Ulen 50 për qind çmimet e shtëpive në bregdet

0
147

Ervin Kaduku

–   “Koha e artë” për të investuar në të patundshme, duke blerë një shtëpi të dytë, por duket se janë pakësuar kreditë e bankave dhe paratë në dispozicion

 

1364987449_Garsonier me qera per pushime ne VloreMund të quhet kohë e artë për të investuar në blerjen e një shtëpie të ëndërruar në bregdet. Fatkeqësisht, kur çmimet e shitjes janë ulur gati 50 për qind, bankat kanë frenuar në një minimum të frikshëm kreditimin, emigrantët po kthehen nga disa vende në krizë, ku kanë konsumuar edhe një pjesë të kurimeve të tyre në vite, ndërkohë që konsumi i brendshëm është ulur në mënyrë të ndjeshme. Sidoqoftë, në treg ka njerëz që kanë potenciale financiare.

Po si është situata këtë vit?

Në një studim të bërë nga revista “Monitor” del se agjentët imobilarë në qytetin e Durrësit kanë konfirmuar se shitblerjet e apartamenteve në zonën e Plazhit, të mbipopulluar me pallate banimi, janë thuajse inekzistente. Shkaku kryesor është mbingopja e tregut me ndërtime, sidomos në zonat bregdetare. Si paradoks, në këtë qytet vijojnë ndërtimet, ndonëse ritmet janë shumë herë më të ulëta.

Ervis Halili, agjent imobilar i “Century 21 Enternal”, i cili po merret me shitjen e disa pronave në Durrës, thotë se mbingopja e ndërtimeve që ka pushtuar bregdetin, ka bërë që oferta të jetë shumë më e madhe se kërkesa. Në kushtet kur apartamenti në bregdet nuk ofron relaks, qetësi, por një “grumbull” pallatesh rreth e rrotull, dhe një plazh të papastër për të kaluar pushimet verore, dhe me muzikën që nuk pushon deri në orët e para të mëngjesit, blerësit po i largohen qytetit më të madh bregdetar.

“Durrësi nuk është më trendi i shtëpive të dyta. Vihet re se ka një kërkesë shumë të ulët për të blerë shtëpi të dyta në këtë zonë dhe nga ana tjetër, një ofertë e madhe që pret”, thotë Ervis Halili.

Sipas tij, kjo po çon në rënien e vazhdueshme të çmimeve dhe shtimin e ndjeshëm të ofertave në treg. “Në raport me disa vite më parë, çmimet janë thuajse përgjysmuar”, thotë z. Halili. Kjo rënie vlen më shumë për çmimet maksimale, që sot nuk janë më të larta se 800 euro/m², ndërsa dy-tre vite më parë ato arrinin deri në 1200 euro/m².

Një apartament sot në Durrës mund të blihet edhe me 400 euro/m², kryesisht në vijën e tretë të plazhit, duke nisur që nga zona pranë Urës së Dajlanit për të vazhduar me Shkëmbin e Kavajës.

Minimumi i çmimeve këtu është 400 euro/m², ndërsa maksimumi mund të arrijë në 700-800 euro/m². Në zonën e Shkëmbit të Kavajës, çmimi mesatar sot është 500 euro/m². Në zonën e Golemit deri në Qerret, çmimet luhaten 450-700 euro/m², pasi fluksi i ndërtimeve atje ka qenë pak më i ulët se në zonat e tjera.

Në tregun e apartamenteve në plazh, rol shumë negativ luajnë emigrantët, të cilët gjithnjë e më shumë nuk po blejnë më në vend. Nëse më parë, mjaft emigrantë blinin një shtëpi për plazh qoftë për periudhën e pushimeve apo për të afërmit e tyre, prej më se dy-tre vitesh, pesha e tyre ka rënë ndjeshëm.

Shitjet kanë qenë shumë të pakta, megjithëse numri i apartamenteve që dalin në shitje sa vjen e rritet. Shtetasit kosovarë kanë pasur interes, por shumë pak prej tyre arrijnë që të finalizojnë një blerje apartamenti.

 

Zona të reja

Tashmë blerësit po i largohen plazhit “tradicional” të Durrësit dhe interesi është spostuar në zona të reja. Një nga më të preferuarat është Gjiri i Lalëzit, ku plazhi është i virgjër dhe ato ndërtime që janë realizuar, janë me plan dhe kanë një organizim të mirë.

“Njerëzit po interesohen për Gjirin e Lalëzit, i cili nuk është prekur nga ndërtimet e shumta dhe ka një plazh shumë të mirë”, thotë Ervis Halili.

Këtu kryesisht janë ngritur rezorte luksoze nga kompani të fuqishme vendase dhe të huaja, të cilat operojnë me çmime më të larta. Çmimet e apartamenteve brenda rezorteve luhaten nga 900-1100 euro/m².

Një tjetër zonë e re në Durrës, e cila shtrihet brenda qytetit, por ka gjithashtu akses të shpejtë në plazh, është ajo e Currilave. Edhe këtu janë ndërtuar disa godina apartamentesh të larta, deri në 10 kate. Sipas agjentëve, kjo zonë operon me çmime mesatare 600-700 euro/m² dhe konsiderohet si një zonë e mirë për të blerë një apartament, qoftë edhe për ta shfrytëzuar si një shtëpi të dytë.

 

DURRËSI

Çmimi minimal-400 euro/m²

Çmimi maksimal-800 euro/m²

Zona me çmime më të ulëta: Shkëmbi i Kavajës

Zona me çmime më të larta: Golem-Qerret

 

VLORA

Çmimi minimal – 500 euro/m²

Çmimi maksimal – 1000 euro/m²

Zona me çmime më të ulëta: Skela, Orikumi

Zona me çmime më të larta: Radhima

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency