Standard.al

Ja si ndahen mandatet në çdo qark, votat që morën partitë dhe kandidatët e pavarur

Florenc Drizari

ASHE fiton zgjedhjet me 83 mandate, APMI 57 nga 140 vende në Kuvendin e Shqipërisë

 

largea_kuvendi-al1359624452Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbylli dje zyrtarisht procesin zgjedhor për Kuvendin e ri të Republikës së Shqipërisë. Sipas rezultateve të KQZ-së, koalicioni i majtë, “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, rezulton fitues i zgjedhjeve parlamentare duke 83 mandate, ndërsa koalicioni i djathtë “Aleanca për Punësim, Mirëqenie edhe Integrim” fitoi 57 mandate në Kuvend. Rreth 6 javë pas mbylljes së ditës së zgjedhjeve, KQZ votoi me katër vota pro certifikimit të procesit, nga ku tashmë pritet mbledhja e Kuvendit në muajin shtator.

Në këto zgjedhje, koalicioni i majtë, ASHE mori 313 227 vota më shumë se koalicioni i djathtë, APMI, kryesuar nga PD. ASHE ka marrë në total një numër prej 993.904 votash, llogaritur në 57.63%. Në mandate këto shifra përkthehen me 83 karrige në Kuvend, ndërsa APMI mori në total 618.667 vota, 39,46%, duke zënë 57 mandate.

Si forcë politike më vete, Partia Socialiste doli partia e parë që kapi numrin më të madh të deputetëve në rang kombëtar, me 65 ligjvënës.

Nga ana tjetër Partia Demokratike u rendit forca e dytë më e madhe në vend, duke marrë 528 373 vota, në përqindje 30,63%, 50 deputetë.

Ndërkaq, partia e tretë në rang kombëtar për nga numri i votave të marra renditet LSI-ja. Rezultatet e këtij subjekti zgjedhor janë cilësuar si surprizë e këtyre zgjedhjeve, për faktin se kjo parti ka marrë 16 mandate në Kuvendin e Shqipërisë, përllogaritur nga 180 470 vota, 10,46%.

Partitë që garuan të vetme në zgjedhjet e 23 qershorit nuk arritën të kalonin pragun minimal për fitimin e një mandati, ndërkohë që po të njëjtin fat patën edhe dy kandidatët e pavarur, Dritan Prifti në Fier dhe Arben Malaj në Vlorë.

Nga koalicioni i majtë janë gjithsej katër parti politike që fituan mandate në Kuvend, përkatësisht PS me 65 deputetë, LSI me 16 deputetë; dhe PBDNJ dhe PKDSH me nga 1 deputet.

Ndërsa nga koalicioni i djathtë ishin tri parti të zënë 57 vende në Kuvend, përkatësisht PD me 50 vende, PR me 3 vende dhe PDIU me 4 deputetë.

Për sa u përket rezultateve në rang qarqesh, në zonën më të madhe zgjedhore për nga numri i mandateve, ajo e kryeqytetit, koalicioni i majtë mori 19 mandate nga 32 vende gjithsej, ndërsa koalicioni i djathtë 13 mandate. Në tërësi, në 10 qarqe të vendit koalicioni i majtë rezultoi fitues në vota, ndërsa të djathtët fituan në Qarkun e Kukësit dhe atë të Lezhës.

Rezultat surprizues në këto zgjedhje mund të quhen ato në Qarkun e Shkodrës, ku rezultati doli 6 mandate me 5 për të majtën, ndërkohë që historikisht në këto dy dekada ky qark është fituar nga demokratët. Ndërsa në dy qarqet e tjera të mëdha në vend, në Elbasan dhe Korçë, ku në zgjedhjet e 2009-ës, PD dhe PS ishin ndarë në barazim në numër mandatesh, në këto zgjedhje ASHE doli fitues me katër mandate më shumë.

 

 

BOX

Rezultatet përfundimtare sipas koalicioneve në qarqe

Qarku Tiranë, ASHE 19 mandate, APMI 13 mandate

Qarku Elbasan, ASHE 8 mandate, APMI 6 mandate

Qarku Fier, ASHE 11 mandate, APMI 5 mandate

Qarku Shkodër, ASHE 6 mandate, APMI 5 mandate

Qarku Berat, ASHE 6 mandate, APMI 2 mandate

Qarku Gjirokastër, ASHE 4 mandate, 1 mandat

Qarku Korçë, ASHE 7 mandate, APMI 5 mandate

Qarku Kukës ASHE 1 mandat, APMI 3 mandate

Qarku Lezhë, ASHE 3 mandate, APMI 4 mandate

Qarku Vlorë, ASHE 8 mandate, APMI 4 mandate

Comments are closed.