Standard.al

A është koha për një moratorium të kredive bankare?

Ervin Kaduku

–   Kush do të paguajë për 400 milionë euro kredi të humbura, përveçse klientët e rregullt të institucioneve bankare të nivelit të dytë?

–   Si ka mundësi që bankat rritin asetet, edhe kur humbin shifra të tilla?!

–   Pse nuk bëjnë edhe bankat private një moratorium, siç bëri shteti amnisti për taksat?

 

banka-e-shqiperise-2Problematike në tremujorin e dytë të vitit është bërë rritja e huasë së humbur. Kredi të humbura quhen ato mbi 365 ditë vonesë, kur banka nuk ka më shpresa se mund ta marrë huanë për shkak se kreditori mund të ketë falimentuar, kredimarrësi mund të ketë vdekur dhe askush nuk mund të paguajë kredinë; banka ka nisur procesin e ekzekutimit të kolateralit, apo dhe kredia është ristrukturuar më shumë se dy herë dhe situata nuk ka ndryshuar. Këto kredi kanë arrritur në 9.2% të totalit në fund të tremujorit të dytë 2013, nga 7.96% në fund të tremujorit të parë dhe 7.7% në dhjetor 2012. Pikërisht rritja e kësaj kategorie me 1.27 pikë përqindje në tremujorin e dytë në raport me të parin ishte ai që çoi në përmirësimin e treguesit në total, ndërkohë që huatë e dyshimta (deri në 365 ditë vonëse) janë ulur me gati 1 pikë përqindje dhe ato nënstandarde (deri në 180 ditë vonesë) janë rritur vetëm me 0.07 pikë përqindjeje për të njëjtën periudhë.

Ndryshimet në Kodin Civil në fillim të muajit prill, të cilat përmirësuan dhe përshpejtuan procedurat e ekzekutimit të kolateralit nuk po arrijnë që të frenojnë shtimin e huave që bankat nuk kanë shpresë se do t’i rikuperojnë më.

Në vlerë absolute, huatë e humbura të sistemit bankar kanë arritur në mbi 400 milionë euro.

 

Problematiket

Kreditë me probleme në fund të tremujorit të dytë arritën në 24.4% të totalit, duke u rritur me 0.4 pikë përqindjeje në raport me tremujorin e parë, nga 22.8% që ishin në fund të vitit 2012. Të dhënat u bënë të ditura nga Banka e Shqipërisë. Në vlerë absolute, kreditë e këqija po i kalojnë 1 miliardë euro, shumë që është e konsiderueshme, pasi përbën 10% të totalit që ekonomia prodhon në një vit, prodhimit të brendshëm bruto (PBB).

Që nga fundi i vitit 2008, kur ishin rreth 4% të totalit të kredive në sistem, huatë e pakthyera në afat po rriten me shpejtësi.

 

Kush do penalizohet?

Tani që u ndryshua edhe Kodi Civil, me kërkesë të bankave të nivelit të dytë, të cilat me ligj konsiderohen si biznes privat, por me një interes të veçantë publik, teorikisht bankat e kanë më të lehtë që të vendosin sekuestro mbi pasuri të debitorëve të këqinj, madje edhe gjykatave ligji i ri i amenduar nuk u jep shumë hapësira për të bllokuar, si deri tani, me anë të vendimit të pezullimit të përkohshëm, një urdhër ekzekutiv për sekuestro të tundshmesh apo të patundshmesh, pronë të debitorit. Lind pyetja: si ka mundësi që edhe pas këtyre ndryshimeve të mos ketë asnjë rezultat konkret situata e kredisë së keqe? Madje, ajo po përkeqësohet më tej, duke rritur kategorinë e kredisë së humbur, pa shpresë rikuperimi nga bankat, ndaj pjesës tjetër të kredisë së dhënë prej tyre ndaj klientëve.

Sikurse ka ndodhur shpesh kohët e fundit, bankat kanë lëshuar në veprim një numër shumë të madh përmbaruesish e agjentësh, në përpjekje për të kthyer ç’është e mundur të kthehet në arkën e tyre. Faktikisht, humbja e 400 milionë eurove është një “gërvishtje” në realitet për sistemin bankar shqiptar, i cili zotëron asete të përgjithshme në masën 8.6 miliardë euro. Pra, kredia e humbur është më pak se 5% e këtyre aseteve.  Totali i aktiveve të sistemit bankar arriti në 1.2 mijë miliardë lekë në fund të gjshtëmujorit të parë të vitit 2013, duke shënuar një rritje prej 1.4% në raport me fundin e 2012-s. Të dhënat u bënë të ditur nga statistikat tremujore të Bankës së Shqipërisë. Me bazë vjetore (T II 2013/T II 2012) aktivet e sistemit bankar janë rritur me 3.9%, një tendencë e kënaqshme kjo, duke pasur parasysh që aktiviteti i sistemit bankar pothuajse ka ngacur, me kreditë e reja që janë në minimum dhe rritmet e rritjes së depozitave që janë ngadalësuar ndjeshëm.

Atëhere, del se dikush i paguan kostot edhe për kreditë e këqia, që janë para të cilat bankat i humbin. Përgjigja është një. Ashtu sikurse natyra që e ka frikë boshllëkun, edhe paraja nuk ka ku të avullojë. Ajo del nga një derë për të hyrë në një dritare. Thjesht, konkluzioni është se janë klientët e rregullt ata, që paguajnë edhe për të parregulltit. Bankat në vendin tonë shquhen për kushte jo shumë humane sa i përket trajtimit të klientëve huamarrës. Së pari, ato nuk sqarojnë siç duhet atë që merr para në formë kredie për pasojat, duke shfrytëzuar për vite me rradhë një injorancë të theksuar të shqiptarëve në këtë drejtim. Dhe, së dyti, ato tregohen krejtësisht të pashpirt kur është fjala për të penalizuar ata që ndodhen në pamundësi reale për të shlyer detyrimet. Askush nuk mund të mbajë anën e qytetarëve apo bizneseve që kanë marrë hua me qëllimin e mbrapshtë për të mos i kthyer ato, duke u mbështetur në mungesën e gjatë të shtetit ligjor. Por, nuk mund të mos konsiderohet shqetësues fakti që, dalëngadalë, po krijohet një shtresë sociale problematike e shqiptarëve, ajo e debitorëve, që mund të krijojë pasoja të paimagjinueshme, në rast se edhe vetë bankat do të sillen me logjikën e ftohtë të një matematicieni e jo si subjekte sociale. Fjala është për një amnisti, të pjesshme apo jo, le ta gjejë shteti këtë, për një numër të gjerë familjesh e biznesesh, që mund të ishte edhe në formën e moratoriumit. Shteti e ka realizuar këtë, madje më shumë se një herë, duke falur taksa për qindra miliona euro, që qeverisë do t’i bënin shumë punë. Po ky shtet ka qenë ai, që u ka bërë një lëshim të paimagjinueshëm bankave, duke lejuar amendimin e Kodit Civil në mënyrë që të lehtësohej rikuperimi i aseteve të debitorëve. Por kjo nuk e përjashton rolin human dhe social të bankave, të cilat ato mjaftohen ta tregojnë vetëm në raste kur organizojnë ndonjë konkurs, japin ndonjë çmim të rrallë.

Le të shohim se ç’do të bëjë mazhoranca e re në këtë drejtim, por mund të theksohet se edhe ajo ka qenë në të njejtën gjatësi vale me qeverinë aktuale kur në Kuvend janë miratuar ndryshimet ligjore që u kanë dhënë fuqi të jashtëzakonshme bankave që operojnë në Shqipëri.