Standard.al

Qëndrimet për 23 qershorin, PS: Zgjedhje të mira me KQZ partiake. Lleshi falënderon mediat, por jo partitë

Florenc Drizari

Mbyllja e procesit “përplas” PS-në, PD-në dhe KQZ-në

 

Dje-gjatë-mbledhjes-së-KQZ-300x201Debatet dhe akuzat politike nuk munguan në ditën e fundit të mbylljes së zgjedhjeve në KQZ, edhe pse kaluan rreth 6 javë që nga 23 qershori. Përfaqësuesit e partive politike por edhe anëtarët e KQZ-së mbajtën qëndrimet e tyre përfundimtare në lidhje me procesin. Edhe pse PS ka kritikuar organizimin e zgjedhjeve, përfaqësues të saj në komision vlerësuan se zgjedhjet ishin të mira, por puna e KQZ-së shpeshherë me qëndrime partiake pro PD-së. Ndërkohë, përfaqësuesi i PD-së vlerësoi punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duke administruar procesin me katër anëtarë, ndërsa kritikoi disa nga vendimet e Kolegjit Zgjedhor, veçanërisht me ndarjen e mandateve pak ditë më parë. Nga ana e saj, kryetarja e KQZ-së, Lefterie Luzi (Lleshi), falënderoi bashkëpunëtorët për zgjedhjet e 23 qershorit, institucionet qendrore dhe median, por jo partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre.

Genc Gjonçaj gjatë fjalës përmbledhëse për procesin zgjedhor tha se KQZ-ja eci fillimisht në një proces me konsensus, për t’u përballur më pas me krizën, me ndarjen e zonave të administrimit, me rregulloren e brendshme të funksionimit të saj dhe më pas, kriza u thellua duke shkarkuar anëtarin e KQZ-së si në gjyqet e viteve para ‘90, sipas tij. “Këto veprime treguan se KQZ varej nga politika. Unë e kuptoj se KQZ-ja me katër anëtarë nuk është gjë e lehtë, të paktën për ju që ishit këtu, por gjithnjë ju kam kërkuar që zgjidhja të mos ishte vazhdimi i punës me kokëfortësi, por zgjidhja e problemit atje ku lindi, në Kuvend, me mjete që vetëm Kuvendi i ka në dispozicin por ju na refuzuat dhe bëtë që KQZ-ja të vazhdonte punë me katër anëtarë duke dëgjuar jo opozitën, por Partinë Demokratike”, – tha Gjonçaj.

Sipas tij, procesi zgjedhor ishte i mirë dhe kjo jo për shkak të punës së KQZ, por për meritën e qytetarëve që morën pjesë pasivisht në zgjedhje dhe shprehën vullnetin e tyre në mënyrë të civilizuar. “Në përgjithësi dua të them se zgjedhjet ishin të mira, jo për meritë të KQZ-së, por të popullit shqiptar. Rezultati mund të dilte edhe më shpejt, por KQZ-ja zbatoi vendimet e humbësit. Paligjshmëria u vu në dukje dhe u hodh poshtë nga Kolegji. Me shpërndarjen e mandateve, përsëri ju e zvarritët gjendjen, gjë që mori përgjigje sërish nga Kolegji Zgjedhor. U ndala vetëm në disa probleme kryesore, për të thënë se KQZ-ja nuk e justifikoi besimin e popullit për të qenë arbitër dhe çdo gjë në këtë proces i takon sovranit”, – tha Gjonçaj.

KQZ, Lefterie Luzi (Lleshi)

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefterie Luzi (Lleshi), e quajti të suksesshëm organizimin e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, përtej vështirësive të shkaktuara sipas saj nga subjektet zgjedhore. “Pavarësisht funksionimit me mungesë kuorumi, përgatitëm bazat me të dhëna për organizimin e zgjedhjeve. Materialet trajtuese për komisionerët u kryen në kohë. Dita e votimit u zhvillua me qytetari dhe përgjegjësinë e duhur, duke përjashtuar sigurisht ngjarjen e rëndë të ndodhur në zonën zgjedhore Lezhë. Nga të gjitha zonat 5508 qendrat e votimit në të gjithë vendin u hapën në kohë dhe vetëm një prej tyre procesi nuk u zhvillua. Procesi i numërimit të votave u arrit të mbahej nën kontroll nga KQZ dhe nga vazhduesit falë edhe teknologjisë dhe nuk pati tejzgjatje ashtu siç ka ndodh në zgjedhjet e kaluara”, – deklaroi kryetarja e KQZ-së.

Nga ana e tij, përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ, Ivi Kaso, vlerësoi punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe kritikoi qëndrimet e PS për mungesën e tri anëtarëve, si dhe vendimin e Kolegjit për ndarjen e mandateve, duke anashkaluar KQZ.

 

 

Kryetarja e KQZ-së: Keqardhje për dështimin e teknologjisë, vendimi i KQZ-së ishte i drejtë

Dështimi i dy projekteve pilot në zgjedhjet e 23 qershorit në vendin tonë, ai i aplikimit të numërimit elektronik në Qarkun e Fierit dhe identifikimi elektronik i kartave të identitetit në Qarkun e Tiranës, mori edhe komentin e kryetares së KQZ-së, Lefterie Luzi (Lleshi), në ditën e fundit të mbylljes së procesit zgjedhor. Në qëndrimin e saj kryetarja e KQZ shprehu keqardhjen që këto dy projekte nuk u realizuan, por tha se vendimi i KQZ-së ishte i drejtë duke e justifikuar këtë me rrethanat që shoqërojnë aplikimin e projekteve të reja.

“Ndihem e keqardhur për pamundësinë e aplikimit të risisë së këtij procesi zgjedhor siç u quajt, atë të projekteve pilot të numërimit elektronik në Qarkun e Fierit dhe identifikimit elektronik në Qarkun e Tiranës. Për këto dy momente ka pasur vazhdimisht komente dhe interpretime, madje dhe me gjuhë të ashpër ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por pa u zgjatur në këtë moment për faktin se kjo do të jetë pjesë e raportimit para Kuvendit të Shqipërisë, dua të theksoj se vendimet e KQZ për mosaplikimet e tyre ishin vendimet më të drejta, diktuar nga rrethanat ashtu siç ndodh në aplikimet e projekteve tërësisht inovative”, – tha Lleshi.

 

 

Mbyllja e procesit, OSBE: Presim të bashkëpunojmë me Kuvendin dhe qeverinë e re

Pak kohë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, krerët e OSBE-së në vendin tonë vlerësuan procesin zgjedhor për Kuvendin e Shqipërisë.

Kryetari në detyrë i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton, mirëpriti përfundimin e procesit zgjedhor në Shqipëri, që u shënua dje me shpalljen e rezultatit përfundimtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Ne tani presim me dëshirë të bashkëpunojmë me parlamentin dhe qeverinë e re, që shpresoj se do të konstituohen pa vonesë, për ta shtyrë përpara axhendën e reformave të vendit dhe për të fuqizuar shtetin e së drejtës. Një demokraci funksionale – e cila ishte një aspiratë e shprehur nga qytetarët në votime – mund të arrihet vetëm me pjesëmarrjen dinamike të të gjitha partive të përfaqësuara në Kuvend”, – tha Wilton.

“Nxitja e marrëdhënieve mes një Kuvendi të fortë e transparent dhe zgjedhësve të tij është një ndër veprimtaritë thelbësore të OSBE-së në Shqipëri dhe ne do të punojmë ngushtësisht me Kryetarin dhe anëtarët e Kuvendit për ta mbështetur këtë proces”.

Ai shtoi se Prezenca e OSBE-së do të vijojë të jetë aktive në punën e saj lidhur me zgjedhjet në vend, duke u bazuar, gjithashtu, edhe në gjetjet dhe rekomandimet e raportit të ardhshëm përfundimtar të Misionit të OSBE/ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve.

Aktualisht ekspertët e OSBE-së në bashkëpunim me ata të ODIHR-it po punojnë për hartimin e raportit përfundimtar për zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri. Raporti i tyre pritet të publikohet së shpejti, ndërkohë që rekomandimet e ekspertëve të huaj do të vulosin në mënyrë përfundimtare mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe raporti në fjalë, do të jetë pikë referimi për institucionet qendrore të BE-së në marrjen e një vendimi për rekomandimin e statusit të vendit kandidat, pas krijimit të qeverisë së re.

 

 

PD: PS minoi punën e KQZ-së, Kolegji kapitulloi para presioneve

Partia Demokratike e quajti vendimin e djeshëm formal të KQZ-së për mbylljen e procesit zgjedhor një arritje, në lidhje me standardet e organizimit, që dëshmoi vullnetin pozitiv të mazhorancës për organizimin e zgjedhjeve sipas standardeve, përkundrejt minimit që PS i bëri procesit, duke tërhequr sipas saj anëtarët nga KQZ-ja. “Vendimi i sotëm dhe vullneti i dëshmuar i PD dhe aleatëve të saj, për një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor nuk mund ta shlyejë vulën e turpit, me vjedhjen e votave që u provua në sytë e publikut dhe vëzhguesve vendas e ndërkombëtarë.

Në Lezhë, PS tentoi t’i vidhte një mandat PD, që të arrinte shumicën e cilësuar me 84 vota, njësoj siç bëri me Dushkun, në 2001. Në Shkodër u zbuluan qindra vota të vjedhura nga koalicioni PS-LSI. Një transparencë e plotë, e bazuar në provat që disponohen, do tregonte qartë mënyrën se si Partia Socialiste tjetërsoi votën e qytetarëve, pas angazhimit për fitore me çdo mjet, përfshirë përdorimin e parave të pista dhe angazhimin e kontigjentëve kriminalë”, – thuhet në deklaratën e PD-së.

Deklarata vijon më tej duke cituar se “Lezha i vuri damkën e turpit fitores së Partisë Socialiste, ashtu sikurse Dushku në 2001!

Që nga fillimi, PS i shpalli luftë KQZ, organit më të lartë për organizimin e zgjedhjeve dhe këtë e bëri në mënyrë sistematike, të qëllimshme dhe antikushtetuese. Qëllimi i PS ishte i thjeshtë, të shndërronte në organ të vetëm për zgjedhjet Kolegjin Zgjedhor, të cilin siç edhe u dëshmua e kontrollonte lehtësisht.

Për fat të keq, Kolegji kapitulloi para presioneve çka u dëshmua publikisht përmes njëanësisë së tij, duke pranuar çdo kërkesë të bërë nga PS dhe LSI. Kolegji vendosi hapur dy standarde në gjykim, duke anuluar “de facto” kapituj të tërë të Kodit Zgjedhor me vendimet e tij dhe duke shkelur Kushtetutën, me vendimin për shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve”, – thuhet në njoftimin zyrtar të PD-së.

Comments are closed.