Dakaj i gegërishtes ideale

0
129

Violeta Murati

Se kush është Nikollë Dakaj e thonë dy libra pak të njohur nga publiku; botimi antologjik me poezi të autorëve antikë, grekë, romakë dhe italianë të përkthyer nga ai, si dhe “Koineja e gjuhës shqipe”, ku përmblidhet gjithë veprimtaria letrare, poezi, prozë, shënime letrare, kritikë, të cilin e prezanton At Zef Pllumi qysh në hyrje të librit. Për pjesën e parë të botimit, pra përkthimet ekziston një letërkëmbim midis Norbert Joklit dhe Karl Gurakuqit, ku ky i fundit i prezanton të riut 21-vjeçar, guximin që ka marrë për të përkthyer Homerin në hekzametër, duke bërë të mundur burimin e shqipes si masë klasike, që, ashtu si edhe Horacin, ishte sfidë për shqipen e deriatëhershme. Jokli kthen menjëherë përgjigje, duke mbetur i befasuar nga ky zbulim i përkthyesit të ri që lëvron shqipen e gegërishtes, duke i dhënë shpresë gjuhës si test për masë klasike. Letërkëmbimet mes Gurakuqit dhe Joklit i prezanton për herë të parë një tjetër studiues i albanologjisë, prof. dr. Jup Kastrati, duke ridimensionuar përkthyesin që shkruante me pseudonimin Basho Jona (Basho Jona, personazh i njohur i këngëve legjendare të ciklit të kreshnikëve të Mujit dhe Halilit. Është i urtë, i zgjuar, i matur dhe i respektueshëm. Sipas folkloristëve tanë, plaku Basho Jona paraqitet si një i motshëm me autoritet, që di të vërë rregull, kur ndodhin mosmarrëveshje në kuvendin e Agëve). Por çfarë do të mbahet mend prej këtij njeriu erudit, që u nda nga jeta në vitin 1988, është polemika që ka pasur me At Mark Harapan në lidhje me dr. Kolë Ashtën dhe “Gjuhën e mesme” (të cilën e botojmë të plotë më poshtë). Kjo polemikë mund të shihet edhe sot aktuale, kur shpesh herë ndizet debati dhe rezistenca për gegërishten, pa hyrë në problematikën se, cila gegërishte është përfaqësuese. Gjon Shllaku është ndër të parët që na jep një paraqitje të shkurtër për këtë personalitet të letrave shqipe, duke kujtuar njohjen që ka pasur me të qysh në fëmijëri. Prej Shllakut marrim informacionin se Dakaj ka kryer filloren dhe gjimnazin në liceun Ilyrikum të Françeskanëve me vëllain e tij, Lec Shllakun.

Kanë qenë vitet ’40 kur spikatën një grup intelektualësh të rinj shkodranë, që u bënë letrarë të fuqishëm si Arshi Pipa, Kolë Ashta, Qemal Draçini, Pashko Gjeçi etj, ku ndër ta shquhej Nikollë Dakaj, edhe pse në atë kohë ai ishte 21 vjeç, tregohet se pati një krijimtari të begatë si kritik letrar, përkthyes, poet etj. Ai ishte shumë aktiv dhe i preferuar nga organet botuese të atyre viteve si “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Shkëndia”, “Cirka”, “Jeta Kristiane”, “Vatra shqiptare” etj. dhe rrallëherë shkruante me emrin e vet, duke përdorur siç e thamë më lart, pseudonimin Basho Jona, Melibeu, N. D. etj., pasi në një gazetë mund të kishte raste të shkruante 2 apo 3 artikuj. “Kisha një kënaqësi të madhe të rrija me të me orë të tana, të dëgjoja bisedën e tij të qetë e të rrjedhshme me nji za depërtues,me gjuhën rapsodike të malsorit të kulturuem. Mahnitesha për njohunitë e gjalla e të freskëta që kishte për autorët klasikë grekë e latinë, për kujtesën e tij të kthjellët të vargjeve të Iliadës, të Safos etj., në origjinalin grek; të Horacit, Ovidit, Virgjilit, Katulit etj., në origjinalin latin”, – shkruan prof. Gjon Shllaku në vitin 1999. Shllaku sjell një episod nga jeta e këtij personaliteti, duke kujtuar gjendjen e jetesës së tij, që përballonte vuajtjet dhe lodhjet më sfilitëse në fabrikën e tullave.

“Për Nikollën dhe për shumë si Nikolla, shoqnia e atëhershme ka qenë e pashpirt, meskine dhe shtypëse. Në nji vend tjetër të lirë ai burrë intelektual do të kishte ndritë e do të ishte nderue, dhe do të kishte lanë vepra kolosal. Por me gjithë humbjet e shkrimeve nga konfiskimet gjatë dy burgimeve të tij dhe djegies së banesës ku ma vonë u ba klubi Vllaznia, prap se prap ka lanë punime me vlera të mëdha, me të cilat do të mbetet modelisti pas ekscellence i autorëve të mëdhenj klasikë”, – kujton dhe tërhiqet mbrame, profesori Gjon Shllaku.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency