen e vet për Assadin, dhe të ndalë së bllokuari rezolutën për Sirinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Njëkohësisht, princi thuhet se ka garantuar që asnjë shtet nga Gjiri nuk do të transportojë gaz natyror përmes Gadishullit Arabik, që do të paraqiste një sfidë për pozitën e Rusisë, si furnizuesi kryesor i gazit në Evropë.

Por, si duket Moska nuk ishte aq e interesuar, pasi Kremlini bëri të ditur të premten se raportimet e mediave për këtë ofertë të majme saudite, janë të pavërteta.

Këshilltari për Punë të Jashtme i presidentit rus, Yuri Ushakov, iu tha gazetarëve se “Putini nuk ka diskutuar për këtë marrëveshje”, duke shtuar se, “asnjë çështje specifike për zhvillimin e një bashkëpunimi ushtarak nuk është shtruar” në këtë takim, i cili, sipas tij, ishte më shumë i një “karakteri filozofik”.

Megjithatë, u shtjellua apo jo në detaje kjo ofertë, vizita e shefit të Shërbimeve të Inteligjencës të Arabisë Saudite, nuk lë dyshime se konfliktin e Sirisë e ka vendosur si prioritet të politikës së saj të jashtme.Volker Perthes, nga Instituti gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë në Berlin, thotë: “Që nga qershori, dhe korriku i këtij viti, ata (sauditët) kryesojnë me financimin e opozitës siriane dhe në një mënyrë edhe vendosin se kush do të jetë në krye të opozitës siriane, duke dërguar shumë e më shumë para për blerje të armëve, dhe besa edhe valixhe me para për opozitën siriane. Përveç kësaj bujarie, ajo është bërë shumë aktive në planin diplomatik, si në Perëndim ashtu edhe në Rusi”. Ajo që po e drejton këtë politikë saudite, sipas Perthes është frika.

“Ajo ka frikë, me sa duket se Irani mund të fitojë, ose që Irani të vendosë hegjemoni në Lindjen e Mesme dhe në Levant, që të lidhë përmes tokës urën që çon nga Irani përmes Irakut dhe Sirisë me Libinë. Frikësohet se Hezbollahu mund të fitojë në Libi në raport me sunnitët, të cilët Arabia Saudite i përkrah me vjet, dhe ka frikë se Assadi mund të fitojë luftën, ose që nëse opozita fiton, të mos jetë ajo opozitë që e përkrah ajo”, vlerëson ai. Por, Riadi ka edhe brengë tjetër, përpos këtyre. Është edhe rreziku se konflikti në Siri do të destabilizojë Jordaninë, ku mbreti Abdullahu i II-të,  vazhdon të përballet me lëvizje të shtuara opozitare, në kohën kur ky shtet po mundohet të përballojë fluksin e qindra mijëra refugjatëve sirianë.

Theodore Karasik nga Instituti i Dubait për Lindjen e Afërt dhe Analizat Ushtarake për Gjirin, shprehet: “Nëse Mbretëria e Jordanisë duket të jetë në telashe, atëherë sauditët me vrap do ta mbronin, ashtu siç sauditët vepruan për rastin e Bahreinit. Nga këndvështrimi i tyre, rënia e monarkisë do të ishte një katastrofë e madhe, me pasoja e degëzime të shtuara gjeopolitike për monarkitë e tjera”. Mbi të gjitha këto telashe, është edhe problemi që po e shtyn dalëngadalë konfliktin në Siri në një luftë sektare, pasi ekstremistë nga shtetet fqinje po përfshihen vullnetarisht “në luftën e shenjtë”, e që sipas Karasikut, rrezikon që të përshkallëzojë në mbarë rajonin.  “Këto grupe, të cilat kanë lidhje me Al-Qaeda dhe ato grupe që lidhen me to, që përkrahen nga Irani dhe Hezbollahu, kanë po ashtu përballje të dhunshme me njëra-tjetrën, pra kjo luftë në Siri nuk po bëhet vetëm nga shteti dhe kryengritësit, por edhe ndërmjet nivelit jo-shtetëror dhe grupeve të ndryshme militante”, potencon Karasik.

Riadi përballet me dy rreziqe nga militantët saudit, të cilët një ditë do të kthehet nga Siria.

I pari është që luftëtarët sunitë pas kthimit mund të përforcojnë luftën që Al-Qaeda i ka shpallur familjes mbretërore. Rreziku i dytë është se, po ashtu, luftëtarët e komunitetit të shiitëve mund të radikalizojnë edhe më shumë pakicën e tyre që historikisht është nënvlerësuar në këtë shtet të pasur me naftë. Në kohën kur Arabia Saudite po merr përsipër rolin e udhëheqësit që mbështet kryengritësit sirianë, vazhdon të mbetet e panjohur se sa sheh vend ajo për kompromis me fuqitë e tjera botërore, që kanë hise në këtë konflikt.

Konflikti në Siri, që nisi me demonstratat kundër Bashar al-Assadit në mars të vitit 2011, sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara, ka marrë jetën e mbi 100,000 njerëzve, ndërsa mbi 2 milionë banorë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

 

SHBA: “Armiqtë e Islamit” sulmuan Irakun

Radio Evropa e Lirë

Uashingtoni ka dënuar autorët e shpërthimeve të së shtunës në Irak, duke i cilësuar si “armiq të Islamit”.  Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se “bombardimet që kanë bërë kërdinë nëpër kafene dhe tregje të mbushura me njerëz, kanë qenë sulme frikacake ndaj familjeve që kanë festuar Fitër Bajramin”.

Zyrtarët irakianë thonë se së paku 69 njerëz kanë humbur jetën të shtunën, vetëm disa javë pas sulmeve të Al Kaidës në burgjet pranë Bagdadit, të cilat kanë çuar në lirimin e qindra militantëve.

Së paku 57 të vrarë dhe qindra të plagosur janë regjistruar vetëm në Bagdad. Burimet zyrtare thonë se sulmi më vdekjeprurës ka pasur në shënjestër një treg në periferinë juglindore të Bagdadit, pak para perëndimit të diellit.

Së paku 11 bomba të tjera kanë qëlluar kafene, tregje dhe restorante, kryesisht në lagjet e banuara me shumicë shiite të kryeqytetit. Sulmet kanë ndodhur me gjithë patrullat e shtuara të sigurisë për të mbrojtur qytetarët gjatë kremtes së Bajramit, e cila ka shënuar fundin e Muajit të Shenjtë të Ramazanit. Në qytetin e shenjtë shiitë të Qerbelasë, makinat bombë kanë vrarë të shtunën katër persona dhe kanë plagosur 11 të tjerë. Në Nasiria, janë regjistruar gjashtë njerëz të vrarë dhe 25 të tjerë të plagosur.

Makinat bombë, po ashtu, kanë qëlluar një xhami shiite në qytetin verior të Kirkukut, duke vrarë së paku një person dhe plagosur pesë të tjerë.

Numri i të vrarëve të shtunën është më i larti në një ditë të vetme në Irak, qysh më 20 korrik kur sulmet në burgjet pranë Bagdadit dhe të tjera kanë vrarë 71 persona.

Autoritetet thonë se gjatë muajit të agjërimit këtë vit janë vrarë 670 njerëz, duke e bërë atë Ramazanin më të përgjakshëm në Irak qysh në vitin 2007, kur dhuna sektare ka qenë në kulmin e saj. Shifrat e publikuara së fundmi nga Qeveria irakiane kanë treguar se numri i të vrarëve në korrik ka arritur në afro 1,000.

Uashingtoni ka përsëritur ofertën e tij për shpërblim prej 10 milionë dollarësh për kapjen e udhëheqësit të Al Kaidës në Irak, Abu Bakr al-Baghdadi. Ai besohet se fshihet në Siri dhe fajësohet për orkestrimin e disa sulmeve terroriste në Irak qysh në vitin 2011.

Ato përfshijnë sulmin e fundit në burgun Abu Gharib, një sulm vetëvrasës në Ministrinë e Drejtësisë dhe të tjera kundër forcave të sigurisë së Irakut dhe kundër qytetarëve.

 

Obama pushon marrëdhëniet me Rusinë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se Uashingtoni është duke pushuar dhe rivlerësuar marrëdhëniet me Rusinë, për shkak të, siç është shprehur, të të menduarit të prapambetur të presidentit rus, Vladimir Putin.

Duke folur në Uashington, pas anulimit të takimit të ardhshëm me Putinin në Rusi, Obama u ka thënë gazetarëve se inkurajon homologun e tij të mendojë përpara dhe jo prapa.

Ai ka thënë se është shënuar përparim në marrëdhëniet SHBA-Rusi, derisa Putini ka rimarrë presidencën ruse më 2012. “Është bërë shumë punë e mirë që do të vazhdojë të bëhet. Ajo që është po ashtu e vërtetë, është se kur presidenti Putin, i cili ka qenë kryeministër kur Medvedevi ka qenë president, është kthyer në pushtet, kemi parë një retorikë ruse antiamerikane, e cila është përdorur gjatë Luftës së Ftohtë. Ne inkurajojmë zotin Putin që të mendojë përpara dhe jo prapa”, ka thënë Obama. Ai ka theksuar se tani ka dallime në zhvillim për çështjet si lufta civile në Siri, të drejtat e njeriut dhe legjislacioni antihomoseksual i Rusisë. Moska po ashtu ka zemëruar Uashingtonin duke i siguruar azil të përkohshëm ish-kontraktorit të inteligjencës amerikane, Edward Snowden, i cili kërkohet nga prokurorët e SHBA-së për publikim të sekreteve të sigurisë kombëtare. “Mendoj se ngjarja e fundit është vetëm një më shumë në mesin e dallimeve që kemi parë gjatë muajve të fundit për Sirinë, për çështjen e të drejtave të njeriut. Kjo me siguri e bën të përshtatshme për ne që të bëjmë pushim, të rivlerësojmë se nga do që të shkojë Rusia, cilat janë interesat kryesorë dhe të rikalibrojmë marrëdhëniet. Andaj, do të bëjmë gjëra që janë mirë për Shtetet e Bashkuara dhe me shpresë për Rusinë”, ka thënë presidenti amerikan.

Megjithëse ka thënë se “askush nuk është më i ofenduar”, në lidhje me legjislacionin antihomoseksual në Rusi, Obama ka vlerësuar se nuk është gjëja e duhur për Shtetet e Bashkuara që të bojkotojnë Olimipiadën Dimërore në Soçi, më 2014.

“Ajo çfarë vërtet shpresoj është që disa nga atletët homoseksualë apo lesbike të sjellin në shtëpi medaljen e artë, argjendtë ose bronxtë, e cila mendoj se do të jetë në kundërshtim me qëndrimet që shohim atje”, është shprehur Obama. Ai po ashtu u ka thënë gazetarëve në Uashington se përpjekjet e SHBA-së për mbikëqyrje duhet të jenë “më transparente”. Obama ka bërë të ditur se ka udhëzuar komunitetin e inteligjencës amerikane që të bëjë publike sa më shumë informacione në lidhje me programet e mbikëqyrjes. Presidenti ka thënë se një grup i pavarur do të rishikojë metodat e mbikëqyrjes amerikane për të siguruar se përpjekjet e inteligjencës anti-terrorizëm janë në përputhje me interesat dhe vlerat amerikane. “Të gjithë këta hapa janë të dizajnuar për të siguruar se populli amerikan mund të besojë se përpjekjet tona janë në përputhje me interesat dhe vlerat tona. Dhe, për të gjithë të tjerët në botë, dua ta bëj të qartë edhe një herë se Amerika nuk është e interesuar të spiunojë njerëzit e zakonshëm. Inteligjenca jonë është e përqendruar në gjetjen e informacioneve që janë të nevojshme për të mbrojtur popullin tonë dhe, në shumë raste, aleatët tanë”, ka thënë Obama.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency