Standard.al

18-vjeçarët, të çmendur për një patentë

SAFTEY2.NE.062406.TEL

Sapo kanë mbaruar shkollën e mesme, kanë dhënë provimet e maturës dhe janë në pritje të shkollës së lartë. Por të gjitha këto harrohen në një çast për 18-vjeçarët, të cilët ëndërrojnë për një makinë, pra të ngasin makinën “me leje”. Shumica prej tyre në fakt dinë ta ngasin makinën, pasi në gjithfarë rrugësh ata e kanë mësuar makinën nga të afërmit e tyre apo edhe shoqëria. Igli është një prej tyre, bashkë me gjithë grupin e shoqërisë së tij, djem, por edhe vajza 18-vjeçare, të cilët e kanë mbyllur maturën, por takohen paraditeve për kafe. Biseda e tyre e zakonshme në këto ditë të nxehta të verës është të pasurit një makinë, pasi kështu do ta kishin më të lehtë për të shkuar në Durrës me shoqërinë. Ëndrra nuk mbetet vetëm tek shëtitja, por edhe tek llojet e makinave. Kërkimet e tyre janë gati të çmendura për makina luksoze, por vetëm në Google! Megjithatë, të gjitha këto ëndrra për makinë frenohen në çast, kur u duhet të kujtojnë moshën, pragun kur atyre u duhet të ndjekin kursin për të fituar një patentë.

Ky është refreni që u këndojnë prindërve çdo ditë, për të hyrë në autoshkollë. Por deri tani ata nuk dinë as për rregullat e reja për shoferët, as për gjobat. Megjithatë, e dinë se tejkalimi i shpejtësisë ka nenin e tij në Kodin Rrugor. Këtë vit ka ndryshuar ligji për marrjen e patentës.

 

Shoferët e rinj, ja si do të zhvillohen kurset.

Hyn në fuqi ligji për patentat me pikë. Mjaftojnë vetëm 3 gjoba për tejkalim shpejtësie dhe të pezullohet menjëherë patenta. Rregullat e reja janë botuar në “Fletoren zyrtare”, bashkë me normat që duhet të respektojë çdo shofer. Masa më të rrepta do të ketë para ata të rinj të cilët e marrin patentën për herë të parë apo ata që e rinovojnë atë. Kështu aplikuesit për një leje drejtimi të kategorive “A” dhe “B” ose për rinovimin e një lejeje të tillë, të cilët kanë humbje të plotë funksionale të shikimit në një sy apo ata të cilët përdorin vetëm një sy (p.sh. në rastin e diplopisë) duhet të kenë një mprehtësi vizive prej të paktën 0,6 me lente korrektuese, nëse është e nevojshme. Autoriteti mjekësor kompetent duhet të vërtetojë që kjo gjendje e shikimit njëpamor ka një ekzistencë të mjaftueshme të gjatë për të lejuar përshtatjen dhe që fusha e shikimit në këtë sy është normale. Certifikatat mjekësore duhet të plotësohen në secilën pjesë që kanë të bëjnë me kërkesat e përshkruara për drejtimin e mjeteve rrugore ose të tipave të tyre, të kategorisë së lejes së drejtimit të kërkuar dhe, nëse është e nevojshme, mund të plotësohen me fletë shtesë.

Ndryshimet

Për 3 vitet e para nga data e marrjes së lejes së drejtimit të kategorisë “A”, nuk lejohet drejtimi i motoçikletave me ose pa kosh me fuqi më të madhe se 25 kw dhe/ose me raportin fuqi/peshë më të madhe se 0.16 kw/kg, referuar masës pa ngarkesë. Për 3 vitet e para nga data e marrjes së lejes së drejtimit të kategorisë “A”, nuk lejohet tejkalimi i shpejtësisë sipas nenit 140 të Kodit Rrugor.

Për të rimarrë pikët e humbura

Programet dhe kohëzgjatja e kurseve të trajnimit për të rimarrë pikët e humbura përcaktohen nga ministria përgjegjëse për transportin rrugor në aktet, që rregullojnë veprimtarinë e autoshkollave dhe të programeve të testimit. Për të rimarrë pikët e humbura drejtuesi i mjetit duhet t’u nënshtrohet kurseve të kualifikimit dhe provimeve për kategorinë më të lartë të shënuar në lejen e drejtimit të anuluar. Kontrolli i gjendjes reale të pikëve nga çdo drejtues mjeti rrugor bëhet në faqen në internet të DPSHTRR-së, duke iu referuar numrit të lejes së drejtimit. Për drejtuesit e mjetit rrugor, që janë punonjës të shërbimeve të policisë rrugore dhe kontrolleve të tjera në rrugë, sipas neneve 11 dhe 12 të Kodit Rrugor, numri i pikëve të tabelës së mësipërme dyfishohet.

Kurset

Kohëzgjatja e kurseve për përgatitjen teoriko-praktike në autoshkollë përcaktohet nga lloji i lejes së drejtimit, në mbështetje të akteve nënligjore, të nxjerra nga ministria përgjegjëse për transportin rrugor. Për përgatitjen e plotë, teorike dhe praktike, të kandidatëve, subjektet që organizojnë autoshkollat duhet të realizojnë programet e teorisë dhe të praktikës, të hartuara dhe të miratuara nga ministria përgjegjëse për transportin rrugor. Regjistrimi i personave të interesuar për t’u pajisur me leje drejtimi bëhet nga vetë autoshkolla, e cila regjistron personat e interesuar për t’u pajisur me leje drejtimi me banim në juridiksionin e rrethit, për të cilën është licencuar, si dhe studentët me qëndrim të përkohshëm, brenda këtij juridiksioni. Gjithashtu, mund të regjistrohen edhe persona me banim jashtë juridiksionit të licencës në mungesë totale aktiviteti ose kategorie të veçanta, aktivitetit për autoshkollë nga rrethe apo drejtori të tjera rajonale, kur kjo është e konfirmuar.

 

Mjetet që përdoren gjatë kurseve

a) Për kategorinë “A”, motoçikletë me ose pa kosh, me cilindratë jo më pak se 250 cm3

b) Për leje drejtimi të kategorisë “B”, automjet i kategorisë “B”, me peshë maksimale deri në 3.500 kg ose automjet, për transport personash, deri në (8+1) vende, i cili duhet të realizojë një shpejtësi mbi 100 km/orë

c) Për kategorinë “BE”, automjet i përshtatshëm për provën e kategorisë “B”, e kombinuar me një rimorkio, me peshë maksimale të autorizuar 1.000 kg, bashkimi i të cilave nuk hyn në kategorinë “B” dhe që duhet të realizojë një shpejtësi mbi 100 km/orë

ç) Për kategorinë “C”, një mjet rrugor të kategorisë “C”, me masë maksimale të autorizuar prej të paktën 12.000 kg, me gjatësi prej të paktën 8 m, me gjerësi prej të paktën 2,40 m dhe me shpejtësi prej të paktën 80 km/orë, e pajisur me frena kundër bllokimit (ABS), e pajisur me kuti shpejtësie që ka të paktën 8 (tetë) raporte marshe përpara dhe pajisjen e regjistrimit të kohës dhe shpejtësisë (tahograf). Mjeti rrugor në procesin e përgatitjes dhe të provave praktike të jetë me një masë të përgjithshme minimale reale prej 10.000 kg

d)Për kategorinë “CE”, një mjet rrugor të artikuluar ose një kombinim i një mjeti rrugor të kategorisë “C” me një rimorkio të paktën 7,5 m të gjatë.

dh) Për kategorinë “CE”, një mjet rrugor të artikuluar ose një kombinim i një mjeti rrugor të kategorisë “C” me një rimorkio të paktën 7,5 m të gjatë. Si mjeti rrugor me rimorkio dhe ai i kombinuar. Për kategorinë “D”, një mjet rrugor të kategorisë “D”, me gjatësi prej të paktën 10 m, gjerësi prej të paktën 2,40 m dhe kapacitet shpejtësie prej të paktën 80 km/orë; i pajisur me frena kundër bllokimit (ABS) dhe me pajisje regjistruese të shpejtësisë dhe kohës (tahograf).

Çfarë duhet të kenë parasysh kursantët

Kur mjeti rrugor mësimor drejtohet nga një kandidat, në të lejohet të hipë vetëm një kursant tjetër, përveç instruktorit, ndërsa kur mjeti rrugor është autobus, me të cilin stërviten persona që do të pajisen me lejen e drejtimit të kategorisë “D”, mund të udhëtojnë vetëm pjesëtarët e të njëjtit grup stërvitor, por jo më shumë se 8 (tetë) persona. Është e drejtë e çdo kandidati, që vazhdon autoshkollën, të ankohet te drejtuesi i autoshkollës ose strukturat përgjegjëse në DPSHTRR për aktivitetin e autoshkollës, kur vëren se mungojnë kushtet, nuk bëhen përpjekjet e nevojshme për përvetësimin e programit të detyruar mësimor teoriko-praktik.

 

Si bëhet përgatitja e kandidatëve

a) Fillimisht në fushë, rrugë e mjedise ku nuk ka lëvizje, për të marrë më parë reflekset e nevojshme, pastaj në rrugë e mjedise ku nuk ka lëvizje të dendura

b) Në rrugë jashtë qyteteve e qendrave të banuara, ditën dhe natën

c) Në rrugë, brenda qyteteve dhe me dendësi të madhe lëvizjeje, ditën dhe natën.

Personat, që duan të regjistrohen në autoshkollë, paraqesin pranë saj dokumentet e mëposhtme:

a) Kërkesën për kategorinë e lejes së drejtimit që do të përgatitet

b) Certifikatën mjekësore që vërteton aftësinë shëndetësore për të drejtuar mjetin rrugor

c) Lejen e drejtimit të aftësisë së klasës të mëparshme (në qoftë se ka)

ç) Përpara fillimit të autoshkollës, ndërmjet palëve lidhet kontrata, ku përcaktohen të drejtat dhe detyrat e secilës palë”.

Comments are closed.