Vetëvlerësuesit janë të lindur, por mund të zhbëhen

0

Michael REdelstein

David Ramsay Steele

Psikologji/ Biznes: Tri minuta terapi, libri i dy autorëve amerikanë që ndryshon të menduarit në shqip nga “Plejad”, përkthyer nga Aleksandër Loli

 

 

SelfAssessmentTë gjithë jemi lindur dhe edukuar për ta vlerësuar veten. Është e kuptueshme se kemi vështirësi që ta mendojmë ndryshe këtë. Por ka një alternativë. Ju mund të analizoni sesa mirë e kryeni punën, pa i bërë ndonjë vlerësim të tërë qenies suaj. Ju e pranoni veten ashtu si jeni, pavarësisht nëse punoni mirë, keq, ose nuk punoni fare. Ju nuk jeni kurrë i detyruar që ta paragjykoni veten si njeri të rëndësishëm apo të pavlerë – ta ngrini apo ta ulni veten tuaj.

Vetëvlerësimi është i panevojshëm; ai të shkakton probleme serioze emocionale dhe praktike: 1. Po këmbëngule që ta vlerësosh vetveten, mendimi yt përqendrohet te vetja, në vend që të përqendrohet te problemi. Nëse nuk i jep një shkallë vlerësimi vetes, por e pranon se ke problem, analiza e këtij problemi bëhet më e kollajtë dhe mund të gjendet një zgjidhje e pëlqyeshme. Konsiderimi i vetes si “dështak i pashpresë” apo si “krimb i neveritshëm” është nga ato lloj problemesh, të cilat as analizohen dot dhe as ia vlen të merresh. Kjo është një lloj bindje, shigjeta e së cilës rrëfen veç një drejtim: preokupacionin e pafund për idenë se çfarë dështaku i mjerë apo krimb i neveritshëm qenke! Kjo thjesht nuk është ndihmuese. Kjo nuk të afron ndonjë veprim konstruktiv.

2. Nëse e vlerëson veten si njeri të mirë apo të keq, ti je i prirë për të supozuar se ky qenkësh thelbi yt i pandryshuar, d.m.th. që po t’ia kesh shpënë keq dje, do t’ia shpiesh keq edhe sot apo nesër. Ti priresh të “ngrish” në vlerësimin që i bëre vetes. Çdo njeri ka plot sjellje të mira e të këqija; asnjëri prej nesh nuk është i përkryer, e megjithatë kemi aftësi për tu përmirësuar. Por vetëvlerësimi na bën të fiksohemi pas disa karakteristikave e pastaj të gjykojmë në mënyrë fare të thjeshtuar rreth vetes sonë.

3. Vlerësimi i ulët i vetvetes bën që të ndihesh i mjeruar, ndërsa vlerësimi i lartë të paraprin për t’i dhënë një vlerësim të ulët vetes, sa herë që të shkojnë punët ters. Vetëvlerësimet e larta dhe të ulëta nuk janë simetrike – ka një prirje të lindur tek vetëvlerësuesit që të anojnë kah vlerësimit të ulët të vetvetes. Shumë qëllime njerëzore nuk funksionojnë krejtësisht ashtu sikurse janë planizuar dhe vërehet një prirje e natyrshme për t’u përqendruar te zhgënjimet dhe dështimet.

4. Vetëvlerësimi të shpie te dëshira për të krahasuar veten në mënyrë të pakuptimtë me të tjerët. Pikërisht atëherë ndjesia e superioritetit apo e inferioritetit ndërhyjnë në rrugën e qëllimeve që ti po ndjek.

 

Po e vlerësove veten, do ta qortosh veten

Të gjithë i njohim njerëzit që e kritikojnë vazhdimisht veten – gruaja tërheqëse që kërkon ngaherë ndjesë për pamjen e saj të papërkryer ose burri, i cili komenton për pavendosmërinë apo mangësitë e arritjeve të tij. Pjesë e qëllimit në shprehjen e këtyre vërejtjeve është që t’i pranosh gabimet e tua në sy të të tjerëve, kështu që njerëzit mos të të kritikojnë ose të të japin pikë për përulësinë tënde. Por, duke i radhitur këto lloj pohimesh publike, në jetën praktike ato:

-shihen shpesh si pohime acaruese nga njerëzit e tjerë;

-zakonisht nuk i bindin të tjerët se ti qenkësh një person më i mirë;

-tërheqin panevojshmërisht vëmendjen e tyre ndaj gabimeve të tua, të cilat ata edhe mund t’i shpërfillnin; dhe më e rëndësishmja nga të gjitha;

-tentojnë ta riforcojnë pikturën që i bëre vetes si njeri i pavlerë.

Ky “vetëposhtërim” verbal është një lloj manifestimi i dukshëm i vetëvlerësimit të ulët. Natyrisht, mund të supozosh se mbase kjo gjë edhe luftohet me anën e teknikave për “ngritjen e vetëvlerësimit”. Por zgjidhja më e mirë nuk qëndron tek e mësuara si të dërdëllitësh autokritika apo të praktikosh vetëlëvdata, pavarësisht se nganjëherë kjo mund të jetë e dobishme. Zakonisht, ngritja e vetëvlerësimit është antiproduktive. Është më mirë të çrrënjosësh çfarëdolloj sasie vetëvlerësimi – e lartë apo e ulët qoftë. Me fjalë të tjera, të pushosh së vetëvlerësuari.

 

Nga vetëvlerësimi në vetëpranim

Synimi për t’u ndier mirë me veten është një kurth. Nëse njerëzit të kritikojnë, ose nëse nuk vazhdon t’i mbash lart standardet e tua, ti nis ta konsiderosh veten si një njeri të pavlefshëm dhe ndihesh i pashpresë. Ndërsa, kur del mirë në sytë e vetvetes dhe të tjerëve, priresh të mendosh se tani duhet vazhduar që t’i provosh vetes se je në gjendje ta ruash këtë vetëvlerësim; kështu, ti ndihesh i pasigurt, madje edhe atëherë kur të shkojnë punët mbarë. Në vend që ta vlerësoni veten, pranojeni atë ashtu si jeni – një qenie njerëzore e gabueshme, që mund ta gëzojë jetën, pavarësisht se sa varfërisht i kryen punët dhe pavarësisht se kush nuk ju aprovon.