Reali dhe Barcelona paguajnë më pak taksa sesa një sipërmarrje pastrimi

0
138

Përgatiti Altin Vorpsi

Komisioni Evropian do të hetojë mbi statusin no-profit të dy shoqërive më të pasura në botë.

 

Cristiano Ronaldo, Gerard Pique, Carles PujolAta 120 milionët e famshëm të servirur në një pjatë të argjendtë për blerjen e Bejlit kanë bërë gëlqere të bardhë shumëkënd. Si ka mundësi që Real Madridi mund t’i lejojë vetes këtë shpenzim marramendës, pikërisht tani, kur Spanja mbahet financiarisht në një fije peri për të mos u rrënuar në humnerën e krizës? Mund të merrej për e mirëqenë përgjigjja: Po ai është klubi që bën me shumë xhiro në botë dhe më popullori njëkohësisht: 512 milionë euro sipas raportit të “Deloitte & Touche”. Në vend të dytë gjendet sigurisht Barcelona me 483 milionë, ata që shpenzuan “vetëm” 57 milionë për Nejmarin.

 

Më pak se një sipërmarrje pastrimi

Por para gjithë këtij bollëku, ka një pikëpyetje. Një syresh, peshon shumë dhe ka bërë të hapë një hetim Komisioni Evropian sipas britanikes “Indipendent”. Si ka mundësi që Reali dhe Barça paguajnë taksa më pak se një sipërmarrje e thjeshtë pastrimi spanjolle? Është e mundur: dy gjigandet spanjolle paguajnë 25%, ndërkohë që sipërmarrja paguan 35%. Kjo ndodh, sepse Reali dhe Barça (bashkë me Atletik Bilbaon dhe Osasunën) janë shoqëri sportive pa qëllim përfitimi, në pronësi të aksionerëve, që janë më shumë se 250 000 në rastin e realit. Kjo gjendje dhuron shumë favore fiskale sa i përket të ardhurave dhe taksimit.

 

 

Ky favorizim ka lindur në një periudhë tjetër të futbollit. Një ligj spanjoll i 1990-ës u dha të drejtë këtyre katër skuadrave që të qëndronin me statusin “jo fitimprurëse” ndërkohë që të tjerat u kthyer të gjitha në sh.p.k. Këto shoqëri i kanë mbijetuar edhe “valës” së sheikëve arab e manjatëve rus që kanë “pushtuar” futbollin në vitet e fundit. Por ky favorizim duket se nuk i pëlqen Komisionit evropian që ka vendosur të hapë një hetim për të përcaktuar nëse një shoqëri që fiton mbi 500 milionë euro në vit mund të konsiderohet jo fitimprurëse apo jo.

 

 

 

Vendimi

Anzhi nxjerr në shitje Etonë, probleme me buxhetin

Me vetëm dy pikë të fituara në katër javët e para të kampionatit rus, me një situatë të rënduar financiare për shkak të administrimit të dobët dhe pamundësisë për t’u kualifikuar në Champions League, Anzhi Meklala ka vendosur që të bëjë shkurtime, duke nisur nga Samuel Eto. Kamerunasi në dy sezonet e fundit është shndërruar në futbollistin më të paguar në historinë e futbollit, me një pagë neto prej 20,5 milionë eurosh për sezon. Pronari miliarder, Sulejman Kerimov, në dy sezonet e fundit ka shpenzuar 200 milionë euro vetëm në blerje për skuadrën, por i ndërgjegjësuar që paratë nuk blejnë suksesin, ka vendosur të përqendrohet në blerje të goditura, me një buxhet shumë më të kufizuar. Kështu, Anzhi i ri do të ketë një buxhet prej 50-70 milionë eurosh në sezon dhe nuk do të jetë më një klub “sheikësh”. Megjithatë, në mënyrë që të ndahet nga e shkuara, duhet edhe konsensusi i Etosë. Ndonëse blerësit potencialë për 33-vjeçarin nuk do të mungojnë, në mënyrë që ai të largohet nga Anzhi duhet të pranojë një reduktim drastik të pagës, për sezonin e mbetur në kontratë.

 

Merkato

Barça, 40 milionë euro për David Luizin

Barcelona është e vendosur që të blejë me çdo kusht një qendërmbrojtës gjatë kësaj merkatoje, por ai me siguri nuk do të jetë David Luiz. Sipas “Sky Sports”, katalanasit i paraqitën Çelsi një ofertë “të rrumbullakosur” prej 40 milionë eurosh, por Murinjo vendosi menjëherë veton mbi lojtarin. Braziliani konsiderohet si një futbollist i vyer nga trajneri portugez, ndonëse është e mundur që ai të tundohet me një ofertë edhe më të lartë të Barcelonës. Ndërkohë, si për të kompensuar mungesën e Pyjolit të dëmtuar, që ofron pak garanci edhe pas rikuperimit për shkak të moshës, Barça ka “sajuar” një zgjidhje brenda shtëpisë, duke ngritur nga ekipi i të rinjve në skuadrën e parë të riun Banjak.

 

Turneu “Guinnes”

Interi mposht Juventusin me penallti

Juventusi dhe Interi mbyllën turneun miqësor “Guinnes” në Shtetet e Bashkuara me ndeshjen e luajtur pak pas mesnatës (me orën tonë), e vlefshme për vendin e 7 dhe të 8 të këtij kompeticioni. Zikaltrit kaluan të parët në epërsi në minutën e 29 të takimit me anë të Alvarezit, ndërsa bardhezinjtë barazuan në sekondat e fundit të pjesës së parë pas një 11-metërshi të shndërruar në gol nga Vidal. Rivaliteti historik mes këtyre dy skuadrave bëri që pjesa e dytë e takimit të mos ngjasonte me një takim miqësor. Loja e ashpër dhe rastet për gol nuk munguan nga asnjëra palë, ndërsa mundësia me e mirë u takoi bardhezinjve që goditën shtyllën me anë të Pirlos, pak minuta nga përfundimi i kohës së rregullt. 90 minutat përfunduan në barazim 1-1 dhe skuadrat iu drejtuan goditjeve nga pika e bardhë e penalltive për të përcaktuar fituesin simbolik. Skuadra e Maxarrit u tregua më e saktë nga këto goditje, duke u shpallur fituese. Ndërkohë, në përfundim të turneut, trajneri i Juventusit, Antonio Konte, deklaroi se skuadra kishte mësuar shumë nga përvoja në SHBA, edhe pse skuadra e tij nuk fitoi asnjë takim. Ndërkohë, në takimin tjetër, atë mes Valencias dhe Evertonit, të vlefshëm për vendin e 5 dhe të 6, spanjollët fituan minimalisht me rezultatin 1-0. Në orët e para të 8 gushtit, luhet Los Anxhelos – Milan dhe finalja e madhe e turneut, Real Madrid – Çelsi.

 

Miqësorja

Nejmari dhe Mesi japin spektaklin e parë

Në ndeshjen e parë me Mesin dhe Nejmarin titullarë, Barcelona ka shkëlqyer duke fituar me goleadë ndaj kombëtares së Tajlandës. Blaugranat triumfojnë me rezultatin 7-1, ku talenti brazilian është i pari që zhbllokon rezultatin, kurse “Pleshti” realizon dygolësh. Nejmari ka shënuar një gol të thjeshtë, i gjendur brenda zonës, ai ka gjuajtur saktë, pas pasimit të dhënë nga Fabregasi. Gjatë gjithë takimit janë spanjollët ata që dominojnë, ndërkohë që vendasit shfaqen të frikshëm me disa kundërsulme të shpejta, por që mbyllen mirë nga mbrojtja blaugrana. Përveç Mesit, një paraqitje shumë të mirë bëri edhe sulmuesi Pedro. Megjithatë, lojtari pësoi një dëmtim, i cili mund ta mbajë larg fushës për takimin e radhës ndaj Malajzisë. Në fund Sançez lë firmën e tij, ndërkohë që i vetmi që shënoi për Tajlandën ishte Dangda në fund të pjesës së parë. Kjo është goleada e dytë e Barçës pas asaj ndaj Santosit.

Tata – Trajneri argjentinas ka vlerësuar pozitivisht paraqitjen e ekipit të tij. “Po përmirësohemi në marrjen e topit, presionin në gjysmëfushën kundërshtare dhe sulmet e shpejta. Mesi dhe Nejmari luajtën siç prisnim, kombinuan mirë dhe braziliani po përmirësohet fizikisht. Fabregas? Për momentin ai është yni dhe momentalisht mua më shqetëson se kur Pujoli do rikuperohet”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency