Struktura e re drejtuese e PD-së, nisin përgatitjet në kampin blu

0
115

Ina Jano

Në shtator, analiza e thellë për humbjen e zgjedhjeve të 23 qershorit

Pas zgjedhjeve do të mblidhet Kuvendi dhe Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike

 

selia-e-pdPas humbjes në zgjedhjet e 23 qershorit Partia Demokratike ka hyrë në një proces ripërtëritjeje, që do të zgjasë në kohë. Në një periudhë njëmujore pas procesit të qershorit, për demokratët u desh që ata të votonin përsëri, por këtë herë për të zgjedhur kreun e partisë së tyre pas dorëheqjes së parevokueshme të liderit të tyre historik, zotit Sali Berisha. Me rezultatin 80 për qind, kundrejt 20 për qind të Sokol Olldashit, tashmë Partia Demokratike ka në krye të saj prej rreth tri javësh kreun e Bashkisë së Tiranës, zotin Lulzim Basha, një figurë e spikatur në listën e ministrave të kabinetit “Berisha”. Edhe gjatë fjalës së tij të parë në krye e selisë blu, por edhe në “porositë” e fundit që Kryeministri në detyrë la për pasardhësin e tij, Basha ka dritën jeshile për të formuar grupin me të cilin do të punojë.

Gushti

Periudha e muajit gusht është konsideruar pushim edhe për selinë blu. Hyrjet dhe daljet në Partinë Demokratike në këto ditë të nxehta vere janë të pakta, për të mos thënë se aktive është vetëm zyra e shtypit, zyrë kjo që herë pas here reagon për zhvillimet në vend. Edhe Astrit Patozi, ish-kreu i grupit parlamentar, duket se nuk është më aktiv për të shkuar në zyrën e tij si një ritual që e ka bërë për vite me radhë, pas kontestimeve që ai pati për procesin e realizimit të zgjedhjeve në PD dhe mbështetjes së tij të hapur në favor të Sokol Olldashit. As zyrat e deputetëve të tjerë nuk janë të frekuentuara nga ligjvënësit demokratë. Të mërkurën në godinën e PD-së u panë vetëm disa prej anëtarëve të rretheve ndërsa nuk pati asnjë lajm zyrtar nëse kishte pasur një takim apo mbledhje të tyre me strukturat qendrore të PD-së. Gjatë ditëve të para të gushtit zoti Basha ka takuar ambasadorin Sequi dhe përfaqësuesin e ODBE-së Wilton në takimet e tij të para zyrtare në krye të Partisë Demokratike.

Shtatori

Shtatori duket se do të jetë muaji i nxehtë për selinë blu. Në këtë muaj që në ditët e para të tij, pritet që të zhvillohet në të gjitha degët analiza e humbjes. Burime zyrtare bëjnë të ditur se në ditët e para të muajit të ardhshëm, në të gjitha degët e selisë blu do të zhvillohet paralelisht analiza e humbjes dhe zgjedhjet për drejtuesit lokalë. Konkretisht, procesi i zgjedhjeve do të përfshijë nga seksionet, grupseksionet dhe deri te krerët e degëve të mëdha. Në shumicën e këtyre degëve, krerëve aktualë u ka përfunduar mandati për shkak se ata janë zgjedhur në muajt e parë të vitit 2009, ndërkohë që edhe ata kryetarë që janë ende me mandat, do të kalojnë në proces votëbesimi, për shkak të humbjes së thellë që mori Partia Demokratike në zgjedhjet e 23 qershorit. Në këtë prizëm, asnjë nga drejtuesit lokalë nuk e ka të sigurt vijimësinë në postin që është duke mbajtur. Të kontaktuar nga “Standard” disa prej krerëve lokalë janë shprehur se ende nuk kanë marrë udhëzime të qarta se si do të realizohet kjo procedurë, megjithatë ditët e fundit të gushtit dhe fillimi i shtatorit do të sjellë më shumë qartësi në këtë drejtim, për të gjithë hapat që do të ndiqen. Shtatori nuk do të shënojë përfundimin e këtij procesi dhe pritet që ai të zgjasë mbi dy muaj dhe me shumë mundësi nëse gjërat shkojnë disa parashikimeve të selisë blu të deritanishme në fund të këtij viti çdo degë do të ketë kryesinë e saj dhe po kryetarin lokal të zgjedhur. Parimi “një anëtar – një votë”, që u përdor për zgjedhjen e kryetarit të PD-së, pritet të shtrihet edhe në degë, ku secili anëtar do të zgjedhë në mënyrë individuale kandidatët e kryesisë dhe jo me një listë kandidatësh të përcaktuar paraprakisht. Njëkohësisht me zgjedhjen e kryetarëve do të zgjidhen edhe delegatët që do të përfaqësojnë degët në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.
Deri më tani duket se qarku i Korçës është më pak i predispozuar për të mos pasur një furtunë në radhët e demokratëve. Ai është një prej qarqeve të vetme ku PD-ja ka ruajtur më mirë numrin e deputetëve nga zgjedhjet e 2009-ës duke humbur vetëm një mandat. Nga 6 për PS dhe 6 për PD në zgjedhjet e 2009, tashmë ky numër ka shkuar 7 me 5 në favor të socialistëve. Pritet që ndryshimet të jenë të ndjeshme edhe për shkak të faktit se drejtuesit e rinj do të jenë mbështetësit e Bashës, një arsye më shumë kjo për të pasur një bashkëpunim më të ngushtë dhe punën e një ekipi për ta sjellë në pushtet të djathtën në zgjedhjet lokale.

Një anëtar – një votë

Për herë të parë në zgjedhjet e mbajtura më 22 korrik në selinë blu pas propozimit të ish-kryetarit të Partisë Demokratike, zotit Sali Berisha, për vënin e në zbatim të parimit “një anëtar – një votë”, edhe zgjedhjet për kryetar të degëve. Pritet që secili anëtar do të zgjedhë në mënyrë individuale kandidatët e Kryesisë dhe jo me një listë kandidatësh të përcaktuar paraprakisht. Njëkohësisht me zgjedhjen e kryetarëve do të zgjidhen edhe delegatët që do të përfaqësojnë degët në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.
Kuvendi Kombëtar

14 dhjetori është dita e fundit e mandatit të Kuvendit. Prej kësaj dite ai nuk mund të mblidhet më. Sipas të gjitha gjasave, Kuvendi i ri Kombëtar mund të mblidhet në muajin janar, kur të kenë përfunduar zgjedhjet në të gjitha degët lokale. Ai do të zgjedhë Këshillin e ri Kombëtar të PD-së, forum prej të cilit rrjedhin edhe strukturat vendimmarrëse të PD-së. Nga ana e tij, Këshilli do të zgjedhë fillimisht Kryesinë e Partisë Demokratike të përbërë nga 25 anëtarë. Më pas ky forum zgjedh me votim të fshehtë dy nënkryetarët e partisë, ku sipas Statutit, njëri prej tyre është edhe kryetar i Grupit Parlamentar, sekretarin e Përgjithshëm dhe sekretarët.

 

Basha: Jam në fazën e konsultimeve për strukturat

Strukturat drejtuese të Partisë Demokratike do të angazhohen në një proces sipas parashikimeve statutore që do të nisë në muajin shtator në të gjithë degët e Partisë Demokratike. Duke iu përgjigjur interesit të medias në lidhje me mbledhjen e kryesisë së re të Partisë Demokratike, kreu i PD-së, Basha, tha para disa ditësh se kanë nisur hapat e parë të përgatitjes për t’i paraprirë një procesi thelbësor të të gjitha strukturave të PD në muajin shtator. Ai tha se aktualisht është duke bërë të gjitha konsultimet e nevojshme në lidhje me strukturën drejtuese të Grupit parlamentar të PD. Basha tha se zgjedhja e strukturave të reja do të bëhet duke u bazuar në parimet që ai vetë ka shpallur gjatë gjithë kësaj kohe, të punës, kontributit, përkushtimit dhe vlerësimit të këtyre tri elementëve për çdo drejtues dhe anëtar të PD.

 – Kur pritet që të mblidhni kryesinë e re të Partisë Demokratike?

Strukturat drejtuese të Partisë Demokratike do të angazhohen në një proces sipas parashikimeve statutore, që do të nisë në muajin shtator në të gjithë degët e Partisë Demokratike. Një proces analize dhe përgatitjet me zgjedhjen e forumeve të degëve dhe që do të çojë në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar dhe zgjedhjen e Këshillit Kombëtar dhe Kryesisë së re, në kohën e parashikuar në statut. Dhe për këtë po bëhen hapat e parë të përgatitjes.

– Zoti Basha, a keni një emër në mendje për kryetarin e grupit parlamentar apo do të prisni të mblidhet Kuvendi që të vendoset si propozim i grupit?

Unë po kryej konsultimet e nevojshme me drejtues, anëtarë të Kryesisë, anëtarë të Grupit të ri parlamentar të Partisë Demokratike dhe në kohën e duhur do të bëhet i njohur edhe vendimi për sa i përket strukturës drejtuese të grupit tonë parlamentar.

 – Si do ta koordinoni, menaxhoni në këtë kohë të mbetur zgjedhjen e strukturave të reja? Do të bashkëpunoni me zyrtarët aktualë dhe drejtuesit në detyrë apo edhe me rivalin tuaj, zotin Olldashi?

Duke u bazuar në parimet që kam shpallur gjatë gjithë kësaj kohe, të punës, kontributit, përkushtimit dhe vlerësimit të këtyre tre elementëve për çdo drejtues dhe anëtar të Partisë Demokratike.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency