Shpejtësia e madhe shkakton dy të vdekur dhe gjashtë të plagosur

0
132

Sonja Caka

Dy viktima janë shënuar në Tropojë dhe te Gjiri i Lalzit, disa të plagosur në Durrës e Bulqizë

 

bluDy të vdekur dhe gjashtë persona të plagosur janë raportuar dje si pasojë e aksidenteve automobilistike. Shkak nga ekspertët rrugorë është përcaktuar shpejtësia tej normave të lejuara. Aksidenti i parë me pasojë vdekjen e një të riu ka ndodhur në Tropojë, ku si pasojë e shpejtësisë tej normave të lejuara, i riu ka rënë në humnerë bashkë me makinën e tij. Ndërkohë që, viktima e dytë është raportuar nga policia se ka ardhur si pasojë e një aksidenti të ndodhur në Gjirin e Lalzit. Për shkak të shpejtësisë me të cilën po udhëtonte, drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një shtyllë, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Përveç këtyre dy aksidenteve me pasojë për jetën, aksidente me disa të plagosur kanë ndodhur edhe në Durrës dhe Bulqizë. Sërish shkak, sipas ekspertëve rrugorë, është raportuar shpejtësia.

Tropojë

Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur rreth orës 10:00 të paradites së djeshme në afërsi të fshatit Babinë, në aksin rrugor Qafë-Morinë – Bajram Curri me pasojë humbjen e jetës së një 24-vjeçari. Burime zyrtare të policisë lokale bëjnë të ditur se ngjarja e rëndë ka ardhur si pasojë e shpejtësisë së madhe. Drejtuesi i autoveturës me targa të BC, Enver Imeraj, udhëtonte i vetëm. Si pasojë e shpejtësisë tej normave të lejuara, ka dalë nga rruga duke u rrokullisur në humnerë e duke humbur jetën. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë të cilat po hetojnë për shkaqet e aksidentit që paraprakisht mendohet se është rrjedhojë e shpejtësisë tej normave të lejuara.

Gjiri i Lalzit

Një tjetër aksident i rëndë me pasojë një të vdekur është shënuar mesditën e djeshme në Gjirin e Lalzit. Sipas policisë, aksidenti ka ndodhur rreth orës 14:00, kur një drejtues automjeti është përplasur me një shtyllë. Nga të dhënat nga vendngjarja bëhet me dije se një makinë tip kamion me targa KR 8703 A është përplasur me një shtyllë betoni pranë kompleksit Maminas – Gjiri i Lalzit. Si pasojë ka gjetur vdekjen shtetasi, Behar Stafuka, 50 vjeç, banues në Nikël. Policia po heton shkaqet e këtij aksidenti të rëndë, ndërsa mësohet paraprakisht se dyshohet se humbja e kontrollit dhe përplasja me shtyllën ka ardhur si pasojë e shpejtësisë.

Durrës

Dy bashkëfshatarë nga Komuna e Katundit të Ri (Durrës) janë aksidentuar rëndë dy net më parë, kur motoçikletat që ata drejtonin janë përplasur për arsye ende të paqarta në një nga rrugët rajonale. Burime zyrtare nga drejtoria e policisë së qarkut, bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 në rrugën pranë fshatit Jubë – Sukth, ku banojnë Gentian Çoku, 28 vjeç dhe Shefki Koka, 45 vjeç, që pas aksidentit janë dërguar në Spitalin Ushtarak të Tiranës me dëmtime serioze në pjesë të ndryshme të trupit. Sipas të njëjtave burime, Çoku dhe Koka drejtonin motoçikleta të së njëjtës markë “Dayang”, njëra me targën AC 861 dhe tjetër pa targa, ishin të papajisura me kaska mbrojtëse dhe janë përplasur në rrethana që vazhdojnë të hetohen.

Bulqizë

Katër persona kanë mbetur të plagosur në një aksident rrugor të regjistruar pasditen e djeshme në Bulqizë. Ngjarja ka ndodhur në Rrugën e Arbrit, ku dy furgona, njëri pasagjerësh dhe tjetri për mallrat, janë përplasur mes tyre në dalje të qytetit. Për shkak të përplasjes së fortë, mësohet së furgoni i pasagjerëve me targa AA 418 FI ka përfunduar në kanal. Ndërkaq, të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt spitalit të Bulqizës, ndërsa mësohet se njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë lokale, të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit, i cili dyshohet se ka ndodhur për shkak të shpejtësisë.

 

 

Tiranë

Përplasje mes shoferëve të furgonëve në Kamëz, plagoset një polic

Disa drejtues furgonësh janë bërë dje shkak i një përplasjeje në Çekrezë të Kamzës, duke bërë që të ndërhynte policia. Oraret apo pasagjerët kanë qenë shkaku i zënkës së tyre, ndërsa nga përplasja fizike mes tyre, një polic ka mbetur i plagosur lehtë. Më pas, shoferët e furgonëve të përfshirë në sherr janë shoqëruar në polici, për të sqaruar gjithçka ndodhi. Sipas policisë, pavarësisht se ishte deklaruar se ka pasur 4 të shtëna me armë, në vendngjarje nuk ka pasur të shtëna me armë. Tashmë pritet që gjashtë shoferët e furgonëve dhe dëshmitarë që kanë parë ngjarjen të japin shpjegime lidhur me zanafillën e këtij sherri.

 

Berat

Zjarr në kurorën e malit të Veternikut, shkrumbohen 30 ha pyje

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë kurorën e malit të Veternikut, pranë Urës Vajgurore në rrethin e Beratit, duke shkrumbuar rreth 30 ha pyje me pisha. Zjarri ka rënë gjatë natës pranë fabrikës së guroreve, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikëset e Kuçovës dhe forca të repartit të ushtarak të xhenios në Poshnje për të neutralizuar flakët. Por, terreni i vështirë ka penguar zjarrfikëset të shuajnë flakët, duke bërë që ata të përdorin mjete rrethanore për shuarjen e tyre. Nuk dihen ende shkaqet e zjarrit, ndërsa vatra vijon të jetë aktive.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency