Standard.al

Nuk hetoi hajdutët e naftës oficeri i policisë nën akuzë

Sami Bako favorizoi grabitësit pasi i njihte. Njësia Task-Forcë zbardh ngjarjen e muajit shkurt

 

policia_ne_vendngjarjeNjë ndihmës specialist i hetimit të krimit në policinë e Fierit është marrë i pandehur pasi ka bashkëpunuar me disa grabitës të naftës në depozitat e kompanisë private Bankers-Petrolium. Sami Bako, është vënë në dijeni për gjetjen e disa bidonëve dhe se nuk ka shkuar në vendin e krimit për të hetuar rastin e denoncuar, pasi kishte lidhje shoqërore me njërin nga autorët. Më pas sërish ai është vënë në dijeni dhe se kur ka mbërritur në vendngjarje, ka konstatuar bidonët e braktisur, ndërkohë që njëherësh ka njoftuar autorët e krimit, me qëllim që ata të merrnin bidonët e mbushur me naftë. Ndërkohë që kur ka mbërritur në vendin e ngjarjes, nuk ka kryer veprime hetimore për të mësuar të vërtetën e asaj që kishte ndodhur. Mirëpo nga hetimet e prokurorisë është arritur të identifikohen autorët e këtij krimi dhe më pas, të dali në dritë dhe roli i oficerit të Policisë Gjyqësore Sami Bako, i cili tashmë është marrë i pandehur nga organi i akuzës së Fierit.

Dosja e prokurorisë

Prokuroria e Fierit ka regjistruar procedimin penal nr. 61, të vitit 2013. Nga hetimi, në lidhje me këtë procedim ka rezultuar, se shtetasi Sami Bako, në detyrën e ndihmës specialistit të hetimit dhe krimit, në komisariatin e Policisë, Fier në bashkëpunim me shtetasin Arjan Çapele, në detyrën e oficerit të policisë gjyqësore,në komisariatin e Policisë Fier, në datë 20 shkurt 2013, kanë marrë njoftim se në vendin e ndodhur “Gropa Ekologjike”, pranë depozitave të naftës të Kompanisë Bankres-Petrolium, janë gjetur 30 bidonë, 30-litërsh, nga këta 18 bidonë kanë qenë të mbushur me solar, ndërsa 12 të tjerë bosh. Pranë vendit të ngjarjes, është gjetur dhe një karrocë me katër goma, e cila ka qenë e rrëzuar në kanal. Nga hetimi ka rezultuar se shtetasi Sami Bako, së bashku me oficerin e policisë gjyqësore Arjan Çepele, kanë dijeni mbi personin që disponon mjetin që është gjetur në vend ngjarje, dhe nuk kanë kryer asnje veprim procedural, me qellim mbledhjen e provave, për të individualizuar personat përgjegjës dhe autor të kësaj ngjarje. Kështu, në datë 20 shkurt 2013, ora 07:46, shtetasi Sami Bako njoftohet në rrugë operative se në vendin e quajtur gropa ekologjike janë gjetur 30 bidonë, 30-litërsh nga të cilët 12 janë bosh, 18 janë të mbushur me solar. Po ashtu, Sami Bako informohet se në një distancë rreth 100 metra larg bidonëve është dhe një kaloshinë e rrëzuar në kanal, e cila ka shenja solari.

S’bëri verifikimin

Menjëherë pas këtij njoftimi, pa shkuar në vendngjarje, Sami Bako duke qenë në dijeni të autorëve të ngjarjes ka njoftuar një bashkëpunëtor në terren dhe i ka thënë se ka marrë informacion për disa bidonë bosh. Më pas, Sami Bako, së bashku me oficerin e Policisë Gjyqësore Arjan Çepele, kanë shkuar në vendin e ngjarjes, dhe kanë kryer disa veprime procedurale. Ndonëse kanë gjetur një karro në vendin e ngjarjes nuk kanë bërë këqyrje të saj, për të evidentuar nëse në të gjendeshin apo jo shenja solari. Ndërkohë që, njoftimin e kanë marrë se në një distancë prej 100 metra larg bidonëve gjendej dhe një karro me shenja solari. Në datë 22 shkurt 2013, nga oficeri i policisë gjyqësore Arjan Çepele, është bërë referimi i veprës penale, në Prokurori, së bashku me materialet përkatëse. Rezulton se materiali hetimor është përcjellë nga një prej rojeve të objekteve, njoftimi për veprën penale të “Moskallëzimit të krimit”, dhe “Vjedhjes”. Ndërkohë që, nga ana e oficerit të policisë gjyqësore dhe inspektorit të zonës Sami Bako, ndonëse kanë dijeni të plotë mbi autorët e kësaj vjedhjeje, nuk janë kryer veprime procedurale, në lidhje me këta persona, duke i shmangur këta të fundit qëllimisht nga përgjegjësia penale. Veprimet e tyre janë në kundërshtim të plotë me ligjin “Për policinë e shtetit”. Në këto kushte rezulton se nga ana e shtetasit Sami Bako, në bashkëpunim me shtetasin Arjan Çepele është konsumuar në tërësi vepra penale e “Shpërdorimit të detyrës”, pasi prej tyre me dashje dhe mosveprim nuk janë kryer veprime hetimore ndaj personave autorë potencial të veprës penale të “Vjedhjes”, së solarit, veprime këto të cilat nuk janë në përmbushje të rregullt të detyrës së tyre. Krahas të tjerave rezulton se shtetasi Sami Bako, në detyrën e ndihmës specialistit në parandalimin e krimit në Komunën Mbrostar, është konsumuar dhe vepra penale e “Kryerja e veprimeve arbitrare”. Nga hetimet ka rezultuar, se në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, punonjësi i policisë Sami Bako, ka goditur një qytetar, i cili ka penguar me veprime aktive disa punonjës që po rregullonin rrugët dhe kanalet e ujërave të zeza në fshatin Mbrostar, Fier. Pas verifikimit të rastit, është konstatuar se, me veprimet e tij, shtetasi Sami Bako, ka konsumuar në tërësi elementët e veprës penale të “Kryerja e veprimeve arbitrare”.

 

Tiranë dhe Mat

Humbin jetën dy fëmijë një i rritur mbytet në gropë

Një fëmijë 12-vjeçar ka humbur jetën dhe babai i tij ka mbetur i plagosur, pasi automjeti me të cilin po udhëtonin është përplasur me një shtyllë betoni në fshatin Piezë të Durrësit. Aksidenti i rëndë ndodhi teksa mjeti tip “Mercedes-Benz” me targa AA994AX, që udhëtonte nga Tirana në drejtim të Durrësit u përplas fatalisht me shtyllën. Për pasojë fëmija i mitur mbeti i plagosur rëndë dhe ndërroi jetë në spital. Sakaq i ati që drejtonte mjetin Alfred Jusufi, 35 vjeç, nga Linza e Tiranës është jashtë rrezikut për jetën. Dyshohet se shkak i aksidentit është bërë humbja e vëmendjes në drejtim. Ndërkohë po ditën e djeshme një fëmijë 14 vjeç dhe xhaxhai i tij janë mbytur në Macukull të Matit. Shkak është thithja nga një gropë me ujë afro tetë metra e thellë. Policia tha se viktimat janë Ramazan Pilin dhe nipi i tij i mitur. Mësohet se fillimisht 14-vjeçari është futur në ujë për tu larë, por pasi është zhdukur 52-vjeçari Pili është futur për ta shpëtuar. Por asnjëri prej tyre nuk mundi të dilte i gjallë nga gropa thithëse e shtrirë në kodër.

 

Operacioni nga policia italiane

Itali, vihen në pranga dy shqiptarë, kapen 34 kg drogë

Dy shtetas shqiptarë, 21 dhe 29 vjeç, janë arrestuar ditën e djeshme nga policia në Romë për posedim të 34 kilogramë këndë narkotike, të cilën kishin për qëllim ta trafikonin. Pas arrestimeve të shpërndarësve të drogës të kryera gjatë ditëve të fundit në Capitolina, veçanërisht në San Lorenzo dhe Pigneto, policia arriti të zbulonte edhe furnizuesit kryesorë. Pas monitorimit të vazhduar të lëvizjeve të tyre, policia arrestoi fillimisht 21-vjeçarin, pasi pas kontrollit të ushtruar në mjetin e tij, iu gjet e fshehur rreth 1 kg marijuanë. Ndërsa policia po ushtronte kontrollin, i riu shqiptar tentoi të largohej duke i goditur ata me shqelma dhe grushte. Shqiptari i dytë u identifikua nga policia disa minuta më vonë, dhe iu gjet në posedim 6.5 kg marijuanë, të ndarë në pako 1-kilogramëshe. Edhe në këtë rast, 29-vjeçari tentoi të arratisej, por pa rezultat. Gjatë kontrolleve të ushtruar më pas në banesat e tyre janë gjetur një sasi marijuane prej 26.5 kilogramësh të tjera, të shpërndara në pako prej 1 apo 2 kilogramësh, gati për t’u shpërndarë.

 

 

Ngjarja në lagjen “Kastriot”

Fier, aksidentohen 3 automjete, 3 të plagosur

Tre persona kanë mbetur të plagosur në një aksident automobilistik të ndodhur dje në Fier. Aksidenti ka ndodhur në lagjen “Kastriot” të qytetit, ku tre mjete janë përplasur me njëri-tjetrin. Në aksident janë përfshirë mjetet me targa shqiptare AA 672TY dhe FR 4273 dhe një “Mitsubishi” me targë greke ZYK 86 11. Njëri nga automjetet u përplas me kolonat e një dyqani. Ndërkohë policia po heton për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

 

Dy ditë më parë u kapën pakistanezët

Shkodër, kapen 9 shtetas ishin refugjatë afrikanë

Policia Kufitare e Shkodrës kapi 9 shtetas të huaj, të cilët kishin hyrë në mënyre të paligjshme në Shqipëri nga kufiri grek. Këta shtetas u kapen në vijën e gjelbër Hani i Hotit. Tetë prej tyre ishin pakistanezë dhe njeri nga Afganìstani. Këta shtetas kishin destinacion, vendet e Bashkimit Evropian. Ndërkohë që dy ditë më parë ishte policia e Elbasanit, e cila arrestoi katër pakistanezë që kishin hyrë në Shqipëri me një kamion të Malit të Zi. Ata vinin nga Turqia dhe synonin vendet perëndimore.

 

 

Comments are closed.