Deklaratat e Ramës për auditin, Shehu: Demagogji, sistemi financiar më transparent në gjithë vendin

0
122

Intervistoi: Ina Jano

Deputeti demokrat: Ministrat e Ramës, kamikazë dhe një togë ushtarësh. Injorantë në konceptet ekonomike dhe me shumë pak përvojë për të qenë ministra

 

sherefedin-shehuDeputeti demokrat Sherefedin Shehu thotë se programi i paraqitur nga Rama në lidhje me financat e vendit dhe auditin si pjesë e veçantë e tij është demagogji dhe vjen nga mosnjohja e situatës reale që është duke kaluar vendi, madje me ironi ai thotë se duket sikur ata nuk kanë jetuar në Shqipëri vitet e fundit. Ai, në një intervistë për gazetën “Standard”, nënvizon se sistemi i financave në vend është tejet transparent. “Me keqardhje duhet t’ju them që për këtë fushë Edi Rama as nuk di vetë dhe as nuk ka me kë të këshillohet, sepse të flasësh për auditim të financave publike është injorancë nga pikëpamja fiskale, por është demagogji nga ana politike, sepse krijon tek qytetarët imazhin që këtu është bërë nami, por nga ana tjetër zgjidhjen do ta marrë nga ndërkombëtarët, kështu që po të rimë vetëm tek çështje e auditimit këtu kemi rastin e përdorimit maksimal të demagogjisë, për faktin sepse sistemi i financave publike është sistemi më transparent”, – nënvizon zoti Shehu.

Gjithashtu, ai jep edhe mendimin e tij në lidhje me zgjedhjet e zhvilluara në Partinë Demokratike, risitë që pritet të sjellë kreu i ri i selisë blu dhe gjithashtu jep disa komente apo “këshilla” në lidhje me mënyrën e të bërit opozitë për katër vitet e ardhshme.

 

Pyetje: Z. Shehu, tashmë Partia Demokratike ka një kryetar të ri, i cili u zgjodh për herë të parë përmes parimit “një anëtar – një votë”. Si do ta komentonit të gjithë procesin nëpër të cilin kaloi zgjedhja e kreu të ri të selisë blu?

Procesi për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së kishte disa probleme, por ato lidheshin me mënyrën se si funksionoi partia, sesa me ndonjë parapërgatitje për të krijuar probleme nga secila palë, kështu që përfundimisht rezultati ishte i tillë që nuk lë vend për shumë komente të tjera, përveçse duhet të konsiderohet si problem administrimi më i mirë i anëtarësisë dhe funksionimit organizativ të Partisë Demokratike.

 

Pyetje: Në 22 vjet ekzistencë të PD-së, zoti Basha është kryetari i dytë i saj pas liderit historik zotit Berisha. Çfarë mendoni se do të sjellë risi, një figurë e tillë në krye të selisë blu?

Natyrisht që ai sjellë shumë risi, sepse vjen me një moshë të re, por me një eksperiencë të mjaftueshme për të qeverisur Partinë Demokratike, por edhe duhet parë si Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë. Besoj se pavarësisht nga mosha, eksperienca e tij qoftë edhe tashmë në krye të Bashkisë së Tiranës e bën atë që të jetë i besueshëm për të gjithë anëtarësinë e Partisë Demokratike, por edhe për qytetarët në zgjedhjet e ardhshme.

 

Pyetje: Cilat janë disa nga piketat ku duhet të përqendrojë punën opozita e re, me synimin kryesor atë të rikthimit në pushtet pas dy vitesh, kohë kur zhvillohen edhe zgjedhjet vendore?

Opozita nuk ka shumë punë për të bërë, sepse opozita e nesërme e opozitës ka treguar modelin më të mirë të qeverisjes, përveçse shqiptarët duhet të shikojnë edhe një herë me fakte keqqeverisjen e pritshme nga Rama që të shikojnë dhe të binden që qeveria e Partisë Demokratike, pavarësisht nga problemet që mund të ketë pasur, ka qenë qeveria më e mirë e shqiptarëve. Megjithatë, ato që janë evidentuar si probleme për qeverisjen, natyrisht do të jenë edhe shtylla e luftës që do të bëjë kundër qeverisë, por njëkohësisht edhe për tu vetëkorrigjuar dhe për tu dhënë garanci qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme. Mund të përmend luftën kundër korrupsionit që mund të jetë pjesa më e prekshme për qytetarët edhe për faktin sepse ajo u fry shumë nga PS-ja nëpërmjet politikës së fyerjeve, sharjeve, të denigrimit, por edhe të bllokimit, pra krijoi imazhin, ose si të thuash e shumëfishoi tek qytetarët efektin e korrupsionit ose të perceptimit për korrupsionin nga qytetarët, kështu që besoj që mjafton një funksionim më i mirë organizativ dhe një përfshirje më e madhe dhe një thithje e të gjithë kontributeve, por edhe unifikimi i opozitës pra për të krijuar një opozitë të gjerë dhe të gjithë atyre që jo vetëm janë të djathtë politikisht por janë edhe opozitarë me qeverinë ekzistuese, duhet të jenë drejtimet e punës për opozitën e ardhshme.

 

Pyetje: Kryeministri i ardhshëm ka prezantuar 19 ministrat e rinj. Cili është komenti juaj mbi ekipin e Ramës dhe opinioni për qeverinë socialiste të shtatorit?

 

Nuk kam asnjë koment mbi figurat, sepse unë nuk bëj asnjë koment, për ta por do të bëj një koment për qeverinë…

 

Pyetje: Zoti Rama ka bërë publike dhe programin për financat edhe për auditin, si pjesë e rëndësishme e programit qeverisës, projekt ky për të cilin edhe Kryeministri Berisha i ka kthyer përgjigje në daljet e tij të fundit publike në media…

Pa u marrë me emrat në mënyrë konkrete, sepse po të merresh me emrat bën edhe cilësimin e qeverisë. E rëndësishme është që modeli i Ramës është modeli i komandantit dhe ai ka zgjedhur vetëm një togë ushtarësh që rinë në resht. Disa me shumë pak eksperiencë, të paktën për nivele të tilla qeverisje dhe me hije dyshime për mënyrën e sjelljes publike të tyre, por edhe ato që kanë pak eksperiencë, e kanë eksperiencë keqqeverisje. E rëndësishme është se çfarë do të bëjë Edi Rama për qytetarët kjo është pika më e dobët. Ajo që po shohim deri tani është vetëm hedhje në treg e disa alternativave që s’kanë të bëjnë aspak me programin qeverisës të parashtruar në zgjedhjet që sapo u mbyllën, por më tepër ato përpiqen që të krijojnë vetëm një imazh që Rama do të bëjë gjëra të mëdha, por po ti shikosh në mënyrën sesi do të realizohen ato janë asgjë.

Për ta ilustruar le të shikojmë vetëm, pjesën e auditimit që edhe ju e përmendët në pyetjen tuaj. Me keqardhje duhet t’ju them që për këtë fushë Edi Rama as nuk di vetë dhe as nuk ka me kë të këshillohet, sepse të flasësh për auditim të financave publike është injorancë nga pikëpamja fiskale, por është demagogji nga ana politike, sepse krijon tek qytetarët imazhin që këtu është bërë nami, por nga ana tjetër zgjidhjen do ta marrë nga ndërkombëtarët, kështu që po të rimë vetëm tek çështje e auditimit këtu kemi rastin e përdorimit maksimal të demagogjisë, për faktin sepse sistemi i financave publike është sistemi më transparent. Po të klikosh në website-n e Ministrisë së Financave mund të shikosh çdo pagesë edhe mund të shikosh çdo transaksion të qeverisë. E dyta të gjitha statistikat që raporton qeveria janë njëkohësisht edhe statistika që raporton Fondi Monetar Ndërkombëtar në ditarin statistikor të statistikave financiare të qeverisë.

 

Pyetje: Por për auditimin dhe propozimin e Ramës për të…

Auditimi dhe propozimi i Ramës është edhe pika më e dobët nga ana profesionale. Auditimi zakonisht e kërkojnë investitorët por zoti Rama dhe ministrat apo këshilltarët e tij janë mesa duket injorantë në këtë fushë dhe po u tregojnë qytetarëve që ata nuk kanë qënë në Shqipëri. Që nga viti 2007 Shqipëria ka dy kompani ndërkombëtare të njohura që është “Moody’s” dhe “Standard and Poors” të cilat bëjnë renditjen e ekonomisë shqiptare, në fushën e statistikave, politikave, shifrave, fakteve, të analizave të ecurisë së ekonomisë së vendit dhe të rajonit dhe shumë aspekte të tjera dhe ato i bëjnë një përcaktim nivelit të qeverisjes dhe marrëdhënieve financiare të qeverisë. Mbi këtë bazë vihet një notë dhe kjo notë e Shqipërisë është e stabilizuar, madje edhe në periudhën e krizës kur të gjithë vendet e tjera u zhvlerësuan. Të flasësh për auditim e para është humbje kohe dhe e dyta është thjesht një sjellje demagogjike për tu thënë qytetarëve që Edi Rama dhe qeveria e tij do të bëjnë çudira në mandatin që vjen. Deklaratat e Ramës sepse janë broçkulla dhe nuk po thotë asnjë gjë për programin e tij. Pritshmëritë janë minimale sepse Edi Rama ka vënë kamikazë dhe ushtarë dhe në përfundim do qeverisë Edi Rama dhe jo ministrat e tij.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency