Me qindra besimtarë u falën në bulevardin e Tiranës

0
142

Me qindra besimtarë të fesë myslimane dje në orën 6:30 u falën në bulevardin e Tiranës, duke festuar ditën e Fiter Bajrimit, pas një muaji agjërim

 

253832_2432110220300_314689367_n

Ora shënon 00:00 – dy, tre fishekzjarre nuk bëjnë ndonjë zhurmë të madhe, dhe fishkëllima të forta të gomave të makinave që lëvizin gjithnjë në mesnatë në kryeqytet, sikur zgjojnë të saporënët në gjumë. Televizionet nxitojnë të urojnë në minutat e fundit të edicioneve: “Gëzuar Fiter Bajramin”, ndërsa kanë shpjeguar për besimtarët se kur nis falja e tyre dhe zona në kryeqytet ku do shtrohet qilimi i madh, si dhe ndërprerja e qarkullimit të makinave! Kuptohet, pra, se pas një muaji agjërim e lutje dhe kjo anë e botës shqiptare ka kaluar muajin e madhërishëm të Ramazanit në pritje për të ndryshuar diçka brenda tyre.

Rreth orës 02:00 pas mesnate ka nisur shtrimi i qilimave në sheshin qendror të Tiranës, derisa rreth orës 6:23 me qindra besimtarë janë ulur në gjunjë para Zotit, duke u falur për mëshirë, bekim e paqe – qoftë për vete, dhe për shqiptarët. Ceremonia e faljes së Bajramit u bë si çdo vit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në sheshin përpara ish- hotel “Dajti”, herët.

Ndërsa kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ishte i pari ndër besimtarët që ka zënë vend në shesh. “Le të kthehen sakrificat e muajit të Ramazanit në mbarësi për çdo shqiptar. Pas javëve të mundimshme të muajit të Ramazanit sot besimtarët myslimanë festojnë Bajramin. Dua t’u uroj Gëzuar! Sakrifica e agjërimit, lutjet e tyre u kthefshin në mirësi, dritë për çdo besimtar, Shqipërinë e gjithë kombin shqiptar!”, – uroi Basha. Të gjithë politikanët kanë uruar dje gjatë gjithë ditës besimtarët dhe pothuaj të gjithë njësoj: gëzim dhe mëshirë! A thua se Zoti i çon fjalët për veshët e tyre, dhe jo aq të besimtarëve gjunjëthyer.

Ata kanë agjëruar me shpresë! Shpresë për jetën e shpirtit. Kështu thonë disa besimtarë që kanë lënë sheshin pas kohës së lutjes, duke ecur hijeve të rrugëve të kryeqytetit, pothuaj të boshatisur, aty nga mesdita. Nga Zogu i Zi, deri në Rrugën e Kavajës ku ndodhet xhamia pothuaj të gjitha dyqanet e kishin ulur qepenin. Është ditë feste, pushim zyrtar dita e Fiter Bajramit. Ndonëse pa mbërritur te xhamia në Rrugën e Kavajës, dyqanet e bukës dhe ata që shesin rroba të përdorura trotuareve vazhdon të shisnin. Dyqanet e mishit “hallall”, edhe ato ishin hapur dje. Rruga e Kavajës e zbukuruar me flamuj të vegjël shumëngjyrësh tregonte më shumë për një festë të mbaruar. Kurse në xhaminë e zbukuruar me tullumbace atmosfera festive kishte ende gjurmë. Pak burra dilnin nga xhamia, duke uruar njëri-tjetrin në gjuhë të huaj, arabisht mund të ishte. Boshatisja e rrugëve më shumë dukej e temperaturave të larta dhe ta hiqte mendjen se jemi në ditë feste. Kur në qendër të Tiranës një grup i madh turistësh, ndoshta 50 vetë, i rezistonin vapës duke mbetur disa minuta me aparatë fotografikë në dorë, herë në ballë të Xhamisë së Ethem Beut, dhe herë përballë ku syri kapte orën e madhe të Kishës Ortodokse. Asaj të resë. Shumë shpejt, me vrap, pas tyre tre-katër fëmijë lypës të rrugës vërshuan t’i mbërthenin nga mëngët duke u kërkuar para. I lëmë këta vizitorë duke vazhduar rrugën poshtë nga Piramida, për të hyrë në Xhaminë e Ethem Beut. Afër mesditës. S’kishte shumë njerëz. Por të huajt qëndronin në këmbë, dhe ata që shërbenin në xhami, i dalloje nga karta e varur në qafë. Njësoj si ne gazetarët.

Një çift, nuse bashkë me dhëndrin, qëndronin kokulur para hoxhës. Një ritual bekimi nga hoxha për jetën e çiftit që kishin ndarë ditën e martesës si në mbarësi në ditën e Fiter Bajramit. Edhe në rrugë mjaft makina lëshonin boritë, siç e kemi huq të vjetër prej 20 vitesh, kur martohet dikush. Vajza të reja, me gjysmën e trupit të nxjerrë nga dritarja e makinës duke tundur shaminë e kuqe në ajër, si dje, nuk është më gjë e re. Në fakt gjithnjë mendon se u duhet ikur koha dhe këtyre! Po kështu festojnë ende shqiptarët.

Po në Xhaminë e Ethem Beut, myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, veshur me kostum të zi, e këmishë të bardhë rrinte në pritje për t’u intervistuar nga një televizion. Vajza, gazetare, që po përgatisnin improvizimin e studios kishte hedhur shaminë mbi kokë. Për ata që hyjnë për herë të parë aty, pritja është: me heq këpucët, dhe gratë të vendosin shaminë në kokë. Te dera e xhamisë shumë sy kureshtarë ishin bërë grumbull. Ndërsa një burrë te të 50-at qeshte dhe mbështeste bërrylin në parvazin e portës, pasi i kishin thënë të ruante këpucët e nuses. Nusja, siç e thamë, po pagëzohej brenda dhe pozimi i saj para fotografit nuk e neglizhonte as hoxhën, të cilin e vinin në mes.

Një holandez që doli prej aty ishte shend e verë, veshi këpucët dhe mjaft shkurt i tregoi burrit 50-vjeçar se babai i tij kishte qenë mysliman, vinte nga Azia. Kjo ishte arsyeja pse ai e shihte me nostalgji xhaminë dhe pati dëshirën të falej aty dje, në ditën e festës së Bajramit.

Qëndruam ca minuta te pragu i xhamisë, ku nisi të fliste myftiu para kamerës. “Është një ditë e rëndësishme kjo ditë për myslimanët, pasi Fiter Bajrami është një ndër shtyllat më të rëndësishme të fesë islame. Fiter në arabisht do të thotë natyrshmëri, përmes dhënies së një sasie fitri ose vitri në gjuhën popullore. Ne kemi vendosur që për këtë vit 2013, të jetë 3 mijë lekë të vjetra për person. Çdo person që ka agjëruar ose jo duhet të japë këto, para kryerjes së namazit në shesh. Përtej agjërimit dhe sakrificës personale, Zoti kërkon që përkushtimin tonë ta shprehim jo vetëm shpirtërisht, por edhe të lexueshëm e të numërueshëm. Falja e namazit të Ramazanit është shprehje e pritjes së sihariqit që vjen nga Zoti”, – tha Gurra, për televizionin, gazetaren me shaminë e hedhur mbi kokë në këtë intervistë të atypëratyshme.

Prej më shumë se 30 ditësh besimtarët myslimanë kanë agjëruar përgjatë gjithë muajit të Ramazanit, në shenjë respekti dhe adhurimi ndaj Zotit, duke u privuar nga e ngrëna dhe e pira. Por a mjafton kjo para Zotit në ditë agjërimi?!

Re. Ku.

 

Ambasada e SHBA-së: Cili është kujtimi juaj më i bukur nga Bajrami?

Ambasada Amerikane në Tiranë u ka uruar festën e Bajramit myslimanëve shqiptarë dhe njëherësh, ka ngritur një pyetje që të ngacmojë më shumë mendimet e qytetarëve.

Në një postim në profilin e saj zyrtar në FB, ambasada uron “Gëzuar Bajramin të gjithëve!” dhe njëherësh, duke mos e mbyllur me kaq, pyet: “Cili është kujtimi juaj më i bukur nga kjo ditë?”

Pas këtij urimi është dukur qartë edhe vëmendja e qytetarëve, që janë përgjigjur me urime.

 

 

Kërkesa në ditën e Fiter Bajramit, Myftinia e Shkodrës: Feja, lëndë mësimi në shkolla

Në ditën e Fiter Bajramit, myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Syrtari, është shprehur se do të kërkojë edhe nga komunitetet e tjera futjen e edukatës fetare në shkollat publike.

Kjo deklaratë u bë gjate faljes së namazit te Fiter Bajramit në Shkodër, ku besimtarët myslimanë ishin mbledhur në sheshin kryesor të qytetit të Shkodrës. Imam Muhamed Syrtari u shpreh gjithashtu se komuniteti mysliman është më i persekutuari në vend, për sa u përket të drejtave të mohuara. Pas ditës së fundit të agjërimit, besimtarët organizohen të gjithë bashkë për të bërë lutjen e Fiter Bajramit. Pasi kanë kryer ritin e faljes në qendër të qytetit, i cili për myslimanët e metropolit verior është kthyer në një traditë, përfaqësuesit e pushtetit lokal dhe të komuniteteve fetare kanë kryer vizita pranë Myftinisë së Shkodrës.

 

Faik Konica: Ky popull ka nevojë t’i pastrohet zemra!

“Po të më pyeste njeri ç’ndryshim ka në mes të popujve të egër dhe popujve të qytetëruar, edhe po të më lutej të përgjigjem shkurt e mirë, në katër a pesë fjalë me kuptim të plotë, – do t’i thosha: popuj të qytetëruar janë ata që kanë për themel Dekalogun (urdhëra të cilat gjenden edhe në Bibël edhe në Kur’an – I.B.), ose ndonjë kanun që zë vendin e Dekalogut: popuj të egër janë ata që s’njohin asnjë rregull të këtillë… Do të ma presë njeri fjalën dhe do të më thotë: pse në Francë, në Angli, në Amerikë etj., që janë pa dyshim vende të qytetëruara, a nuk ka për ditë vrasje, vjedhje e njëqind të liga të tjera? – Përgjigjem: padyshim ka dhe do të ketë kurdoherë, këtë s’e mohon njeri. Po vëni re një ndryshim me rëndësi shumë të madhe: në vende të shtruara e të qytetëruara krimineli shikohet me sy të keq, si një gjë e fëlliqur dhe e poshtër; secili i ndihmon policisë që ta zërë; edhe në qoftë se shpëton keqbërësi nga të mospaturit mjaft prova, dyshimi që e rrethon arrin për ta ftohur e për ta larguar botën. Po është një vend në faqe të dheut ku katilin e kanë për njeri të nderuar; hapen që t’i bëjnë udhë kur ik, e fshehin nga i vet-thëni gjyq, nëse i teket ndonjë të vetë-thëni polic sikur e kërkon; edhe në daltë ndonjë i ‘mendur për të marrë anën e kanunit/ligjit, e shajnë dhe e fëlliqin me një zell të çuditshëm. Dhe prandaj ai vend ka fituar një famë shumë të shëmtuar në botë: kur i dëgjohet emri në një sallon a mbi udhë, njerëzve u ngjethet mishi dhe u vjen neveri; në qendrat e diturisë e shikojnë si një shpellë kafshësh të egra ku s’është dukur kurrë ndonjë shenjë njerëzie; në qarqet politike e diplomatike thonë se është për të qeshur të lihet i lirë një popull i cili s’ka ditur qe më tepër se dy mijë vjet vetëm se të derdhë gjak dhe s’njeh tjetër zanat veç vrasjes. Të tilla fjalë janë thënë mijëra vjet me gojë dhe me pendë… Për cilin vend dhe për cilin popull flas do ta kuptoni menjëherë kur t’ju them që nuk ndodhet në mes të Afrikës, po në Evropë… Kur m’u poq mendja më tepër, që pesëmbëdhjetë vjet e tëhu, kuptova se problemi i Shqipërisë më tepër se kombëtar ishte një problem moral. Me fjalë të tjera, kuptova se ky popull që të shpëtojë ka nevojë, më parë se çdo gjë tjetër, t’i stërvitet e t’i lartësohet karakteri e t’i spastrohet zemra..

 

Një holandez që doli prej aty ishte shend e verë, veshi këpucët dhe mjaft shkurt i tregoi burrit 50-vjeçar se babai i tij kishte qenë mysliman, vinte nga Azia. Kjo ishte arsyeja pse ai e shihte me nostalgji xhaminë dhe pati dëshirën të falej aty dje, në ditën e festës së Bajramit.

Qëndruam ca minuta te pragu i xhamisë, ku nisi të fliste myftiu para kamerës. “Është një ditë e rëndësishme kjo ditë për myslimanët, pasi Fiter Bajrami është një ndër shtyllat më të rëndësishme të fesë islame. Fiter në arabisht do të thotë natyrshmëri, përmes dhënies së një sasie fitri ose vitri në gjuhën popullore. Ne kemi vendosur që për këtë vit 2013, të jetë 3 mijë lekë të vjetra për person. Çdo person që ka agjëruar ose jo duhet të japë këto, para kryerjes së namazit në shesh. Përtej agjërimit dhe sakrificës personale, Zoti kërkon që përkushtimin tonë ta shprehim jo vetëm shpirtërisht, por edhe të lexueshëm e të numërueshëm. Falja e namazit të Ramazanit është shprehje e pritjes së sihariqit që vjen nga Zoti”, – tha Gurra, për televizionin, gazetaren me shaminë e hedhur mbi kokë në këtë intervistë të atypëratyshme.

Prej më shumë se 30 ditësh besimtarët myslimanë kanë agjëruar përgjatë gjithë muajit të Ramazanit, në shenjë respekti dhe adhurimi ndaj Zotit, duke u privuar nga e ngrëna dhe e pira. Por a mjafton kjo para Zotit në ditë agjërimi?!

Re. Ku.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency