Skënderbeu “sfidon” makthin, duke “ëndërruar” për Ligën e Evropës

0
137

Altin Vorpsi

Ndeshja mes Skënderbeut dhe skuadrës së Shakhtar Karagandit do të zhvillohet sot në “Qemal Stafa”, në orën 20:00

 

skenderbeu1Humbja 3-0 në Kazakistan i lë shumë pak shpresa Skënderbeut. Sfida e parë përballë Shakhtar Karagani tregoi tërë diferencat mes dy klubeve që këtu do të marrin drejtime të ndryshme. Takimi që mbahet sot në orën 20:00, do të ketë “dy” fituese, pasi Skënderbeu do të shkojë në raundin e “play off”-it të Ligës së Evropës, ndërkohë që Shakhtar Karagandi do të kalojë në fazën “play off” të Ligës së Kampioneve.

Flamuri i bardhë

Edhe pse e dinë se rezultati i korrur në Kazakistan lë pak vend për të diskutuar, ata përsëri janë optimistë. Në futboll gjithmonë është e kohës shprehja “kurrë mos thuaj kurrë”. Një të tillë e konfirmon vetë numri një i korçarëve. Në një prononcim për mediat, Ardian Takaj, presidenti i Skënderbeut, pohoi: “Normalisht, ndeshja 3-0 është rezultat shumë i thellë dhe është në disfavorin tonë. Megjithatë, futbolli ka treguar se ka edhe surpriza. Edhe kalimi i një turi të Champions League është një arritje shumë e madhe. Objektivat, që kemi pasur ne sivjet, ka qenë kampionati, Kupa dhe kalimi i një turi në Evropë. Besoj se i kemi arritur objektivat tona, ndërsa ky ishte një realizim plus, që tani do të thotë të futemi në grupet e Europa League”.

Jo për 3-0

Për teknikun Josa diferencat mes dy skuadrave nuk u reflektuan më së miri në takimin e parë. Për numrin një të pankinës së Skënderbeut: “Janë dhe 90 minuta në lojë. Mund të them se ndeshja që luajtëm ne dhe mënyra se si luajti skuadra atje nuk i përgjigjet fare rezultatit që ne pësuam, por mua më intereson ta fitojmë ndeshjen. Problemi nëse do të fitohet 2-0 apo 3-1 është tjetër gjë, por në futboll të gjitha gjërat janë të pritshme”.

 

 

Liga e Evropës

Kukësi “i dhuron” vetes Smajlin, gati festa për kualifikimin

Kukësi vazhdon të mbetet një nga skuadrat më shumë model sesa surprizë tashmë, në këtë verë të nxehtë evropiane edhe për futbollin shqiptar. Në raundin e tretë ata kanë arritur të kalojnë me sukses ndeshjen e parë, përballë një kundërshtari që në letër as mund të guxonin ta mendonin rezultatin pozitiv. Megjithatë, fitorja 2-0 për trajnerin Cungu, duke ditur edhe forcën e kundërshtarit, është një rezultat i mirë, por jo i sigurt. “Futbolli është një sport i çuditshëm, që shpeshherë ka pasur rezultate të papritura. Ne nuk do të fluturojmë, por do të qëndrojmë me këmbë në tokë. Rezultati është i mirë, por nëse nuk djersitim do të kemi probleme serioze”, – deklaron Cungu. Mbërritja shumë pranë zonës së play off-it të Europa Legue, një rekord ky për futbollin shqiptar, tashmë ky objektiv i ri për skuadrën e Kukësit vlen më shumë sesa një premio financiar ose të paktën e kalon atë në plan të dytë. “Duhet të bëjmë maksimumin jashtë energjive tona, të cilat duhet t’i shfaqim në fushën e lojës. Fakti që jemi një hap larg turit të tretë do të ishte një mëkat të mos e arrinim këtë objektiv, jo vetëm për Kukësin, por gjithë futbollin shqiptar”, – u shpreh Cungu. Problemi më i madh në pamje të parë për skuadrën e Kukësit, e cila niset mëngjesin e së mërkurës për në Ukrainë, janë dëmtimet dhe mungesat. Një mungesë e rëndësishme është Malakarne, i cili me shumë mundësi nuk do të luajë në ndeshjen e kthimit, ashtu si edhe Musolli. Gjithsesi, pjesa tjetër e skuadrës është e gatshme dhe mbi të gjitha e motivuar për t’ia dalë mbanë sërish. Ndërkohë, dje skuadra e Kukësit ka zyrtarizuar edhe blerjen e vet më të re. Flasim për Smajlin, që duke filluar që nga dita e djeshme, do të veshë ngjyrat “blu”.

 

FSHF

Përcaktohet kalendari i Kategorisë së Parë

Në mjediset e Federatës Shqiptare të Futbollit u hodh dje shorti i Kategorisë së Parë që do të nisë me 31 gusht dhe do të mbarojë më 10 maj të vitit të ardhshëm. Ky kampionat, në të cilin marrin pjesë 16 skuadra, do ta mbyllë fazën e parë më 21 dhjetor, ndërkohë që fazën e dytë do ta nisë në shkurtin e vitit tjetër. Dinamo do ta nisë këtë sezon futbollistik me ndeshjen përballë Veleçikut, Elbasani do të presë Tërbunin, skuadra e Tomorit që ra nga Superliga do të ndeshet me Himarën. Ekipi i Shkumbinit, i cili rikthehet pas shumë vitesh në Kategorinë e Parë, do të ndeshet me Apoloninë, një tjetër skuadër kjo që sezonin e kaluar ra nga Superliga.

 

Trukimet

Hije dyshimi mbi kampionatin spanjoll

Skandali i fiksimit, i rikthyer në qendër të vëmendjes në dy procese të zgjatura në Itali në dy vitet e fundit, tashmë është zgjeruar edhe në Spanjë. Ishte vetë presidenti i Ligës së Futbollit Profesionist në Spanjë, Havier Tebas, ai që bëri të ditur këtë të hënë se janë marrë nën hetim nëntë takime, të dyshuara për mundësinë e fiksimit. “Janë tri ndeshje të Primera Division dhe gjashtë të Liga Adelante (Kategoria e Dytë) nën hetim për fiksim të mundshëm. Nuk mund të zbuloj të gjitha ndeshjet e dyshuara, për shkak hetimi, por mund të konfirmoj se midis tyre ndodhen ndeshjet Girona-Xerez, Hercules-Racing dhe Levante-Deportivo. Dosjet janë dorëzuar në prokurori”, – deklaroi Tebas.

 

 

Botërori i notit

SHBA e mbyll në vendin e parë

Dita e 16-të dhe e fundit e Kampionatit Botëror të Barcelonës u përqendrua vetëm në Palau Sant Jordi për garat e notit. Natyrisht, rezultatin më të bujshëm e arriti rusja Efimova që pas thyerjes së rekordit botëror, në garën e 50 metrave bretkosë fitoi gjithashtu medaljen e artë, duke triumfuar ndaj lituanes Ruta Melityte. Medaljen e parë të artë, të ditës së fundit për Francën e fitoi Camille Lacourt, në 50 metra, shpinë, me kohën 24”42. Interesant është fakti se në këtë garë nuk pati medalje bronzi, sepse si francezi Jeremy Stravius ashtu edhe amerikani Matt Greevers e mbyllën konkurrimin e tyre me kohën e njëjtë 24”54. Ranomi Kromowidjojo duket se më të mirën e kishte lënë për në fund, teksa fitoi medaljen e artë në 50 metra, stil i lirë, duke lënë prapa respektivisht australianen Bronte Campbell dhe britaniken Francesca Halsall. Pasi siguroi medaljen e parë të artë në një Olimpiadë, 21-vjeçari Sun Yang vazhdoi rrugën e tij të sukseseve në finalen e 1.500 metrave, me kohën 14’41”15. Notari kinez la pas kanadezin Ryan Cochrane, ndërsa Gregorio Paltrinieri përveçse përmirësoi rekordin italian i dha edhe medaljen e vetme vendit të tij, në kategorinë e meshkujve. Dita u mbyll si përherë me stafetat dhe në të dyja rastet triumfuan ekipet e Shteteve të Bashkuara, megjithatë në 4 x 100 metra stil i përzier për meshkuj kuarteti amerikan u skualifikua për një nisje të parakohshme të Kevin Cordes. Për rrjedhojë medalja e artë shkoi për Francën, ndërsa Australia dhe Japonia kompletuan podiumin. Te femrat katërshja amerikane nuk pati aspak probleme, me Australinë që zuri sërish vendin e dytë, ndërsa Rusia mori medaljen e bronzit. Përfundimisht Shtetet e Bashkuara ia dolën mbanë ta mbyllin Botërorin e Barcelonës në krye, me 15 medalje ari kundrejt 14 të Kinës dhe plot 34 medalje gjithsej, 8 më shumë se sa vendi aziatik që siguroi vendin e dytë në klasifikimin e përgjithshëm duke lënë ndjeshëm pas Rusinë. Kampionati i ardhshëm botëror do të zhvillohet si zakonisht pas dy vjetësh dhe privilegjin për ta organizuar këtë herë do ta ketë qyteti i Kazanit, në Rusi.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency