Standard.al

BE-ja financon “smart grid” – rrjete inteligjente

Smart-Grid-Invest-2Këto rrjete do të lehtësojnë integrimin e energjisë së erës, asaj diellore dhe bio-energjisë.

Kalundborg është një qytet industrial me 17.000 banorë në veri të Danimarkës. Aty është realizuar një projekt i rëndësishëm për shërbimet komunale dhe planifikimin urban. Në Kalundborg janë rregulluar në mënyrë inteligjente jo vetëm furnizimi me energji elektrike, por edhe ai me ujë si dhe asgjësimi i mbeturinave dhe i mbeturinave industriale. Prej rreth 20 vjetësh në këtë qytet jo vetëm organet e pushtetit vendor, por edhe industria bujqësia, si dhe qytetarët janë shembullorë në qëndrimin ndaj mjedisit. Ngritja e një rrjeti inteligjent për furnizimin e qytetit me energji nga burime të integruara të energjisë së erës, asaj diellore dhe bio-energjisë do të jetë një arritje tjetër në fushën e mbrojtjes së mjedisit.

Në Kalundborg, gjendet termocentrali më i madh me qymyrguri i Danimarkës

Martin Andersen, drejtor i projektit “Smart Grid” në Kalundborg thotë për Deutsche Welle-n: “Në vitin 2050 ne duam që të heqim dorë plotësisht nga energjia e përftuar prej lëndëve djegëse fosile, si qymyri, nafta apo gazi. Energjia elektrike do të përftohet nga era dhe bio-masa”.

Sot në Kalundborg, gjendet termocentrali më i madh me qymyrguri i Danimarkës, i cili furnizon me energji elektrike tërë zonën perëndimore të ishullit të Seelandës.

Nëpërmjet “smart grid” konsumatorët jo vetëm që do të mund të marrin energji nga rrjeti, por edhe mund ta ushqejnë rrjetin me energji elektrike që e kanë prodhuar nga era apo sistemet e paneleve diellore që mund të kenë vënë në çatitë e shtëpive të tyre. Rrjeti kështu nuk është më rrugë njëkahëshe, por punon në dy drejtime.

Një pjesë e familjeve në Kalundborg kanë instaluar tashmë në bodrumet e shtëpive “sahatë elektrikë të zgjuar”, të cilët regjistrojnë konsumin e energjisë dhe sasinë e rrymës elektrike që ofrojnë familjet për rrjetin e përbashkët. Këto dhe të dhënat e tjera regjistrohen në një qendër të dhënash të shërbimeve komunale lokale.

Avantazhi për kompaninë që ofron “Smart Grid” është se ajo mund të konstatojë dhe të vlerësojë në çast se kur dhe sa energji elektrike është e nevojshme dhe të planifikojë në përputhje me rrethanat, prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike. Kjo mundëson një planifikim dhe shfrytëzim më të mirë, thotë Martin Anderson.

 

Teste në Reken të Gjermanisë

Edhe në Gjermani po eksperimentohet me “Smart Grid”. Një nga qytetet ku po bëhen teste të tilla është qyteti Reken me 14.000 banorë. Këtu koncerni i energjisë RWE po teston krijimin e rrjeteve të zgjuara për shpërndarjen e energjisë. Provat në Reken do të vazhdojnë deri në vitin 2015, për të parë mundësitë e parashikimit të konsumit të energjisë dhe planifikimin e prodhimit dhe të shpërndarjes së energjisë elektrike. “Smart Grid” vjen në ndihmë edhe kur ka defekte në rrjet, sepse ngaqë të gjitha të dhënat regjistrohen atëhere vendi ku ka ndodhur defekti mund të identifikohet për pesë minuta, tha për DW Andreas Breuer nga RWE.

 

BE-ja mbështet qindra projekte

Në të gjithë Evropën ka 281 projekte ku po testohen rrjetet inteligjente. Në 90 projekte shtesë ka filluar instalimi i sahatëve të zgjuar. Sipas të dhënave të Komisionit të BE-së sipërmarrjet që ofrojnë energji dhe shpërndarjen e saj kanë investuar deri tani 1,8 milionë euro. Në një qendër kërkimore në Holandë, BE-ja ka një agjenci të vogël që merret me koordinimin e projekteve “smart grid”. “Përvojat që janë bërë në Itali, nuk ka pse të bëhet përsëri në Danimarkë”, – thotë Vinzenco Giordano, ish-punonjës i qendrës hulumtuese evropiane. BE përkrah projekte “smart grid” në pothuajse të gjitha vendet anëtare, fokusi i hulumtimeve dhe testimeve janë në Britaninë e Madhe, Gjermani, Francë, Itali dhe Danimarkë.

 

Domosdoshmëria e sqarimeve rreth unionit bankar

Pesë vjet pas shpërthimit të krizës financiare, rregullat për bankat evropiane po ashpërsohen ndjeshëm. Me unionin bankar vjen edhe një mori rregullash të reja mbikëqyrjeje. Shoqata e bankave gjermane kërkon ndryshime.

Jürgen Fitschen, presidenti i Shoqatës Federale të Bankave gjermane, i ka dy kyçet e duarve të fashuara, kur del në konferencën për shtyp në Berlin. Nuk ka qenë i vëmendshëm, shpjegon 64-vjeçari lëndimet e tij. Por vetëm gjatë përpjekjes për të qenë fit. “Nuk e ka fajin lufta me ndonjë rregullator”, – bën shaka Fitschen. “Kur vraponi duhet të shihni përpara, atëherë një gjë e tillë nuk ndodh”. Të shohësh përpara, me këto fjalë Fitschen ka hyrë në temën e vërtetë, unionin bankar evropian. Pas këtij përkufizimi janë propozime për mbikëqyrje financiare, një sigurim depozitash dhe rimëkëmbja apo likuidimi i instituteve të kreditit në gjendje të keqe. Banka Qendrore Evropiane duhet të mbikëqyrë në të ardhmen të gjitha bankat në eurozonë, shuma e bilancit të të cilave është mbi 30 miliardë euro ose 20 për qind e performancës ekonomike të një vendi.

Kjo prek 150 deri 200 të gjithsej 6000 bankave në eurozonë. Edhe bankën private Deutsche Bank, shef i së cilës është Jürgen Fitschen. “Jemi shumë të gëzuar për njoftimin e krijimit të unionit bankar”, – tha ai. “Në shumë aspekte ai është në rrugë të mbarë dhe shoqata e bankave e mbështet. Krijimi i sektorit të qëndrueshëm bankar gëzon mbështetje të plotë. Është drejtimi i duhur”. Por kur flet për detajet e unionit bankar, tonet e Fitschen janë më pak pozitive. Në mekanizmin e likuidimit dhe rimëkëmbjes ai sheh nevojë të madhe për sqarime të mëtejshme. Ndërsa sigurimi i planifikuar i depozitave është shumë larg realizimit.

Veçanërisht e ashpër është kritika në temën e frenës së borxheve. Sipas rregullave të reja të Komisionit bankar të Baselit, shkurt Basel III, bankat deri tani ishin të detyruara të rrisnin ndjeshëm kapitalin bazë. Por tani diskutohet që bankave t’u përcaktohet edhe një nivel i përgjithshëm tavan për borxhet, një e ashtuquajtur “normë për borxhin”. Kjo do të kishte si pasojë që e gjithë shuma e bilancit të garantohej me të paktën 3 për qind kapital.

Michael Kemmer, administrator i parë i shoqatës së bankave, nuk e fsheh se këtë e sheh si rrugën e gabuar. “Ky do të ishte nja kapitullim kur shtrohet pyetja se si llogariten rreziqet”. Llogaritja e rreziqeve është pjesë e biznesit bankar dhe nuk mund të shmanget thjesht duke marrë si kriter shumën e bilancit. “Për ne kjo është e papërshtatshme”.

Shefi i shoqatës Fitschen shprehet edhe më qartë: “Nëse tani në fund, me gjithë përpjekjet, ndodh diçka në drejtim të levës financiare, shpresojmë që të jetë hartuar në mënyrë të tillë, që të mos ketë efekte anësore të dëmshme. Vështrimi duhet drejtuar në pozicione nga të cilat fitohet relativisht pak, por që përbëjnë pjesë të mëdha të bilanceve”.

Për shembull në zëra si financimi i shteteve apo edhe kreditë afatgjata për eksporte. Mund të prekej edhe kredidhënia ndërbankare. Nëntoni kërcënues i presidentit të shoqatës të bankave dallohet qartë. Ai ndoshta mund të jetë i pavëmendshëm gjatë vrapit, por kur është fjala për biznesin është shumë vigjilent.

Comments are closed.