Standard.al

Martens e Orban: Shpresojmë në një bashkëpunim të frytshëm

2344Lulzim-Basha-deklaate-nga-PD

Kryeministri i Hungarisë dhe Presidenti i PPE-së kanë uruar Bashën me rastin e marrjes së detyrës së re

Që prej 22 korrikut Partia Demokratike ka një kryetar të ri. Në vijimësi të urimeve për shefin e ri të selisë blu zotin Lulzim Basha, dje atë e kanë uruar Kryeministri i Hungarisë dhe kryetari i FIDESZ Viktor Orban, por edhe Presidenti i Partive Popullore Evropiane (PPE) Wilfried Martens. Në letrat e tyre të urimit, personalitetet e shquara të huaja kanë uruar për detyrën dhe i kanë shprehur dëshirat e tyre për një karrierë të suksesshme në krye të PD-së. Martens dhe Orban janë shprehur se shpresojnë për një bashkëpunim të frytshëm mes partive respektive, ndërsa Partia Demokratike e Shqipërisë është pjesë e Partive Popullore Evropiane dhe Presidenti i saj edhe për 100-vjetorin e pavarësisë ka qenë i ftuar nderi në Shqipëri. Presidenti i Partisë Popullore Evropiane është organizata më e madhe politike në Evropë, me mbi 70 parti-anëtare nga 40 vende.

Zgjedhja e Bashës

Në krye të PD-së u zgjodh zoti Basha me zgjedhjet e 22 korrik. Në numërimin e 23 korrikut Lulzim Basha u shpall fitues me 80 për qind të votave kundrejt 20 për qind të kandidatit Sokol Olldashi. Rreth 105 mijë anëtarë të kësaj force politike u thirrën për të zgjedhur liderin e ri për herë të parë përmes parimit “një anëtar-një votë”, megjithëse pjesëmarrja ishte e ulët, votuan vetëm 41360 anëtarë. Anëtarët e partisë demokratike votuan në 39 qendra votimi të hapura në të gjithë vendin, ndërsa votat do të numërohen në kryeqytet. Ndërsa sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga selia blu, gjithsej kanë votuar 41532 demokratë, ndërsa 252 vota ishin të pavlefshme.

 

 

Viktor Orban

“I dashur z. Kryetar,

Më lejoni t’u shpreh përgëzimet e mia, për zgjedhjen tuaj si Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Në emër të FIDESZ, më lejoni t’ju shpreh dëshirën time të sinqertë, në vazhdimësinë e bashkëpunimit të shkëlqyer mes dy partive tona, të cilat i kemi zhvilluar përgjatë viteve të fundit.

Ju uroj shëndet dhe suksese në detyrën tuaj të lartë dhe me përgjegjësi.

Sinqerisht i juaji,

ORBAN Viktor

 

Wilfried Martens

“I dashur Kryetar,

 

Dua t’u përgëzoj për zgjedhjen tuaj në postin e kryetarit të ri të Partisë Demokratike. Ju shpreh përgëzimet e mia më të thella dhe suksese në të ardhmen, në pozicionin tuaj të ri.

Shpresoj në një bashkëpunim të frytshëm.

Me respekt

Wilfried Martens

 

 

Deklarata

Shehu: Mazhoranca e fortë, për shkak të ideve dhe jo numrave

Deputeti demokrat Tritan Shehu ka deklaruar dje se mazhoranca do të jetë e fortë në Parlament për shkak të ideve dhe platformës që ajo do të paraqitë dhe jo për shkak të numrave. Ai thekson se demokratët do të mbajnë të gjitha premtimet e bëra për qytetarët. Ndërsa paralajmëron një opozitë të fortë të bazuar në alternativa për qytetarët, një prej zërave të rëndësishëm në Partinë Demokratike, madje ish drejtues i saj Tritan Shehu thotë se mazhoranca e re e majtë po përpiqet të krijojë idenë sikur Shqipëria në shtator fillon nga viti zero. Sipas tij të majtës pa marrë ende qeverisjen e vendit i mungojnë idetë dhe se premtimet bazë elektorale po tjetërsohen para qytetarëve. Ndërsa flet për qeverinë e re, Shehu thotë se edhe në kohën kur në koalicion me PD ishte LSI kishte një ndarje të ekipeve, por ishte Kryeministri ai që angazhohej për reforma gjithëpërfshirëse dhe e shmangte këtë ndarje. “Tashmë është koha që prej shtatorit të fillojë organizimi i plotë i strukturave të PD me lidershipin e ri, të bëhet analiza e humbjes së zgjedhjeve. Është e domosdoshme në mënyrë që të vihen piketat për alternativën e PD për të ardhur në pushtet”, – deklaroi ligjvënësi demokrat. Ndërsa duke u ndalur tej takimet e Ramës jashtë vendit, ai theksoi se ato janë demagogji. “Vizitat në Turqi e Greqi janë vizita demagogjike, pa thelb dhe në disa raste shkaktojnë dhe konfuzion tek fqinjët”, – pohoi dje zoti Tritan Shehu. Ndërsa po ashtu deputeti i PD-së Sherefedin Shehu një ditë më parë në intervistën e tij për “Standard” i quajti si demagogji programin dhe deklaratat e Ramës për çështjen e auditit. Si një ekspert i financave në vend ai sqaroi se sistemi i auditit është më transparenti dhe që nuk le vend për dyshime.

 

 

Reagimi

Berisha: Rama – Kokëdhima i kanë vënë syrin stadiumit të Vlorës

Mafja rrënon Flamurtarin dhe ja ka vënë syrin stadiumit. Ky ishte reagimi i djeshëm i kreut të qeverisë zotit Sali Berisha, i cili duke shfrytëzuar hapësirën në Facebook, tha se dyshja Rama-Kokëdhima kërkojnë që të vënë dorën mbi stadiumin e qytetit të Vlorës. Kështu shkruan në një koment të tij në rrjetin FB, Kryeministri Berisha ndërsa i referohet zhvillimeve të fundit në këtë ekip. Sipas Kryeministrit modeli Kokëdhima i Apolonisë po ekzekutohet edhe në Vlorë me Flamurtarin. “Të dashur miq, një lajm i hidhur për sportin shqiptar. Dyshja Rama – Kokëdhima pothuaj shkrijnë Flamurtarin, njërën nga skuadrat më të mira të vendit, me një kontribut të madh në futbollin e vendit dhe histori të pasur me suksese të shumta. Flamurtari në dekada iu dhuroi vlonjatëve dhe shqiptareve ndeshje ndër më të bukurat, me luftaraket dhe më dinjitozet. Modeli Kokëdhima i Apolonisë po ekzekutohet edhe në Vlorë me Flamurtarin. Vlonjate dhe Vlonjatë prapa rrënimit të skuadrës suaj qëndron lakmia Rama-Kokëdhima për stadiumin tuaj. Këtij i thonë ndryshim! Mafia rrënon Flamurtarin. Përpara drejt stadiumit!”, – shkruan Berisha. Vetëm para pak ditësh bashkia e qytetit njoftoi se nuk ka fonde për të mbajtur lojtarët me rroga të larta ndërsa ata do të zëvendësohen me të rinjtë e ekipeve zinxhirë.

 

Operacioni

Policia bashkiake bllokon aktivitetin e 3 subjekteve

Policia Bashkiake e Tiranës ka bllokuar dje 3 subjekte në rrugën “Ferit Xhajko”. Këto subjekte, në mënyrë të vazhdueshme kanë zënë hapësirat publike. Policia Bashkiake ka vendosur ndaj këtyre subjekteve, siç e parashikon ligji, gjoba të cilat nuk janë paguar prej tyre dhe as nuk kanë liruar hapësirat e zëna, në kundërshtim me ligjin. Mospagimi i gjobave ka detyruar Drejtorinë e Tatim – Taksave të Bashkisë së Tiranës, të nxjerrë urdhër bllokimi për këto subjekte. Policia Bashkiake ka kryer të martën ekzekutimin e këtij urdhri dhe do të vijojë me bllokimin e aktivitetit dhe sekuestrimin e materialeve për të tjera subjekte, të cilat përveçse kanë zënë në mënyrë të paligjshme hapësirat publike, nuk kanë shlyer gjobat e vendosura ndaj tyre. Janë gjithsej 15 subjekte, për të cilat Drejtoria e Tatim – Taksave ka nxjerrë urdhër bllokimi, për mos shlyerje të gjobave për zënie të hapësirave publike. Edhe gjatë ditës së sotme ka vijuar aksioni i Policisë Bashkiake, për lirimin e hapësirave publike nga subjektet tregtare por edhe shitësit ambulantë. Gjithashtu policia bashkiake u bën thirrje subjekteve dhe tregtarëve të respektojnë ligjin, pasi në të kundërt do të sekuestrohen të gjithë materialet dhe produktet e tyre.

 

 

Comments are closed.